Serbia feston 100-vjetorin e Betejës së Kumanovës, 100-vjetorin e pushtimit të Kosovës dhe 100-vjetorin e vrasjes së rreth 25 mijë shqiptarëve.

Njëkohësisht krerët e shqiptarëve s’e shohin të udhës që me një minutë heshtje t’i kujtojnë gjithë ata bashkëkombës të pafajshëm që para një shekulli i lanë me gjak e djersë viset e banuara me shqiptarë.

Atifete Jahjaga, e cila në opinion po paraqitet si kryetare e Kosovës, tha se është e gatshme të takojë çdokënd, çdo kund dhe në çdo kohë për t’i përfaqësuar “interesat e popullit dhe shtetit të Kosovës”. Një person si Jahjaga, që ndoshta në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale nuk do t’i merrte as votat e kabinetit të saj, deklaron se duke e takuar Tomislav Nikoliqin, kryetarin e Serbisë, po i përfaqësuaka “interesat e Kosovës”.

Hashim Thaçi, i cili me vota të vjedhura paraqitet në publik si kryeministër i vendit dhe takon homologun e tij serb, nuk e kërkon legjitimitetin te populli i vet, të cilin pretendon se e përfaqëson. Për të është më me rëndësi që çdo zë kritik ta shtypë me çizmen e milicëve të tij dhe të trumbetojë para opinionit se “miqtë e Kosovës” po e mbështesin dhe po i japin legjitimitet. Për këtë ai nuk përton t’i numërojë mysafirët e ditëve të ardhshme: ministrin e Jashtëm britanik, sekretaren amerikane të Shtetit dhe shefen e Diplomacisë evropiane. Në demokraci është me rëndësi që legjitimiteti të kërkohet, në radhë të parë, nga elektorati, sepse çdo marrëveshje që do ta bëjë pushteti i Kosovës me Serbinë barrën do ta bartë shoqëria e Kosovës, jo emisarët e Brukselit që dërdëllitin për afrim rajonal.

Sali Berisha e priti në Tiranë ministrin e Jashtëm serb, një arkëtar të Sllobodan Millosheviqit në Qipro, në vitet ’90. U takua ministri serb edhe me disa serbë me emra myslimanësh në Shqipëri. U fol në Tiranë edhe për thellimin e bashkëpunimit shqiptaro-serb, sidomos në fushën ekonomike. Tirana zyrtare kërkoi që Beogradi ta njohë Kosovën. Nganjëherë pavullnetshëm politikanët shqiptarë bombardojnë opinionin me humor.

Bujar Nishani, i zgjedhur president i Shqipërisë edhe për befasinë e tij, nuk dihet ku gjendet këto ditë. Ishte në Kosovë menjëherë pasi u zgjodh në krye të shtetit – një vizitë kjo për përkundje të instinkteve nacionale folklorike.

Ferri mbi tokë

Po i përmendim këtu tre politikanë (Thaçin, Berishën dhe Nishanin) dhe një kam-qejf-me-qenë-politikane (Jahjagën) me një sebep: asnjëri prej tyre nuk e pa të udhës që këto ditë ose së paku më 23 dhe 24 tetor 2012, pra dje e pardje, të thotë një fjalë të vetme mbi 100-vjetorin e Betejës së Kumanovës të Ushtrisë Serbe, e cila atëbotë në kuadër të luftës kundër Perandorisë Osmane vrau mijëra civilë shqiptarë. Asnjë institucion kulturor shqiptar nuk organizoi një takim të vetëm për këtë përvjetor të përgjakshëm, të cilin serbët e shohin vetëm nga prizmi i fitores, ndërsa ngjarjet e vjeshtës 1912 dhe pranverës 1913 për shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë ishin ferri mbi tokë.

Në librin e tij “Golgota shqiptare – aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar” publicisti austriak Leo Freundlich, mes tjerash, për ngjarjet e llahtarshme të vitit 1912 shkruan: “Gratë e fëmijët i lidhën për mullarë të sanës dhe ua vunë zjarrin ndër sy të baballarëve e të burrave të tyre. 3000 arnautë janë masakruar në rajonin ndërmjet Kumanovës dhe Shkupit... 5000 mijë afër Prishtinës... 5000 tjerë afër Prizrenit... Mbi 1200 të vrarë në Ferizaj... Në disa katunde, shpive ua vunë flakën dhe mandej banorët i vranë si qentë sapo u përpoqën t’i shpëtojnë zjarrit”. Ky libër me rëndësi të madhe dokumentare është publikuar nga shtëpia botuese “Rrokullia” në Prishtinë – derisa institucionet e Kosovës harxhojnë para për koncerte dhe botime tullash sipas mendësisë së akraballëkut.

Leo Freundlich (mbiemri domethënë: i përzemërti) përmend në librin e tij se në vitet 1912/13 Ushtria e Serbisë vrau rreth 25 mijë shqiptarë – larg më shumë se në luftën e fundit (1998/99). Para se të fillonte fushata shfarosëse e Beogradit, Mbreti serb më 18 tetor 1912 kishte lëshuar një deklaratë, në të cilën nënvizonte: “Ushtria ime në Serbinë e Vjetër do të gjejë krahas serbëve të krishterë edhe serbë muhamedanë, të cilët ne po ashtu i çmojmë, dhe krahas tyre edhe shqiptarë të krishterë dhe muhamedanë, me të cilët populli ynë qe 1300 vjet përherë e ka ndarë lumturinë dhe vuajtjen. Ne të gjithëve po ua sjellim lirinë, vëllazërinë dhe barazinë”. Në fakt, Beogradi atëbotë solli zgjedhën e rëndë. Popullsia e Prizrenit nga pikëllimi për numrin e madh të të vrarëve e quante këtë qytet “mbret të vdekjes”, shkruan Freundlich. Gazeta britanike “Daily Telegraph” njoftonte se “të gjitha përndjekjet e tmerrshme gjatë historisë janë lënë në hije nga aksionet e tmerrshme të trupave të gjeneralit Jankoviq (...) Në egërsinë e tyre të tmerrshme ata vranë njerëz të pambrojtur, pleq, femra, fëmijë, madje edhe foshnja në gjirin e nënave të tyre”. Më vonë administrata serbe Hanit të Elezit ia vuri emrin “Gjeneral Jankoviq” dhe politikanët e Kosovës e pranuan këtë toponim edhe pas vitit 1999, sepse askush nuk pati guxim apo dije t’i thotë ndonjë zyrtari të UNMIK-ut se një lokalitet kosovar nuk mund të durojë emrin e një krimineli lufte të kalibrit të Ratko Mlladiqit.

Kapitull i ndritur?

Në Beograd, ndërkaq, krejt udhëheqja shtetërore dhe disa institucione të kulturës u kujdesën këto ditë që Betejën e Kumanovës, gjeneralin Jankoviq, pushtimin e Kosovës dhe vrasjen e 25 mijë shqiptarëve ta shohin vetëm si kapitull të ndritshëm të historisë serbe në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në Galerinë e Muzeut Ushtarak në Beograd u hap një ekspozitë për Betejën e Kumanovës; vizitorët mund të shohin 102 fotografi dhe 52 eksponate origjinale ushtarake. Sipas palës serbe në këtë betejë morën pjesë 356 mijë ushtarë serbë dhe 20 mijë vullnetarë.

Ekspozitën në Beograd e hapi homologu i Hashim Thaçit, Ivica Daçiq. Derisa Thaçi s’e tha një fjalë për 25 mijë shqiptarë të vrarë, Daçiqi e quajti betejën e Kumanovës njërën prej anëve më të lavdishme të historisë. “Beteja e Kumanovës është shembull brilant i operacionit ushtarak, rezultat i së cilës është fitorja sensacionale, por duhet thënë se fitoren e arriti ushtari serb, i përgatitur si duhet dhe i motivuar për të luftuar për liri”, shtoi Daçiq, duke premtuar se “ne do t’u falemi përgjithmonë atyre viktimave dhe nuk t’i harrojmë kurrë. Sakrifica e tyre është shembull i shenjtë për të gjitha gjeneratat se si luftohet për liri dhe sa e çmuar është liria”. Për Daçiqin Beteja e Kumanovës ishte përfundim simbolik i Betejës së Kosovës.

Mungesa e deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit të Kosovës e Shqipërisë mbi masakrat serbe më 1912/1913 tregon se në këto viset tona edhe përkujtimi i viktimave të shkaktuara nga Serbia ose harrohet me qëllim, nga padituria ose – edhe më keq - kualifikohet si “nacionalizëm” apo “antievropianizëm”. Mund ta paramendojmë ndonjë propagandist të Hashim Thaçit se si nëpër darka me diplomatë jargavitet e i quan “antievropianë dhe ksenofobë” të gjithë ata që përmendin viktimat shqiptare apo kritikojnë favorizimin antidemokratik të pakicave, duke iu dhënë atyre mandate falas në Parlamentin e Kosovës. Sidoqoftë, pushteti i personifikuar nga Hashim Thaçi u kujdes këto ditë për një vendim, të cilin e mori me diktat: tani e tutje Universiteti i Prishtinës po u dashka të marrka emrin e Hasan Prishtinës. Për fat të keq nga stafi akademik i UP-së mund të numërohen në gishta profesorët që protestuan kundër këtij arbitrariteti dhe popullizmi. Shumica po hesht. Ajo shumicë që në vitet ’80 e ’90 rrezikonte jetën në protesta kundër regjimit represiv serb. Në një vend normal do të organizohej nënshkrimi i një peticioni – së paku. Njëherë, nën presionin e nacionalizmit serb, Universitetit publik të Kosovës iu kishte ndërruar emri nga “Universiteti i Kosovës” në “Universiteti i Prishtinës”. Nuk do duhej që sërish, kësaj radhe nga folkloristët vendorë, të ndryshohet emri i këtij institucioni arsimor. Por, me sa duket, më lehtë është të përlyhet emri i ndritur i Hasan Prishtinës për nevoja të vogla e të mëdha pushtetmbajtëse sesa të kujtohen me pietet 25 mijë shqiptarë të vrarë para një shekulli.

Ditët e trishtimit në Pejë

Përveç Daçiqit në Beograd për Luftën e Parë Ballkanike foli edhe kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, të cilit Atifete Jahjaga ka qejf t’ia shtrëngojë dorën së shpejti. Nikoliq mori pjesë në Akademinë solemne të Fakultetit Juridik të Beogradit për Betejën e Kumanovës dhe tha se falë luftës së viteve 1912/13 Serbia e “çliroi Kosovën dhe Metohinë”. Askush nga politikanët serbë nuk i përmendi shprehimisht krimet ndaj shqiptarëve. Në Akademinë e Fakultetit Juridik në Beograd ishte i pranishëm edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej. Me të drejtë çdokush në Kosovë mund të pyes ku ishin prijësit fetarë të vendit që e heshtën këtë përvjetor të përgjakshëm. Ndoshta myftiu Naim Tërnava dhe ithtarët e tij ende vajtojnë tërheqjen e Sulltanit, ndërsa krerët e Kishës Katolike janë të zënë me ndërtimin e katedrales dhe nuk kanë kohë të merren me historinë, dhembjet dhe poshtërimin që i është bërë këtij populli.

Siç na e rikujtoi këto ditë studiuesi Shkelzen Gashi në librin “Ditt e Trishtimit n’Pejë e nder rrethe 1912-1913” prifti Zef Mark Harapi shkruan për ngjarjet e 1912/13 si vijon: “Neper katunde duel çiltas urdhni i Sundimit t’Malit-t’-Zi qi; a me u baa shkjee a me pasë gjikimin e dekës. Shum vetë qi guxuene me i dale per ball ktii urdhnit t’paa-udhë i xëshin, i rrihshin mirë e mirë, mandej përdhuni ja shtishin kryet n’grykë t’kaftorrit (stufës) t’ndezun e ja mashin ashtu derisa a i piqeshin syyt; ase i lyshin duert me voj gurit e i nepshin zjermin me shkrepcë; ase i shtergoshin kryet me nji vegel t’hekurit deri saa ja qitshin syyt jashtë e truut ja derdhshin; ase me nji piskerr i ndukshin mustakët fije për fije.”

A ka në Prishtinë, në Prizren a në Pejë sot njerëz që dalin i ndezin disa qirinj si shenjë simbolike dhembjeje dhe kujtimi për 25 mijë shqiptarë të vrarë para një shekulli? Duhet nënvizuar se për këtë kapitull të historisë së Kosovës nuk foli as lëvizja “Vetëvendosje”, e cila shpesh në opinion paraqitet si e parti e licencuar për të kujtuar krimet ndaj shqiptarëve.

11 Komente

Ketyre serbve ju uroj qe nje dite te kene te njejtin trajtim ne duart e shqiptareve, mos te kete me njerezillek me te tille race barbare. ...kur te lind nena prap Skenderbe ose Enver. Deri atehre le te bejn palle me shqiptaret sa te duan.

ps. artikullin nuk e lexova.

Enver sberi gje tjeter vecse ja rruijti serbve (te me falin per shprehjen).

Dikur, Uillson propozoi qe te harroheshin 8 milione te vraret e LIB ne emer te paqes.Evropa kerkoi shpagim,shpagim te cilin e vuajti me LIIB.

Megjithate ,nese kjo harrese do ishte rrjedhoje e dipllomacise,do ishte gjysma e se keqes,por kam dyshime ,duke pare se si jane trajtuar ngjarjet se fundmi nga politkanet tane....

shqiptaret e fundit ( dmth politikanet , aktivistet ) qe do te harronin historine per mua do te ishin shqiptaret nga Kosova , edhe per hir te dipllomacise

 

 

Persa kohe, ne Shqiperi, nuk eshte bere nje film per keto masakra, bota s'ka per te marre vesh, dhe ajo qe me ka shqetesuar me vite eshte se si asnjehere nuk eshte bere nje film per masakrat kundra kombit tone. Behen konferenca, libra, por jehona e tyre nuk i kalon kufinjt e nje qyteti, e jo me te nje shteti. 

Ka shume ngjarje historike qe s'kane arritur dot te dalin vertet nga konturet e nje rajoni shume te ngushte.Sot kujtohen vetem nga familjaret,a thua se dhe pas 20 vjet demokracie po i pengon kush t'ia bejne te ditur mbare shqiptareve(se kam per familjaret).Historianet kane ngele pa pune,qekur jane bere politikanet dhe gazetaret te tille.

Cfare te besh,perderisa politika e sotme(ashtu si edhe ne monizem) dikton se cila ngjarje  apo figure historike duhet perkujtuar,ky do jete rezultati;harresa 

Nuk eshte populli ai qe harron .Populli nuk harron asnjehere,por lihet  ne padije qellimisht.

 

Eh, po kur themi une dhe disa te tjere qe ne te dy anet e kufirit na drejtojne shqiptaret me antishqiptare dhe me tradhetare, dikush ketu ngrihet dhe na etiketon....komuniste, enveriste apo puniste.....Por harron se ja keto jane e verteta e dhimbshme e ketij populli kaq te perulur dhe te pervujtur, i cili ende dhe sot e kesaj dite vazhdon te sklaverrohet, vecse ne menyre krejt moderrne dhe te padukshme, ne emer te demokracise, te lirise apo edhe te globalizmit...

Enver Robelli, te lumte maja e penes......

te lumte pena thuaj se "maja" perdoret per tjeter send smiley

Thelbi i zgjidhjes së çështjes shqiptare është Shqipëria - Po kape Shqipërinë, ke kapur dhe shqiptarët e tjerë në trojet shqiptare dhe ke bllokuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Shteti serb dhe ai grek e kanë pasur këtë gjë në plan që me caktimin e kufijve të Shqipërisë në Londër në 1913-ën, prandaj na fokus të tyre nuk ka qenë aq shumë asimilimi i shqiptarëve që morën me dhunë me gjithë tokat e tyre, por kapja e politikës në Shqipëri, në mënyrë që të paralizonin çështjen shqiptare. 
Fatkeqësisht, Tirana zyrtare është tashmë më e kapur se kurrë nga agjentura serbe e greke, prandaj dhe nuk mund të kemi as të paktën shprehje publike apo deklarata për gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Shkurt, nje popull qe harron keto lloj historish ku jane vrare, djegur dhe pushtuar, shkon drejt shfarosjes!
Ne kemi pas raste me shumice, qe t'i shfarosim Serbt qe kur ato erdhen ne tokat e Shqiptareve, por nuk e kemi bere, edhe pse Serbt here pas here kane bo masakra kunder Shqiptareve. Kjo formule e qon popullin ne zhdukje.

Ja një shkrim si duhet ta shohin historinë politikanët tanë. Servilë të serbisë ata qëllimisht bëjnë sikur si dinë bile bile Naltmaidhimi SRB dhe një që e kujtoi (masakrën e Tivarit ) e quajti si krim të bërë nga shqiptarët.rezik dhe po ta pyesësh për masakrat e pushtimit serb do të fajsojë shqiptarët si bashkëpuntor të perandorisë .Po pse xhanëm ne vendosim, pranojmë e durojmë veç kundrashqiptarë në pushtet; Haramsësa e hajdutë e kriminnelë të papërgjegjshëm. Pse e deri kur xhanëm?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).