Fati desh që unë, si demokrat i sahateve të para, ta nxij zhapën (pas të 60-ave, lëkura transformohet në zhapë) dhe të laj “mëkatet” në plazhet e detit Marmara.

Më saktë. Në Porto Karas, në hotelin më pesë cepa “Sintonia”. Më duhet të përmend edhe një fakt të thjeshtë.

Hoteli ka edhe kazino. Për lojtarët e kazinosë, çmimi i hotelit është ekstra. “Pse”,  më pyeti zonja ime, duke hapur syçkat dhe shtrënguar qesenë. Buzëqesha për pyetjen naive duke thënë:

“Që nga lashtësia, në garën mes kazinosë dhe lojtarëve, fitues i përjetshëm është kazinoja. Këtë filozofi e dinë mirë pronarët e hotelit. Për të tërhequr lojtarët, bëjnë dy oferta. Së pari, përgjysmojnë çmimin e hotelit. Së dyti, me 5 euro për t’u futur në kazino, mund të hash e të pish pa e vënë dorën në xhep”….

Foli zonjëza ime: “Nuk del me humbje kazinoja?!”. Pa marrë përgjigje shtoi: “Ne në kazino do të hamë?”. Në vend që ta sqaroja se në kazino nuk shkohet për të ngrenë, por për të luajtur dhe tretur paratë, i tregova një barcaletë. Para ruletit dy mesoburra. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë: Ku t’i vendosin fishat? Një nga burrat pyeti: “Sa herë në javë bën seks me gruan?”. “Pesë herë”. “Unë një më pak”. Pasi i mblodhën numrat, vendosën 9-n. Zari qëndroi te zeroja…. “Do kishim fituar po të mos kishim gënjyer”, thanë të dy me një gojë.

Më parë se të vazhdojmë tregimin, duhet të sqarojmë pse përfitova edhe unë nga oferta e hotelit, kur dihet që morali im si themelues i PD-së nuk ma lejon të ulem në tavolinat e kazinosë. Pa folur që njeriu që nuk ka fat në dashuri, nuk mund të ketë fat në kazino. Po të isha njeri me fat, në moshën 61-vjeçare nuk do të vendosja kurorë në kishë me gruan pas 28 vjetëve martesë, por do të gjeja një vajzë të re, duke imituar kryetarin Nano, që kur mori vesh martesën time, më telefonoi nga Vjena duke më uruar me fjalë zemre: “Të lumtë shoku Mitro! Na e fute! U martove me të njëjtën grua. Ne i ndërruam”… Dhe: hahaha e kukuku…

Por le të kthehemi te pyetja. Hoteli kishte dërguar disa oferta për politikanë shqiptarë, miq të kazinosë. Pronari i hotelit, kur dëgjoi për emrin tim, tha OK për tri arsye. Së pari, politikan i dështuar. Bosi, si grek mendoi: Nuk ka vend më të bukur se kazinoja për të mbytur stresin e dështimit në politikë. Së dyti, dhëndër 61-vjeçar. Arsyetoi. Mitrua do ketë peshkuar ndonjë vejushe të krimbur më para. Kazinoja është vend perëndie për t’i bërë paratë e prikës rrush e kumbulla. Së treti, dikush i paskësh treguar se Mitrua, duke qenë deputet demokrat në vitin 1993, kishte firmosur të dilte nga Burgu i Bënçës Fatos Nano, në atë mot i burgosur nga Berisha. Në shenjë respekti, mendoi pronari i hotelit, dhe për të larë borxhin, Nano duhet t’i ketë mësuar Mitros si të bëhet mik i kazinosë… Gaboi në të tria pikat…

Natën e parë i thashë zonjës: “Duhet të shkojmë në kazino”. Regjistrimi dhe një lojë ishin të detyruara, sipas paketës turistike. Paguam 10 euro dhe u futëm brenda! U erdhëm makinave vërdallë. Bir o Mina! Grekë, rusë, japonezë, turq, arabë. Raca dhe popuj… Dallon gjë? – pyeta… Fytyra të vrerosura, tha zonja ime. Përse?… Hamë. Pimë nga një gotë verë. Hedhim disa euro në tavolinë… Do ta kuptosh vetë arsyen e mosarsyes, siç llafoste Don Kishoti… Nxorëm 100 euro. I ndamë gjysmë për gjysmë. Unë i humba, si trim dhe pa fat, në dorën e dytë. Zonja i shtoi deri në 300 euro. Më shkeli synë. Ia shkela edhe unë… E mori si sinjal për të vazhduar lojën. Pas 20 minuta i humbi të gjitha… Pse më le të luaj? Me paratë e fituara blija një palë këpucë… E ngushëllova duke i thënë: “Paratë, gruaja i humbet o në kazino, ose në dyqan”.

Në mëngjes me peshqirë në qafë, zumë vend në shezlong. Disa metra më larg, disa pushues flisnin greqisht me zë të lartë. Burra të zinj e të vrenjtur. Gra të dhjamosura dhe pa shije. Në krah dy biondiona. Yje! Sy blu. Me rroba banje, tip tanga… Në kohën e rinisë sime duhet të hapje brekët për të parë bythkat e çupave… Sot duhet të hapësh bythkat për të parë breçkat! Kohë moderne për të kullotur sytë, edhe atje ku në rininë time nuk futeshin as rrezet e diellit!… Ngrita veshët për të dëgjuar… Rusisht. Racë e bukur, fola me vete… Ç’pate? Dëgjova melodinë e njohur të zonjës… Të zuri tartakuti!… Ma lëviz kokën si lule dielli. Vura në lëvizje “mokrat” e kujtesës. Kisha bërë disa vjet rusisht. E gjeta fjalën “Zdrazdvjute” (tungjatjeta). Pasi mora përgjigje dhe buzëqeshjen e bukurosheve, shtova frazën rezervë, që e kisha përdorur edhe herë të tjera në mjedise me ruska: “Nje znaju pa ruski…” (Nuk di rusisht). Ishte kjo frazë magjike që i bëri të shkrihen bukuroshet dhe të kthehen me front nga unë dhe gruaja. Kisha edhe tri pyetje që i mbaja mend nga rusishtja? Kak? Kuda? Gdje? Varianti i pyetjeve amerikane: Si? Kur? Ku? Me këtë bagazh në gjuhën ruse, shkrimë akujt.

Kur m’u sosën fjalët dhe buzëqeshjet me ruset, nisi shtrëngata me zonjën… Nuk të vjen zor nga vetja! U flet grave të botës pa i njohur. Më duken si vajza… Korrigjimi im i vuri më shumë flakë zemëratës… Ndërkohë drejt nesh erdhi një burrë. I madh në trup. Gjithë muskuj. Qethur ballaboks… Sa qejf do të kisha të t’i bënte turinjtë përshesh, tha zonja ime. Në vend të grushteve, rusi më zgjati dorën duke thënë: Viktor! Në shenjë respekti korrigjova emrin tim dhe thashë: Dimitri – pa ruski. Mitro- pa albanski. Ishte burri i njërës nga bukuroshet, edhe pse mund të kishin një diferencë 20 vjet. Dinte pak fjalë anglisht… Govori i pa ruski. (Fol rusisht.) Thashë. Normale. Nuk më interesonte shumë se çfarë do thoshte rusi. Ishte e vetmja dredhi për të ndenjur më pranë me ruskat. Kishte qenë oficer, ’90-ta e gjeti pa punë. Ushtria e lavdishme sovjetike po tretej. Buxheti i Rusisë – trokë. Pa rroga. Pa ushqime. Pa veshmbathje. Viktori braktisi ushtrinë, si mijëra rusë. Në fillim punoi hamall. Pastaj shiste sapun në treg. Më vonë e rriti pjacën. Shitblerje vajzash. Ruskat i pëlqente Europa. Bëri një dorë të mirë me rubla. Iu fut ndërtimit.  Fitimi në Moskë, qyteti më i shtrenjtë në botë pas Tokios, ishte me dhjamë. U martua. Bëri dy fëmijë. Për të mos lodhur gruan, në shtëpi kishte marrë një vajzë… Yll.

Vetëm fëmijët përkëdhel bukuroshja… Këto mendova, por tjetër pyetje bëra: Vajza e punësuar është e siguruar për pension?… Qeshi me gjithë shpirt. Tha: Rusia nuk është as Francë e as Gjermani. Mbret është ekonomia informale. Do vite që t’i vijë radha bebisiterit për t’u siguruar…. Ne jemi Europë, mendova. Berisha e “gatoi” projektvendimin që borgjezët e rinj të sigurojnë shërbëtorët dhe të paguajnë para për vilat dhe fshatrat turistike…

Ditët e fundit, kur po na sosnin paratë, zonja propozoi: “Pse të mos hamë edhe një darkë në kaziono?”. Pas darkës erdha vërdallë. Në një qoshe një burrë i trishtuar pinte xhin… Pse pi? Lashë paratë! Nuk kam si kthehem në Vjenë!…Je nga Tirana?…Në kaziono kam bërë shumë miq nga Tirana. Aty kanë tretur pasurinë ish-ministra, ish-deputetë. Më shumë “isha”, por edhe biznesmenë të ditëve tona… U futa në sallë. Një biznesmen po bënte shamatë. I kërkonte llogari menaxherit të kazinosë: Pse më dhe 20 mijë euro borxh për të luajtur? Në fillim m’u duk sherr abstrakt… Më vonë mësova të vërtetën. Kazinoja ka edhe një huq. Për lojtarët VIP-pa jep para borxh. Pa interes, sepse lojtarët në 99 për qind të rasteve, paratë i humbasin në kazino. Biznesmeni nga Tirana, kur ishte me adrenalinë, kërkoi dhe mori borxh. Kur i ra  adrenalina, i erdhën mendtë, por siç thotë populli, tashmë nuk ia hanin as qentë!…

8 Komente

çfar shkrimi i shkelqyer .

flm qe e solle,ky qe shkrimi i bukur qe kam lexuar tek peshkut per 2 vjet.per kete vit nuk lexoj me shkrime te tjera ketu,

nisur nga komenti yt e lexova...Nuk pashe asgje entuziasmante ...pune zhelesh....

gjeta nje grimce humori anglez tek ky shkrim, sidomos tek autoderizioni. e rralle ne kto kohe serioze!

Dallon gjë? – pyeta… Fytyra të vrerosura, tha zonja ime. Përse?…lol,

heren e fundit qe kam shkuar ne kazino  il n'y avait ke des types tristes mais vraiment tristes(kjo fjala shqip vrerosur sepse tingellon me bukur) ,po si fluturonte 500€ sikur te ishte 5€ ,hec e kuptoje krizen ku,si qysh e tek?

Bukur smiley shkrim i kendshem . 

Bukur, ja keshtu lozin  dhe me fatin e ketij vendi pulatikanet tane, pune kazinoje..

tani e more vesh ti Alidea?keshtu kan lozur gjithmon te pakten keto 80 vjetet e fundit e sigurt

Per keto ceshtjet e medha, ku luhen fatet e kombit ne kazino, une nuk ja le vendin te flasin me te medhenjte, brezat me perpara nesh qe si gjithmone na kane ndricuar.  

Une di te them, qe sa here shko ne kazino shoqja e Tanit te Topit, personeli qe punon aty ben feste. Ndac fito (rralle) ndac humb (shpesh) bakshishet i ka te mira.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).