Mendoja Shqipërinë dhe ma prishte gjumin përveç varfërisë kronike, dajaku i madh që vërviste forca popullore e Sekretarit të Parë mbi kokat e bashkëqytetarëve, si dhe një ide e re: më 8 dhjetor do të bëheshin dhjetë vjet nga vrasja e Xhon Lenonit dhe unë mund të organizoja një mbrëmje me studentët. Liçi kishte marrë përsipër të ekzekutonte këngë të tij në piano. I kisha gjetur menjëherë ato këngë që i shkonin zgjimit të ngadaltë shqiptar. Power to the people, Revolution.

Gjendja me sa dukej tendosej nga dita në ditë, sidomos pas ikjes së Kadaresë dhe intervistës së fundit të Gramoz Pashkos. Merrja atdheun në telefon, por shokët nuk diktonin asgjë alarmante. Kur rashë përsëri në Tiranë, Blendi, Marku, Nandi u përgjigjën me entuziazëm: menjëherë do t’i bëjmë të gjitha, edhe pllakatet, edhe pjesët muzikore. Liçi për fat të keq kishte emigruar përfundimisht. “Vendosim edhe disa thënie të Xhon Lenonit nëpër mure”, i thashë Blendit. “Pse prapë me citatet e Enver Hoxhës?!” u përgjigj, ktheu kurrizin dhe me sa dukej deshi edhe ai të emigronte. “Më fal”, i thashë, “nuk do të vëmë citate”. E kuptova shpejt që ata studentë të Institutit të Arteve ishin shumë më të avancuar në disidencë sesa kujtoja, dhe mirë bëra.

Mbrëmja ishte një delir, që filloi normalisht, siç fillonin bisedat e mia të zakonshme. Në radhën e parë të të ftuarve ishin ulur miq dhe kolegë të brezit tim, që për çudi kishin një ngrirje referati, e cila nuk shkriu as kur studentët prapa tyre shungulluan në koret më të egra dhe më të bukura që mund të ketë nxjerrë kjo tokë, që nga koha kur janë thyer turqit për herë të parë përpara Krujës. Ndërsa nga altoparlantët ushtonte Revolution, dhe përktheheshin vargjet: Në qoftë se vazhdon të mbash portretet e kryetarit Mao, s’ke për të bërë gjë me askënd, dhjetëra duar studentësh ngritën lart pllakatin me fytyrën e Xhon Lenonit dhe e lëkundën atë përpara portretit buzagaz të Sekretarit që po i lëkundej edhe toka nën këmbë. “Edhe një herë, edhe një herë”, bërtisnin pas Power to the people dhe ngrinin lart dy gishtat V, atë simbol që do të zyrtarizohej aq shpejt. Ndezën pastaj edhe qirinj, fikën dritat dhe kuptohej që s’kishin më frikë. Ndërkohë vërsnikët e mi në radhë të parë nuk kishin ndryshuar qëndrim dhe në fytyrat e tyre prej vitesh ’70 nuk e lexoja dot nëse e aprovonin ose jo këtë urë që kisha lidhur me studentët. Edhe një herë Pauër tu dhë pipëll, edhe një herë. Kur deliri i vrasjes së frikës u rresht pak, vendosëm t’i shkruanim një letër së vesë të Xhonit, Joko Onos. Studentët i hodhën firmat menjëherë, bile disa nga dy herë, kurse vërsnikët e mi ngurronin. E gruaja e D., bashkëorganizatorit të mbrëmjes, m’u duk se do ta çirrte të shoqin me thonj, heshturazi, sikur ky ta firmoste atë letër të frikshme.

Pastaj, kur do të iknim, më thanë se plasi. Andej nga konviktet po plaste. Shkojmë, tha Fredi me Teutën dhe u nisëm për nga konviktet si nja tetë vërsnikë. Koret e zymta të studentëve na dolën përballë në rrugën që zbret për te ambasada italiane. “S’kemi punë me policinë, mos na lini vetëm”. Turma ishte e ngjeshur, me ballin e ndriçuar dhe fundin që humbiste në errësirë. Ajo herë lëvizte poshtë, herë zbrapsej përpjetë. Studentët më të frikur ishin ngjitur te gardhet mbi rrugë. Shokët e tyre demonstrues kthenin kokat dhe u thërrisnin në kor: “Mos na lini vetëm, mos na lini vetëm!” Unë nuk durova më, ktheva biçikletën si Enver Hoxha në demonstratën e 28 nëntorit, në të cilën nuk kishte marrë pjesë, dhe u futa te studentët. Miqtë e mi hynë pjesërisht në turmë, sipas fëmijëve që kishin dhe vendit të punës. Fredi me Teutën u futën menjëherë pas meje, Sotiri që punonte në organet e Partisë nuk hyri fare. Ajo zbritje e ngadaltë të ngjallte vërtet ankth, i ngjante sfidës që i bën njeriu një kafshe të egër, reagimin e së cilës nuk e njeh. Gazet e Ministrisë së Brendshme na kishin lëshuar mbi fytyrë dritën e prozhektorëve. Gardhi i policëve përkëdhelte shkopinjtë. Vajta lidha biçikletën te shkalla e një pallati dhe u futa prapë në turmë, ku një student kryengritës nga Vlora më fliste gjithë kohën gjermanisht. Kishte kaluar mesnata dhe ne po prisnim përgjigjen që do të na sillte Sekretari i Parë, tek i cili ishte dërguar një përfaqësi. “Poshtë diktatura, poshtë dinastia!” Dhe përgjigja e Sekretarit erdhi andej nga ora 1. Ishte e menjëhershme, nuk kishe kohë të mendoje për asgjë tjetër... 

Megjithatë rrahja e asaj nate nuk ishte asgjë në krahasim me atë që më panë sytë të nesërmen në Rrugën e Elbasanit. Këtë herë isha vetëm shikues. Studentët demonstronin në një kuadrat rruge midis ambasadës italiane dhe Liceut Artistik. Në një cep të kuadratit, përkëtej gardhit me policë, rrinin dy nga neointelektualët me artikuj (siç ishin dikur trimat me këngë), të veshur me pardësy të bardha. Diçka po u thoshin përgjegjësve të policisë, me sa dukej që të tregoheshin njerëzorë me studentët. Nuk e di pse u pëlqeu aq shumë atyre, udhëheqësve të ardhshëm të opozitës legale, atë dhjetor pardësyja e bardhë me jakë të gjerë dhe me një rrip gufmues në mes. Më kujtonin detektivët parisianë të viteve ’60. Përsëri rreth orës 1 të drekës erdhi urdhri nga Byroja Politike dhe Sekretari i saj për t’u vërsulur mbi studentët. Këtë radhë e pashë gjithçka në dritën e ditës. Përgjegjësit e skuadroneve të krimit nuk mbanin vetëm kostume gri; një burrë i ri, me radiodhënëse në dorë, që komandonte policë, ushtarë dhe “sampistë” ishte veshur me bluxhins dhe në ditë normale kishe për ta marrë për progresist. Pasi e vunë turmën e studentëve përpara, duke e rrahur dhe duke e shkelur me egërsi përpjetë bregores që të çon për te konviktet, mundoheshin të veçonin të rinj mënjanë për t’i rrahur në qetësi midis tyre, ashtu siç shqyen kopeja e ujqve një sorkadhe të vetmuar. Mua po më merreshin mendtë. Gjithë ato që qenë bërë në këtë vend fshehurazi, në skuta, biruca dhe vila të panjohura, papritur kishin dalë sheshit, në mes të ditës. Më vinte rëndë nga njerëzit që më rrethonin dhe doja të isha edhe një herë student, të shkoja për të banuar nga konviktet, larg miqësive, fisnive dhe cergës së këtij pushteti që na i kishte hedhur të gjithëve, përveç atyre studentëve, fijet e veta të pështira nëpër këmbë.

Megjithëse po më merrej fryma ndërsa kthehesha në shtëpi, mendoja: më mirë kështu, shumë më mirë. Më mirë që u thye akulli, më mirë që dolën të gjitha hapur. Tani mund t’i shikoj të gjithë pa ndrojtje në sy, tani e di që s’vegjetoj më, edhe pse ky vend po bëhet gjithmonë e më i varfër dhe më i pisët. Ia vlen prapëseprapë të jetosh, vetëm sa për t’i dëgjuar edhe një herë ato koret.

Në ditët që ndoqën 8 dhe 9 dhjetorin dihen ato që ndodhën. Aty nga 11 dhjetori u shpall një Parti Demokratike, që mesa më kujtohet nuk e kishin kërkuar ndonjëherë studentët. Megjithatë ditën e shpalljes u gëzuam të gjithë, sepse për herë të parë nuk u përmend as komunizmi, as socializmi. Por 8-a dhe 9-a nuk u përsëritën më, ato u zyrtarizuan, dalëngadalë pardësytë e bardha qetësuan turmën që kërkonte liri në mënyrë kaotike dhe erdhën në krye të saj. (Sot, mbas 9 muajsh, gjen vetëm një ish-student në krye të asaj Partie që thonë se doli nga lëvizja studentore; në të vërtetë fryt i kryengritjes së studentëve nuk ishte shpresa dhe puna për një Shqipëri Demokratike, por ikja, eksodi masiv - mjaft të mendosh që nga rreth 13.000 studentë që ishin në Tiranë në dhjetor ’90, deri më sot kanë ikur më shumë se 6.000).

Megjithatë asgjë nuk kthehej dot mbrapa (e thoshte vetë edhe Sekretari i Parë: “Proceset e demokratizimit në Shqipëri janë të pakthyeshme”). Asgjë nuk mund ta pengonte më fjalën të ishte e lirë. Mund ta pengonte, po, që të botohej, por jo të merrte rrugën  e pacensuruar nga uni.

1991

Marrë me shkurtime nga “Refleksione”

37 Komente

Une reflektoj

Ti refleksionon

Ai/Ajo s'kane reflektor

 

Marrë me shkurtime nga “Refleksione”

Normal me shkurtime se s'do e leme krietarin pa parti e vendin pa opozite. C'u pa puna pastaj qe studentat e dhjetorit u perpoqen per demokraci po ta leme atdheun opoziteless, do detyrohet Naltmadhnia te beje dhe opoziten pastaj, plus Facebook-un, s'i del koha.

Me nje fjale keta e paskan luftuar komunizmin me citatet e Lennonit i cili dhe ky vete qe komunist

Bien vu - thote frengu!

E shikoni qe nuk ka patur krisma (dmth qe ai nuk ishte komunizem?  smiley &nbspsmiley

c'est vrai

.

pak e vështirë për Ardianin që të përmbyste nga froni burrin e tezes

Une nuk e solla artikullin per te ilustruar sa p.s. ishte Klosi dhe sivellezerit e tij te privilegjuar (gezoj sa here lexoj nje emer femre megjithese keto vijne gjithmone si "filanja e filanit") por per te kujtuar edhe nje here cfare i frymezonte studentet dhe profesoret e rinj te derdheshin ne rruge. Te ngecur sic jemi ne politike konfliktuale, ku njerezit votojne per PS-ne per te hequr Berishen dhe PD-ne per te nxjerre inatin me Hoxhen, na ben mire te kujtojme se studentet donin liri, liri per muzike, per letersi, per dashuri dhe ato gjerat e tjera te mira qe i pengonte politika izoluese dhe varferia. Levizja kunder duhet te jete me se pari nje levizje pro.

Nga ana tjeter studentet sulmohen sepse ia braktisen vendin "e cliruar" politikaneve te stilit te vjeter qe nuk e donin lirine (beni batuta sa te doni ketu per Berishen). Qe domethene se nga ai qe ben revolucionin (ndersa ketu nuk ka nevoje per batuta e as per debat jo po regjimi ra vete, jo po kishte rene ne gjithe lindjen, sepse permasen revolucionare vetem me budallai mund t'ua mohoje studenteve) pritet qe te behet edhe ndertimi i rendit te ri. Llogari e cuditshme. Diktaturen nuk e ndertuan Velot, institucionet amerikane nuk i ndertuan fshataret e Lexingtonit, Komuna e Parisit i vrau revolucionaret, etj. Nese disa nga studentet e dhjetorit vazhduan te zhvillohen filozofikisht dhe politikisht kjo eshte ne nder te tyre, por nuk eshte trajektorja tipike e nje te riu ne revolte.

Qe domethene se dua t'iu them studenteve te dhjetorit falemnderit dhe jete te mbare kudo ku jeni. Clirimi i sotshem nuk eshte detyra juaj.

nuk votojne njerezit per PS-ne vetem per te rrezuar Berishen, ci keni keto pallavra mo aman. Njerezit votojne per shpresen e se ardhmes dhe ai formacion politik qe paraqet vizionin me te mire, votohet.

smiley ashtu eshte, vizioni vija vija smiley

mungese argumenti

Me zbertheve dhe mbertheve njekohesisht. Te lutem, hap nje teme te re per vizionet e PS-se dhe aty argumentohemi.

patjeter, po si fillim te presim nje teme nga ju per mbertheckat.

 

Lutem qe vizionet tuaja te mos varen prej mbertheckave te mia.

Do ishte shume interesante .

sikur e ishin vizionet e PS-se nga u bene te mijat? apo personalizo e sundo?

Me falni. Hamendesova qe mbertheckat ne fjale ishin te miat dhe aty m'u tret membrana mendore mes jush dhe tyre.

lol

Te jete per vizione, vallai votoja per vizionet e Pjerrit para se te votoja per vizionet e PS. 100 here me te qarta, se me te kulluara po e po. 

smiley

ce keni kapur me kete ironine. nga inati Rames....po te pakten mos ja fut Pjerit.

Me sinqeritetin me te madh.  Vizionet e PTH-s vs vizionet e PS-s?  As qe kane te krahasuar.  

PS-ja i pafte hajrin qe s'eshte pune vizionesh thuaj.  

dakort, e mora per ironi ne fillim.

Po pse cfare pune eshte mqns nuk qenka pune vizionesh?

Mos u komplekso kot, oj Monde!Deglaratat publike,s'ta heqin kallain e peseistes,kot e ke.Une,psh,e kam da menjen,jam i masht e, s'me rruhet hic,a jam simpatik per kan,a jo.

Kjo teme u mbushte me topat e pemes verdhacuke te vitit te ri smileysmileysmiley

 

Diktaturen nuk e ndertuan Velot, institucionet amerikane nuk i ndertuan fshataret e Lexingtonit, Komuna e Parisit i vrau revolucionaret, etj. Nese disa nga studentet e dhjetorit vazhduan te zhvillohen filozofikisht dhe politikisht kjo eshte ne nder te tyre, por nuk eshte trajektorja tipike e nje te riu ne revolte.

 

Ne cdo kthese revolucionare, ata qe marrin persiper ndertimin e sistemit te ri, jane perfaqsuesit me tipike, me autentike  te levizjes, te shpirtit dhe frymes se saj. Kush ishte fryma e levizjes se Dhjetorit? Antikomunizmi pa dyshim.Kush ishin perfaqsuesit me tipike te LEVIZJES SE DHJETORIT qe moren persiper sendertimin e frymes se dhjetorit? S.Berisha, G.Pashko, E.Selami,G.Ruli perfaqsues tipik i pjeses liberale te ish nomenklatures komuniste. Dhe i vetmi perfaqsues tipik i studenteve te revoltuar ishte A.Hajdari ne kryesine e PD-se.Pra fryma e re kishte ne minorance mbartesit e saj autentike. Eshte interesant diskutimi per emertimin e partise se pare opozitare qe po krijohej.Ideja per ta quajtur "Partia e Studenteve dhe Intelektualeve te rinj" nuk gjeti mbeshtetje sepse ajo ne emertim , edhe pse ruante autenticitetin e Levizjes, kufizonte perfaqsimin dhe bazen e gjere te levizjes.

Thelbi i Levizjes ishte "E duam Shqiperine si gjithe Europa" por mbartesit e saj,(kuadro te sih nomenklatures se komunizmit) nuk kishin formimin dhe  formatin per europianizimin e Shqiperise i cili nuk mund te behej pa  dekomunistizimin, si nje operacion i ndershem dhe i domosdoshem. Antikomunizmi u adaptua si revansh dhe u be flamur i nje fronti te gjere.Pika e forte e bashkimit te te gjitheve (e ish komunisteve me ish te perndjekurit, ish te deklasuarit, ish te margjinalizuarit) u be dhe pika e dobet e luftes se brendshme per dominim dhe pushtet. 

Ideali studenteve ishin liria e levizjes (kunder izolimit), liria e mendimit (kunder ideologjise shtypese), liria e stilit te jeteses (seks, droge dhe ronck and roll).Keto i arriten dhe kricen e iken. 

+1. koha per rilindje.

Sikur te hapte nje teme Monda vizionaria te tipit :  Une kam nje vizion ose Vizioni Ideal per Ps (VIPs)  me konsulencen e tropizmes dhe asistencen e Pjerit,cfare do dilte pervec vajit te peshkut smiley ?

Jam e nderuar qe ti me fut ne nje kategori me Pjerin, pse ta fsheh smiley.

 

Ne cdo kthese revolucionare, ata qe marrin persiper ndertimin e sistemit te ri, jane perfaqsuesit me tipike, me autentike  te levizjes, te shpirtit dhe frymes se saj.

... i vetmi perfaqsues tipik i studenteve te revoltuar ishte A.Hajdari ne kryesine e PD-se.Pra fryma e re kishte ne minorance mbartesit e saj autentike.

 Nga kjo del se nuk ishte revolucion. Prova me e mire e vertetesise se kesaj qe shkruan eshte fakti se jo rastesisht Berisha ka qene kunder krijimit te nje partie (ne 7 a 8 dhjetor te 90) si rrjedhoje e levizjes studentore, edhe pse ka qene nga me aktivet (per pluralizmin) ne korrik te po te njejtit vit ne takimin me R. Aline me intelektualet smiley

Spiritus, une po mbeshtes tezen romantike te Klosit per te thene se ata "qe moren persiper sendertimin e frymes se dhjetorit" NUK ishin "perfaqsuesit me tipike te LEVIZJES SE DHJETORIT".

Kjo ha debat po t'i marrin emrat qe citove nje nga nje. Ne rastin e Berishes, besoj se nuk do te kemi mosmarreveshje po ta cilesoj si nje figure tipike konservatore etatiste (Edmund Burke ne krye te revolucionit smiley). Ne rastin e Hajdarit, revolucionarizmi i tij i vrullshem vertet qe duket tipik, por kontraston frymen qe ilustron Klosi. Mund te jete paragjykim nga ana ime, ndaj pranoj kundershtime, por dikush si Hajdari, qe e donte lirine, nuk dinte detyrimisht se c'donte prej kesaj lirie, dmth liri per cfare. Figurat e mesme si Pashko dhe Ruli mund te kene qene me brenda frymes se pershkruar ne artikull, por per arsye qe vete Klosi nuk ngurron t'i pohoje, dmth nderthurjet familjaro-miqesore dhe te qenit aksionere ne regjimin qe po binte, ata jane elementi klasik revizionist revolucionarizmi i te cilit nuk ngrihet dot vetem mbi kemben e reformave neoliberale ne ekonomi. Per Selamin t'i duhet te dish me shume se une, duke qene opinioni im i formuar ndoshta me shume se c'duhet nga etiketa "pionier". Prandaj me duket shume e vyer menyra se si Klosi e pozicionon veten anash levizjes, frymezues patjeter, katalizator si jo, por gjithmone i ndergjegjshem se nuk eshte tamam nje prej tyre.

Gjithe perpjekja ime, me sa duket jo aq e suksesshme, eshte te mos ua ngecim derrin mac ne dore studenteve, jo per t'u bere te mire, por sepse arsyeja ime, informuar edhe nga artikuj si ky me siper, me dikton kete.

Klosi, Rama e te tjere bij te familjeve te pushtetshme te komunizmit qe i dilnin kunder regjimit komunist e refleksiononin, ishin thjeshte radikal shiket e kohes (sigurisht si variant shqiptar) bashke me intelektualet e ashtequajtur liberale te regjimit (une do ti quaje me shume oportuniste se sa liberale).  Ku me shume e ku me pak, edhe studentet ne masen e tyre mund te perkufizohen si te tille, duke ditur kriteret (dhe rigorozitetin e tyre), qe pedorte regjimi per te dhene te drejten e arsimit te larte.

Klosi me shoke luftonin per lirine per te degjuar (dhe lexuar) John Lennonin, kur ironikisht statusi i tyre si bij te familjeve te regjimit me gjithe privilegjet qe vinin nga kjo gje ju kishte dhene mundesine qe keta te njiheshin me Lennonin dhe ta degjonin ate brenda kufizimeve mbytese te regjimit, kur nga ana tjeter masat dhe me tej te persekutuarit e regjimit as qe i kishin pasur keto mundesi.

Them se keta ishin radikal shik, sepse keta s'iu kundervune me gjithe force dhe realisht baballareve te tyre dhe interesave  te parise nga e cila vinin.  Perballimi ishte me shume teatral.  Radikalshikizmi per mua eshte e vetmja menyre per perpuqur Ramen e refleksioneve qe thoshte qe PS-ja duhet te shpallet e jashtligjshme, dhe Ramen si kryetar i kesaj partie.

Me vjen keq per komentet, ku disa shkruajne rroma per tomba, nese perdorim nje shprehje popullore. Monda, eshte me PS, aq sa mund te jete deti uje i embel.  Per ato dite dhjetori, eshte shkruar shume, ka shume individe qe kane shkruar, jane dite te paharuara, ky shkrim me pelqeu, jo se Adriani eshte ndonje disident, biles ai as nuk pretendon gje ketu, ai thjesht shpreh ndjenjat e atyre diteve, dhe ma merr mendja se shumica e shqiptarve, e donin nje ndryshim, nje shkundje te nomeklatures. 

Nese ka njerez te interesuar per te mesuar me shume rreth disidences, le te lexojne VQ , se aty ka plot material per disidencen. 

" Monda eshte me PS aq sa mund te jete Deti uje i embel "

Pjer , eshte deklarate e forte kjo .

Pjero, se paska lexuar akoma kete komentin  ai Mjerimi, a Mirjami si e ka aismiley,  se do kishte shkruar: ziel.smiley

Ai i shkreti ka nevoje te akoma te praktikohet me gjuhen, se me duket se i nxjerr nga kompjutri, nga ndonje program, qe ne shum raste te ngatarrojne se sa te japin ate qe duhet. 

eh...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).