E ardhmja e tempullit ortodoks të Krisht Shpëtimtarit, në Prishtinë, një mbetje e viteve turbulente të ‘90ta, mbetet e paqartë. Nëse jo saktësisht çfarë, askush nuk e vë në dilemë se diçka duhet bërë me të.

Studentët e Universitetit të Prishtinës qenë zgjuar një ditë të vitit 1995 për të parë se diçka ndërtohej afër Bibliotekës së Universitetit. 

Nuk ishte fakultet a bibliotekë e re, dhe as konvikt i ri për studentët.

Direktivat kishin ardhur nga Beogradi. Aty po i bëhej vend Kishës Ortodokse.

Shqiptarët e kishin parë me kohë si një prej lëvizjeve të Sllobodan Millosheviqit në serinë e veprimeve të qeverisë së tij për të provokuar ata. 

Pas luftës, kur tensionet etnike ende ishin të larta, një shpërthim kishte ndodhur në këtë ndërtesë. Kryerësit e këtij akti mbetën të panjohur. Trupat e NATO-s vazhduan ta ruanin për vite.  

Dhe ndërtesa ende ekziston - e pakryer dhe e papërdorur. 

Por tani që leje i është dhënë një xhamie qendrore në Prishtinë si dhe kur katedralja katolike është në përfundim e sipër, kjo ndërtesë është rikthyer si temë diskutimi - a duhet të rrënohet, apo më shumë duhet t’i jepet dora e fundit e të kryhet? Ose, edhe a duhet të kthehet në krejt diçka tjetër, si për shembull muze. 

E shenjta, politika dhe leja

Shemsi Krasniqi, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, i cili jepte mësim në atë kohë, thotë se ndërtesa qe një prej disa vendimeve të kësaj natyre. Përballë rektoratit të universitetit qe ngritur një monument i filozofit e poliglotit serb Dositej Obradoviq dhe qe dëgjuar, tha ai, se edhe biblioteka e universitetit do të shndërrohej në Seminar Teologjik. 

“Kishte qëllim që sheshit të universitetit t’i ndërrohej koncepti plotësisht”, tha Krasniqi. 

Për shqiptarët ky ishte një koncept i provokimit politik. Universiteti i Prishtinës, një shenjë e krenarisë dhe shpresës për të ardhmen, po tjetërsohej. 

“Kisha u ndërtua jo nga nevoja reale për objekt fetar, por nga nevoja për dhunë tipike simbolike. Jo nga nevoja për lutje fetare sa nga nevoja për kërcënim politik. Jo nga nevoja për devocion spiritual sa nga nevoja për agresion fizik e institucional”, thotë Krasniqi.

Në diskursin shqiptar të Kosovës, shton ai, thuaja se gjithmonë shkolla dhe universiteti janë konsideruar si diçka të shenjta. “Por shenjtëria e universitetit po thyhej nga politika…”, thotë ai. 

Komuna e Prishtinës thotë se ka mundur të jetë lëshuar leje në atë kohë, por Adren Osaj, këshilltar i prefektit, thotë se qyteti e konsideron atë hapësirë ku është vendosur kisha si “pronë dhe përgjegjësi të Universitetit të Prishtinës”.

Kisha e hedh poshtë atë pohim. Sava Janjiq nga Manastiri i Deçanit thotë se Kisha Ortodokse serbe e kishte siguruar gjithë dokumentacionin për të ndërtuar tempullin në fillim të nëntëdhjetave. 
 
“Ndërtimi qe filluar nga atëherë Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit dhe nga i ndjeri patriarku i Serbisë, Pavle. Dioçeza gjithashtu i ka të gjitha certifikatat e pronësisë së parcelës”, tha Janjiq. “Ne kemi dëgjuar në lidhje me shqetësimet për legalitetin e lejes së asaj kohe. Megjithatë, ne kujtojmë se në atë kohë shumë transaksione toke qenë bërë dhe autoritetet e sotme nuk kanë kundërshtime. Është e pamundshme që të merren me këtë rast në mënyrë të ndarë, dhe duhet të respektohet leja dhe të drejtat e pronësisë që kisha jonë kishte marrë”.

“Dëshira jonë që është kisha të bëhet një zbukurim për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se çfarë origjine kombëtare ose fetare kanë”, ka shtuar Janjiq. 

“Do të jetë një nga ndërtesat më të bukura”

Arkitektët dhe mësimdhënësit shqiptarë madje edhe minimizojnë vlerën arkitekturale të ndërtesës.

Sali Shoshi, arkitekt që punon për Trashëgiminë Kulturore Pa Kufij, thotë se e vetmja gjë që tregon kjo kishë e ndërtuar “në mes të pronës së universitetit në mënyrë arbitrare është politike”.

“Ende i mbaj mend punëtorët duke ndërtuar aty dhe ua tregoj atë histori fëmijëve të mijë kur flas me ta për vitet e nëntëdhjeta”, thotë Shoshi. “Nuk ka ndonjë vlerë arkitekturale dhe nuk është në mesin e objekteve të trashëgimisë kulturore sepse nuk është ndërtim i vjetër”.

“Është dëshmi e historisë së viteve të ’90-ta. Ajo dëshmi ka vlerë, por jo si objekt”, shtoi.

Sipas Shoshit, “ky objekt është dokument historik që e tregon një rrethanë të caktuar se si shteti ka përdor planifikimin urban për qëllime politike, që përmes objekteve religjioze me tregu dominimin e vetë ndaj një popullsie”. 

Zyrtarët nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjithashtu e konfirmuan se kjo ndërtesë nuk është në mesin e ndërtesave nga lista e trashëgimisë së mbrojtur. 

Por Sava Janjiq i Manastirit të Deçanit thotë se kur tempulli i Krisht Shpëtimtarit të mbarojë së ndërtuari “do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në Prishtinë”. 

“Nga pikëpamja arkitekturale është një përzierje shumë interesante e traditës dhe modernes, që tregon se duhet të respektojmë zakonet, por edhe të shikojmë kah e ardhmja”, tha ai. 

Janjiq gjithashtu nënvizoi faktin e ndërtimit të katedrales katolike nga shqiptarët në qendër të Prishtinës për të nderuar Nëna Terezën si dhe faktin që komuna e Prishtinës i ka dhënë leje më herët këtë vit ndërtimit të një xhamie kryesore, po ashtu në këtë zonë qendrore. 

“Krahas katedrales së Nëna Terezës dhe xhamisë qendrore, qendra e Prishtinës do të zbukurohet me tri ndërtesa fetare në këtë zonë të përbashkët”, tha Janjiq. 

Zhvendosje, transformim ose rrënim

Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thotë se ministria nuk është autoritet kompetent për të menaxhuar ndërtesën. “Sidoqoftë, ne jemi të pikëpamjes se ndërtesa është më mirë të jetë funksionale se sa e rrënuar”.

Universiteti i Prishtinës thotë se aktualisht është më i preokupuar me progresin e vitit akademik, përfundimin e regjistrimit të studentëve të rinj dhe përfshirjen e stafit akademik në bashkëpunime me universitete botërore. 

“Do të merremi me përmirësimin e infrastrukturës të universitetit, përfshirë ndërtesën e kishës, sipas rendit të prioriteteve”, thotë Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit të UP-së.

Arkitekti Sali Shoshi thotë se është ithtar që çdo ndërtesë ta arsyetojë vetveten. “Nëse pengon, edhe rrënimi mund të jetë opsion pasi është vendosur në mënyrë arbitrare dhe është punë e kopjuar”, thotë ai. 

Sociologu Shemsi Krasniqi thotë se rrënimi tingëllon keq. “Duket si revansh, si provokim, si dhunë, pra si diçka që më shumë do të ishte rrënim kredibiliteti i një vendi se sa i një objekti”. 

Ai propozon një zhvendosje të mundshme me mirëkuptimin e kishës serbe në Kosovë. “Kjo do të ishte zgjedhja më e mirë - bartja në një vend më adekuat”, thotë Krasniqi. 

Mirëpo Kisha Ortodokse thotë se objekti nuk mund as të rrënohet dhe as t’i ndryshohet qëllimi. “Në vetvete në shekullin 21 ideja se dikush duhet të shkatërrojë një tempull të krishterë në qendër të qytetit është absurd, dhe do të reflektonte një të ardhmen europiane të rajonit, që është, ne shpresojmë, vullneti i shumicës së njerëzve që jetojnë në Kosovë”, thotë Janjiq. 

“Në kishën tonë, ne thellësisht besojmë se nuk është vullneti i shumicës së shqiptarëve të Kosovës, sepse askush në Qeverinë e Kosovës nuk e ka mbështetur këtë (rrënimin ose ndërrimin e funksionit) dhe as rektori i universitetit”, shtoi ai. 

Janjiq thotë se kisha do të mbarohet sa më parë që të gjenden fonde përkatëse. 

“Bazat e tempullit veç janë dhe qëllimi është i përcaktuar e sipas rregullave të kishës nuk mund të ndërrohet. Kam dëgjuar në lidhje me opinionin se kisha është shumë afër me universitetin, por a nuk është e saktë që shumica e universiteteve europiane kanë ndërtesa fetare në afërsi ose të përfshira brenda tyre?”, pyet Janjiq.

“Tempulli do të kryhet edhe pse do të marrë pak kohë sepse është ndërtesë e madhe dhe e shtrenjtë”.

Jeta ne Kosove

 

2 Komente

Kjo pune qenka me keq se puna e gozhdes se Nastradinit, prandaj do te ishte me interes (duke qene se leja eshte dhene nen pushtetin e nje vendi pushtues, gje qe do te thote se abrogohet nga pushteti i vendit autokton) , qe kjo kishe tu jepej katolikeve te Kosoves. Me kete rast edhe perendimi (qe nuk e di se ka kosovare katolike) te shihte se krishterizmit, nuk i vihet shkelmi, siç duan serbet ta paraqesin ne opinionin publik. 

Kjo u desh te shembej menjehere pas luftes, por nuk ndodhi.

Tash, eshte e veshtire te rrenohet, sepse serbet do te pretendojne se po kryhet gjenocid ndaj tyre e politikuajt e Kosoves se perballojne presionin.

@ Pjer, 

Kjo eshte prone e ndertuar ne mes te hapsires Universitare, dhe si e tillle aty nuk ka vend.

Katedralja Katolike e sapo ndertuar eshte vetem 200m vije ajrore larg. Eshte katedralja me e madhe ne Ballkan! Sigurisht se mjafton per nje grusht besimtaresh (e qe nje pjese e tyre as katolike nuk jane).

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).