Qeveria ka vendosur të heqë kufirin e borxhit publik, i cili në 2013 pritet të kapërcejë në 62.6 përqind. Arsyet pse po bëhet ky ndryshim ligjor dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare. Flasin ekspertët

Nëse ke prekur pikën e moskthimit, por për t’u shtyrë ca më tutje i bie të shkelësh ligjin, atëherë çfarë bën? Ndryshon ligjin! Kjo taktikë e vjetër qeverish në pushtet po merr një kuptim domethënës pas propozimit të fundit të mazhorancës për të hequr kufirin e borxhit publik nga ligji organik i buxhetit të shtetit. Një lëvizje e cila ka ndezur një debat të madh në politikë, por edhe mes ekspertëve të ekonomisë, për atë nëse duhet prekur ose jo kufiri prej 60% i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Aktualisht, niveli i borxhit publik, nga të dhënat deri në muajin shtator, është shumë afër kufirit të lejuar (59.8%, por sipas ekspertëve është tejkaluar në 60.5), të caktuar me ligj nga vetë qeveria në 2008. Propozimi për ndryshimin e ligjit i parapriu në fakt, arsyes së vërtetë: buxhetit 2013, i cili ashtu siç është sjellë për t’u miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë e prek limitin e borxhit deri në 62.6% të PBB-së. Sepse kur nuk ke para, do të marrësh borxh. 

Buxheti, i bazuar te borxhet, të cilat janë më të larta nga sa parashikohen në dokumentin ligjor të kuadrit makroekonomik 2013-2015, është 409 miliardë lekë në total ose rreth 22 miliardë (200 milionë dollarë) më shumë nga sa ishte vendosur në kuadrin makro, i cili bazohej mbi një borxh publik nën 60%. Në daljet e tyre publike, zyrtarë të Ministrisë së Financave, por edhe vetë ministri Ridvan Bode, e kanë sqaruar këtë ndryshim me faktin se jemi përpara një viti elektoral dhe se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) e gozhduar pas falimentimit të kompanisë çeke CEZ, mund të kërkojë para shtesë për të importuar energji dhe të nxjerrë vendin nga një terr i mundshëm energjitik. Kjo mund të ndodhë “kur Parlamenti të jetë i shpërndarë” në prag zgjedhjesh, prandaj qeveria është e detyruar “ta lërë borxhin publik në një nivel më të lartë sesa 60 përqindëshi”, ka sqaruar ministri Bode. Një alibi e qëndrueshme, por që nuk bind plotësisht qoftë opozitën, qoftë analistë të ndryshëm të ekonomisë, të cilët këmbëngulin në faktin se heqja e kufirit të borxhit publik bëhet vetëm për shpenzimet marramendëse për fushatën zgjedhore të mazhorancës dhe të tilla janë edhe investimet e parashikuara në buxhet. 

Nga ana tjetër, tejkalimi i limitit 60% fsheh edhe disa rreziqe jo të vogla për ekonominë e brishtë shqiptare. Rekomandimet e vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore sugjerojnë qeverinë shqiptare ta ulë më tej borxhin publik dhe defiçitin buxhetor, pasi nivelet e parashikuara përbëjnë një rrezik për ambientin ekonomik. Edhe më shqetësues është skenari kur, pasi është thyer njëherë ky limit, borxhi publik të mos dijë të ndalet. Ky film me fund katastrofik është duke u xhiruar sot, në disa nga vendet e Eurozonës. 

Duke iu trembur kësaj, ministri Bode shpejtoi të sqaronte se situata nuk do të vazhdojë të jetë gjithmonë problematike dhe se kur gjendja e operatorëve të sektorit energjetik të jetë stabilizuar, garancitë nuk do të jenë më të nevojshme dhe borxhi do të kthehet në nivelin që ishte, pra 60 për qind, apo më i moderuar se 62.6 për qind. Në relacionin shpjegues të propozimit për heqjen e kufirit të borxhit, ministria e Financave e argumenton rishikimin me faktin se pesha e investimeve publike për 2013-ën zë rreth 5 për qind të PBB-së dhe se defiçiti buxhetor do të jetë 3.4 për qind, duke sjellë një rritje të borxhit publik në 62.6 për qind për vitin tjetër. Kufiri i borxhit u vendos në periudhën e krizës financiare botërore pas rekomandimeve të forta të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilat e panë këtë gjetje edhe si një mënyrë për të ruajtur ekonominë shqiptare nga kriza. Atë vit, qeveria u angazhua ta ruante borxhin publik sa më larg kufirit 60%, por në zgjedhjet e 2009 borxhi u rrit nga 54 për qind, në 58 për qind, duke mbetur i lartë edhe për tre vitet e ardhshme. 

Eksperti i ekonomisë i Institutit “Agenda”, Gjergji Filipi, shpjegon se për të gjetur arsyet e rritjes së borxhit duhet të kthehemi tek keqadministrimi i buxhetit që prej vitit 2009 dhe që kulmon me vitin aktual. Sipas tij, në këto vite nuk është parashikuar me realizëm ritmi i rritjes ekonomike, nuk janë mbledhur të ardhurat sipas parashikimeve dhe nga ana tjetër është shpenzuar sikur gjithçka ka shkuar fjollë. “Rritja e borxhit pa thënë se çfarë do bësh me të, nuk ndihmon. Kemi marrë mjaftueshëm borxh vitet e fundit dhe meqë nuk e kemi administruar mençur apo injektuar aty ku duhet, ky as na ka ndihmuar të gjenerojmë rritje ekonomike e as nuk na ka penguar që të mos lejojmë infektimin e ekonomisë vendase me epideminë e mospagesave”, thotë ai. 

Nuk është e rastit as ndërhyrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili e sheh me shqetësim heqjen e kufirit të borxhit publik dhe kërkon diskutime të gjera politike për të gjetur një zgjidhje. “Ftoj politikën shqiptare të ulet të konkludojë me një rregull fiskal, i cili të jetë një instrument mjaft i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të borxhit për dhënës-nxitësit e domosdoshëm, të jetë një dritare me të gjitha fleksibilitetet e saj në rastet kur parashikohen ndërhyrje për situata të jashtëzakonshme dhe tejkalime, por njëkohësisht do të jetë një garanci për investitorët e brendshëm dhe të huaj sa i përket transparencës së tij”, tha ai, me një frymë. Sa për rritjen ekonomike, Fullani siguroi se pritet një ecuri pozitive, por sigurisht më e moderuar sesa parashikimet fillestare. Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë dhe deputet, e ka të qartë se nga viti në vit, ritmet e rritjes së ekonomisë kanë ardhur në rënie, ndërsa niveli i borxhit publik ka arritur atë cak që tregu e konsideron si “nivelin kritik”, përtej të cilit kostoja e borxhit do të rritej dhe ndikimet e financimit të rritjes nëpërmjet zgjerimit të stimulit fiskal do të ishin kundërproduktive dhe në afat të gjatë do të ishte e rrezikshme. Ai ka shtuar se buxheti i vitit fiskal 2013 duhet të jetë një buxhet konservator, ku objektiv kryesor të jetë kontrolli i defiçitit për të ruajtur borxhin nën kufirin ligjor të 60% të PBB-së. “Mësimi kryesor që duhet të nxjerrim nga kriza aktuale është se rritjet ekonomike që financohen me rritjen e borxheve bëhen të rrezikshme dhe kompromentuese”, thotë Xhepa. Me fjalë të tjera, heqja e kufirit 60% të borxhit publik dhe tejkalimi i tij mbart me vete rrezikun e një destabilizimi financiar. 

Ai që e mbështet tezën se rritja e borxhit publik destabilizon financat e vendit është Prof. Dr Anastas Angjeli, akademik dhe Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë: “Heqja e kufirit të rritjes së borxhit në ligjin organik të buxhetit të shtetit është sinjal i qartë i tronditjes së financave publike, i destabilizimit të qëndrueshmërisë fiskale në vend dhe një veprim me pasoja të rënda ekonomike e sociale”, hyn drejt e në temë ai. Angjeli thotë se një nga debatet më të rëndësishme që po bëhet sot, në kushtet e krizës në Eurozonë, është vendosja e kontrollit të rreptë mbi nivelin e borxhit të shteteve të prekura nga kjo krizë. Madje, shumë prej tyre po diskutojnë jo thjesht kontrollin me ligj, por edhe futjen në Kushtetutë e një mase të tillë. Prandaj, për Shqipërinë heqja e kufirit “është një veprim ‘non sens’ në të gjitha aspektet, atë ekonomik, financiar, ligjor, profesional, social e administrativ. Kjo gjithaq, edhe në këndvështrimin e zhvillimeve ekonomike e financiare globale, veçanërisht në Eurozonë, por bazuar edhe në zhvillimet e brendshme të ekonomisë dhe financave tona publike”, argumenton prof. Angjeli. Një shpjegim i thjeshtë i situatës ku jemi vjen nga Filipi: “Qytetarët i kanë borxh njëri-tjetrit, i kanë borxh dyqaneve. Këto i kanë borxh bankave dhe furnitorëve me shumicë, të cilët gjithashtu i kanë borxh bankave. Por, bankave, nga ana tjetër, i kanë borxh edhe kompanitë që kanë zbatuar në tre-katër vitet e fundit shpenzimet kapitale duke e futur të gjithë spiralen e qarkullimit të likuiditeteve në një ngërç paralizues. Kjo paralizë nuk shërohet me një apo dy pika borxh publik më shumë ndaj PBB-së”. Për këtë arsye, institucionet financiare ndërkombëtare janë shprehur me shqetësim kur kanë kujtuar se niveli optimal i borxhit për një ekonomi me karakteristikat e ekonomisë sonë rrotullohet ndërmjet nivelit të 40-50% ndaj PBB. Ekspertët mendojnë se në tregjet e sotme globale nuk është e thjeshtë të marrësh borxh e për rrjedhojë borxhi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë. Kështu pra, heqja e çdo kufiri ligjor kontrollues, shtuar këtu pasiguritë rajonale të daljes nga kriza dhe vitin e ardhshëm elektoral, të gjitha këto nuk premtojnë asgjë të mirë për ekonominë shqiptare dhe xhepat e qytetarëve. 

Por, çfarë do të thotë heqja e kufirit të borxhit dhe a sjell ndonjë rrezik kjo për ekonominë shqiptare? Prof. Dr. Anastas Angjeli e argumenton kështu: “Që të heqësh kufirin e nivelit të borxhit ndaj PBB, do të thotë: Së pari, të pranosh se financat publike janë në krizë dhe se qeveria kërkon si zgjidhje të situatës rritjen e borxhit; së dyti, do të thotë që me ndërgjegje të vësh interesat elektoralo-populiste mbi stabilitetin makroekonomik dhe të financave publike, duke kërkuar që shpenzimet për investime dhe premtimet për rritje pagash e pensionesh ta bazosh mbi marrjen e borxheve (që janë tërësisht të pasigurta); së treti, rritja e kufirit të borxhit në 62.6% (nga 54% në vitin 2005, në 62.6% në 2013), por që realisht është shumë më shumë, duke qenë realist se rritja e PBB e parashikuar prej 4% është vetëm një fantazi, do të jetë jo vetëm me pasoja në tronditjen e rëndë të financave publike, por edhe të vazhdimit të tkurrjes ekonomike, me pasoja të rënda sociale dhe në punësim”. 

Opozita është shprehur e shqetësuar për rritjen e borxhit tej parashikimit dhe sipas saj, e gjithë kjo do të përkeqësojë treguesit makroekonomikë. “Borxhi publik për banorë sot ka shkuar nga 250 mijë lek për çdo banor që ishte në vitin 2008, në 316.400 lek në kurriz të çdo individi. Në vitin 2011, rritja vjetore e borxhit ishte 8 për qind, në 2012 ishte 6.5 për qind dhe në 2013, do shkojë 8.9 përqind”, ka deklaruar Mimi Kodheli, deputete e PS-së dhe nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë. Në diskutimet për buxhetin, Kodheli dhe deputeti tjetër socialist Arben Malaj, kanë hedhur dyshime se borxhi real është më i madh nga sa paraqitet, kjo për shkak të detyrimeve të pashlyera që shteti ka ndaj sipërmarrjes private. “Të gjithë e dimë se ministrit të Financave i bëhen presione për fonde dhe duke mos patur një kufi për menaxhimin e borxhit, këto presione materializohen më lehtë”, ka theksuar Malaj. Mandej, deputeti tjetër i PS-së, Erjon Braçe, ka prekur çështjen e krizës energjitike, duke qenë i bindur se ajo do t’i japë efektet për dy-tre vite. “Mendohuni edhe njëherë para se ta miratoni këtë ligj, sepse jam i bindur që do të shkojmë përtej 70%”, ka thënë Braçe. Sa i takon buxhetit të shtetit për vitin 2013, afro 61% e investimeve janë parashikuar të bëhen me kredi nga institucionet e huaja. Në sektorët e ndryshëm publikë pritet të investohen 71.3 miliard lekë, kurse një tjetër element i rëndësishëm është fakti se nuk do të ketë projekte të reja, por do të synohet mbyllja e objekteve të nisura në akset rrugore. Që do të thotë se rritja e borxhit publik është vlerësuar si mënyra më e mirë për të mbyllur hesapet e lëna përgjysmë ndër vite. 

Përballë kësaj panorame të zymtë që jep opozita, vjen çdramatizimi nga Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë: “Borxhi po paraqitet si gogol, por në fakt edhe në vite të tjera ekonomia shqiptare e ka patur nivelin 62.5 përqind (në 2002), kur ka qenë edhe në kushte më të vështira sesa sot”. Rritjen e borxhit publik e sheh me sy tjetër edhe biznesi, i cili në parim shprehet pro, duke menduar se shpenzimet e larta do ndihmojnë për të pasur në dispozicion më shumë likuiditete. “Konfindustria vlerëson se është domosdoshmëri të arrihet një nivel i caktuar i shpenzimeve buxhetore në kushtet kur financimi i ekonomisë nga sektori bankar është në shifrat më të ulëta historike, si dhe biznesi po ndeshet me rënie të vazhduar të treguesit të konsumit të brendshëm për arsye objektive dhe psikologjike”, ka thënë Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë. Nga ana tjetër, ekspertë të ekonomisë mendojnë se qeveria shpreson në shitjen e Albpetrolit për të futur në buxhet një shumë të mirë parash, të cilat mund t’i përdorë për zbutjen e borxhit publik. Në tenderin e zhvilluar për shitjen e “Albpetrolit”, u pranua oferta më e lartë prej 850 milion euro e kompanisë “Vetro Energy”, e cila ende nuk është përkthyer në marrëveshje për arsye që nuk dihen zyrtarisht. 

Më shqetësuese duket situata energjitike e vendit pasi kompania CEZ mund të quhet e kapitulluar, ndërsa është KESH-i ai që po e furnizon vendin me energji elektrike. Fjalët e ministrit Bode e konfirmojnë këtë fakt: “Blejmë energji, prodhojmë energji, furnizojmë energji dhe nuk marrim mbrapsht asgjë”. Që do të thotë se gropa thithëse e krizës energjitike mund të zmadhohet edhe më tepër derisa të qartësohet situata e CEZ-it. E kjo, do të ndikojë në buxhetin e shtetit, mandej në rritjen e borxhit publik. “Për fat të keq, këtu mungon edhe arbitri i vetëm ndërkombëtar që mund të këshillojë dhe mbikqyrë mirëpërdorimin e borxhit”, thotë Filipi, duke nënkuptuar FMN-në, e cila u largua nga Shqipëria në fillim të 2009. E ndoshta, tejkalimi i limitit të borxhit lidhet edhe me mungesën e saj, duke qenë se ajo ishte një lloj kontrollori i qeverisë për të mos e “kaluar masën”. Kushedi nëse mazhoranca ka reflektuar se largimi i saj ishte një gabim. Sepse lumin vërtet mund t’a hedhësh me kalë, por kur kali nuk e njeh rrugën, duhet dikush ta drejtojë.

15 Komente

Nuk i hap deren borxhit Jo!

Po thellon per  dite e me shume gropen, per te na nxene te gjitheve !

borxhi duhet rritur madje akoma. nuk ka menyre tjeter te paguaj firmat qe u ka ngele borxh, nuk ka menyre tjeter te nxisi ekonomine pa liruar rripin shteti. e kane marre njerezit kete borxhin kaq me frike sa thua ca do ndodhi. ne kete ekonomi te shkundur komplet, e vetmja zgjidhje ajo do ishte. edhe sikur 70 % te PBB te arrinte borxhi prap e perballueshme eshte, e rendesishme eshte te mari biznesi likuiditet se po flasin me vete.

nese nuk je i zoti te shlyesh detyrimet qe ke ndaj te treteve, largohu dhe lerja vendin nje tjetri, por jo ta thellosh te keqen per njerezit vetem per te qendruar ne pushtet. Pse eshte kaq e veshtire te largohesh kur nuk e ben dot nje pune sipas regullave te miratuara po vete? 

je jasht kontekstit! kjo qe thua ti ka me shume sens politik sesa ekonomik. ose po te me pyesesh mua ska sens fare. (dmth pune per mua)

momentum a e ke idene çfare efektesh ka rritja e borxhit publik?? shiko pak Greqine ku ka perfunduar dhe pastaj eja e mbro rritjen e borxhit. Borxhi rritet por atehere kur ke disa projekte qe te kthehen pozitivisht me vone, jo per te shperndare ndonje these me miell per fushate smiley

"e ke idene çfare efektesh ka rritja e borxhit publik?"- pyetja nuk me pelqen per arsye thellesisht profesionale. kur flas per kete teme kam informacion mbinormalen, nejse!

jane dy shembuj krejt te ndryshem greqia dhe shqipria ne aspektine e parametrave ekonomik. qe te mos zgjatem une jam pro masave anti ciklike dmth ne kohe krizash ulje taksash dhe rritje te kontrolluar borxhi. 

sa per thaset me mjell me duken bathet e renda kesaj here. kam pershtypjen se prap biznesi i shkrete do ta bej brumin. po te pakten te mos e bejne si rradhen e kaluar kur nje prefekt kerkoje 200 mije euro per tua shperndare jevgjve, dhe nuk ua dha atyre drejt po ja dha nje tjetri. si perfundim e ke idene sa moren jevgjit leke...

Nuk e di çfare profesioni keni.Ndoshta pyetja ishte e paplote,duhet te shtoja efektet e borxhit ''me kete lloj qeverije''. sa per masat edhe une jam dakort.

Me kete qeveri te paafte dhe mediokre qe kemi, do te ishte mire qe te mos aprovohej ky ligj. Po te ishte ndonje qeveri e afte, njerez me integritet, edhe mund te lejohej te ndryshohej ligji, sepse Shqiperia i ka resurset dhe vitalitetin ti ktheje e ta zbusi borxhin. 

ups,

se ka shkoi ai komenti im per Edi Ramen! Une as nuk e shava - vetem i thashe 'enverist'

Nejse, pune xhelozie !

 

.......................................................

Tani seriozisht; cdo lloj borxhi eshte i keq - vetem ai pa interes fare ose kur shperndahet rreziku financiar mund te ndihmoje ekonomine e vendit!

Edi Rama mire thote, por eshte me vonese ne kete aspekt, dmth ska nje plan sesi do beje ai kur te vije ne pushtet! Edhe nqs e mer pushtetin, i duhet te respektoje kontratat e bera.

Nejse, kemi hyre ne fushaten e 2013s me duket!

nuk ta ka hewq njeri por e ke tek "Edi Rama blog" ne te majte te faqes kryesore. Ti thuash tjetrit sot Enverist niuk osht e shame. Ah po ti thush salist e ke sha me none e babe se ja ke bo qe te dy maloke.

"Ti thuash tjetrit sot Enverist niuk osht e shame. Ah po ti thush salist e ke sha me none e babe se ja ke bo qe te dy maloke"- Perle!

Nivelin e borxhit do ta rrisim për mirëqenien e qytetarëve...“përpjekja e eksponentëve të caktuar të opozitës, për të dramatizuar problemin e rritjes së nivelit të borxhit nga 60% në 62.6%, është qesharake, qëllimkeqe dhe nuk ka asgjë tjetër, përveçse kërkon të pengojë këtë mazhorancë dhe këtë qeveri që të garantojë jo rënien, por rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptarë”.

Kryeministri i shqiptareve i siguron shqiptaret ne lidhje me  overborxhinsmiley

Kufiri borxhit hiqet me fitu me pare borxh zgjedhjet e 2013. Hapi pare jepi kosovarve pashaporta shqiptare dhe ata votojne si bagtia per nji geg si vet ata. E dyta merr pare borxh inaguro nga tre here cdo 50 metra rruge qe te habisen katnaret me sukseset e qeverise. Po sdoli llogaria edhe atere, shto nja 80 vota si me lulin e bashkise dhe ja u 'kry'. 

Ku eshte kuptimi i kufirit ligjor te borxhit ?

Perse duhet te kaloj nje ligj per kufirin ligjor,kur qeveria ka force ta ndryshoje sa here te doje ate ?

Si ka mundesi Qeveria qe nuk njeh krize kerkon te marre me shume borxh?smiley

Buxheti i 2013 eshte i bazuar ne nje rritje 4%smiley

Interesi i borxhit te marre eshte deri sot vete deri ne 14% smiley 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).