Në 22 vitet e pluralizmit asnjë kryetar i shtetit shqiptar nuk ka pranuar deri më sot të debatojë me analistë apo kritikë të shtypit. Për herë të parë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pranuar të ketë një debat me analistë të njohur në vend rreth gjashtë muajve të tij si President dhe rreth vendimeve më të debatueshme që priteshin përpara se ai të zgjidhej President, të cilat tashmë i ka marrë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dha sot një intervistë për emisionin “Fakt” të televizionit “UTV NEWS” me gazetarin Çlirim Peka dhe me pjesëmarrjen e katër analistëve të njohur: Artur Xheji, Ylli Rakipi, Artan Hoxha dhe Andi Bushati.

Pjesë nga intervista:

Gazetari Çlirim Peka:  Cilin prej vendimeve deri më sot e keni marrë pa pëlqimin e shefit të mazhorancës?

Presidenti Nishani: Varet se cili është këndvështrimi juaj, që thoni “pëlqimin e Shefit të mazhorancës” ... Ajo që unë ndiej sot pas disa vendimesh, me që ju i referoheni disa vendimeve të Presidentit të Republikës, të cilat kanë qenë objekt diskutimi i jetës publike dhe të aktorëve politikë, mund të them që ndihem mirë për faktin se në gjykimin tim, në perceptimin tim, opinioni publik ka konstatuar atë çka unë kam premtuar që ditën e parë të hyrjes në zyrën e Presidentit të Republikës.

Zoti Artur Zheji: Pyetja ime është fare e thjeshtë, në këto gjashtë muaj keni pasur ndonjë takim me liderin e opozitës? Dhe nëse nuk na rezulton nga takimet që keni pasur, mund të duket dhe retorike, por, a ka një agjendë për të takuar palët, për t’u konsultuar me palët? Të paktën, ne perceptojmë të qenit mbi palë, po s’takove palët, ndoshta ngelet retorikë e Presidentit mbi palë?

Absolutisht jam i hapur, jam i gatshëm dhe nuk ka asnjë kompleks apo dyzim për t’u takuar me zotin Rama. Ndoshta nga pikëpamja e mënyrës së organizimit, kjo i takon në fakt Presidentit për të ofruar dhe drejtuar një ftesë për t’u takuar, por në rastet kur ka një objekt për të realizuar takimin, dhe në rastet kur ka pasur një objekt për të bërë një takim, Partia Socialiste, meqë po i referohemi partisë, që është partia më e madhe e opozitës, është përfaqësuar me Kryetarin e Grupit Parlamentar të saj.

Zoti Artur Zheji: Një ftesë e posaçme nuk ka ndodhur dhe nuk është në axhendë. Meqë jemi përpara një fushate elektorale, garantizmi presidencial është një koeficient i domosdoshëm demokratik.

Presidenti Nishani: Unë e shoh të ardhmen e afërt pa dyshim si një mundësi shumë të mirë për të pasur një takim edhe me Kryetarin e Partisë Socialiste. Por edhe njëherë, ftesat janë adresuar për objekte të caktuara dhe çështje të caktuara, le të themi, siç kanë pasur të bëjnë me infrastrukturën zgjedhore, me datën e zgjedhjeve apo me çështje të tjera. Ftesa natyrisht ka qenë e konceptuar për palët politike. Ajo që është kryesore në gjykimin tim, është se nuk shoh të ketë ndonjë ngurrim, ndonjë dyzim apo ndonjë ngërç që mund të pengojë një takim të tillë. Absolutisht nuk ka. Dhe nga ana tjetër, ajo që unë konstatoj dhe që evidentoj, është që Presidenti duhet të jetë inicues i këtij takimi. 

Zoti Artur Zheji: Ju?

Presidenti Nishani: Po, pikërisht.

Gazetari: Megjithatë, meqenëse jemi tek kjo pyetje e zotit Zheji, zoti President u shpreh, se duhet të jetë inicues i këtij takimi. Në mos gabohem, pavarësisht se paraardhësi juaj, zoti Topi është zgjedhur në mënyrë shumë më të kontestuar për shkak të njëfarë trafikimi votash në 2007-ën nga opozita, pa dëshirën dhe me një kundërshtim të fortë të Kreut të opozitës, vetëm pak ditë apo pak javë pasi Kreu i Shtetit, zoti Topi u ul në zyrën e Presidentit, ka ftuar në një takim dhe kemi parë një takim Topi-Rama.

Presidenti Nishani: Nuk ka ndonjë gjë të keqe. Është krejt normale, e thashë, edhe unë po të kisha pasur një objekt të caktuar, ku duhet të ishte me çdo kusht zoti Rama, nëse do të gjykohej nga zoti Rama që në momentin e përfaqësimit të subjektit të tij politik, duhej të ishte vetë ai, do të ishte realizuar edhe takimi me zotin Rama, siç është realizuar takimi me zotin Ruçi. Nuk shoh ndonjë çështje të veçantë në takimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike.

Zoti Ylli Rakipi: Zoti President, unë nuk do ta shihja këtë problemin e takimit të Kryetarit të Shtetit me liderin e opozitës, si një moment që duhet të ndodhë patjetër dhe duhet të krijohet apo duhet të sajohet. Takimi juaj me opozitën sigurisht do të jetë institucional, do të ndodhë. Ne jemi një vend që kemi momente, kur dalim nga shinat e institucioneve dhe Presidenti mund dhe duhet të jetë figura që përpiqet që t’i rifusë palët në shinat që duhen. Unë do t’i rikthehem pyetjes së zotit Peka në fillim të këtij emisioni, por më konkretisht. Nuk jam as te ky formalizmi, që në ceremoninë tuaj të 28-nëntorit, të festës kombëtare, ishte dhe 100-vjetor, dhe mua nuk më erdhi mirë që nga të gjithë që ishin aty, fjalën më të rëndësishme e mbajti, qoftë dhe një njeri shumë i rëndësishëm, siç ishte Kryetari i Partive Popullore, që vinte nga Evropa. Miku respektohet, por jo deri atje sa protokolli të na tregojë dhe jo fort seriozë në pikëpamje të ..., aq më tepër kur dhe kishim vitin e 100-të të shtetit, idesë së shtetit. Por unë dua të ndalem në disa gjëra që më duken më të rëndësishme se protokolli apo formaliteti i protokollit. Zoti Peka ju tha se cilin mund të veçojmë një nga vendimet tuaja ose nga qëndrimet tuaja që bien ndesh me qëndrimin e mazhorancës, më thellë akoma thatë Kryeministri. Realisht nuk kemi. Është një e drejta juaj mbase, jo substanciale, vendimi për Kryetarin e Shërbimit Informativ, kërkesa e Kryeministrit dhe pastaj dekretimi juaj. Kemi një të drejtë tjetër që është substanciale, Prokurori i Përgjithshëm, që është e drejta juaj, kanë qenë dy pika këto mjaft të nxehta, sidomos e dyta, mjaft e diskutuar jo vetëm tek politika shqiptare, por edhe tek ndërkombëtarët. Të themi të drejtën ishin dy pika të nxehta, të cilat u zgjidhën ashtu siç ishin projektuar dhe u zgjidhën në mënyrë të menjëhershme. Duhet të shtojmë këtu edhe një moment tjetër që edhe ai duket i rëndësishëm, ai është qëndrim, që ju duhet të na e thoni që pse duhej patjetër që ju të shpreheshit për grevën e të përndjekurve politikë, që “ajo është politike”, në një kohë kur ata nuk e kishin institucionalisht si kërkesë? Prapavija në politikën shqiptare ka plot. Sigurisht që politika shpesh është mbrapa. Mund të ishte Partia Socialiste, mund të ishin partitë e tjera që e ngrinin këtë opinion, por gjithsesi, ju u shprehët dhe thatë që unë nuk do të merrem, në mos gaboj, nuk do të merrem me një gjë që ka kërkesa politike, kur ato nuk ishin institucionale, dhe në një plan të përgjithshëm, siç ndodh rëndom në botë, në demokracitë institucionale. Domethënë nga Kryetari i Shtetit duhet të dëgjojmë që ç’është realisht kërkesë, jo çfarë fshihet mbrapa. Ju u shprehët domethënë, u duk sikur ishit palë në këtë rast dhe këto janë tejet të rënda. 

Gazetari: Pra, le t’i marrim me radhë, çështja e parë është shqetësimi i zotit Rakipi për fjalën e zotit Martinez.

Zoti Ylli Rakipi: Ajo është tek formaliteti...

Presidenti Nishani: I regjistrova pyetjet.

Gazetari: Dhe është reagimi i parë i Kryetarit të opozitës kundër jush pas këtij protokolli.

Presidenti Nishani: Së pari, unë besoj që fjalimin më të rëndësishëm e mbajta unë atë ditë, besoj unë. Zoti Martinez ka qenë i ftuar zyrtarisht nga autoritetet e shtetit shqiptar, si President i një grupimi, ku janë të përfaqësuar shumica e kryeministrave, vende anëtare të Bashkimit Evropian, si President i një grupimi, i cili ka influencën më të madhe në Komisionin Evropian; si President i një grupimi ku është i përfaqësuar zyrtarisht Presidenti i Këshillit Evropian; si President i një grupimi ku është i përfaqësuar zyrtarisht Presidenti i Komisionit Evropian, dhe ka pranuar ftesën e ka ardhur në emër të kësaj përfaqësie të gjerë në Shqipëri, për të marrë pjesë në festimet e 28 nëntorit.

Nuk kishte rëndësi në gjykimin tim përkatësia partiake, sepse ne kemi dërguar ftesa për shumë personalitete, pa marrë parasysh se cilës parti politike i takon personaliteti. Dhe si President i këtij grupimi kaq të fuqishëm, gjykova që të kishte mundësinë që t’i adresohej qytetarëve shqiptarë dhe vendit në këtë ditë të madhe.

Gazetari: Më falni, përpara se të kalojmë tek Prokurori i Përgjithshëm, meqenëse jemi tek Shefi i Shërbimit Informativ, u shprehët se është kompetencë e Kryeministrit dhe ka varësi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri.

Presidenti Nishani: Po.

Gazetari: Nuk është se kemi ndryshime kushtetuese, pasi ju jeni zgjedhur President i Republikës. Kjo kompetencë e Kryeministrit ka qenë edhe përpara se ju të zgjidheshit President i Republikës. A keni menduar pse Kryeministri nuk e ka bërë këtë kërkesë ligjore kushtetuese?

Presidenti Nishani: Nuk e kam menduar asnjëherë se s’ka qenë e nevojshme të them ndonjë gjë të tillë.

Gazetari: Përpara se ju të shkonit President, pyetja është fare konkrete, zoti Berisha me ish-Shefin e Shërbimit, Kryeministri nuk ka pasur thuajse asnjë komunikim, pra, për aq kohë sa ka qenë Shef Shërbimi zoti Bahri Shaqiri. Pse Kryeministri menjëherë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit, President i Republikës, ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të zgjedhur një Kryetar të Shërbimit, me të cilin ai mund të punojë? Dhe a ka pasur një marrëveshje paraprake ndërmjet jush, zotit Berisha apo zotit Meta, për këto ndryshime të drejtuesve të institucioneve kushtetuese? 

Presidenti Nishani: Përse e ka zgjedhur Kryeministri, këtë pyetje duhet t’ia adresoni Kryeministrit. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, ju garantoj ju dhe opinionin publik që nuk ka pasur jo marrëveshje, por asnjë bisedë paraprake për çështje të tilla, absolutisht. Për më tepër që unë kam një eksperiencë të gjatë dhe në qenien si pjesë e kabinetit qeveritar, si ministër i një qeverie të caktuar, i një mazhorance të caktuar, nuk kam pasur kurrë në përvojën time kushte apo parakushte paraprake në mënyrën e ushtrimit të detyrës së institucionit. 

Në lidhje me artikulimin për grevën e grupit të ish-të përndjekurve politikë, nëse do të më lejoni në mënyrë shumë miqësore, jo vetëm një korrigjim, por një rregullim, nuk ka pasur një deklaratë timen që kjo është një grevë politike, por ka qenë një përgjigje për të ndërhyrë në të, dhe kjo ka qenë e vërtetuar me prononcimet zyrtare të përfaqësuesve të grevës së urisë, të cilët deklaruan përpara se Presidenti të prononcohej “që çështjet që ne kemi shtruar, zgjidhen vetëm në rrugë politike...”

Zoti Ylli Rakipi: ...dhe mund të kenë zoti President. Normale.

Presidenti Nishani: ... Unë kam konstatuar deklarata të pastra politike, dhe përderisa ka deklarata të pastra politike që i kundërvihen në një betejë përballjeje politike njërës palës politike, Presidenti i Republikës nuk ka se si të mos e identifikojë këtë fakt. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Presidentin e Republikës që të deklaronte që ka qëndrim politik, por nga ana tjetër, t’i presë, të bisedojë me ta, dhe natyrisht t’u ofrojë dhe ai propozimet e veta që natyrisht nuk rezultuan të pranueshme nga një pjesë e tyre, dhe më pas pati një zgjidhje që të gjithë ne e kemi parë.

 

Zoti Andi Bushati: Zoti Nishani, është i drejtë problemi i jopartizanizmit apo jo, por mua më duket sikur të dekretosh pa asnjë lloj mëdyshje një ish personazh të SHIK-ut të para vitit ’97 të Gazidedes, në Shërbimin e sotëm, mund të jetë një akt i ligjshëm, por vetëm akt jopartizan nuk më duket nga këndvështrimi im, në qoftë se flasim jo gjithmonë për ligje dhe për Kushtetutë, por dhe për një frymë shtensionimi dhe për ngritje të një karakteri mbi palë.

Presidenti Nishani: Unë besoj se nëse do të përdorim si një masë vlerësimi për individin, për një person të caktuar, institucionin në të cilin ka punuar në një periudhë të caktuar, unë besoj që ne jemi së pari në dhunim të së drejtës së tij. Drejtori aktual, i cili është dekretuar nuk ka pasur asnjë veprimtari të tij antikushtetuese, pro partizane të artikuluar, të gjetur, apo të evidentuar. Ka qenë një nëpunës i nderuar i shtetit, ka punuar në një sektor shumë të vlerësuar, ashtu siç ka pasur tërë karrierën e tij si profesionale, por dhe qytetare me një nivel shumë të lartë integriteti. Për sa kohë nuk ka pasur të evidentuar, apo dhe të atakuar qëndrime të tilla, unë mendoj se nuk kemi pse të paragjykojmë individë në mënyrën se ku kanë punuar në një periudhë të caktuar.

Zoti Andi Bushati: Për t’i paragjykuar jo, por ju jeni i bindur që këto qëndrime shprehin frymë jo partizane.

Presidenti Nishani: Absolutisht shprehin bindje, qëndrime jo partizane, sepse për sa kohë një individ i tillë në të gjithë veprimtarinë e tij nuk ka pasur të evidentuar asnjë qëndrim partizan, edhe në atë periudhë të cilës ju i referoheni, atëherë askush nuk ka të drejtën, aq më tepër Presidenti i Republikës të bëjë paragjykime për individin.

Zoti Andi Bushati: Duhet të ndajmë dy gjëra, se ka partizanë shumë të ndershëm, jo partizanë që kanë luftuar në atë kohë, por domethënë …

Presidenti Nishani: Partiakë.

______

Intervista vijon me pyetje mbi nacionalizmin, sistemin e drejtesisë, deklarata të Kryeministrit etj.

Klikoni këtu për intervistën e plotë.

17 Komente

mir

Në 22 vitet e pluralizmit asnjë kryetar i shtetit shqiptar nuk ka pranuar deri më sot të debatojë me analistë apo kritikë të shtypit.

E paskan c'virgjeruar situaten. Dhe tapeti ne studio kete deshmon. 

huh, xhibo deri ktu kisha arrit vet..

Derziu ky! Kerren dhe ky nga nje bisede, si per te thene"Jam dhe une ne kete qerata shtet...."!

Intervista te tilla, te forta do ti quaja, do ishte mire te zhvilloheshin çdo vit me Presidentin dhe kryeministrin. 

+1

Kemi konstatu dhe i gjo tjeter. Qe kur sje me ti kamarier i pergoles ka ra shume cilesia kafes. Sidomos lates qe tu varte te musteqet. 

Tamom , kete kemi konstatuar.

Për herë të parë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pranuar të ketë një debat me ...

Aman mos e bej me!  Leximi ishte heroizem, dhe plaget nuk po mbyllen akoma.  Meqe e lexova nga fillimi deri ne fund kam te drejte te them: tmerresisht (per popullin) i trashe se ju per vete e keni n'terezi, z President. 

Per veten tate, per ate punen, mos qofsh mengjarash. Per te tjerat pastaj...

Gazetari Çlirim Peka:

Zoti Artur Zheji:

Zoti Ylli Rakipi:

Zoti Andi Bushati:

 

Po pse vetem Cim Peka shkrete pa "Zoti". smiley

Theater kukllash me dordolecin Nishani, qe Berisha e ve dhe e perdor si ti doje rrota e ... e Boises  smiley

100% i shmangur nga te vetmet Pyetje te Rakipit .Ja nje shembell ...

Unë besoj se nëse do të përdorim si një masë vlerësimi për individin, për një person të caktuar, institucionin në të cilin ka punuar në një periudhë të caktuar, unë besoj që ne jemi së pari në dhunim të së drejtës së tij.

Hipokrit . Dhe jo se do , por se aq e kane llapaqenet tip derstilistesh kur mendojne se thone fjale te " renda mer Jahu " E gjithe filosofia  e drejtimit biles te Ngritjes dhe Funksionimit te Partise Demokratike eshte sipas shembellit te Kryetarit te saj ...renje e dege e bazuar vetem me Perbaltjen , jo vetem se ku ka punuar nje individ , por edhe privacin e tij . 

Harroi ky qe bertiste ne kor me Jozefpercken "Ja pame ja pame kryetarit te Opozites "

Mund ta shohim kete emision online ?

Po qe na sillni ndonje Link?

 

flm

Gjon

Caraca lale caraca!!!

bobole

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).