Fëmijët e kohëve moderne krahasuar me ata të dy-tre dekadave më parë. Nga “hapa dollapa” tek kompjuteri, video game-t dhe celularët e fjalës së fundit. Shpjegimi i psikologut dhe paralajmërimi për një brez që po rritet i shkëputur nga bota reale

Im bir e pa, pa ndonjë interes të madh, iPad-in e shokut të tij në një nga këndet e mbyllur të lojrave në Tiranë. Ora e drekës është e vakët nga frekuentuesit, por Entoni, që nuk i ka më shumë se pesë vjeç, është gjithmonë aty, meqë është djali i vogël i të zotit të qendrës. Zakonisht ka në një cep një kompjuter lojrash ku e shtyn pjesën më të madhe të kohës, ose duke ardhur vërdallë në kafenenë bri xhamit, jashtë këndit me lojra, por kur gjatë drekës çoj djalin i lë të gjitha dhe ka qejf të merret me të. Mbase pse është më i madh, e tërheq vëmendja që i vogli im, pak më shumë se dy vjeç, i kushton dhe i shkon nga mbrapa, për tek makinat dhe motorët që gjithsesi nuk i komandon dot si Entoni. Por këtë fillimjavë shoku i tim biri ishte më gazmor se ditët e tjera. Ia bëri me dorë që kur e pa nga dritarja dhe zuri vend në krye të shkallëve, duke pritur me padurim t’i tregonte “lodrën” e re që kishte marrë dhuratë: një iPad! U mundua t’i tregonte se si luhej në kompjuterin e vogël, t’i tërhiqte vëmendjen në pritje që, të dy, mbase ta rrotullonin e t’i gëzoheshin njësoj si makinave e motorëve me të cilat bëjnë gara. Por im bir nuk ia vari. I hodhi një sy pa e kuptuar se ç’qe dhe e kapi për dore duke e drejtuar drejt lodrave të përditshme. Po ta kuptonte që ishte kompjuter me siguri do t’ia bënte qejfin duke i kërkuar këngën “Macja le të lahet”, por një iPad nuk i thoshte gjë. Pas shumë britmash, i zhgënjyer, Entoni zuri cepin e vet në kafene me lodrën e vogël që me një të prekur e çonte rrëmujshëm nga një lojë tek tjetra duke hequr përfundimisht dorë atë drekë nga motorët. 

Përpara pallatit, në katin e dytë të të cilit është ky kënd lojrash është rruga, zgjatim i viteve të fundit të unazës së Tiranës. Mbrapa vjen një bllok i tërë banimi, me pallate të reja që ndahen nga njëri-tjetri prej rrugicash të ngushta, në të cilat nëse rastis të kalojë ndonjë makinë të duhet të ngjeshesh pas murit për të dalë shëndosh e mirë. Në kryeqytet, Entoni nuk ka shanse të ketë një oborr ku të lozë me moshatarët e pallatit ku jeton, por edhe sikur të ketë, ai, im bir dhe çdo fëmijë tjetër i brezit të tij, vështirë se do ta ndjenin kënaqësinë e lojës në grup. Koha e fëmijëve që luanin në oborr na ka lënë një herë e mirë dhe pasiguria i ka mbyllur fëmijët brenda katër mureve. Entoni sidoqoftë është një ndër fëmijët me fat, meqë i ati ka një biznes, kënd lojrash, dhe të paktën aty ku shtyn ditët zë dhe shokë, luan e argëtohet. Por për të tjerë, moshatarë dhe sidomos më të mëdhenj se ai, kjo është koha e hi tech-ut, kompjuterave, telefonave celularë të fjalës së fundit, televizorit e gjithçka tjetër që nuk ka lidhje me fëmijërinë e jo më shumë se dy-tre dekadave të shkuara kur nëse djemtë nuk kishin një karrocë të dëshiruar me kuzhineta do ta mbushnin me patjetër mbasditen duke luajtur topa gropa, topa djegas apo shkop e cingël. Në hyrjet e çdo pallati një herë e një kohë, vajzat luanin me kukulla e dyqanesh, me peta, ose ngaheshin në grup (kur gjendej një top) për një lojë volejbolli ose organizime akoma më të guximshme në fushat e vogla (tani të populluara nga pallatet) për ndeshje të vërteta mes lagjesh apo shkollash. Dita niste në shkollë e mbyllej me thirrjet e mamave nga ballkoni për t’u kthyer në shtëpi, pasi kishte rënë nata (ose se kishte filluar filmi i darkës) 

Një panoramë krejt e pakuptimtë për një fëmijë të kohëve moderne. Nuk kanë kuptim jo vetëm emrat e lojrave të një herë e një kohe, loja me kopaca, hapa dollapa, luftash e kala dibrançe, por as ai kolektiviteti me shokë e shoqe të ngushta, me “armike të ditës” pse kukullën e vet nuk e ndau me të tjerat, me xhelozitë e vogla pse ndenji më shumë me atë të katit të dytë, apo pse nuk e pranuan në skuadër. Këto sot, bëjnë për të qeshur. Në kohët e modernitetit fëmijët e klasave të para të thonë se kanë të dashur, se vajzën apo djalin e bankës së parë e pëlqejnë, se ai tjetri në bankën ngjitur e ka celularin Apple dhe jo Samsung. Mbasditet janë televizor, telenovela (në rastin më të keq), video game (në rastin më të mirë). Kompjuteri është i instaluar në dhomën e gjumit, librat janë zhdukur (në Panairin e fundit të Librit juria nuk dha dot as një çmim për letërsinë për fëmijë se nuk kishte një të tillë), dhe prindërit e dorëzuar mjaftohen me bllokimin e siteve porno për ta mbyllur derën të qetë pas justifikimit se fëmijët e sotëm “kështu janë”. Por, a nënkupton kjo një brez që po rritet shëndetshëm? Teknologjia është vërtet e kohës dhe e ardhmja, por a po humbet kështu fëmijëria? Në mos “ngriva-shkriva” apo “ne jemi dy shqiponja” a duhet të kishin edhe këta fëmijët e sotëm lojra, ndoshta më të sofistikuara, por tek e fundit, lojra që u vijnë për shtat moshës, në vend të iPad-it, celularit dhe CD-ve me lojra? 

“Të gjithë kemi qenë fëmijë dhe jemi rritur duke luajtur me shoqërinë dhe motrat e vëllezërit tanë çdo ditë në rrugicat e lagjes, poshtë pallateve apo në sheshet ndërmjet shtëpive e pallateve. Ka patur lojëra tradicionale popullore që i mësonim brenda pak minutash, ashtu siç edhe ka patur disa nga ne që shpiknin lojëra të reja dhe të gjithë i provonim pa hezitim. Jemi zbavitur, kënaqur, por edhe zemëruar e nuk jemi bërë pjesë e lojës për ca kohë derisa “drejtësia të vihej në vend”. Loja në grup ka qenë një pjesë e rëndësishme e kohës sonë të lirë dhe ajo vazhdon të mbetet e tillë edhe për fëmijtë e sotëm dhe do të jetë kështu në brezat e ardhshëm” thotë Etion Parruca, psikolog, trajner dhe konsulent për zhvillimin psiko-social të fëmijëve, anëtar i bordit të Qendrës Shqiptare për Psikoterapi Pozitive. “Megjithatë, përveç elementit fizik dhe funksionit zbavitës e mbushës të kohës së lirë, loja në grup ka edhe funksione e elemente të konsiderueshme afektive e psiko-sociale”. 

Psikologu flet për emocione të llojit, entuziazëm, gëzim, hare, në rast fitoreje ose edhe frikë, ankth, trishtim e zemërim në raste humbjeje e shkeljeje rregullash. Dalin në pah ose mbahen fshehur, për një arsye a tjetër, në varësi të ndjeshmërisë dhe vetëdijes së fëmijës ndaj nevojave të veta dhe atyre të grupit. “Në nivel psiko-social, nga këndvështrimi i Psikoterapisë Pozitive, ndërveprimi i fëmijëve në lojë i ndihmon ata të zhvillojnë “kapacitetet aktuale parësore” të tyre, që janë të qenësishme, si: afeksioni, dashuria, durimi, koha (përdorimi i saj), shpresa, besimi tek të tjerët, vetëbesimi, siguria, uniteti e bashkëpunimi që janë “nevoja” dhe shërbejnë si “mjete për krijimin e lidhjeve”. 

Mbasditet e kaluara në grup, siç thonë specialistët, zhvillojnë edhe ato që quhen “kapacitete aktuale dytësore”, në nivele të ndryshme të të kuptuarit: sinqeriteti, drejtësia, rregulli, pastërtia, besueshmëria, besnikëria, ndërgjegjshmëria, bindja, mirësjellja e saktësia, të cilat janë norma sociale dhe shërbejnë si “mjete për ruajtjen e lidhjeve”. 

“Edhe pse grupi i fëmijëve nuk niset me synimin për t’i zhvilluar këto kapacitete e aftësi të qenësishme, prapëseprapë, përmes rregullave dhe karakteristikave të lojës, këto kapacitete zhvillohen gradualisht, kryesisht në mënyrë të pavetëdijshme, tek fëmijët, përmes një procesi socializimi me efekt të fortë pozitiv në shpirtin (psikën) e fëmijës. Krahas këtyre kapaciteteve psiko-sociale, loja zhvillon tek fëmijët edhe aftësitë mendore”. 

Pavetëdijshëm bëhemi pra, më vëzhgues, më të përqendruar, kemi kujtesë të fortë, zhvillojmë të menduarin strategjik e taktik, dimë të marrim vendime në kohën dhe vendin e duhur, të arsyetojmë me logjikë e të orientohemi në hapësirë. “Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejtë tek fëmija në forcimin dhe zhvillimin e “reziliencës” (rezistencës dhe elasticitetit) ndaj situatave të vështira në jetë, si: fatkeqësitë natyrore, humbja e një personi të dashur e të afërt, krizat ekonomike e sociale në familje, dhuna në familje, marrëdhëniet jo të mira mes prindërve, dhuna psikologjike e fizike ndaj vetë fëmijës, etj”. 

Pasuri që brezi i rritur duke luajtur poshtë pallatit, teorikisht, i paska fituar. Por a nënkupton kjo se brezi i ri, i lindur pas viteve ’90-të nuk i ka dhe nuk do t’i ketë asnjëherë? 

“Me domosdoshmëri për hulumtim nga prindërit është fakti i dëmit në zhvillimin tërësor që shkakton mosdalja e fëmijës në natyrë apo një ambient tjetër publik, për të luajtur në grup me të tjerët. Teknologjia e sotme, e përforcuar edhe nga mungesa e hapësirave publike për të luajtur, sot i tërheq fëmijtë të mbyllen në dhomën e tyre përpara kompjuterit personal apo një video-game”, thotë psikologu. “Nuk po themi që gjëra të tilla nuk duhen, por prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm që koha të jetë e kufizuar në një orë maksimumi në ditë për lojëra të tilla. Eshtë e nevojshme vendosja e një ekuilibri mes kohës së kaluar vetëm dhe asaj me të tjerë në situatë loje. Ndikimi që ka në personalitetin e fëmijës mbyllja me orë të zgjatura në dhomë është shumë i konsiderueshëm, sepse i heq atij aftësinë e natyrshme për t’u socializuar dhe për të ndërtuar kapacitetet psiko-sociale të larpërmendura”. 

Thënë ndryshe në adoleshencën e vonë dhe si të rritur, lloji i fëmijëve hi tech do të kenë probleme me përshtatjen dhe mjedisin social, do jenë më pak rezilientë ndaj vështirësive rreth tyre, si dhe marrëdhëniet në punë e në partneritet do të vuajnë, sepse nga loja e tepruar e izoluar sot, këta fëmijë do mësojnë të zhyten në botën e fantazisë, pa ndërveprim social jashtë dhomës e në grup, që është i domosdoshëm në forcimin e aftësive për manaxhimin e konflikteve, shprehjen e emocioneve dhe vendimmarrjen në grup. “Për këto arsye, fëmijtë e sotëm, në krahasim me fëmijtë e dikurshëm (ne të rriturit e sotëm), janë në një disavantazh përsa i përket formimit të tyre në nivel psiko-social dhe fizik, pasi këto kapacitete nuk zhvillohen në potencialet e tyre. Lojërat e sotme, të luajtura vetëm dhe përpara kompjuterit, mund të stimulojnë aftësitë mendore, imagjinatën, mendimin strategjik, kujtesën, logjikën, por edhe kjo e fundit mbetet në nivel taktik, ndërkohë që kapacitetet psiko-sociale e fizike mbeten të përgjumura. Pra, nga “hapa-dollapa” i dikurshëm e deri tek “kompjuteri” sot, ajo që mund të presim për të ardhmen është një brez që do mbajë mbyllur potencialin e vet intelektual, emocional e fizik dhe si rrjedhojë do vuajë vetë dhe marrëdhëniet përreth”. 

E thënë kështu duket një parashikim i zymtë: të zgjuar, por të pazotë për ta përdorur zgjuarsinë e tyre. Atë që pohon Etion Parruca e kanë sqaruar gjerë e gjatë shumë studime nga emra të njohur botërorë, të cilët me kohë kanë dhënë paralajmërimin e tyre. Përparësitë e lojërave për një mbrojtje më të mirë të fëmijëve janë dëshmuar veçanërisht në një studim të kryer kohët e fundit rreth të drejtës së fëmijëve për të luajtur, qoftë në një situatë zhvillimi apo krize. Sipas këtij studimi të luajturit është një mekanizëm mbijetese dhe mbrojtje, sepse teksa luajnë, fëmijtë krijojnë vetë mirëqenien e tyre (Bradshaw 2007). Gjatë lojës fëmijët nxjerrin në pah instinktet dhe botën e tyre të brendshme në një mjedis të sigurt që i ndihmon në rindërtimin e vetes dhe në zhvillimin e rezilencës të tyre. Falë situatave të reja “përtej botës reale”, specifike për lojërat, fëmijtë janë të detyruar të përshtaten me sjellje origjinale pasi “çdo gjë është e mundur”. Loja mbështet lidhjet e neuroneve të reja dhe ndryshime të strukturës arkitektonike në lobet e trurit nëpërmjet trillimeve vetjake (të pëlqyeshme dhe sjelljeve “po sikur”). Pra nuk është vetëm truri ai që trajtëson lojën, por edhe loja gjithashtu trajtëson trurin (Pellis dhe Pellis 2009). 

“Si përfundim, mund të them që loja në grup është një përbërës jetësor për të mbajtur të të ekuilibruar zhvillimin tërësor të fëmijës dhe e ndihmon atë të kompensojë në mënyrë të shëndetshme mangësitë që mund të ekzistojnë në fushat e zhvillimit të tij”, thotë Parruca, i cili e mbyll me një këshillë për çdo prind: “lërini të lirë fëmijët ta eksplorojnë universin e lojës në grup, mundësisht në natyrë e parqe lojërash dhe të bëheni vetë pjesë e saj, kur keni mundësi. Do jetë gjithmonë një rikthim në fëmijëri”. 

Por kohët moderne nënkuptojnë edhe një ritëm jete të shfrenuar, stres pune dhe shumë pak kohë të lirë për prindërit e fëmijëve të sotëm. Entoni e ka një kënd lojrash, sado të vogël ku mund të zërë shokë e të dëfrehet, por babai i kishte dhuruar një iPad. Dhe me siguri e ka ndërgjegjen e qetë sepse i biri po luan me një lodër të kohës së tij!

16 Komente

, sepse nga loja e tepruar e izoluar sot, këta fëmijë do mësojnë të zhyten në botën e fantazisë, pa ndërveprim social jashtë dhomës e në grup, që është i domosdoshëm në forcimin e aftësive për manaxhimin e konflikteve, shprehjen e emocioneve dhe vendimmarrjen në grup. “Për këto arsye, fëmijtë e sotëm, në krahasim me fëmijtë e dikurshëm (ne të rriturit e sotëm), janë në një disavantazh përsa i përket formimit të tyre në nivel psiko-social dhe fizik, pasi këto kapacitete nuk zhvillohen në potencialet e tyre. Lojërat e sotme, të luajtura vetëm dhe përpara kompjuterit, mund të stimulojnë aftësitë mendore, imagjinatën, mendimin strategjik, kujtesën, logjikën, por edhe kjo e fundit mbetet në nivel taktik, ndërkohë që kapacitetet psiko-sociale e fizike mbeten të përgjumura.

mos more çna the. kta femijet e dikurshem , apo te rriturit e sotem, e ndriten fare me manaxhimin e konflikteve vallai. sepata ne dore ju ngeli. Kalamajt e sotem jane si shpirt, reagojne shpejt, njohin te drejtat dhe pergjegjesite e veta, s'ngurroje ta kerkojne te drejten e tyre dhe te marrin gjak ne velull

artikull vari trapin. lloqe kavaje qe i dine te gjithe, nai gje me specifike dhe me instruktuese do ishte e mirepritur

+1

dum zgjidhje. zgjidhje. kto i dim me mir se ky.

po, po. e ke pa green crown emo ?

Mbase ne Shqiperi nuk ndjehet shume ky ndryshim, por ne Kanada ndjehet ndjeshem dhe vete e pranojne banoret se kohet kane ardhur shume te renda ne lidhje me jeten sociale dhe aktivizimin e femijeve ne aktivitete ne natyre.

Ketu jane aktivitete te mbyllura, me pagese dhe me njeri te koka ( prindin ose babysitter) , ne dimer flas

Tashi po te besh llogari i bie te behet prindi rrobot dhe te shkundet nga xhepat mire.

9 here per nje muaj e gjysem klasa noti me uje te kripur , $270, plus koha te rrish me te.

Sigurisht ka edhe kurse me te lira , fillojne me 60 e lart per nje takim ne jave, 1 ore gjys klasa mesimi , ose aktivitete.

O po ishim mire ne , celsin ne qafe , buken ne dore , dhe jasht gjithe diten ne natyre smiley

tashi une punoj 8 ore , 1 ore rruga vajtje ardhje , u bene 9 ore, 3-4 ore larje gatim  etj etj , e ku kam kohe une gjate javes ?? smiley

Nuk mund t'a shohim aq bardh e zi se ka dhe ngativitetin e vet kjo kohe sot, e le femijen pa kontroll ..........mos o Zot s'e shef me

e kur vuanim ne nga kto drama ??

270 $ ??.. goxha shtrenjtë

po shtrenjte e kane , po do t'ja dije cifuti lagjes time ? eshte uje me kripe thote , uje deti jo me klor smiley

po s'eshte te ajo , se ja po gjen nje pishine me te lire , po kush ka kohe ??

meqe jemi te koha , koha ime mbaroi smiley

kalofshi mire sot

nejse, në se është pa klor uji deri diku justifikohet çmimi ndërsa kam dyshime të forta në se mbaroi ose jo  koha juaj

Mbyllja me "shkeputje nga bota Reale " ????? te ben qe te mos ta vleresosh kete prurje .Sepse duhet me shpjegu Cila eshte Bota Reale ? Ku e di ajo cila eshte Bota Reale ? Si e perfytyron ajo "mjedisin social " smiley sa i du kto llafe , kur as ja ka Idene se si mund ta krijojne dhe  emertojne ata ?

Per kete ka dhene shpjegime edhe Kryetari partise sone smiley edhe nje qe njeh zonjushe Bertinin .Ai na meson se Stalini ka thene "Krahasimet nga nje fushe te bartura ne tjetren , jane pa bereqet " ..... dhe ...

....Sa here ka patur revolucion teknologjik thote i nderuari Kryetar i Partise sone ne Manifestin   e ecjes  Njerzimit "Ec e mos Ndalo " , gjithmone shoqerohet me ndryshim te mjedisit social smiley sa i du kto llafe !

problem eshte kur s'i kupto shqiptaret , sidomos kur  flasin shqip smiley

Epo si nuk gjeten karar keta skipetaret se marre vesh? I le ne shqiperi,"jooo ketu nuk rritet kafsha e jo me femija". I co ne amerike, " As ketu nuk rritet femija se rri me amerikan. Keta amerikanet nuk jane te denje per femijet tane. Amerikanet rrine me nje grua sa i rri gjeli pules". I co ne kanada," Opa ketej o shume ftohte e na merdhi menderja".

Sa per lojrat e tjera, rrini me gjate me femijet e juaj. Nuk i meson interneti/tv si te sillen me te tjeret, por dashuria dhe respekti qe ju tregoni per ta.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).