Lidhja Demokratike e Kosovës përkujton dhe nderon sot në ditën e lindjes themeluesin e kryetarin e parë të kësaj partie dhe Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kryesia e LDK-së do të bëjë homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe do të vizitojnë familjen Rugova, në Prishtinë.

Ibrahim Rugova lindi pikërisht para 68 viteve, në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, në Kosovë. 

Që para më shumë se dy dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet, duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”. 

Rugova ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci. 

Në 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht. 

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova. 

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, tha shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë. 

Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit të kryeqytetit kosovar, me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës, të kombit shqiptar dhe personaliteteve nga bota. 

5 Komente

Nje shqiptar per se mbari ,nje kosovar fantastik ,futurist .Nder figurat ma te respektueshme ,te drejta ,inteligjente intelektuale.Shpresoj ,uroj qe klasa e sotme politike e brezat e mevonshem te marrin shembull nga ky personalitet.

ps,si ishte puna se nuk kam informacion te metejshem ,a eshte pagezuar ne fene katolike?

RIP Ibrahim Rugova !!!

Drite paste shpirti i tij, atje ku prehet. 

Per ata qe kane VQ , mund te lexojne nga fq 164 deri ne fq 170 , letren drejtuar atij. 

Mua me duket se u tall paq ,me aspiraten e popullit te tij,per liri.Ajo kohe ne Kosove,ishte barut.Nje shkendije...dhe mbarohej puna shpejt.Kroatet,nga njera ane Boshnjaket nga krahu tjeter,Kosova ketej.Mund te vinte liria me shpejt.Se ku u ka vlerat ky njeri hajde mere vesh!

rakia, po te kishin fillu kosovaret luften direkt me kroatet dhe boshnjaket nuk do te kishte me kosov sot ... dhe kete e dinte rugova PAK ME MIRE se ne te dy dhe disa te tjere ketu smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).