Pjerrina e Evropës dhe orientalizmi shqiptar

Vepra "Jam Evropë" e Enis Sulstarovës, që përqendrohet te perceptimi i Evropës nga elita intelektuale në vitet 20-30 të shek. XX dhe në kuadër të tranzicionit posttotalitar, paraqet një produkt shkencor serioz që jep një pasqyrë analitike të përpjekjeve shqiptare për të kapur trenin e Evropës autentike, përtej statizmit të asaj gjeografike. Kjo vepër që përbën një ndër kërkimet e para sistematike të përdorimit të Evropës në ligjërimet shqiptare, nis me përkufizimin e Evropës, vazhdon me konceptin esencialist dhe atë konstruktivist dhe përmbyllet me integrimin si telos i ri pas dështimit të vizionit komunist. Në këtë këtë drejtim, autori artikulon pikëpamjet e orientalizmit shqiptar, që sikurse ai primordial, shenjon epërsinë e qytetërimit perëndimor kundrejt Lindjes, kundrejt Ballkanit dhe shmangien ballkanizimit që nënkupton kthimin e te tribuja, prapambetja dhe barbarizmi. (f. 54) Në këtë furi orinteliste që po shprehet në këtë shoqëri periferike me patetizëm të madh për t'u ngjitur pjerrinës evropiane shpalosen edhe idetë brendaevropiane të shekullit XX për projektin e panevropian që nga Coudenhove-Kalergi, Spengler, Ortega Gasset e deri te Alain Benoist e Jurgen Habermas që në agjendë kanë kombin evropian dhe shtetin gjigand kontinental edhe përkundër përplasjeve ideologjike, nga fashizmi, komunizmi, liberalizmi, deri te kozmopolitizmi, globalizmi dhe evropianizmi. 

Vepra e Sulstarovës përbën një analizë të përmbajtjes dhe të dokumentacionit letraro-publicistik lidhur me fiksimin oksidental që ka mbizotëruar botën e jetës shqiptare, shoqëruar me debate për diadën oriental-oksidental, i vjetër-i ri, evropian-anadollak. Ligjërata e zhvilluar në qarqet intelektuale shqiptare të dy periudhave të fokusuara 1918-1939 dhe 1989-2006 ka ngjyrimet e një teorie sociologjike konfliktuale, ku përmes nacionalizmit si projekt qytetërues (f. 116) synohet të apostrofohet evropianiteti shqiptar duke u nisur nga një esencializëm që thotë si shqiptarët për nga origjina dhe fryma janë popull evropian, që sërish po e zbulon nënën e vet pas një errësire 500 vjeçare dhe pas një ngrice totalitare (f. 141). Në këtë punim të rëndësishëm për studentët e sociologjisë, doracak për të kuptuar filozofinë politike shqiptare të shek. XX, për të nuhatur Geistin e europianizmit shqiptar, trajtohet edhe çështja e ardhmërisë së Evropës, të asaj të Evropës së etnive përkundër projektit habermasian të patriotizmit kushtetues, që përjashton kursin e të djathtës së re evropiane për një perandori dhe komb të madh (f. 273) që shquhet nga miksofobia. 

Është për t'u veçuar përkufizimi që inteligjencia shqiptare i bën shqiptarit, kulturës dhe shoqërisë shqiptare, gjithnjë duke kërkuar arsyen e prapambetjes dhe përjashtimit nga Evropa te tjetri, tjetër ky që më së shpeshti na paraqitet si turku, aziatiku, anadollaku, që shqiptarit ia ka shtuar të metat, ia ka pakësuar virtytet (Mit'hat. Frashëri, f. 160), duke e larguar nga "rezervuari njerëzor më produktiv në botë", siç e cilësonte Coudenhove-Kalergi kontinentin e Evropës (f. 106). Intelektualizmi shqiptar i kohës ka arritur të ndërtojë edhe teza të antropologjisë fizike për thelbin arian të shqiptarëve, të cilin s'ka arritur ta tjetërsonte dot as aksidenti historik oriental, as trysnia e orientalit që ka rritur të krijojë hijen e vete shqiptare që ideal ka kolltukun e llokmën (Krist Maloki, f. 168). Në këtë drejtim, misioni i ngarkohet intelektualit të ri që duhet të krijojë një jetë mendore të shëndetshme, një Shqipëri mendonjëse, ta qytetërojë popullin e vet, (f. 198), ku "në vend të nuskës do të mbretërojë shkenca" (f. 205). Sulstarova nxjerr në pah edhe animin dhe subjektivizmin e elitave shqiptare që mbyllin sytë para realitetit social vendor duke stërtheksuar peshën e krishterimit në qytetërimin evropian - dhe te popujt e qytetëruar - që sipas Harapit janë ajkë dhe etiketë e njerëzimit. 

Pjesa më aktuale e kësaj vepre është kapitulli i shtatë, ku shqyrtohet integrimi i shqiptarëve në Evropë nga një perspektivë më pak se dydekadëshe, duke u nisur nga titulli i këngës "Jam Europë" dhe pjesë të tekstit të saj ku thuhet "dje dhe sot, sot e nesër, jam Europë", që ndërlidhet me telosin e ri shqiptar: evropianizimi, term ky që "është shenjtëruar deri në atë pikë sa është pothuaj blasfemi ta kritikosh" (Blendi Kajsiu, f. 302), duke theksuar mungesën e evroskepticizmit ndër shqiptarë, një gjendje kjo e re moniste. Jehona e evropianizmit të shqiptarëve arrin deri në gjendjen për t'u deshqiptarizuar totalisht, për hir të kthimit kah vetvetja, rigjetjes së rrënjëve identitare dhe përqafimit të vëllait të madh të fundit (Evropa). Dhe si urë lidhëse me këtë qytetërim, me eutopinë dhe me normalitetin evropian, disa intelektualë shqiptarë paraqesin veçse shqiptarët e krishterë! (f. 220). Autori thekson absolutizmin e tezave intelektualiste për perceptimin e vetes dhe Evropës që krijojnë një hegjemoni kulturore dhe politike islamofobike e katolikocentriste. Është për t'u habitur se si islami dhe turqit mbeten tjetri themelor i ligjëratës tranzicionale, antipodi i identitetit evropian të shqiptarëve, se si Orienti akuzohet edhe për komunizmin si defekt oriental, kurse diktatori Hoxha si islamist, sikur të kishte luftuar për kalifatin islamik (f. 369). 

Mendojmë se sot ka ardhur koha kur shqiptarët historinë ta mësojnë pa mite dhe pa idetë fyese ndaj periudhave të caktuara dhe kundër kombeve të caktuar, pa "viktimizime të vetvetes dhe prodhime të narracioneve nacionale autoritative" (Danforth & Van Boeschoten). Kjo vepër e Sulstarovës paraqet një përpjekje shumë serioze për të disiplinuar debatet shkencore lidhur me Lindjen dhe Perëndimin, që i kalon ato nga rrafshi gazetaresko-publiçistik në spektrin akademik. Sugjerojmë që autori të merret edhe me ligjëratën orientaliste shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, me çka do të plotësohej mozaiku i analizës së këtij subjekti me peshë. 

Milosao

1 Komente

Jehona e evropianizmit të shqiptarëve arrin deri në gjendjen për t'u deshqiptarizuar totalisht, për hir të kthimit kah vetvetja, rigjetjes së rrënjëve identitare dhe përqafimit të vëllait të madh të fundit (Evropa).

si e quanin ate cupen evropiane ne itali qe fitoi medalje!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).