Fundi i mohuar i viktimave të komunizmit

 

I lirë pas 17 vitesh burg, Fatos Lubonja nisi të rrëmonte në të shkuarën.

Kërkoi të zbulonte se si në moshën 23-vjeçare përfundoi në katalogun e mjerë të komunizmit shqiptar: një i burgosur politik, i reduktuar në një emër e një numër.

Zbulimi i së vërtetës e udhëhoqi prej arkivave të policisë sekrete, drejt e tek numëratori publik, ku gjeti një tjetër emër dhe numër, që ndrynte shpresën e një përgjigjeje.

“Ju e kuptoni pse u kam marrë. Dua t’u takoj”,-i tha Lubonja, pasi i ra numrit.  Burri nga ana tjetër heshti për disa sekonda, i bindur megjithatë se mund të fitonte veçse kohë. Ishte ish-agjenti i policisë sekrete që kish përgatitur dosjen e dënimit të Lubonjës. Emri i tij është Llambi Kote dhe e njihte publicistin, shumë më mirë se ç’njihej prej tij.

U takuan në katin e nëndheshëm të një lokali në Tiranë, në fundin e vitit 2010. Asokohe, ish i burgosuri ishte në të 60-at, ndërsa oficeri që i dha një dorë të mirë arrestimit të tij po shtynte të shtatëdhjetat.

Mes diktaturave komuniste të Europës Lindore, ajo e Shqipërisë ishte më e ngrata dhe e çuditshmja. Paralelisht me shtypjen e armiqve, lideri paranojak, Enver Hoxha ndaloi thuajse të gjitha marrëdhëniet me vendet e tjera. Një grusht të huajsh vizituan Shqipërinë dhe vetëm pak shqiptarë u lejuan të udhëtonin jashtë.

Brenda burgut të madh të vendit të tij, Hoxha krijoi ca të tjerë më të vegjël. Armiqtë e supozuar të shtetit u mbyllën në këto kampe, të ndërtuara sipas modelit stalinian të gulakëve. Të burgosurit u detyruan të punonin në projektet madhore të qeverisë, e shumë prej tyre vdiqën për shkak të kushteve të tmerrshme.

Rreth 200 mijë njerëz kaluan përmes këtyre kampeve. Në një shtet me 3 milionë banorë, thuajse 1 në 15 kishte një të afërm të burgosur apo të internuar nga komunistët.

Sot, vetëm 2700 ish-të burgosur janë ende gjallë. Të dëshpëruar  e të varfër, pjesa më e madhe e tyre kanë marrë vetëm një këst të kompensimit të premtuar nga qeveritë post-komuniste. Gjatë grevës së urisë në Tiranë, muajin e kaluar, dy ish-të burgosur politikë i vunë zjarrin vetes. Njëri prej tyre vdiq më pas nga djegiet.

Të pasigurt për dëmshpërblimin, të mbijetuarit kanë kërkuar gjithashtu hapjen e sekreteve të pista të shtetit komunist, fshehur në arkivin e policisë së vjetër sekrete, Sigurimit. Deri më sot, shteti nuk e ka përmbushur apelin për hapjen e dosjeve.

Gjatë intervistave për Balkan Investigative Reporting Neteork, disa zyrtarë konfirmuan se një pjesë e mirë e dosjeve janë shkatërruar. Sipas tyre, ato që kanë mbijetuar nuk ka gjasë të shohin dritën e diellit, pasi janë ruajtur si karta loje në kapitalin politik të liderëve modernë të vendit.

“Thashethemet për ish-bashkëpunëtorët mes politikanëve kanë qarkulluar prej vitesh, por deri më tani, publiku shqiptar ka parë vetëm pak dosje”,-thotë Fatos Klosi, ish-shefi i policisë sekrete në vitin 1998.

“Kjo çështje është përdorur për shantazh politik, për të frikësuar ata që mund të frikësohen”.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria është dominuar nga dy parti: Demokratët dhe Socialistët. Të dyja palët kanë mikluar me premtime viktimat e komunizmit, ndërkohë që akuzojnë njëra-tjetrën për injorimin e kërkesave të tyre.

Në vend që të shfrytëzohej për paqtim, e shkuara e dhimbshme e Shqipërisë është kthyer në një instrument force për arenën politike.

Asgjësimi i dosjeve

Lubonja ishte në fillimet e një karriere premtuese si akademik, kur autoritetet zbuluan ditarët e tij sekretë, mbushur me pakënaqësi për regjimin e Hoxhës.

U dërgua në burgun famëkeq të Spaçit, ku edhe kaloi 4 muaj në një birucë të izoluar si ndëshkim për revoltën e tij. Pas pesë vitesh burg, vuajtja u zgjat me një dënim të ri për përfshirjen në një organizatë armiqësore brenda kampit. I burgosur në vitin 1974, Lubonja e pa veten të lirë vetëm kur komunizmi u shkërmoq, në vitin 1991.

Në Shqipërinë e re, Lubonja bëri karrierë si publicist e shkrimtar, i trazuar megjithatë nga e shkuara e tij. Cili nga miqtë e tradhtoi? Ku kishin përfunduar ditarët e tij, të konfiskuar nga hetuesia?

Nga ajo rendezvous me ish-agjentin sekret në Tiranë,  Lubonja priste një mbyllje. Një fund që nuk mundi ta gjente. Kote u dredhonte dyshimeve të tij përmes pyetjeve të veta. Lubonja mbeti i shtangur prej faktit se sa pak në të vërtetë kishte ndryshuar.

“U tmerrova që ai kishte ende pushtet mbi mua,  jo unë mbi të.  Sepse ai dinte ç’kishte ndodhur, ndërsa unë kërkoja të dija”,-tregon Lubonja.

U ngrit i pashpresë prej takimit. Ish-oficeri i shërbimit sekret mbrohej me vuajtjen e tij, se edhe ai u godit ca vite më vonë nga regjimi e iu desh t’i përvishej punës në një fabrikë.

“U përpoq të më bindte se ishim njësoj, të dy viktima të kohës sonë”,-thotë Lubonja.

Ideja se të gjithë vuajtën njësoj nën komunizëm dëshpëron ata që humbën më shumë se të tjerët.  Politika e shtetit kundrejt së shkuarës duket se e mbështet këtë ide. Ish-të përndjekurve politikë iu premtua dëmshpërblim, por në fakt, trajtimi i tyre ka pasur pak ndryshim nga ai i qytetarëve të zakonshëm. Arkiva e Sigurimit, e cila do të duhej të zbulonte kush spiunoi kë gjatë komunizmit,  mbetet sot e gjithë ditën e mbyllur.

Një shembull tjetër, ai i Gjermanisë Lindore, ku u hapën dosjet e famëkeqit Stasi thuhet se ndihmoi shoqërinë e traumatizuar në adresimin e së shkuarës së vet.  Në Shqipëri, e shkuara mbetet kruspull nën rrogoz.

Arkiva origjinale mbante dokumentet e armiqve të dyshuar të shtetit. Shumë prej të dhënave për ta janë siguruar nga miqtë e ngushtë, të afërmit apo kolegët.

Nga qindra- mijëra dosje sekrete, të grumbulluara gjatë 45 viteve të diktaturës, zyrtarët pohojnë se kanë mbijetuar  rreth 14.000 të tilla. Shumë kanë humbur.  Një pjesë janë shkatërruar qëllimisht nga komunistët e fundit.

“Një pjesë e mirë dosjesh u asgjësuan në fillim të viteve ‘90”,-thotë  Kastriot Dervishi, drejtor i arkivit të Ministrisë së Brendshme.

Përgjatë dekadës së kaluar, duket se arkivat u lanë në mëshirë të fatit. Ish-shefi i policisë sekrete, Klosi thotë se kur u emërua në detyrë,  në vitin 1998 zbuloi se një pjesë e madhe dosjesh ishin lënë të kalbeshin brenda disa thasëve të mëdhenj.

“Ne gjetëm dosje të hapura, me fletë të grisura e të shpërndara në dysheme”,-thotë ai.

E shkuara si vegël politike

Gjithsesi, politikanët e të dyja kaheve nuk marrin përsipër shkatërrimin e arkivave. Mesila Doda, deputete e PD-së në pushtet ngulmon se partia e saj është e vendosur në hapjen e dosjeve.

“Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, për Shqipërinë është thelbësore përballja me të shkuarën”,-thotë ajo. “Dosjet duhet të hapen”.  Doda akuzon opozitën socialiste për minimin e ligjit të lustracionit, iniciativë e PD-së që prej vitit 1995.

Socialistët m’anën tjetër akuzojnë rivalët e tyre për premtime boshe ndaj viktimave të komunizmit.

Ish-kryeministri Pandeli Majko thotë se arkiva e Sigurimit  është vetëm një prej problemeve të mprehta, trashëguar nga komunizmi.

Rrugën pa krye me hapjen e dosjeve ai ia faturon klasës aktuale politike, për të cilën thotë se është një miks ish-komunistësh e njerëzish që kundërshtuan regjimin.

“Martesa mes tyre ka krijuar një identitet të dyfishtë, çka e bën kontrovers dhe të vështirë përballjen me të shkuarën”,-thotë ai.

Në të vërtetë, socialistët dhe demokratët kanë në radhët e tyre shumë ish-komunistë, po aq sa edhe njerëz që mund të mburren se kanë qenë në krahun e qëndrestarëve. Realiteti ka treguar gjithsesi se kundërshtarët e regjimit, që janë sot në politikë ishin po aq afër qendrës së pushtetit në diktaturë.

Kjo pasi Hoxha zbehu dallimin mes armiqve dhe besnikëve: bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin vazhdimisht nën dyshim dhe vëzhgim, si armiq potencialë të shtetit.

Shumë shqiptarë besojnë sot se zyrtarët e të dyja partive, spiunë o të spiunuar qofshin, kanë arsye t’u tremben arkivave. Rrjedhjet selektive prej arkivit së mbyllur janë përdorur shpesh për sulm apo shantazh ndaj figurave që spikasin në rrjedhën e kohës.

Për më tepër, ish-shefi i shërbimit sekret, Klosi lë të kuptohet se frika për dosjet e panjohura është shumë më e vlefshme për politikanët, se informacioni që gjendet brenda tyre.

“Asgjë s’do të ndodhte nëse ne do t’i hapnim dosjet. Por askush nuk ka qenë realisht i interesuar për t’i hapur ato, se e shkuara është përdorur si një vegël e politikës”,-thotë ai.

Një trashëgimi në zhdukje  

Në disa vende të Europës Lindore, të burgosurit politikë të komunizmit u pritën krahëhapur në shoqëri.  Disa madje u ngjitën në zyrat më të larta të shtetit: Vaclav Havel, Arpad Goncz and Lech Walesa u bënë liderët e Çekisë, Hungarisë dhe Polonisë. Shqipëria vazhdon të mbetet një ndër vendet më të varfra të Europës.

Rrugëtimi i vështirë prej diktaturës dhe izolimit u pasua edhe me periudhën e anarkisë në mesin e viteve ’90. Ish-të përndjekurit politikë u rropatën për ndërtimin e një jete të re, mes turbulencave të dy dekadave të fundit.

Me prona të konfiskuara gjatë kohës së burgut dhe me familjet “e paketuara” në kampe internimi, të liruarit në kaosin e pas-komunizmit u përballën më vështirësi të shumta. Kishte nga ata që u strehuan në godina të braktisura e që jetojnë ende me frikën e dëbimit.

Lavdrim Ndreu, i cili sapo ka hyrë në të shtatëdhjetat e kaloi pjesën më të madhe të jetës në një kamp internimi. Në 20 vitet e fundit, ka jetuar në godinën që dikur përdorej si kaldajë për skuadrën e futbollit “Partizani”.

“Siç e sheh, jetët tona nuk kanë ndryshuar shumë që atëherë”,-thotë ai. Këto ambiente janë ndarë mes ish-të përndjekurish të tjerë, të cilët ai i quan “kushërinjtë e mi të kampit”.  Ende pret nga qeveria të legalizojë këtë pronë në emër të tij.

Sipas Simon Mirakës, kreut të Institutit të Rehabilitimit të ish-të Përndjekurve, shumë prej të burgosurve vuajnë nga problemet me shëndetin, për shkak të keqtrajtimit. Një pjesë prej tyre u martuan vonë, pas lirimit dhe aktualisht po përpiqen të sigurojnë jetën e të vegjëlve.

Qeveritë e mëparshme premtuan gjithashtu kompensime. Ligji i miratuar në vitin 2007 u njeh ish-të burgosurve politikë dëmshpërblimin prej 2 mijë lekësh (€14.3) për çdo ditë të kaluar në qeli.

Qeveria aktuale e ndau kompensimin në tetë këste. Përgjatë pesë viteve të fundit, vetëm një këst është shpërndarë plotësisht.

Greva e urisë dhe vetëdjegiet e kësaj vjeshte në qendër të Tiranës zunë faqet e para të gazetave. Politikanët “tregtuan” sërish fajin, duke akuzuar njëri-tjetrin për dirigjim të protestuesve apo injorimin e tyre.

Greva e urisë tashmë është mbyllur. Përtej publicitetit për kauzën e ish-të burgosurve politikë, mbetet e paqartë se çfarë u arrit përmes saj.  Disa analistë ngritën pikëpyetje nëse qeveria mund t’i përballojë kostot e premtuara të kompensimit: një vlerë që kap shifrën e 400 milionë eurove.

E ndërsa vitet rrjedhin, komuniteti i të mbijetuarve është në zhdukje. Së bashku me humbjen e të dhënave në arkiv, po fiken edhe dëshmitarët e dorës së parë të brutalitetit komunist. Shqipëria moderne ndërkohë po tregon pak interes për rrëfenjat e vuajtjes nga kampet e burgut.

Këtë verë, BIRN u përpoq të kontaktonte me Koten, ish-punonjësin e policisë sekrete që përgatiti çështjen kundër Lubonjës. Nuk ishte i gatshëm për intervistë.

I biri thotë se Kote vuan nga skleroza. “Është e kotë të flasësh me të”-pohon ai në dyqanin e shkëmbimit të parave në qendër të Tiranës. “Lubonja ishte me fat që e takoi dy vjet më parë”.

Për të burgosurit politikë, harrimi i së kaluarës shkon krah për krah me mohimin e saj. Lubonja beson se shoqërisë i duhet të njohë ç’ka ndodhi nën diktaturë, në mënyrë që të arrijë të kuptojë realitetin e sotëm. “Regjimi ishte si një xhaketë force, që u dha njerëzve formën e vet”,-pohon ai.

Për Shqipërinë e sotme, Lubonja ofron një tjetër krahasim. Është si një xhungël, thotë ai, ku ish-të burgosurit politikë u gjendën në bisht të “zinxhirit ushqimor”.

E shkuara e trazuar

Në lindje të Shqipërisë, viktimat rumune të komunizmit po luftojnë gjithashtu kundër indiferencës së shtetit. Telefoni tringëllin zhurmshëm në zyrën e Octav Bjozës, atlet i dikurshëm, sot kryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë.

“Kjo është puna ime së fundmi zonjushë, funeralet”,-thotë ai si për t’u shfajësuar.  Sapo mësoi vdekjen e Gheorghe Jijie, një ish-i burgosur 93-vjeçar.

Shoqata e Bjozës kishte mijëra anëtarë në vitet ’90. Sot kanë mbijetuar diku te  4 mijë.

“Shumë të burgosur politikë vdiqën në varfëri e në pritje të drejtësisë”,-thotë

Adelina Timtariu, studiuese e Institutit për hetimin e krimeve të komunizmit në Bukuresht.

Ish-shërbimi sekret, Securitate  prodhoi më shumë se 2 milionë dosje të qytetarëve rumunë. Njësoj si në Shqipëri, shteti ka bërë veç ca çapitje për hapjen e tyre. Përmbajtja mbetet gjerësisht e panjohur për publikun.

Shumë vëzhgues besojnë se komunistët rumunë dirigjuan “revolucionin” e 1989.  Kur diktatori u rrëzua, drejtuesit e lartë të partisë ruajtën përtej fasadës pushtetin e tyre.

“Partia Komuniste ruajti influencën”,-thotë Cristian Vasile, një anëtar i komisionit të ngritur për analizimin e dosjeve të Securitates. Ai thotë se shumë anëtarë të kësaj partie ruajtën pozicionet pas vitit 1989. “Edhe pse disa bashkëpunëtorë u denoncuan, vetëm pak dhanë dorëheqjen nga postet publike”.

Megjithatë, vendet ish-komuniste nuk mbeten vetëm në mungesën e vullnetit për ta parë në sy të shkuarën. Ndoshta, është vetë natyra depërtuese e diktaturës që fut në ankth shumë shoqëri, kur vjen puna tek adresimi i krimeve.

Demokracia në Spanjë është më jetëgjatë se në Rumani e Shqipëri: që prej daljes nga qeverisja e krahut të djathtë të Francisko Francos në vitet ’70. Edhe këtu, përpjekjet për të zbuluar mizoritë e kryera nën regjimin e shkuar kanë ngecur në baltë. Rreth 114.000 spanjollë mendohet të kenë vdekur në vitet 1930-1940: gjatë dhe pas luftës civile që solli në pushtet Francon.

Fushata e hetimit të këtyre krimeve u drejtua nga Baltasar Garzon, një gjyqtar spanjoll i rangut të lartë, i cili ndërtoi një karrierë të tërë me vënien në vend të drejtësisë për viktimat e diktaturës.

Grupet spanjolle të krahut të djathtë kundërshtuan hetimin e tij mbi regjimin e Francos, duke pretenduar se ai kishte shkelur disa nene të ligjit të amnistisë së vitit 1977. Garzon u lirua nga akuzat në shkurt të vitit 2012.

Gjithsesi, ai u dënua në një proces paralel për akuzën e urdhërimit të përgjimeve ilegale. Në të vërtetë, ky vendim i dha fund karrierës së tij në Spanjë.

Megjithatë, procesi i gjyqtarit rihapi debatin për trashëgiminë e luftës civile. Mbështetësit e Garzonit besojnë se ai mbeti viktimë e përpjekjeve për ndrydhjen e së vërtetës rreth të shkuarës.

“Një pjesë e fuqishme e shoqërisë spanjolle i vuri kryqin Garzonit”,-i tha BIRN-it avokati i tij, Gonzalo Martinez-Fresneda.

Megjithatë, disa prej trashëgimtarëve të viktimave të diktaturës mbeten optimistë.

Emilio Silva, një gazetar spanjoll shpreson që drejtësia është sërish e mundur përmes gjykatave në Argjentinë, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e hetimit të krimeve të kryera gjatë diktaturës spanjolle. Silva është një ndër aktivistët e zbardhjes së sekreteve të luftës civile.

Megjithatë, heshtja për të shkuarën kthehet ndonjëherë në “balsam” për dhimbjen. Pas rënies së regjimit të Francos, Spanja nuk hetoi asnjë prej krimeve të asaj periudhe.  Silva kujton bisedat e mbrëmjes rreth tavolinës së ngrënies mbi fundin e vrazhdë të gjyshit të tij. Ai, një republikan dhe kundërshtar i Francos u vra gjatë luftës civile.

“Kur im atë dhe i vëllai diskutonin për luftën civile, ime gjyshe përplaste dorën mbi tavolinë”,-thotë ai. Të gjithë duhej thjesht të qepnin gojën!

*Ky artikull u përgatit si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nismë e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Balkan Investigative Reporting Network (BIRN).  U redaktua nga Neil Arun.

_______

Shenim I: Dosja e Fatos Lubonjës

BIRN ka siguruar një kopje të dosjes së përgatitur nga Sigurimi për gjyqin e Fatos Lubonjës.Dokumentet nuk janë gjithëpërfshirëse, aq sa pritej të ishte dosja personale e Lubonjës në Arkivin e Sigurimit. Në dosjet e hetuesisë nuk ka të dhëna për personat që spiunuan Lubonjën, ndërsa destinacioni i katër ditarëve të kapur në një papafingo nga policia sekrete në vitin 1974 është i panjohur. Gjithsesi, dosja ka fotografi të ditarëve të humbur, konkluzionet e ekspertëve të shkrimit dhe dëshmi të marra nga miqtë dhe familjarët e Lubonjës.Në to gjenden gjithashtu transkripte të dëshmive të Lubonjës. I pyetur për arsyen se pse nuk i dogji ditarët për të shmangur arrestimin, ai përgjigjej: “Sepse i kisha të shtrenjtë”.

Shenim II: Sigurimi, rolet dhe kodet

Çdo operativ i Sigurimit kishte një rrjet informatorësh dhe bashkëpunëtorësh, të ndarë në 4 kategori.

1. “Rezidentët” rekrutoheshin nga radhët e komunistëve ose të besuarit e tyre. Çdo rezident mbante lidhje me 2 ose më shumë informatorë. Roli i tyre ishte mbledhja e informacioneve për operativin dhe menaxhimi i burimeve të rangut të ulët.

2. “Agjentët” duhej të mblidhnin informacione për të ashtuquajturit armiq të shtetit, klasë së cilës i përkisnin. Shumë prej tyre kishin lidhje me elitën “borgjeze” që i kishte paraprirë komunistëve. Disa prej tyre ishin ish-komunistë të rënë nga pushteti. Ata rekrutoheshin përgjithësisht nën presion dhe konsideroheshin bashkëpunëtorë me vlerë.

3. “Informatorët” ishin agjentë të rolit të ulët apo spiunë të zakonshëm, të cilët punonin të maskuar. Edhe ata rekrutoheshin nën shantazh.

4.”Strehuesit” ishin gjithashtu komunistë ose njerëz të besuar. Roli i tyre ishte sigurimi i një vendi të sigurt, zakonisht në zyrë apo në shtëpi, ku operativi duhej të takohej me personin e dyshuar.

12 Komente

Ishte ish-agjenti i policisë sekrete që kish përgatitur dosjen e dënimit të Lubonjës. Emri i tij është Llambi Kote dhe e njihte publicistin, shumë më mirë se ç’njihej prej tij.

U takuan në katin e nëndheshëm të një lokali në Tiranë, në fundin e vitit 2010. Asokohe, ish i burgosuri ishte në të 60-at, ndërsa oficeri që i dha një dorë të mirë arrestimit të tij po shtynte të shtatëdhjetat.

 

ne katin e nëndheshëm...smiley   tamam takim spiunash..smiley

me poshte e kupton pse...

U tmerrova që ai kishte ende pushtet mbi mua,  jo unë mbi të.  Sepse ai dinte ç’kishte ndodhur, ndërsa unë kërkoja të dija”,-tregon Lubonja.

 

p.s   titulli  artikullit premtonte shume...   ncuq, asgje e vecante!

 

 

Per ata qe (...), mesojini permendsh keto vargje te Louis Aragon :

 

Ka në këtë botë të re aq e aq njerëz

Për të cilët butësia, e natyrshme kurrë më s’do të jetë

Ka në këtë botë të vjetër aq e aq njerëz

Për të cilët, tani e tutje, çdo butësi, e çuditshme do të jetë

Ka në këtë botë të re e të vjetër aq e aq njerëz

Që as vetë fëmijët e tyre s’do të mund  t’i kuptojnë

 

Oh ju që kaloni

Mos i zgjoni sonte ata që flenë

artikulli me pelqen, shkruar shume mire.

Mbi mohimin e pergjegjesive, krimeve, maskaralleqeve nga sigurimsa komunista tashme pleq, ka material te bollshem per studime psikoanalitike. Poshtersi, maskaralleqe mohimi i te cileve do te hidhte poshte gjithe jeten e tyre te mjere.

Keshtu si menyre te shkruari e kendeshme . Jo Lodhese . Jo e shoqeruar me vjersha te Majakovskit " bombe e flamur " te vlefshme per Kohen e Carit ! Ai episodi gjyshes fantastik .Te njejten gje ben dhe nipi im 2 vjecar kur ngrejme zerin ne komunikim ...vjen te kap per tutash e te terheq  deri sa te  kuptosh qe duhet folur jo beritur .

Pastaj nga soi i Hundederrave , hiq nje Llambi vur sh. Boisa apo sh Hundderr  njesoj eshte . Asgje nuk ka ndryshuar . Biles ky soi i sotem i hundderrave te hapin dosjen edhe kur Digjesh si i perndjekur Politik !

Gjithsesi, politikanët e të dyja kaheve nuk marrin përsipër shkatërrimin e arkivave.

Kulmi eshte kur thone se te gjithe vuajten njelloj.

Ja prit se i hapi dosjet saliu. Edhe pak sa te marri edhe prokurorin e pergjithshem dhe pastaj s'do e pengoj me kush te hapi dosjet.

Prisni, prisni edhe nje cike.

asigje  pervec kesaj  :

Ideja se të gjithë vuajtën njësoj nën komunizëm dëshpëron ata që humbën më shumë se të tjerët.

he he, shif Peshkun dhe shkruj

Une them te marrim mbesen e Ramizit dhe ta varim ne mes te sheshit

Ose akoma me mire. Te presim dhe pak sa te ngelet shatzene dhe pastaj i varim qe te dyja, dhe me pas i pjekim e i hame.

Si thoni.

kto i rrujten bishtin dhe Ramizit dora vet...

Per ate pune Ramizit i mbajten oturakun per analizat, por mbesave zi e ma zi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).