Përmes diskutimeve interaktive mes akademikëve dhe studentëve të fushave të ndryshme mbi tituj akademikë të botuar së fundmi në Shqipëri, projekti “51 libra, 51 ide” vjen si një nxitës i debatit për demokratizim, mirëqeverisjen dhe proceset e integrimit

Do të jenë 51 tituj akademikë që do të sjellin 51 ide inovative për zhvillimin e politikave në Shqipëri, në projektin që ka nisur në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Një projekt i cili synon të nxisë zhvillimin e debatit në hapësirën publike mbi mirëqeverisjen dhe procesin e demokratizimit.

Përmes diskutimeve interaktive mes akademikëve dhe studentëve të fushave të ndryshme mbi tituj akademikë të botuar së fundmi në Shqipëri, projekti “51 libra, 51 ide” vjen si një nxitës i debatit për demokratizim, mirëqeverisjen dhe proceset e integrimit në Shqipëri.

Libri që javën e kaluar hapi siparin e këtij projekti, që do të zgjasë 51 javë, ishte “Gurtë e kufinit”, libri studimor i antropologut shqiptar Nebi Bardhoshi, i cili sjell një model të ri në studimet etnologjike. Një studim mbi kufijtë pronësorë të parë në këndvështrimin e dy ligjeve: atij shtetëror dhe atij kanunor.

E drejta tokësore e krahinës së Hasit në të dy anët e kufirit, pjesës së Kosovës e pjesës së Shqipërisë vjen e studiuar jo vetëm nga një qasje historike por edhe kontekstuale lidhur me pronësinë.

Njeriu banor i asaj zone i gjendur mes dy sistemeve, mes ligjit shtetëror dhe atij kanunor. Monografia bazohet në material të pasur e hollësishëm të gjurmuar në terren, por pasurohet edhe me literaturë të përzgjedhur të fushës etno-juridike.

Ky libër, i cili bën pjesë në kolanën e librave studimorë nga shtëpia botuese universitare “UET-Press”, nga këndvështrimi dhe trajtimi i problemeve, sjell një model të ri në studimet etnologjike. Pyetja kryesore që shtron autori në këtë studim është se çfarë efektesh ka pasur moderniteti mbi shqiptarët në dy kontekste të ndryshme politike.

“Libri nuk ka pasur ende ndonjë jehonë të madhe” –u shpreh autori Bardhoshi para kolegëve antropologë, sociologë dhe studiues së ligjit si edhe studentëve të tij në antropologjinë ligjore. Por është ky synimi i këtij projekti që me anë të këtyre bashkëbisedimeve dhe recensave mbi librat të sjellë në vëmendje jo vetëm të profesionistëve të fushës, por edhe një publiku më të gjerë këta libra, që megjithëse nuk kanë pasur bujën komerciale, janë libra cilësorë e me ide të vlefshme.

Për vetë autorin Bardhoshi pyetja e parë mbi këtë libër ka qenë: çfarë ka ndodhur në realitetin ku banojnë shqiptarët dhe pastaj gradualisht ka ngritur pyetje të një natyre të debatit bashkëkohor në antropologjinë e ligjit mbi natyrën e pluralizmit ligjor. Është evidente që pronësia ka qenë themeli dhe fokusi kryesor për arsye që dihen: në Shqipëri çështja e pronësisë është temë delikate, por edhe në atropologjinë bashkëkohore pronësia është kthyer në një nga temat kryesore studimore, sidomos për antropologjinë post-socialiste.

“Këto janë mesazhe me impakt konkret në modelimin e marrëdhënieve pronësore në Shqipërinë e së ardhmes. Njëherazi ato tregojnë vlerën e pazëvendësueshme të studimeve të mirëfillta shkencore në sferën e antropologjisë së ligjit për zgjidhjen e pyetjes; pse ligji shtetëror për rishpërndarjen e pronës na rezulton i pazbatueshëm në kushtet konkrete. Dëshiroj të falënderoj autorin për këtë vepër të re që na takon të gjithëve ta vlerësojmë. Ajo është shkruar me përgjegjësi shkencore dhe intelektuale me idenë për të ndriçuar në mënyrën më të mirë të mundshme aspekte të rëndësishme të së drejtës në kuadrin e marrëdhënieve pronësore në realitetin shqiptar”, u shpreh recensuesi i librit, antropologu Aleksandër Dhima.

Ky projekt vjen si një iniciativë e një grupi kërkuesish në Qendrën UET, dhe lektorësh në pranë Universitetin Europian të Tiranës dhe synon të zhvillojë mekanizma që promovojnë titujt akademikë e shkencorë të botuar në sferën e arsimit të lartë dhe instituteve kërkimore-shkencore, që synojnë zgjerimin e rrjetit të lexuesve dhe rritjen e njohurive të publikut mbi botimet akademike e shkencore në Shqipëri.

Takimet javore që do të pasojnë librin “Gurtë e kufinit” janë të menduara si interaktive dhe të hapura e synojnë të bëjnë bashkë akademikë, studentë, ekspertë të fushës, kritikë të librit, përfaqësues të shtëpive botuese, lexues dhe të tjerë të interesuar në një bashkëbisedim rreth titujve akademikë e shkencorë duke kontribuar në promovimin e ideve të mirëqeverisjes në Shqipëri. “Synojmë që 51 titujt e librave të përzgjedhur në 51 javë të gjenerojnë 51 ide dhe të nxisin debatin rreth tematikave qendrore të mirëqeverisjes dhe demokratizimit dhe me anë të këtij projekti të ndërtohet dhe konsolidohet në një traditë e Forumit të Librit, e cila në mënyrë të përjavshme të shërbejë si një platformë nga ku nxitet debati në hapësirën publike në lidhje me mirëqeverisjen, politikat publike, vendimmarrjen, integrimin dhe demokratizimin e vendit në tërësi Me qëllim që të përforcojë bashkëpunimi midis sferës së arsimit të lartë, instituteve kërkimore-shkencore dhe shtëpive botuese në lidhje me botimin dhe promovimin e titujve akademikë e shkencorë jo vetëm në programet universitare dhe kurrikulat e mësimdhënies, por edhe në hapësirën publike në Shqipëri,”- shprehet sociologu Roland Lami, pedagog në UET dhe koordinatori i këtij projekti.

Ky projekt i financuar nga universiteti Europian i Tiranës, realizohet si një veprim i përbashkët i Qendrës UET, UET-Press, Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, Institutit Shqiptar të Medias, Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare; shtëpive botuese: ‘55’, ‘Onufri’, ‘Dituria’, ‘Toena’ e ‘Dudaj’.

Në javët në vijim janë planifikuar debate mbi librat “Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera”, e publicistit Shkëlzen Maliqi, dhe “Bota që krijoi Amerika” dhe “Bota postamerikane”, të autorit Pirro Misha.

1 Komente

Ne UET... Qiao qiao!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).