Buxheti për shëndetësinë për vitin 2013 është dukshëm i pamjaftueshëm për përmbushjen e detyrimeve ndaj shtetasve, është ndërtuar pa përgjegjësi teknike dhe pa oponencë profesionale.

Në shifra, buxheti i shëndetësisë për vitin 2013 (rreth 37 miliardë lekë), duket që është pak më i lartë se ai i vitit 2012 (rreth 36 miliardë lekë). Në fakt, nga analiza e zërave të buxhetit për 2013-n rezulton se të ardhurat e pritshme të ISKSH nga kontributet e të siguruarve në vitin 2013 mendohet të jetë 9 miliardë lekë kundrejt 7 miliardë të parashikuar në vitin 2012. Kjo diferencë e bën në total buxhetin e 2013-s pak më të lartë se ai i 2012-s, ndërkohë që kontributi i shtetit në skemën e sigurimeve për 2013-n rezulton më i vogël se ai i 2012-s. Duke i uruar ISKSH suksese në mbledhjen e kontributeve me 2 miliardë lekë më shumë në 2013-n,  ngelet akoma për t’u kuptuar se ku bazohet kjo iniciativë që ka çuar në zvogëlimin e kontributit të shteti në skemën e sigurimeve.

Nëse do bënim një analizë fare të thjeshtë, sistemi shëndetësor publik gjatë vitit 2012 ka vuajtur shumë nga buxheti i pamjaftueshëm i vitit që po mbyllet. Meqenëse diferenca ndërmjet buxhetit të dy viteve është shumë e vogël, për të kuptuar se çfarë na pret gjatë 2013-s mjafton të kujtojmë vështirësitë e hasura gjatë vitit 2012.

Mjaft të sëmurë dhe familjarët e tyre gjatë këtij viti u përballën me situata të vështira për të siguruar një trajtim të përshtatshëm për sëmundjet e tyre. Kanë shumë për të folur për këtë çështje të gjithë ata që fati i keq i çoi të ballafaqohen me sëmundje onkologjike, ose të gjithë ata që, nga mungesa e respektimit të normave, hyjnë për t’u shëruar nga një sëmundje dhe vuajnë sëmundje të tjera. Shumë të tjerë u detyruan të përballen me mungesën e vazhdueshme të medikamenteve spitalore, ndonjëherë edhe të atyre më të zakonshme. Cilësia e shërbimit vazhdon akoma të mbetet një privilegj, ndërsa pagesat nga xhepi për ilaçet, analizat mjekësore dhe shërbimet e tjera të detyrueshme nuk i bëjnë më përshtypje askujt. Aktivitete korruptive dhe konfliktet e interesit vazhdojnë të ekzistojnë dhe janë gjerësisht të pranuara. Spitalet çdo ditë të vitit kanë buçitur nga zhurmat, mbipopullimi, numri i madh i makinave, nga bizneset e shumta me dhe pa leje, që bllokojnë çdo hapësirë të lirë. Kush e ka merak një pamje të tillë, mjafton që të vizitojë, qoftë edhe për pak kohë, spitalin më të rëndësishëm të vendit, QSUT, dhe do të bindet se asnjë fjalë në këto rreshta nuk është jashtë vendit.

Por ka edhe më tepër. Shumë spitale janë të gjunjëzuara prej borxhit të lartë për sigurimin e ilaçeve dhe materialeve mjekësore. Borxhi ka kohë që është kthyer në një barrë e rëndë që po frenon fuqishëm administrimin cilësor të këtyre institucioneve. QSUT është në krye, me një borxh rekord dhe të pashembullt në gjithë historinë e mjekësisë shqiptare. Ky borxh nuk duket të ketë gjasa të shlyhet gjatë 2012-s dhe s’ka dyshim se do të transferohet në vitin  2013 me të gjitha pasojat serioze si ndaj cilësisë së përkujdesjes mjekësore, ashtu dhe ndaj bizneseve huadhënëse.

Sikur të mos mjaftonte, është fakt publik se në vitet e fundit ka një rritje të numrit të  sëmundjeve dhe të sëmurëve në të gjithë vendin. Kjo situatë, e dukshme për të gjithë ata që duan të shohin, flet për një peshë të rëndë mbi gjithë sistemin. Kjo peshë nuk mund të lehtësohet pa interesimin serioz dhe përgjegjësinë e organeve qeverisëse. Ky seriozitet fillon së pari me miratimin e një buxheti real dhe të efektshëm. Ky është realiteti që po përjetojmë dhe dielli nuk mbulohet dot me shoshë.

Por si ka reaguar qeveria për të mbështetur financiarisht shërbimin spitalor dhe atë ambulator për vitin 2013? Faktikisht kjo pjesë e buxhetit rezulton të jetë edhe pak më e ulët se në vitin 2012. Çdokush nuk e ka të vështirë të kuptojë se nëse ky buxhet i mangët do të miratohet, zhvillimet e pritshme në kujdesin mjekësor do jenë po ato të vitit që po lamë pas ose edhe më keq. Kjo do të thotë se edhe gjatë vitit 2013 të sëmurët (në rritje) do marrin shërbime më pak cilësore ose të pamjaftueshme, se spitalet do jenë përsëri pa ilaçe, se një pjesë e të sëmurëve, sidomos ata në gjendje më të rëndë (të sëmurët onkologjikë, me sëmundje kronike, kirurgjikalë) do vazhdojnë të trajtohen me mangësi dhe do vuajnë konsekuencat, si dhe se qytetarët do vazhdojnë akoma të paguajnë nga xhepi i tyre për detyrimet e spitaleve publike.

Buxheti i shëndetësisë për vitin 2013 nuk është debatuar mes grupeve të interesit dhe nuk është fryt i një debati konstruktiv. Ky buxhet është projektuar vetëm në zyrat e mbyllura të burokracisë dhe hidhet i imponuar për zbatim, pa marrë në konsideratë nevojat reale të shëndetit që ka vendi.  Ky është një qëndrim i imponuar, jo i denjë për një vend demokratik, që vë në dukje se qeveria nuk e ka prioritet shëndetin e shtetasve të vet.

Parlamenti ka miratuar dje një buxhet që nuk garanton nevojat shëndetësore të shtetasve të vet, duke u bërë kështu përgjegjësi kryesor i performancës së dobët të institucioneve shëndetësore dhe i konsekuencave mbi shendetin e popullatës. Nuk ka drejtor spitali ose menaxher që mund t’ia dalë me ballin lart nëse nuk i vihen në dispozicion mjete financiare të mjaftueshme. Nuk mund t’i kërkohet llogari mjekut dhe personelit mjekësor për rezultatet e pamjaftueshme në praktikën mjekësore, kur medikamentet ose mjetet e tjera të punës nuk janë të garantuara dhe cilësore.

Opinioni publik e ka kuptuar mirë se nëse Parlamenti i zgjedhur prej tij ka miratuar një buxhet të mangët për mbrojtjen e shëndetit të shtetasve të vet, do të thotë se ky Parlament nuk është më përfaqësues i denjë i tij dhe ka humbur të drejtën morale të përfaqësimit.

8 Komente

po ai ngeli duke thene se buxheti ka rritje krahasu me parardhesin. Ku jane parashiku me shku paret? prape per rruge?

A ka me me thone nonjoni nga ato te Shqiperise mu, a pagujne taksa qytetaret per sherbimin shendetesor?

Quoi??

paguajne, madje shume! jo se duan po e kane te detyruar. kjo per ata qe jane te rregjistruar si punonjes. pjesa tjeter ja jep ne dore doktorit, ska nevoje per taksa ne kuptimin e pare te fjales. po po ta marresh holle holle 'you might have a point'

me nje fjale siç duken bathet, gjendja per 2013 paska per te qene ibret, si kjo e 2012.  he se mban ai popull mban, e ka kurrizin te fort. 

tamam! mos te te vrase fare ndergjegjia Pjero se u ke dale borxhit sa here

Qeveritaret kane lek me shumice, shkojne vete dhe familjaret e tyre te spitalet private, ose jashte shteti. Kurse njerezit e thjeshte nuk kane rruge tjeter vetem te perplasen tek ato spitale e doktorre qe kemi sheterore, qe rrogat i marin nga shteti - qe i merr nga taksat.
Por keto doktorre jane bo kastra milionere se nuk bejene gjo nqs nuk u paguan lek ne dore, dhe kjo duhet te jete shume e madhe!
Kjo hiearki marres leksh shkon nga drejtori, doktorri, infermiret, laburantet, rojet e pastrueset, shteti duhet tja beje si ne Kroaci, t'u jape disa vite burg, dhe ta shofin shofin jeten pastaj doktorrat pasi t'u hiqet e drejta per mjekesi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).