Në këtë kohë gazetat e revistat zakonisht zgjedhin Njeriun e Vitit. Edhe ne e bëjmë. Jo se kemi shumë për të zgjedhur, po nuk mund të rrimë pa e kopjuar edhe këtë. E bëjnë ata, e bëjmë dhe ne. Ne ndjehemi të detyruar të zgjedhim njeriun e vitit, si ata vejanët që nxjerrin dhe një pjatë të dytë, për atë që nuk është më. Jashtë e zgjedhin se kanë nevojë të prioritizojnë ca vlera, të shquajnë ca merita, të bëjnë një përmbledhje të asaj që ka ndodhur gjatë një viti. Man of The Year ngërthen në vetvete edhe frymën e atij viti. (Ngërthen, ë? Fjalë-kufomë. Çdo vit na vdesin dhjetëra fjalë. Vdes “ngërthimi” dhe lind “like”. Vdes shqipja dhe ngadhnjen Facebooku.) Jashtë, “njeriu i vitit” thotë me të vërtetë diçka. Kurse ne nuk kemi shumë për të zgjedhur. Prapëseprapë, kemi media që me stoicizëm shpallin votime në fundvit, edhe pse votimet janë gjëja më pak serioze në këtë vend. Dhe ka “fitues” që gëzohen seriozisht. Nuk pyesin se çfarë kanë bërë realisht për të qenë “njeriu i vitit i aksh gazete”. Rëndësi ka që, me vota, ashtu rezulton. 

Prandaj unë po zgjedh njeriun tim të vitit, pa votime, arbitrarisht, sa për t’ju kujtuar se ku jetojmë. 

I mirë ose i keq 
Njeriu i vitit i revistës Time është një njeri i fuqishëm, që ka ndikuar për mirë o për keq në zhvillimet botërore të atij viti. Ka zgjedhur dhe Stalinin (nja 2 herë) dhe Hitlerin, Ruzveltin, Gandin... Në të njëjtën frymë Le Monde zgjodhi Julian Assange dhe presidentin brazilian Lula në 2 vitet e fundit. Financial Times i zgjedh me profil ekonomik, që nga themeluesit e Google, tek CEO i Goldman Sachs e tek Steve Jobs. The Guardian, zgjedh njeriun që ka ndikuar më shumë duke “bërë lajm”. Thelbi, ngelet pak a shumë tek ndikimi, për mirë apo për keq. Po të nisemi nga njeriu më me ndikim, sigurisht Shqipëria ka vetëm 1 alternativë të vetme, pa konkurencë. 

Mund të qe Kryeministri 
Kam vënë re se me kryeministrin kemi një pasion të përbashkët: Ndërtimin e rrugëve. Por, na ndan pak preferenca për Ricky Martin. Kam idenë se Martin, (që produktin e fundit të mirë e ka më 1999) është pika që shënon dhe fundin e argëtimit për Kryeministrin. Mbase që nga ai vit, ose ca më parë, ai ka pushuar së shijuari art, e më rradhë, si njeri. Ose, mund të jetë shija personale e atyre që i administrojnë faqen. 
Për t’u kthyer te Njeriu i Vitit, mendoj se tek njëri parametër, tek ai që ka të bëjë me ndikimin për mirë apo për keq (“për keeeq”, më duket se dëgjoj ulërimën e mijëra njerëzve) në jetën e botës sonë të vogël (sa të vogël, thonë ata që na shohin nga jashtë), ai e meriton të ishte njeriu i vitit. Nuk ka asnjë qelizë të administratës ku nuk janë shtrirë pushteti i tij, lidhjet, e tij, zgjatimet e tij, satelitët e tij, vullneti i tij. Ky shtet, nuk funksionon dot në këtë gjendje që është, qoftë edhe sikur AI të ikë 3 ditë me pushime. Kur ai bën not, shteti fle. Kur ai fle, shteti nuk ekziston më. Ky shtet, është shndërruar në një karkasë, në zemrën e së cilës gjendet vetëm një njeri, e ku përqëndrohen të tëra fijet. Kryeministri. 
Por, “Njeriu i Vitit” nuk i takon thjesht prej “pushtetit” një njeriu. Ky titull ngërthen kreativitet. Është frymëzim. Është lëvizje. Është frymë e përcjellë. Karkasa jonë, me fijet në duart e tij, nuk lëviz. As ka kreativitet. As shpresë për të arritur diku. Ka vetëm një frymë të qelbur që mund ta përballojë me optimizëm vetëm Çili. Nuk e di ku janë varret e 4 të vrarëve të 21 janarit. Por, besoj se fosfori i kockave nën shi, natën, verbon. 
Në 2011 do qe shumë kollaj për ta zgjedhur Njeriun e Vitit, qoftë të mirë apo të keq. Sivjet jo. 

Një politikan simpatik 
Nuk ekzistojnë politikanët simpatikë, të paktën jo te ne. Sistemi i përzgjedhjes së tyre është i tillë që e përjashton këtë mundësi. Delet, janë simpatike, por kur janë në fushë. Qentë, janë simpatikë, por kur lozin me frisbin. Ujqit janë simpatikë, por kur janë në borë. 
Kur futen në zyrë, kur marrin pushtet, kur bëhen tufë, janë të shëmtuar dhe për të ardhur gjynah. 
Përballë gjenden 3 figura të opozitës, Rama, Spahiu e Topi, dhe secili e ka shansin të jetë Njeriu i Vitit 2013, por jo i këtij viti. Nuk kanë arritur asgjë. Dhe nuk ka rëndësi për faj të kuj. 

Artist, ekologjist, shpikës 
Ju e dini që s’ka. Më thoni një artist që ju ka ndryshuar jetën me artin e tij, dhe jam gati t’ja jap atij titullin. Më thoni një person që bëri diçka që të na frymëzojë për të jetuar në paqë me natyrën, dhe ja japim atij. 
Ne kemi artistë, si dhe ekologjistë. Por impakti i punës së tyre në këtë vend është 0. Arti ynë, ekologjia jonë, janë për gjynah. Në mënyrën tonë të jetesës nuk ka asgjë artistike e aq mëpak ekologjike. 
Është edhe Rita Ora. Por unë nuk i kam dëgjuar ndonjë këngë, nga ato 3-4 që ka. Dhe nuk e di sa njerëz ishin vërtet në shesh për të, apo ishte dallga e tortës. Çmimi për kreativitetin për të gjeneruar ndryshime, në vendin tonë nuk i shkon dot as një artisti e as ekologjisti, aq më pak shpikësi. 

Mund të ishte biznesmen 
Mafia. Fazlliç. Evazion fiskal. Nënpagim i punëtorëve. Kontrata në të zezë. Konkurencë e pandershme. Biznes anti-ekologjik. Më thoni një biznes të suksesshëm që nuk futet te këto kategori, dhe çmimi është i tiji. 

Mund të ishte gazetar 
Por ju e dini që s’mundet. Gazetarët, ata të vërtetët, janë të varfër e jo mondanë. Ka shumë ambicie për mondanitet në këtë profesion. Bazuar mbi guximin për të thënë të vërtetën, pa doreza, rrethi sa vjen e ngushtohet. Sigurisht, ka disa që kanë mbetur në opozitë. Ka që nuk heqin dorë. Por kjo nuk mjafton. Të jesh në opozitë nuk është vlerë apriori. Nganjëherë e për disa, është dhe fat i keq. Kanë mbetur nga ana e gabuar e kufirit. 
Është dhe Mero Baze. Në këto kohë të errëta, njeriu ka nevojë që edhe duke lexuar një editorial, të gjejë shpresë. Të gjejë të vërtetat që shumë i mendojnë e askush s’i thotë, të artikuluara publikisht. Në këto parametra, Baze do ta meritonte Njeriu i Vitit, jo thjesht për atë që shkruan, por dhe për guximin për t’iu kundërvënë makinës së shtetit. Është fat i madh që lufta e tij personale bashkohet me luftën e shumë të tjerëve, por kjo nuk besoj se mjafton. 

Mund të isha unë 
Në përzgjedhjen e kandidaturave për Kryetar Bashkie, kam dëgjuar shprehjen “s’ka kë vë tjetër”. Tendenca për ta parë veten si qendrën e universit përcillet tek të tërë ne, si kob. Na duket, që po nuk ishim ne, bota nuk do rrotullohet. Brenda secilit prej nesh, vërtitet shpresa egoiste, “pse mos e marr unë. Ç’kanë të tjerët më shumë?” Nuk është se kanë më shumë, por nuk është meritë e imja nëse secili, në këtë vend, nuk bën asgjë për askënd tjetër përveçse për rehatin tij personal. 

Mund të ishte “protestuesi” 
Po ju e dini më mirë se unë, që ne jemi popull skllevërish, alias, popull Facebooku, ndaj ‘protestuesi’ ynë do ishte qesharak. Më kujtohet portreti që Time kishte zgjedhur për të personifikuar “protestuesin”, mund të ishte dhe burrë dhe grua. Protestuesi ynë do ishte një prototip i veshur me D&G, që ëndërron një android e një Minicooper. Do jetë pak e vështirë dhe ta dizenjojmë. 
Dikush mund të thotë që “protestuesi” te ne egziston. 21 janari, mund të ishte një shembull. Por, nëse do bënim foton e “protestuesit”, do na dilte prapë fotoja e kryeministrit. Që është i vetmi që ka liçensë për të protestuar në këtë vend. 

Mund të ishte “shqiptari” 
Më vjen keq, por termi shqiptar, është shumë i vagullt. Ka shqiptarë që thanë për të vrarët e 21 janarit “mirë ua bënë, se na prishën pllakat”. Nëse ata janë shqiptarë, i bie që unë nuk jam. Atëherë, s’mund t’ja japim vlerën atij që nuk ekziston. 

Jevgu i Vitit 
Në këtë vështirësi zgjedhjeje, Njeriu i Vitit mund të kishte qenë Karl Marksi. Gjithçka që ai ka shkruar, unë e lexoj në realitetin shqiptar. Punëtorët që s’kanë asgjë veç krahut të punës, të lidhur në pranga e që quhen kredi bankare. Kapitalistët që duan vetëm të majmen, duke shkatërruar çdo gjë e duke marrë mbivlerën. Por as Marksi nuk mundet, pasi Njeriu i Vitit, duhet të jetë një njeri i gjallë. 
Më vjen ndër mend një këngë e Luca Carbonit, “Kam parë edhe ciganë të lumtur...”. U kujtova, që edhe unë kam parë. I kam parë, të varfër, të paarsimuar, jashtë çdo sistemi e pa provuar kurrë ethet e pushtetit, duke bërë punët më të rëndomta në këtë vend. Por, të lumtur. Në mes të boshllëkut e vanitetit, ata, çuditërisht janë të paktët ndër ne që mbartin ende një copë jete njerëzore. Ashtu, kam njohur një rom pa dhëmbë në gojë që buzëqeshte vazhdimisht. Ia kam harruar emrin. Por, në dorë kishte një tatuazh të shëmtuar me inicialet e së shoqes, që kishte dhe më pak dhëmbë se ai. I martuar, me të njëjtën grua prej 20 vitesh. Kishin shumë fëmijë që mezi i ushqenin, në një barangë që kullonte shiun e baltën, por, brenda mjerimit, ishin njerëz. Dhe qeshte me gojën pa dhëmbë. 
Ai, jevgu, gabeli, romi, evgjiti, cigani. Ai është Njeriu im i vitit. Për një arsye të thjeshtë. Nga brenda, të tërë jemi si ai. Të shtypur, të dhunuar, të marrë nëpër këmbë, pa liri e pa të ardhme, në mëshirën e ‘bosave’. Vetëm nga jashtë shkëlqejmë. Si të na kishin lyer me fosfor. Ai ka vetëm një gjë të vogël më shumë, edhe pse nuk e di. Duke mos qenë në asnjë nga kategoritë e mësipërme ai ka atë që pretendentët për Njeriun e Vitit na kanë marrë pa kthim, të qenit njerëz.

5 Komente

Teper i lehte te thuash ipari ne liste Nalmadheria smiley ckemi brad. 

I dyti nuk ekziston smiley I treti, Kreshnik Spahiu. Idiot, bloze, sharlatan, por ka patur idene te ngreje zerin per ca gjera qe dikush duhet ta bente. Sharlatan i dobishem.

Bravo Shvejk ! Nje esse origjinale , ose nje pasthirme e nje monologu te tejzgjatur 23 vjecare....

pse Shvejku eshte Koloretua?

nejse, nese do kishte nominim "depresivi i vitit", Koloretoja do ishte kandidati nr1.

me vurte? 

ahhh ashtu eeee, shi shi, njeriu qe na do te miren...

bukur, me pelqeu 

isha nje here ne nje lokal ne shqiperi, kur filluan lajmet, direkt buall mavria smiley ne tv dhe zeri i spikerit, kur i zoti lokalit e ndryshoi menjehere figuren ne nje kanal tjeter 

- lere pak te ndigjojm lajmet, te shohim ç'a thuhet, - i thashe 

- ku, ç'a, nuk e sheh kush doli, or e çast po ky, s'ka njeri tjeter, na ka bllokuar televizorin, po na del dhe ne gjume po na del 

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).