Nje Sali Berisha para se të hypte ne pushtet, viti 2005, një Sali asket që preferon vuajtjen dhe jo pasurinë, lëmoshën dhe jo makutërinë ....
Berisha para pushtetit 2005

 

Çfarë ka thënë Berisha 2 ditë para se të merrte pushtetin në 2005 për Ahmet Zogun, diferencat Veri-Jug, çështjen çame, Janullatosin, të ardhurit në Tiranë… Dhe pohimi: “Nuk e besoja kurrë që komunizmi do binte, mendoja se do bëheshim si Kuba”. E vetmja intervistë dhënë një kritiku të fortë të tij si Mustafa Nano, dhe ndër të paktat ku... nuk flet vetëm për politikë.

Intervista që po botojmë sot në DITA nuk është botuar asnjëherë më parë në shtyp. Është transmetuar vetëm një herë në një televizion të sapohapur me audiencë të ulët dy ditë para zgjedhjeve të 2005-s dhe më pas është lënë në harresë. Është nga të paktat (në mos e vetmja intervistë) ku Sali Berisha nuk flet vetëm për politikë. Gazetari dhe publicisti Mustafa Nano e ka intervistuar Berishën vetëm këtë herë, asnjëherë më përpara apo më pas. Nano njihet si një kritik i fortë i Berishës (në editorialin e djeshëm për vdekjen e Lirak Bejkos, e quante rrugaç dhe bandit).
“Të gjithë më thoshin, nuk ta jep kurrë ai ty intervistën” – tha dje Nano për DITA-n, kur i thamë që kemi zbardhur nga kasetat e vjetra të arkivës së 2005-s një intervistë Nano-Berisha. Kujton Nano: “Është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 2005-s. E rregulloi Mero Baze, asokohe marrëdhëniet e tyre ishin shumë të afërta. 10 minuta pasi i thashë Bazes, erdhi telefonata konfirmuese. Pyetjet u kërkuan paraprakisht. Më pas, intervista është xhiruar në zyrën e Berishës në PD”.
Ndonjë sjellje e veçantë kundrejt njëri tjetrit? “Asgjë, – kujton Nano, – Një “njatjeta, si jeni mirë” dhe nisëm menjëherë me pyetjet”.
Intervista e plotë ka patur 125 pyetje, disa prej të cilave (kanë të bëjnë me Gramoz Pashkon ose me rrethana tashmë të tejkaluara ngjarjesh) nuk janë përfshirë në këtë botim. Formati i intervistës ka qenë pyetje- përgjigje të shpejta dhe Berisha ka qenë një nga 4 të përfshirët në këtë format (emisioni i atëhershëm i Nanos quhej “4 herë 1”). Ideja ishte që 4 të ftuar të njëhershëm i përgjigjeshin të njëjtave pyetje.
Më poshtë, përgjigjet e Berishës. Me interes është të vihet re se 2 ditë para se të vinte në pushtet, Berisha ka patur të tjera koncepte për ekonominë, e sidomos për figurën e Ahmet Zogut. Madje në të kundër të asaj që ka thënë shpesh, në këtë intervistë Berisha thotë që nuk e besonte kurrë që komunizmi do binte, dhe parashikonte për Shqipërinë një skenar të ngjashëm me Kubën e sotme.

M.Nano: Ka ndonjë gjë në qenien e në jetën tuaj që ju bën të ndiheni krenar?
S.Berisha: Midis krenarisë dhe përvuajtshmërisë, unë preferoj këtë të dytën.
Ka ndonjë moment nga jeta juaj, që ju është gdhendur në kujtesë e nuk ju shqitet?
Ka disa gjëra nga jeta ime. Një moment është kur unë kam bindur familjen time t’i kundërvihem dikataturës. Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë. Momenti i dytë është kur kam parë gjëra të pabesueshme, siç ishte rënia e diktaturës. Nuk e prisja kurrë që unë do ta shihja këtë proces, kjo është e vërteta. Kisha një ide që do të mbështeshim si Kuba, sepse kjo ide qarkullonte mjaft në atë kohë. Ka disa momente të tilla, jeta ime ka qenë jetë me momente
Mendoni se për të patur paqe nuk duhen bërë luftëra apo mendoni se nuk mund të ketë paqe pa bërë luftë?
Mendoj se luftërat kanë përcaktuar paqen dhe kur imponohen janë të dosmosdoshme.
Janë fajtorë grekët apo ne shqiptarët për të krisurat që gjenden në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë?
Gjykoj se fajtor më shumë se kushdo tjetër është epoka e perdes së hekurt. Ngriu marrëdhëniet për 50 vjet midis dy popujve. Kanë patur probleme, por kanë patur edhe gërshetime shumë të fuqishme.
Cili është në historinë e botës personazhi të cilit keni dashur apo do të donit t’i ngjanit?
Nuk kam dëshirë që të jem imituesi i askujt. Por që admiroj është gjë tjetër. Në historinë e botës është Çurcilli
Cili është në historinë politike të shtetit shqiptar personazhi më i dashur për ju?
Faik Konica
Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Ekziston
Natyra na përket neve apo ne i përkasim natyrës?
Natyra na përket ne
Mendoni se duhet t’ju jetë mirënjohës ndokush? Kush?
Nuk kamë bërë asgjë që të më jenë mirënjohës të tjerët. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë se duhej bërë.
E keni ndjekur debatin publik mbi dialektet dhe kritikat që i bëhen gjuhës sonë standarde? Ju duket një debat i udhës dhe i frytshëm?
Mendimi im është se gjuha shqipe përjeton një krizë dhe që është e domosdoshme që të jetë një debat shkencor, në mënyrë që të mos shkojnë në kahe të ndyshme dy pjesë të rëndësishme të kësaj gjuhe. Unë di se është krijuar një komision dhe uroj që ky komision të jetë më aktiv në zgjidhjen e këtij problemi që ekziston dhe meriton një trajtim serioz që gjuha të ruajë unitetin e saj.
Kosovarët duhet të bëjnë çmos të familjarizohen me shqipen tonë standarde apo duhet të standardizojnë dialektin e tyre të veçantë?
Jo. Mendoj se duhet të ketë një standard gjuha shqipe. Por ky standard duhet të ridiskutohet në mënyrë që të zgjerohet shtrati i saj dhe unë nuk mendoj se duhet të shkohet drejt dy standardeve në gjuhën shqipe.
PBDNJ-ja është parti e pakicës greke apo parti e pakicave në Republikën e Shqipërisë?
Në parim është partie e pakicave e përqendruar kryesisht me pakicën greke
Mendoni se shqiptarët janë me mentalitet lindor apo perëndimor?
Shqiptarët janë me mentalitet perëndimor, por kanë dhe disa trashëgimi të kohërave që kanë jetuar në perandorinë lindore.
Është e majta apo e djathta ajo që kontrollon më shumë mass-media-n shqiptare?
Masmedian shqiptare dhe ndërkombëtare e kontrollon më shumë e majta.
E kuptoni apo e qortoni merakun e shumë evropianëve lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE?
Unë e mirëkuptoj merakun e evropianëve për anëtarësimin e Turqisë në BE, por kam bindjen më të thellë se finalitetit real i Bashkimit Evropan nuk kompletohet pa bashkimin e Turqisë.
Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Pa asnjë mëdyshje një kulturë. Kombeve trupi mund t´u ndahet, shpirti, e pamundur. Kultura është shpirti i kombit. Ekzistojnë kufijtë për rrethana të caktuara historike, gjeografike, politike, por nuk ekziston dot ndarja kulturore. Kemi të njëjtën Rilindje, jemi pa dallim.
Sikur t’ju thoshin se çdo njeri e ka një çmim, me të cilin mund ta shesë kauzën e vet, ju çfarë do të thoshit?
Unë mendoj se kauza meriton çdo çmim.
Mendoni se në botën e sotme demokratike mund të bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Unë jam kundër dënimit me vdekje dhe nuk pranoj se mund të bëhen vrasje për arsye shtetërore
Lidhur me çështjen çame, jeni për një zgjidhje të drejtë apo për një zgjidhje të mundshme?
Zgjidhje në kuadër të koventave ndërkombëtare, të cilat respektojnë paprekshmërinë dhe integritetin e kufijve ekzistues.
Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Mendoj se u takon historianëve dhe kjo është shumë e domosdoshme t’iu japin përgjigje kësaj pyetje. Çështja është e shtruar dhe historianët duhet t’i japin përgjigje këtij problemi.
E qortoni apo e kuptoni Ahmet Zogun në ujdinë që bëri me qarqe të Beogradit për të riardhur në pushtet?
Nuk do të bëja kurrë një ujdi të tillë. Nuk do të vija në pushtet me ndihmën e të huajve. Aq më pak fqinjëve të huaj që kishin interesa të qarta mbi Shqipërinë.
Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Ajo ka qenë një Luftë Çlirimtare me elemente të qarta të një lufte civile.
Duhet bërë referendum mbi rivendosjen e monarkisë në Shqipëri?
Mendoj se një referendum u bë.
Shteti social apo siç e quajnë anglo-saksonët welfare state, garanton disa të drejta sociale të shtresave të pambrojtura apo legjitimon e shpërblen dembelizmin e këtyre të fundit?
Shteti social në thelbin e tij mbron të pambrojturit, garanton disa shërbime themelore, të cilat janë të domosdoshme për çdo vend dhe në këtë kontekst ajo është një domosdoshmëri.
Vajzat e gjimnazit duhet të vishen si t’ua ketë ënda gjatë orëve të mësimit, apo duhet të detyrohen të vishen me uniformë?
Unë do t’ua lija në dorë atyre.
Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë “arritje” të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Arsimimi.
E besoni Adam Smith-in, kur thotë pak a shumë se “çdo prodhues individual i mbron e i promovon interesat e shoqërisë, jo duke synuar mbrojtjen e këtyre të fundit, por vetëm duke synuar interesin egoist të përfitimit”?
Absolutisht po.
Ka njerëz që mendojnë se Janullatosi nuk dëshiron që punët e Shqipërisë të shkojnë mbroth. Jeni dakord me ta?
Nuk jam dakord.
Keni mendimin se ka armiq të Shqipërisë e të shqiptarëve? Cilët janë ata?
Varfëria.
Sipas jush, kush ishte më mizor, Stalini apo Hitleri?
Të dy ishin shumë mizorë. Njëri ngjason me një epidemi akute dhe tjetri me një epidemi të zgjatur dhe kronike. Kjo është në konceptin tim. Përsa i përket përgjakësisë, të dy ishin gjaksorë dhe mizore, duke filluar edhe në aspektet familjare. Po t’i marrësh kanë qenë të njëjtë të dy. Që nga aspektet personale familjare e gjer te shoqëria njerëzore në tërësi.
Do të pranonit më lehtë që një regjim t’ju privonte nga të drejtat civilo-politike, apo nga e drejta për pronën private?
Fjala është e para.
Besoni në prezencën dhe fuqinë e llozhave masonike për të diktuar rrjedhën e ngjarjeve në botën e sotme? Besoni pra në teoritë konspirative të sundimit të botës apo mendoni se të gjitha vendimet e mëdha merren nga qendrat legale të pushtetit në mënyrë transparente?
Të dyja janë të vërteta. Një pjesë e vendimeve merren, por nuk mund të them se vendimet Çurçillit u diktuan nga qendrat masonike për të hyrë në luftë, por nuk mohoj rolin e tyre pozitiv dhe të rëndësishëm në analizat e tyre. Janë qendra të cilat bëjnë analiza gjakftohta, të kthjellta dhe u serviren vendimmarrësve.
Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar apo do të qëndronit asnjanës?
Nuk besoj se do të qëndroja indiferent. Se më kë do të rreshtohesha është shumë e vështirë ta spostoj veten, sepse ky vazhdim historik më konfuzionon. Nuk ka patur vetëm ballistë dhe komunistë gjatë luftës. Ka patur dhe të tjerë. Ka mundësi që do të isha me të tretët.
Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Nuk do ta bëja kurrë, por nuk është i pakuptueshëm.
Shqiptarët e fituan pavarësinë më 1912-ën apo e patën dhuratë prej konjukturave ndërkombëtare?
Shqiptarët organizuan kryengritjen më gjigante të viteve 1910-1912-të. Natyrisht nuk ishin ata që përcaktonin në skakierën ndërkombëtare. Luajtën një rol shumë të rëndësishëm.
Jeni dakord me Francis Fukuyama-n që thotë se demokracia liberale është një vlerë universale dhe e përjetshme?
Mendoj se po. Po t’i referohemi antikitetit, unë them se po.
Rusia e Putinit është një demokraci apo një diktaturë?
Diçka e ndërmjetme
Globalizmi është në të mirë të vendeve të varfëra e të vogla si Shqipëria?
Sado që mund të duket i dhimbshëm, por pozitiv.
Cila është për ju figurë më e respektuar, një kufitar shqiptar i viteve ‘50 të shekullit të kaluar apo një i ashtuquajtur diversant i po atyre viteve?
I pari është një hero dhe i dyti është hero që përpiqet për liri.
Do të ishit me idenë që politikat fiskale të favorizojnë më shumë biznesmenët që demonstrojnë iniciativa e përgjegjësi social-kulturore apo thjesht biznesmenët që janë të suksesshëm?
Mendoj se politika fiskale nuk duhet të diferencojë. Politika fiskale duhet të krijojë kushte të njëjta për biznesmenët, rregulla të caktuara për ata që duan të kontribuojnë në çështje sociale dhe kulturore.
Sipas jush, Prokuroria duhet të jetë një institucion i pavarur, i varur nga Parlamenti apo i varur nga kryeministri?
E varur nga ligji.
Evazioni fiskal duhet të reduktohet duke ulur taksat apo duke vënë në pozita pune administratën fiskale?
Mendoj se të dy anët janë të domosdoshme. Taksat e larta e favorizojnë atë, pavarësisht nga trysnia e konsolidimit të administratës fiskale. Konsolidimi i saj është i domosdoshëm.
Mund të më thoni se ç’mendim keni për serbët në përgjithësi?
Njo komb që vuajtën shumë nga nacionalizmi i tyre dhe paguan më shumë se të tjerët nacionalizminin e tyre.
Ju ka qëlluar të dyshoni herë pas here tek idetë që mbështesni e te qëndrimet që mbani?
Bëj shqyrtimin e tyre në mënyrë të vazhdueshme.
Në historinë e shtetit shqiptar, dyshja më konfliktuale ka qenë Ismail Qemali – Esad Toptani, Ahmet Zogu – Fan Noli apo Fatos Nano – Sali Berisha?
Histori të dhimbshme kanë dy çiftet e para.
Kanë arsye pakicat etnike e kulturore në Republikën e Shqipërisë të qahen se nuk respektohen e se u shkelen të drejtat?
Absolutisht po. Kanë arsye sidomos romët, egjiptianët. Në tërësi Shqipëria duhet të vendosë standardet ndërkombëtare për pakicat etnike. Ky është mendimi im. Shqipëria po shkon drejt anëtarësimit në BE dhe nuk duhet të ketë asnjë kompleks në vendosjen e këtyre standardeve.
Ç’mendim keni për Bashkim Gazideden?
Një njeri shumë i ndershëm që ka dhënë një kontribut shumë të madh në luftën kundër korruspsionit.
Sipas mendimit tuaj, në një marrëdhënie bashkëshortore të ftohur e të konsumuar, shqiptarët vlerësojnë si të gabuar divorcin apo tradhtinë bashkëshortore?
Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me konceptin e familjes. Koncepti i familjes është shumë më i gjerë sesa reduktimi i këtij partneriteti seksual. Në këtë kontekst, mendoj se familja dhe konsolidimi i saj është përparësi.
Diferenca në të gjitha planet midis Tiranës e qyteteve të tjera do të vijë duke u thelluar apo duke u ngushtuar?
Do ta ngushtoj.
Mendoni se të ardhurit kanë transformuar Tiranën apo se Tirana ka transformuar të ardhurit?
Të dy anët kanë vepruar. Reciproke ka qenë.
Jeni dakord me vizionin unilateralist amerikan të zgjidhjes së problemeve globale apo jeni dakord me vizionin multilateralist europian?
Kam mirëkuptim për vizionin Europian, por pa konceptet amerikane problemet nuk do të zgjidheshin
Jeni dakord me Raymond Aron-in, i cili ka thënë se “demokracia liberale është në të vërtetë oligarkike”?
Ka një të vërtetë brenda, por demokracia liberale është njëkohësisht një formë demokracie që përmban shtetin social.
Cilët janë sot, sipas jush, shqiptarë më të mirë, ata që mezi presin 3 korrikun për të votuar plot pasion në favor të partisë së tyre apo ata që s’duan t’ia dinë fare nëse ka apo jo zgjedhje?
Të mirë janë të dy palët, por pala e dytë është në depresion për shkak të rrethanave
Mendoni se e drejta e trashëgimisë së pronës nga brezi në brez duhet të jetë e pacënueshme apo mendoni se njohja e kësaj të drejte është e gabuar, pasi në këtë mënyrë favorizohet apo penalizohet padrejtësisht dikush qysh në lindje?
Mendoj se e drejta e pronës është e pacënueshme dhe nuk penalizohet askush. Gjithësecili në një shoqëri të lirë e ka të drejtën e krijimit të pronës. Dhe krijimi i pronës është një proces i pandërprerë.
Sipas jush, qytetërimi i sotëm perëndimor është më shumë produkt i Greqisë antike, i krishtërimit apo i iluminizmit?
Themeli i këtij qytetërimi është antikiteti, është Greqia dhe Roma antike. Krishtërimi dhe iluminizmi janë shtylla të zhvillimit të më vonshëm të tij. Po themelet janë në Greqinë e Lashtë dhe Romën e lashtë.
Më thoni ju lutem tre politikanët shqiptarë më të këqij të shekullit XX!
Enver Hoxha, Ramiz Alia, Fatos Nano.
Nëse një i huaj do t’ju pyeste se në çfarë ndryshojnë veriorët nga jugorët e Shqipërisë, ju çfarë do t’i thoshit?
Se pari, është e faktuar në të gjithë analizën, duke përfshirë edhe atë gjenetike që është një komb dhe partneri gjenetik i shqiptarëve. Nuk është as për t’iu kthyer këtij problemi, po ka faktuar se janë një dhe i pandarë me një identitet gjenetik kombëtar të pandarë. Janë diferencat dialektore që ekzistojnë. Kanë diferenca të ndikuara nga terreni, mjedisi e shumë faktorë të tjerë, por përsa i përket përkatësisë kombëtare është absolutisht në një grup gjaku dhe me të gjithë partnerin gjenetik, është një komb.
Besoni te projekti i shumëpërfolur i Katovicës, sipas të cilit, ndërsa muri i Berlinit po binte, janë porositur apo urdhëruar komunistët të konvertohen shpejt e shpejt në antikomunistë për të mbajtur kështu pushtetin politik e për të fituar pushtetin ekonomik?
Më duket një surealizëm.
Brezi i ri rritet në mënyrë më të shëndetshme në Tiranë apo në qendrat e tjera urbane të Shqipërisë?
Përsa i përket mjedisit, Tirana mbetet metropoli dhe qyteti më i ndodur. Natyrisht të ardhurat për frymë janë më të larta se sa në të gjitha qytetet e tjerë të Shqiprërisë.
Është më i shëndetshëm në pikëpamje morale brezi i vjetër apo brezi i ri i shqiptarëve?
Morali ka ecurinë e tij, brezi ka moralin e kohës. Nuk mund të them se është pa moral brezi i vjetër. Por morali ka ecurinë e vet
Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit apo “Vargjet Satanike” të Salman Rushdie-së?
Absolutisht jam kundër çdo forme censure.
Sipas jush, një kamikaze është trime apo burracake?
Duhet gjykuar nga begraundi në të cilin ajo operon. Sakrifica gjithmonë duhet të vlerësohet në raport me qëllimin.
Jeni dakord me Jezu Krishtin kur thotë se “aq sa një gamile mund të kalojë në vrimë të gjilpërës, po aq mund të hyjë dhe një i pasur në mbretërinë e Zotit”?
Socialistët e kanë përdorur këtë shumë kundër kapitalizmit. Në fakt, dy nga porositë e fundit të Muhamedit janë për mua më të rëndësishmet. Njëra prej të cilëve është: mos prek pronën e tjetrit dhe tjetra është fetare. Dhe në këtë koncept, interpretimi i kësaj thënieje të Krishtit është abuzive. Sepse Krishti ka patur ndërmend një shpërndarje më të barabartë të të ardhururave, të pasurisë. Me këtë une bie dakord, por që të përdorësh për shtetëzimin e të pasurve, kjo është absulotisht idolologjike dhe e parapranueshme.
Mendoni se suksesi i pandërprerë i modelit kinez mund të bëjë që një ditë të vihet në dyshim demokracia liberale?
Mendoj se modeli kinez nuk mund të ketë asnjë fund tjetër përveçse një demokracie liberale. Duhet parë nëse vjen me një revolucion paqësor apo do të vijë në mënyrë të vetëdijshme. Kjo është për t’u parë. Është një model për t’u vëzhguar.
Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Presidenti Xhorxh Bush dhe papa Gjon Pali II. Të dy janë personalitet më të rëndësishëm.
Sipas jush, duhet apo nuk duhet që qeveria të aplikojë censurë mbi mass-media-n lidhur me çështje të caktuara?
Nuk jam për censurën.
Në konfliktin e njohur e të gjatë izraelito-palestinez, e gjeni veten në anën e kauzës së palestinezëve apo të hebrenjve?
Kauza palestineze për shtetin e tyre është një kauzë e drejtë. Ideja për zhdukjen e shtetit të Izraelit është një ide absolutisht e paparanueshme dhe kjo do të thotë që kauzën palastineze ta mbrosh në rrugë të gabuar
Mendoni se lëvizjet ambientaliste dhe partitë e gjelbërta krijojnë një panik të tepërt kur flasin mbi ngrohjen globale e mbi rrezikun e ndryshimeve të frikshme klimaterike?
Mendoj se janë sirena që duhet dëgjuar.
Ju pëlqen më shumë dialekti shkodran, korçar apo ai lab?
Dialekti im më pëlqen më shumë se gjithë të tjerët.
Kur dëgjoni që një fëmijë është ngujuar apo që dikush është vrarë për gjakmarrje, kanunet mesjetare ju vijnë në mendje si një trashëgimi e vyer kulturoro-historike apo si një trashëgimi e shëmtuar?
Shumë e shëmtuar për aktualitetin. Në kohën e tyre kanë qenë ligji i kohës.
Çfarë ju shqetëson më tepër në shoqërinë shqiptare postkomuniste, kriza e familjes apo analfabetizmi i rishfaqur?
Për momentin kriza e familjes.

Nuk ju është dukur se ideja e amnistisë fiskale, e artikuluar më së pari në mënyrë të ndrojtur nga ish-presidenti Meidani, do të ishte një mënyrë për të vrarë njëherë e mirë informalitetin e për të startuar me një ekonomi tregu të bazuar mbi rregulla e mbi ligje?
Mendoj se zbatimi i ligjit është e vetmja rrugë.
Me çfarë arsyetimi do të kërkonit t’i mbushnit mendjen një abstenuesi të regjur, se ia vlen që këtë radhë ai të shkojë të votojë?
Do t’i mbushja mendjen një abstenuesi, së pari, duke treguar një mirëkuptim të plotë për gjendjen e tij dhe shtysat që ka ai drejt abstenimit. Por duke i shtuar një pyetje. Në qoftë se të gjithë do të abstenonin, ku do të shkonim?
Në Shqipëri ka më shumë papunësi apo dembelizëm?
Papunësi.
Disa studiues, midis të cilëve edhe politologu amerikan Robert Dahl, janë të mendimit se pakëz korrupsion në vendet që kanë një administratë publike të ngathët e të paaftë, i bën mekanizmat ekonomikë më funksionalë e më eficientë. Jeni dakord me këtë tezë apo në kushtet e vendit tonë ju duket një gjepur e rrezikshme?
Në kushtet e vendit tonë kjo formë korrupsioni që flet Robert Dahl është si puna e një kafeje. Korrupsionin është një sistem, janë monopolet, ka probleme shume madhore.
Rritja e punësimit në sektorin privat është meritë e qeverisë apo është meritë e sipërmarrësve privatë?
Gjithnjë e sipërmarrësve privatë.
Shprehjen ngjatjetuese “si je, moj burrneshë” e merrni për respekt apo për poshtërim të gruas?
Kjo është një shprehje që përdoret në zona veriore të vendit, e cila nuk ka synim përçmues. Përkundrazi. Ka një vlerësim në atë traditën e vjetër të përdorimit të saj. Kjo nuk ka si qëllim fyerjen. Po të kemi parasysh diferencat e jashtëzakonshme midis burrit dhe gruas në atë periudhë, për këtë ka dalë kjo frazë. Por në asnjë rast nuk ka patur një sens poshtërimi.
Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Rebelim i mirëfilltë.
Cila pamje ju dëshpëron e ju vret sytë më shumë, ajo e një grupi 15-vjeçarësh që pinë cigare apo ajo e një dyzetvjeçari që luan domino në orën 10 të mëngjesit?
Dyzetvjeçari është fatkeq më shumë se ai ka edhe një grup për të mbajtur, s´ka ç’të dërgojë në darkë.
Sipas jush, regjimi komunist në Shqipëri do të ishte po aq i egër e mizor, edhe në rastin kur Enver Hoxha nuk do të ekzistonte?
Enver Hoxha rastisi një nga individet më kriminelë, më mizorë dhe në përshkrimet e shokëve të tij në rininë e tij e paraqesin si të tillë. Nuk mund të them se mund të mos ishte më ndryshe. Shumë gjëra janë të lidhura me atë person. Pavarësisht se të gjitha format e regjimeve komuniste janë diktatura, por janë të një shkalle të caktuar. Nuk mund të them se Titoja ka qenë një diakturë, siç ka qenë diktatura në Shqipëri, sepse po të kemi parasysh shtetasit e këtij vendi shëtisnin në të gjithë botën.
Cilin veprim të Enver Hoxhës konsideroni më paranojak, prishjen e kishave e xhamive apo izolimin e bunkerizimin e vendit?
I pari është paranoizmi total, absolut.
Ju impresionon e ju bën për vete më shumë një njeri i ndershëm apo një njeri i zgjuar?
I ndershmi.
Sikur t’ju thoshin se çdo shqiptar, me të marrë sadopak pushtet, e keqpërdor atë, cili do të ishte reagimi juaj?
Nuk mund ta pranoj.
Çfarë mendoni lidhur me monumentin e shumëpërfolur të Sulejman Pashë Bargjinit, të ngritur në sheshin pranë Ushtarit të Panjohur? Jeni dakord me kritikët e ashpër të tij?
Më qoftë se flitet për vlera artistike, do t’ia lija kritikëve të artit, por derisa flitet për themeluesin e Tiranës mund të kishte një vend më prestigjoz.
Për ju, lehtësitë fiskale në favor të bizneseve të reja, rrisin punësimin e vitalizojnë tregun apo e deformojnë këtë të fundit?
Mendoj se nuk e deformojnë, por duhet të keni parasysh se çdo biznesmen që nis një investim i duhen të paktën dy- tri vjet për të dalë nga borxhi të cilin ka rënë për këtë investim.
Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Vetëmbrotja është vetëmbrojtje. Unë ju thashë që jam kundër dënimit me vdekje, por nuk ka asnjë diskutim se reagimi për vetëmbrojtje është i ligjshëm.
Mendoni shpesh për vdekjen? Çfarë mendoni?
Gjëja që më preokupon më pak.
Nuk ju duket absurde dhe e padrejtë që një deputet të paguhet tri vjet me radhë pas përfundimit të mandatit të tij?
Ky status mund të zbutet.
Në ditët e sotme, cilin kuptoni më shumë për zgjedhjen e bërë, një murg, një naziskin apo dikë që vret veten?
Mirëkuptimi më i madh është për murgun.
Nëse do të ndiqnit udhëzimet e kodit tuaj moral, do të dënonit më shumë një baba që vret fëmijën për çështje nderi apo një pedofil recidivist?
Mendoj se fëmija nuk mund të vritet.
Çfarë ju pëlqen më shumë, paraja apo pushteti (jeni të lutur ta evitoni përgjigjen “s’më pëlqen asnjëra”)?
As njëra, as tjera nuk janë pasionet e mia.
Cili ka qenë më influent në historinë e botës, revolucioni francez i fundit të shekullit XVIII apo revolucioni bolshevik i fillimshekullit XX?
Revolucioni francez.
Komunizmi ra apo e rrëzuan?
E rrëzoi Regani dhe papa Gjon Pali II
Ku e çfarë do të jeni ju në momentin që Shqipëria do të nënshkruajë dokumentin e antarësimit në Evropën e Bashkuar?
Do të jem njeriu që do të firmosë kartën e anëtarësimit.
Në periudhën postkomuniste ka plot shqiptarë që janë përpjekur të bëjnë punë të mira në këtë vend e për këtë vend. Ju mendoni se jeni një nga këta shqiptarë?
Pa mëdyshje.
Një mik më tregonte një ditë, se ndërsa udhëtonte nëpër Evropë me djalin e tij 13-vjeçar, ky i fundit i kish bërë një pyetje krejt të pafajshme: pse Shqipëria është kaq e varfër dhe kaq e mjerë duke qenë pjesë e këtij kontinenti që noton në luks? Ju e keni një përgjigje për atë 13-vjeçar?
Kam një përgjigje. Sepse Shqipëria qe vendi më i izoluar dhe shpenzoi të ardhurat e saj për 50 vjet. Sot ka një sistem korrupsioni, i cili e favorizon dhe i mjeron ata.
Sikur ju të mos kishit patur asnjë rol në politikën shqiptare të 15 viteve të fundit, punët do të shkonin më mirë apo më keq se sa kanë shkuar?
Punët do të ecnin edhe pa mua. Ti mund mund të gjesh edhe shumë të tjerë si unë. Nuk kam asnjë lloj mëdyshje në këtë që them.
Pse pushteti është kaq sexy? Ç’gjë ndjellëse e joshëse ka në të?
Mendoj se parimet, të cilat mbron janë ndjellëse, jo pushteti si i tillë. Ti e sheh që unë kam 8 vjet në opozitë dhe mbroj parimet.
Një historian anglez, lordi Acton, është shprehur se çdo pushtet priret të korruptojë bartësit e ushtruesit e tij, por pushteti absolut korrupton absolutisht. Jeni dakord me të?
Pushteti absolut korrupton absolutisht dhe unë jam shumë dakord.

 

*Marrë nga DITA

23 Komente

paradoksi Berishes eshte se Shqiperia po ndryshon e ai nuk ndryshon fare. mundet te jete pandryshueshmeria e  nje individi si faktor percaktues ne ndryshoret  qe nxisin ndryshimin ne nje bote qe ndryshon? 

Me te gjata pyetjet se pergjigjet. Vertet Berisha i ka shkruar pergjigjet?

po ja ka nis pytjet qe m'perpara - thote. Qe mesa di une, eshte nji rregull elementar per te cilin intervistuesi nuk duhet te beje kurre ujdi

E ka ndihmuar Merua, me siguri.

Mendoni shpesh për vdekjen? Çfarë mendoni?
Gjëja që më preokupon më pak          

mendon jeleku antiplumb per ty

Çfarë ju pëlqen më shumë, paraja apo pushteti (jeni të lutur ta evitoni përgjigjen “s’më pëlqen asnjëra”)?
As njëra, as tjera nuk janë pasionet e mia.

Po pse i vjedh votat atehere ? 

Na morret gjith kete kohe o admina, se thash mos kish ndonje gje te re. Kete interviste e ka nxjerre Peshku para ca vitesh, dhe ne kemi lene komentet tona ne ate kohe.  Pyetjet i kishin shkuar para intervistes Buall Mavrise, keshtu qe ai ka patur kohe te pregatitet, dhe megjithse eshte pregatitur, shum pergjigje ishin idiote dhe jo te sakta. 

Muci publicist dhe analist smiley

nuk e di ca vlere ka nje interviste e disa viteve me pare, per me teper qe nuk eshte e papublikuar! 

promovon gazeten e re te Thanos. Ca te bej, ca te shkruaj, ja po germoj ca intervista te 7 viteve me pare. Boom!

Ndoshta per t'u kujtuar njerezve cfare ka thene para 7 vjeteve, e cfare thote/ben sot?

jane krizat e vitit te 7-te  smiley

ndonje interviste te pabotuar Erion Velise se para 10 vjeteve apo kur shiste fiq a ka ?? smiley

.

 E mbaj mend kete interviste dhe pyetja qe me ka ngelur ne mendje eshte ajo e thenies te Krishtit. Thenie qe shume njerez nuk e kuptojne, dhe as Berisha me sa duket, ky orientalist osman qe ne nje pyetje qe ka te bej me nje nga fjalite me dmthnese te historise te thene nga Krishti sjell nje argument te ceket si ai 'mos prek pronen e tjetrit' nje urdher te cilit Berisha nuk i beson ( pavaresisht per mire apo  per keq) dhe as ata qe votojne Berishen qe kan prekur pronen e tjetrit keto 22 vite. 

Krishti flet dhe vepron si hyj, prandaj theniet e tija jan hyjnore, ne nuk jemi as te afte as te denje per te vendosur drejtesi hyjnore ne toke. Fakti qe ka njerez te pasur eshte nje e keqe e domosdoshme, por Berisha nuk ka perse i kthen pasaniket ne objekt adhurimi... 

Ore e ke pare gje Zoton ti? 

Jo nuk e kam pare. Nuk po behet hic i gjalle, na beri merak smiley

Po si s'keni kontakte fare ? Si eshte ai djale? Jane zhduk te gjithe, ketu mban era kompllotsmiley

Kur ta gjej nga me fshihet .......

S'me doli foto. Por kam nje ide, qe s'e shpejti do lundroj dhe une jashte pellgut. smiley

Pse keshtu, non ti piace the company? 

Nopesmiley More seriozisht e kam , a po dergon gje? Sepse ketu s'me del gje mua.

Emoticons jane, s'ka gje, nuk e di pse s'dalin.

Kjo interviste me kujtoi se ne 2005-n atmosfera politike ishte shume, shume me normale, nderkohe qe sot, pas 7 vjetesh qeverisjeje te ketij dinaku te paskrupullt, krejt diskutimi politik eshte i nderkryer, i shfazuar, i tronditur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).