“Dottore, Dottoressa…”. Këta dy tituj na kishin shoqëruar gjatë gjithë ditës së sotme. “Dottor Timo,  Dottoresa Ingrit, Dottor… Dottoressa… ”. Takimet dypalëshe kishin shkuar vaj, falë edhe zotërimit të italishtes nga pala shqiptare. Kolegët puliezë ishin ca më mikpritës seç duhej, dhe na trajtonin si të ishim prej kristali.

Na e kanë nevojën - sqaronte Timo,  -   janë paratë e Komunitetit Evropian, që kalojnë përmes tyre. Në një fazë tjetër do të shkruajmë përshtypjet tona në ato letrat e tyre. Pse, si kujtoni ju, ashtu kot?!

Përveç takimeve formale,  kolegët italianë na çuan të vizitonim një kantinë vere dhe një punishte ku prodhohej  Mozzarella di bufala. Vezullimi i topthave të mozzarella-s dhe vera pulieze na pruri në qejf dhe na e hoqi si me magji sekëlldinë e takimeve në zyra.

Në krahinë ishte gjallëruar turizmi kulturor. Dukej sikur banorët e zonës ishin përmendur, e kishin kuptuar se ç’pasuri të madhe paskësh kjo tokë e kjo krahinë. Duajt me kashtë dhe shtëpitë çadrore nën diellin e majit krijonin një peizazh krejt të ndryshëm nga ai që kisha lënë pas, në Tiranë. Ky udhëtim kishte ardhur në kohën e duhur.      

Drejtor Timo udhëhiqte me sqimë grupin e ministrisë sonë, dhe nuk linte rast pa u përfshirë në biseda. Herë pas here drejtohej nga mua. “Shkrepe një me Dottor filanin e një tjetër me Dottoressa filanen…”. Dhe vazhdonte ecejaket e tij impulsive, gjith duke qeshur e duke përmbyllur: “Kopila janë, artista janë…”

Rastësisht isha kthyer në fotograf të grupit, ngase isha i vetmi që zotëroja një aparat fotografik pesë megapiksel.

Grupi përbëhej nga Timo, unë dhe Giti, kolegë të një drejtorie; ndërsa nga shoqatat kulturore ishin ftuar dy vajza të reja, aktiviste që me ç’më zuri veshi kishin mbaruar Artet. Njëra prej tyre më ishte qepur keq për fotografi. Donte të dokumentonte çdo detaj. “Ja një këtu  - dhe hop kërcente sipër një bordure… edhe një këtu - dhe fap e kryqëzuar në kryq… edhe një këtu - dhe hop mbi pemë…”.  

I ndjeja shfryrjet e Gitit nga pas, por ja që nuk ja prishja dot Lorit, ca për mirësjellje e ca nga instinkti i gjuetarit që në raste të tilla arratie, bëhet më i mprehtë e më i nxehtë. Më shumë se e bukur, Lori ishte e freskët dhe shumë fotozhenike.Tiparet e saj prej suedezeje bionde shkriheshin harmonishëm në kurmin e një mickeje shqiptare. Me të lidheshe atypëraty, pavarësisht nga rrethanat dhe mosha. 

Vajza tjetër quhej Ornela dhe ishte shumë e tërhequr. “Ka një të dashur shumë xheloz - më tha Lori. Nuk e sheh një e më dy ai i dërgon mesazhe në celular. Ku je, çpo bën, më kë je? E ka njohur që fëmijë. E shikon, edhe në fotografi nuk do të dalë. Po ti ma bëj edhe një tjetër këtu…”

Ornela kishte një bukuri mesdhetare, flokë dhe sy pis të zinj. Ato pak fjalë që nxirrte nga goja i fliste në dialektin e Tiranës. Kishte një trup të derdhur që binte në sy gjithandej dhe të bënte të ndaloje. Por dukej shpërfillëse ndaj siluetës së vet. Me këto të dhëna, dhe me atë çka më tha Lori, më ngjante sikur kishte marrë diçka nga egërsia e të dashurit të saj. E shikoja më shumë si rast, si çështje. Çështje drame. Rast dramatik. Mbase ai nuk ishte i egër, por ja që kishte qëlluar xheloz në epokën paranojake të celularit. Ornela të bëka vërtet xheloz - mendova.  

Dottore - ndjeva të më afrohej shoqëruesi puliez i grupit, një djalosh me një ishull të vockël mjekre nën buzë. “Koha për tu nisur në motel”. Ishte pasdite vonë dhe shtëpitë çadrore po ngjyheshin me ngjyrën e muzgut. Shkrepa një foto në peizazhin tej, më në fund pa Lori mickën si subjekt. Ndjehesha i lodhur dhe i lehtë.      

Moteli përdhes ndodhej pranë një shtëpie çadrore dhe më krijoi përshtypjen se dikur kishte qenë fjetore për kuaj, e tash me ardhjen e kësaj ere të re turizmi kulturor ishte përtërirë e përshtatur në fjetore për njerëz që paguanin. Ishte krejt i ri dhe i bardhë dhe administrohej nga një familje pulieze, dy pleqtë dhe djali me të shoqen. Nga ana tjetër e rruginës ku ndaloi furgoni, shtrihej një fushë e madhe e gardhuar ku stërviteshin kuaj të lartë e të zinj.

-Foto, këtu foto të lutem - u dëgjua Lori dhe u turr më vrap për tek gardhi, pa më të voglin dyshim nëse unë do ti bija nga pas.

-Shko pra - u dëgjua Giti, ç’pret?!

-Dottor Timo - u hodh shoqëruesi, mund ti pyesni të zotërit e motelit nëse mund të bënit ndonjë shëtitje me kalë. Mesa di unë janë kuaj garash, por se i pyesni nuk bëhet gjë…

Giti rroku çantën e saj nga pjesa e pasme e furgonit, dhe u nis kah oborri i motelit, ndërsa unë shkova si paqejf ti bëja ca foto Lorit. Timoja po sqarohej për takimet e së nesërmes me shoqëruesin. Ornela ndërkohë, vështronte kuajt e zinj atje tej fushës dhe shtrëngonte në dorë celularin. Sikur donte ta bënte copë e çikë.

Oborri i motelit u mbush me njerëz dhe çanta. E zonja e shtëpisë filloi të ndante çelësat e dhomave. Shoqëruesi na uroi natën e mirë dhe u largua duke qeshur e duke kthyer kokën herë pas here nga grupi.

-Darka do të jetë gati për një orë - njoftoi e zonja e shtëpisë, dhe ne u lëshuam nëpër odat e lyera me gëlqere, duke lënë pas ditën me doktorë e doktoresha. Timo u fut i fundit në dhomën e tij, pa harruar të na kujtonte: “Për një orë në oborr djema!”

Ishte e hera e parë që e shihja Timon pa kravatë, pa kostum e këpucë lustrafine. Dukej sikur ishte veshur shpejt e shpejt në ndonjë dyqan të rrugës Myslym Shyri dhe ishte katapultuar aty. Sikur bluxhinseve u kishte shkuar një hekur, dhe atletet sapo i kishte tërhequr nga rafti. Por dukej moskokëçarës. Ishte nga ata tipa që nuk pret gjykimin e të tjerëve. Fliste dhe qeshte shpejt dhe ndrronte pozicion, nuk e mbërtheje dot në asnjë temë. Të shpërqëndronte me atë rrëmujë taktike që krijonte. Nuk e tepronte me postin dhe ruante me kujdes figurën e tij të mirë, përmes kontrollit të informacionit dhe ndereve që bënte. Italishten dhe anglishten i fliste ujë dhe moshën e mbante sekret. Kisha zbuluar se ishte 48.

Po e prisnim tek stolat në oborr dhe pasi pamë njëri - tjetrin në sy, zumë të qeshnim e ta shpotisnim miqësisht . Giti qëndronte në pjesën më të errët të oborrit dhe qeshte më shumë sa për të qenë pjesë e së tërës. Edhe sikur të mi falnin mendimet e saj, nuk do ti kisha pranuar, të paktën në këtë natë maji puliez ku mashkullit i lejohen do aventura pa dëshmitarë okularë e pa ndjenja faji. Pa e çarë kokën me një fjalë.

Timo u ul në stol, pranë Gitit, dhe diçka filloi të kuvendonte me të. Ishin kolegë të vjetër dhe kishin hyrje dalje familjare. Nga kuzhina e motelit vinte një aromë hudhre dhe vaji ulliri. Nata po shtrohej këmbëkryq mbi oborrin e gurtë. Shtëpia çadrore e ndriçuar dukej si far. Ishte bukur të ishe ankoruar këtu. Herë pas here dëgjohej sinjali i mesazheve Nokia të Ornelës, të cilat krijonin një ndjesi kërcënimi. Tej në shtëpi një radio luante Jovanotti-n: 

io re magio tu stella cometa...

mi devo allontanare da te per vederti tutta intera

Ornela dhe Lori kishin veshur pantallona të shkurtra dhe ngjanin si dy lolita të ndryshme. Lori mbante aparatin tim në pëqi dhe shihte buzëgaz fotot që i kisha bërë gjatë ditës. Në majë të gishtave i dukej një cigare sikur ta kishte kapur me piskatore. Ornela u hidhte nga një sy përciptaz fotove dhe krihte me gishta flokët e zinj ende të qullur nga dushi. Ky ishte vendi i saj natyral. Në këtë oborr ajo dukej si një zonjë shtëpie. Mbase prandaj kish ardhur me grupin tonë, të kërkonte identitetin e saj - fillova unë të tirrja mendimet e mia të majit. Thellë në vete e imagjinoja tek arratisej nga i dashuri dhe bënte një jetë krejt tjetër, këtu në Italinë e Jugut. Mos vallë po mendonim të njëjtën gjë?! Një dëshirë e madhe për tu arratisur me të këtyre anëve më kaploi, ndërsa e shihja tek kishte tretur vështrimin përtej rruginës,  ku kuajt e zinj ishin bërë njësh me natën.

E zonja e shtëpisë na njoftoi se darka ishte gati dhe se ne mund të shkonim brenda në atë që mund të quhej restoranti i motelit. Ajo e pa Lorin vëngër, kur ajo e fiku bishtin e cigares në oborr. Signorina...  Timo ndërhyri atëçast dhe i tërhoqi vëmendjen mickës. 

Gatimet kishin si element të përbashkët kungullin; pjata të ngjashme dhe të ndryshme nga ato shqiptare. Shumë të shijshme. I zoti i shtëpisë na solli verë të kuqe nga e tija në kana qeramike. Lori i bënte pyetje papushim. “Po kjo, po ajo ... ” - dhe ai përgjigjej si të gjithë provincialët që krekosen sapo një turist u avitet.

-A mund ti ngasim kuajt?  

-Oh.. jo.. jo, ata janë kuaj garash nuk mundeni - u hodh i zoti i shtëpisë.

Janë kuaj mafiozë - dhe qeshi.

-Nuk e kuptova këtë batutë, më tha Timo me atë të folurën e tij të shpejtë.  

Burri i shtëpisë, i gjegjej Lorit, por nuk ja ndante shikimin Ornelës. Mesazhet nga Nokia e saj kishin rënë në heshtje. Ajo dukej më e shtendosur, madje herë pas here më mbushte gotën me verë . U ndjeva i mikluar. Edhe për kaq pakogjë. Ndonëse me Lorin isha lidhur shumë, begenisja e saj peshonte më tepër.

Mu ndërmend meraku i Gitit për ikjen e moshës, bezdia e saj kur gjendej pranë vajzave të reja. Trubosh, kalamaj! Në ministri, Giti kishte një eksperiencë të gjatë dhe kualifikime të pafundme. Ishte një lady e vërtetë, por tepër perfeksioniste. I bënte gjërat me zemër, (jo me bythë kur thonë) dhe gjithmonë bënim fjalë kur unë i shpjegoja teoritë e mia të spontanitetit dhe abstragimit. Zakonisht rrinim dy a tre ditë pa folur, por më pas e gjenim një sebep për tu rilidhur sërish dhe për t’ja filluar nga e para. Ky ishte cikli ynë. Po të kisha mundur këtë natë, do ta kisha hequr Gitin qafe. Por ajo rrinte aty, në pjesën më të errët të tryezës...

Kishin kaluar dy orë me të ngrëna e të pira dhe të gjithë dukeshim në qejf. Femrave u dallohej një purpur në fytyrë ndërsa Dottor Timo qeshte fort e fliste avash. I zoti i shtëpisë po merrte pjatat e fundit në tryezë dhe na kishte sjellë një kanë të fundit me verë, si për të na thënë se gostia duhej të mbyllej.

Me siguri ai priste që ne ti jepnim fund darkës dhe të shkonim nëpër dhoma. Lori dhe Ornela rrinin në oborr dhe diç intrigonin duke parë nga ne. Giti dhe Timo talleshin me bëmat e ditës dhe kolegët puliezë. Ata nuk i kursenin edhe shpotitë ndaj meje që e kisha drejtuar tytën e aparatit ndaj lolitave në oborr.    

Duhej të lëviznim që aty. Në kanë kishte ende verë dhe atmosfera premtonte zhvillime të mëtejshme. Timo u hodh i pari: 

-Shkojmë në dhomën time dhe e mbarojmë këtë kodosh vere.

Mu duk sikur Giti më pa me djallëzi. Lori dhe Ornela nga oborri u hodhën pupthi nga gëzimi.

-Po shkoj të marr CD playerin - u hodh micka.

Timo i hodhi dorën në qafë Ornelës dhe i tha me një ton prindëror:

-Ai kodosh shoqëruesi më kërkoi të hyja shkesë për ty ...ha ha ...terroni.

Ajo pa nga mua me ca sy të dorëzuar apatikë, ndërsa Timo e hoqi dorën ngadalë dhe qeshi.

Nata pulieze na kishte marrë në dorë duke na zhveshur nga funksionet administrative. Ishim ca aventurierë që çoç prisnim nga njëri-tjetri.

Dhoma e Timos ruante ende aromën e parfumit të tij të rrojës. Aty ndodheshin dy krevate teke, një tryezë e vogël dhe  dy a tre karrike. Drita e banjës ishte e ndezur dhe po ashtu një abazhur i vjetër. Lori futi CD playerin në prizë dhe vuri një muzikë pop të kohës. Pastaj u hodh të kërcente mbi shtratin e paprekur të Timos, duke përcjellë energji DJ - i tek të gjithë ne të tjerët.

Të gjithë po qeshnim me mënyrat tona. E qeshura e Timos mbartte edhe merakun e postit. Giti qeshte dhe ndalonte. Ornela kishte filluar ndërkohë të na mbushte gotat dhe dukej e kënaqur. Parandjeva se diçka do të ndodhte dhe rrija si i paralizuar me dhëmbët jashtë. Isha i pafuqishëm të kërceja, përtoja të bëja muhabet. Vetëm prisja një sinjal, një shenjë…

… 

Dhe ja kështu më gjeti jastëku i parë. Ornela mesdhetare kishte marrë njërin nga jastëqet në dhomë dhe kishte filluar lojën. Kaq ishte dashur të shpërthente lufta. Gjithkush kishte rendur në dhomë, ishte armatosur me jastëkun përkatës dhe ishte kthyer aty për të zhvilluar luftën e tij. Lori ishte kapur me Timon, Ornela më kishte mbërthyer mua dhe Giti kishte zënë llogoren e saj, në qoshen më të errët të dhomës.

Pasi u lodhëm, u shtrimë përmbys së qeshuri dhe po rrimerrnim veten, me sytë nga puplat e fundit në ajër.

Pikërisht atëherë, atëherë kur lufta konsiderohej e mbaruar, pashë Gitin që më lëshoi jastëkun e saj në fytyrë, me një vrull të furishëm. Gjithë të tjerët shtangën të çuditur. Giti qeshte me inat dhe bam, bam mbi fytyrën time.   U ngrita dhe dola me vrap nga dhoma në korridor. Bam, bam. Giti qeshte me inat dhe më ndiqte me jastëkun e saj në duar… 

14 Komente

Po lexuat fjaline e pare, e hengret deri ne fund. Menyra e te shkruarit e ben leximin argetues. Por dua te vazhdoje. Ca ndodhi me pas? Ta la ndonjera? smiley

Duket si ngjarje e vertete, deri tek pjesa e jastekeve qe sikur e ndryshon pak atmosferen, por jo qe s'e besoj qe ka ndodhur vertet. Plus qe une s'dua gjera qe kane ndodhur patjeter vertet. 

xheke, ishim bere per mall smiley.

Lori me kujtoi nje pedagog ne nje udhetim te ngjashem (sponsorizime te KE-s), me ndryshimin qe nderrohej 10 here ne dite per fotot, se do i vinte ne facebook dhe s'duhej ta shikonin nxenesit me te njejtat rroba.  

PS: like a snapshot. 

..ha ha ...terroni.

smiley

Xheke, me pelqen stili yt i te shkruarit dhe gjuha eshte e zgjedhur dhe e qelluar, imazhet qe krijohen jane shume te qarta dhe personazhet jane te formuar secili me fizionomine e vet, vetem se nuk me vjen i plote tensioni qe duhet te ndjehet ne ajer nga kjo ndjekje gjahtar-pre.

Mbyllja le vend per supozime e hamendesime, qe dic tjeter ka ndodhur mes Gitit dhe dr. Pinco palino, ose nuk ka ndodhur asgje fare. Ndoshta eshte e kerkuar kjo mbyllje, por po te shtohet paksa tensioni, vera qe nxit lojera veshtrimesh, çikje te lehta duarsh etj. etj, do te rritet dhe pritshmeria e lexuesit per ate qe do te ndodhe dhe kthesa qe i jep ne fund do te jete me  befasuese. 

O jet' diverse, jet' perverse - shfreu kanautori.
Rapsodi buzqeshi pa e nderpre "ic maj llajf"in.

O Xheke, o xhoj of lajf smiley

E lexova me nje fryme, te terheqin deri ne fund detajet qe jane shkruar. 

Ambazhuri me ej me rob shpije

Ty do te te bejme korrektor bocash! smiley

Persmari. Ty do te bejm korrektuese e korrektorit. 

Deal! ja u bo shpia botuese. lol

Xheke you tease!

Une sec kisha nje mendim ne koke qe kjo e gjitha do perfundonte ne nje orgji te fuqishme qe nga fillimet e shkrimit...

vallahi, une jam burre i nercem se ne kto takimet me lekt e be-se i kemi ca kroatka qe na e hoqen pettlen. edhe kur je kshu i lire, rrugash ku s'te njeh kush, ... .

Bukur, pershkrim natural apo i natyrshem. 

Shnikas, kroatkat, nuk jane dhe aq te bukura. 

Shume kendshem shkrimi, te mberthen si pa e kuptuar dhe ne fund te ben te mos besosh se po mbaron smiley

If I may, jam dakort me Ana H kur thote: 

vetem se nuk me vjen i plote tensioni qe duhet te ndjehet ne ajer nga kjo ndjekje gjahtar-pre

por nga ana tjeter, mbase kjo eshte e qellimte, dmth nje fare tisi (toni) vojersiti me shume se gjahtari, qe transmetohet ne gjithe tregimin.

 

Une sec kisha nje mendim ne koke qe kjo e gjitha do perfundonte ne nje orgji te fuqishme

Pakapo, eshte PeshkLetersi bre, jo Youporn smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).