Anekdodë e Qypit, Sinekdokë e Trollit

 

Ka nji farë kryelartësie premtuese në emnimin Busull të nji ndërtese. Pagëzimi i kësoshëm e qarkon ngrehinën me pritmëni të naltë, ngarkesë e cila do t’ sprovonte cilëndo prej ndërtesave ma të përmenduna të vendit, e jo ma ato qi kalojnë ndër sytë tona për të rëndomta e të zakonshme. Por edhe këto të mbramet kanë aftësinë t’ na befasojnë herë mbas here, sidomos  kur ndonji prej tyne gjindet papritun brenda nji ujdhese.

De Kompaszaal në Amterdam hyn padyshim nen hijen e veçantë të kësaj kategorie. Sa hedh kambën në Sallën e Busullës befasohesh me dialogun arkitektunor midis gollës së ndertesës e gjithçkaje tjetër përmbajtun brenda asaj kornize. Soditshëm lëshohesh përmes shtjelljes elegante të hapsinës, lehtësisë bukëpeshku të konstruktit e përplotjes në çdo kand të skajshëm të dritës. Përsakohë qi endesh nëpër ambjentet e sallës je i vetdijshëm se ngrehina asht protagoniste kryesore; dekori veçsa mbulon me modesti ate çka asht e nevojshme.

 

De Kompaszaal Amsterdam 

Globet e ndriçimit e bojëarra e errët mund t’ sjellin ndër mend Hotel Dajtin, por Kompaszaal-i ruen estekitën e vet të prekshme e organike. Ka diçka magnetike në atë lloj vjetrimi të gjasendeve të ndërtueme për jetgjatësi; vjetët u kanë zbehun njisojshmënisë e u kanë lanë atyne ate kandje të veçantë qi japonezët quejnë wabi- sabi. Ekzistenca e vetë asaj kulmaje shkon përtej funksionit fillestar të strehës; ngrehina si ajo përmisojn njimend cilesinë e jetës njerzore.

Mbloja shplodhëse e meditative qi pështjell cep më cep atmosferën shpalohet masëmiri në kandin me kolltuqe, ku faremirë mund t’a ndjesh veten si banori i vetëm i asaj ujdhese. Pirgu me libra e revista në tryezën e ulët nxjerr në pah përmidisi nji drejtëkandësh të kuq e të spikatun, kapaku i së cilit shënon me puprra të imta si të rrahuna me pikus konturet e njohuna të hartës shqiptare. Asht nji fotolibër, e kësi paraqet për lexuesin e plogët disa përparsi të pamohueshme; shfletimi nuk lypë kushedi se ç’ vemendje e për ma tepër mund t’i nxjerrësh fundin për aq kohë sa t’ duhet t’ pish kafen mbas buke. Por sado e shkujdesun qi mund t’ paraqitet lidhja me lexuesin, nuk ka asgja të rastësishme në fletëlidhjen e këtij libri; renditja e paramendueme e përshkon si leitmotif fund e krye. 

Concresco asht nji fotomontazh i 2012-ës, kushtuem posaçërisht e përvetësisht asaj lajthitje të famshme shqiptare, bunkerit. Në pamje të parë mund t’ falet nëse mendon se subjektit i mungon qartazi wabi-sabi japonez, ose sëpaku ashtu t’ duket prej kolltuku.

Concresco

Nyjësia e autorit David Galjaard me konceptin e bunkerin nuk asht aq e pashpjegueshme, ajo ftillohet përbukuri po t’ përfytyrosh përballjen e tij me madhësinë monumentale të kësaj lajthitje. Ne të tjerët, le e rritun në mes asaj çakërdisje, diqysh të imunizuem prej asaj shuplake fillestare qi duhet t’ krijoje pamja e parë e asaj gërdie betoni, shohim proshmimin e parreshtun kundër çoroditjeve tona të shpeshta me nji ndjenjë bezdie e paraprije. Megjithate, përpjekja e Galjaard-it shkon përtej fiksimit me absurdin shqiptar, këtij Voyeurism-it të huej qi duket sikur sheston gjithçka prej shkëmbimeve tona kulturore. 

Parathania e1995-s nga Slavenka Draculic e pasthënia e 2012 nga Jaap Scholten, mbërthejnë fotolibrin në dy krahët me nji sens të ndjeshëm kronologjik, ndërsa dëshmi protagionstësh t’ ngjeshuna përmes librit si fletëpalosje shenjuese i japin Concresco-s nji sens të vërtetë vendodhje.

Por sado e përzgjedhun qi mund t’ paraqitet fjala me shkrim, asht kah ana vizuale ku fotomontashi zbulon të tanë domethanien e tij të randësishme.

Libri asht fizikisht i zgjatuem pak ma shumë se asht gjatësia e zakonshme asosh formatesh të mëdhej, e si mund të pritet prej kësisoj botimi, përmasa asht e qëllimshme. Qysh në faqe të parë kupton se Galjaard synon me largpamësi qi lexuesi, pavarësisht sa i ngathët a i pavëmendshëm, t’ përqendrohet jo në nji, po në dy faqet përngjitun, të formueme në nji imazh të vetëm, qi përkthehet për rrjedhojë në dyfish përshtypje. Tashma imazhi gati- katror i formuem prej dy fletësh të gjata përbri njana-tjetrës angazhon drejtpërsëdrejti shqisat tona. 

Concresco by David Galjaard | "Out of fear for a foreign attack, the Albanian Stalinist leader Enver Hoxha built approximately 750.000 visible bunkers during his reign (1945-1985)...Within this documentary, the bunkers serve as a guide to illustrate the development of a European country that was the last to step away from communism and started the difficult journey to become part of the capitalistic West."

Concresco

Në libër kompozimet e artistit shfaqin gjthnduer peisazhesh, epiqendra e të cilave në të shumtën e herëve asht nji bunker i vetëm; andaj kapërcimi nga dyfaqzimi në nji të plotë, kuasi-katror paraqet  për autorin përmasën e përkryeme me nxjerrë në dritë nji çerek veze ngulun për toke. Galjaard sjell sëbashku në nji koncert rrethin e katrorin, këto dy format abstrakte ma elementare. Ai amalgamon natyrën e objektet ma të çuditshme të nxjerrun prej dorës së njeriut me lehtësinë ma të madhe.

I bindun si mund t’ jesh në këto aftësi të artistit e zgjedhjet e holla e të lerta të këtij montazhi, syprania e nji realiteti të ndërlikuem e të dendun si ai shqiptar, vagullon kufinin subjektiv mes vlerave artistike e  dokumentare qi mund t’i përngjiten montazhit. Pavarësisht pamundësisë së veçimit të këtyne meritave, pak dyshime mund t’ ketë në aftësinë e hollandezit në përndarjen e relievit shqiptar në rrjetë gjithëmbuluese, ku çdonji katrore kulmohen në vetvete me nji pikë refererimi bojë hini.

Wallance Stevens më 1919, në poemthin e tij të famshëm “Anekdoda e Qypit”, kallzon për vegimin e tij tundues ku nji veprim i papërfillshëm len mbi faqe të tokës nji trashigimi shpërfytyruese. 

 

Anekdoda e Qypit

Vuna nji qyp n’ Tennessee

E i vetht qe përmbi nji kep.

E e bani barin e harlitë

T’i vi përqark asaj kodrine

 

Morrën ferrat hov përpjetë

E rreth gufunë, jo ma harlitë.

I vetht qe qypi përmbi truell

E i naltë, nji qykë n’ajër

 

Zaptoi at vend e gjithçka përmbi

I hintë e i zdeshtë qypi qëndroi

S’ dha për zog a drizë n’ at’ bri

Si kurrgja tjetër n’Tennessee 

 

 

Anecdote of the Jar

 

I placed a jar in Tennessee,

And round it was, upon a hill.

It made the slovenly wilderness

Surround that hill.

 

The wilderness rose up to it,

And sprawled around, no longer wild.

The jar was round upon the ground

And tall and of a port in air.

 

It took dominion everywhere.

The jar was gray and bare.

It did not give of bird or bush,

Like nothing else in Tennessee.

 

Përtej interpretimeve të paenduna mbi poezine e shkurtën, Stevens arrin me përpikmëninë e fjalëve të zhgjedhuna t’ ndërtojë nji peisazh qi gati përfytyrohet njilloj nga të tanë lexuesit. Nji qyp çfarëdo përmbi nji kodër çfarëdo, cili i jep nji lloj tjetër thellësie e përmase peisazhit. Në të njëjtën mënyrë vepron Galjard me lidhjen e gjithëndryshueshme të bunkerit me ambjentin. Udhëtimi i tij fotografik shëndron anekdodën e vogël qypit në sinekdokë përgjithshme të nji toke. 

Concresco

3 Komente

Fotot jane shume interesante. Kam nje kritike vb. Nuk merret vesh, cfare behet fjale saktesisht. Recension udhetimesh, liber fotografish. Nqs shkrimi eshte letersi me duket se mungon boshti. Nqs eshte nje reportazh, duhen dhene qe ne fillim info si vendi, koha, konteksti.

p.s. ai llampadari te foto e pare, shume i bukur.

" Ka diçka magnetike në atë lloj vjetrimi të gjasendeve të ndërtueme për jetgjatësi; vjetët u kanë zbehun njisojshmënisë e u kanë lanë atyne ate kandje të veçantë.. "

Sa qejf. Rrofsh bej.

Shife si i kishte urinals Fiqo, me te ndame ansore. Vetem femnat kan aq privitacitet ne hale, jo se kishte rrezik qi t' vite nanjoni e ta shifte sa te modh e ke.

Xhan-xhin, rehat ke Zoti.... my kind of place,

is it pc nqs i qujme shurrtore???? apo permjerrse 

Fredo, pike e drejte, un menoj se te tjeret e dine muhabetin per ca fol una, qi n'vetvete o piknisje e gabume.

Megjithate s'ka pse e ndajme muhabetin ne kategori specifike.

per mendimin tim osht mire te folim per ca na vjen ne mendje. 

Back to the future, toiletten Kompaszaal

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).