Hans-Joachim Lanksch, përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, në intervistën për “Shekullin” komenton zgjedhjen e tre autorëve, tre poetë, të cilët i prezantohen sonte në mbrëmje publikut gjerman në Mynih. Është Shoqata “Martin Camaj” e cila organizon në qendrën kulturore “Gasteig” mbrëmjen me titull “Letërsia shqipe-pak ndryshe”. Poezi të Martin Camajt, Frederik Rreshpjes dhe Jamarbër Markos i lexon Wolf Euba, i quajturi “zëri i Radios Bavareze” për programe letrare dhe kulturore në këtë radiostacion. Gjatë mbrëmjes luhet edhe muzikë klasike, me pjesë për violonçel nga Johann Sebastian Bach, interpretuar nga violonçelisti 14-vjeçar Joel Blido. Se cila është domethënia e asaj “pak ndryshe” në titullin e kësaj mbrëmjeje, duhet ndjekur intervista. 

Zoti Lanksch, do donim ta nisnim me pak kujtesë për lexuesin: plot dhjetë vjet përpara ju merrni nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë çmimin “Penda e Argjendtë” për përkthimin nga shqipja në gjuhë të huaj. Dhe me sa kujtojmë, me zor e keni besuar ateherë që po ju vinte një vlerësim nga institucionet zyrtare. Po të përsëritej sot ai rast, do të reagonit njëlloj? 

Po, ndoshta do të çuditesha edhe më shumë. Gjatë dhjetë vjetve të fundit s’është ndryshuar shumëçka në punët e letërsisë e të vlerësimit të artit. Përkundrazi, janë rritur konservatorizmi dhe nostalgjia për artin e të dekoruarve të dikurshëm. Dhjetëvjeçari i parë pas përmbysjes zyrtare të komunizmit u karakterizua nga rebelimi kundër hipotekës së Realizmit Socialist, ndërsa vjetve të fundit mori hov një tendencë restaurimi të të dikurshmeve. Në kuadër të këtij zhvillimi restaurativ duhet shikuar dhe turpi i fushatës së papresedan kundër shkrimtarit dhe disidentit rebel, Kasëm Trebeshina. 

E bëjmë pyetjen e mësipërme sepse qysh atëherë ju njiheshit si përkthyes i poezisë jozyrtare. Dhe përsëri ju keni zgjedhur për prezantimin e Mynihut tre autorë që me gjithë respektin e nderimin që u bëhet ndonjëherë në Shqipëri, Camaj, por më shumti, Marko e Rreshpja nuk hyjnë tek letërsia e konfirmuar nga të gjitha palët, tek e quajtura “zyrtare”.  

Poezia ose është ose nuk është poezi. Zyrtarizimi i poezisë dhe letërsisë në Shqipëri ndjek kritere jashtëletrare si suksesin brenda dhe sidomos jashtë (numri i librave të botuar, numri i copave të shitura, numri i Çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, numri i përkthimeve), kriterin përmbajtësor (qëndrimi kombëtarist i autorit), bekimin e gardës së vjetër etj. Jo vetëm se mua aq më intereson poezia zyrtare. Mbrëmja letrare në Mynih është konceptuar për një auditor gjerman. Mikut të këtushëm të letërsisë s’i intereson nëse autori i takon apo jo takëmit të emrave letrarësh që lakohen në Shqipëri. Me fjalë të tjera, lexuesin resp. ndëgjuesin e poezisë këtej nuk mund ta bindësh me një emër të konfirmuar në Shqipëri, por me kualitetin letrar. Nëse kjo mbrëmje poetike has në jehonë pozitive, do të vijojnë dhe mbrëmje të tjera të tilla letrare. Për fat të keq sipas gjase do të mungojë emri i poetit të madh Lasgush Poradeci. Shkaku është problemi i përkthimit. Bukuria e vargut lasgushian vështirë të jepet në përkthim. Versionet gjermanisht të poezisë së tij i ngjajnë përmbledhjes së përmbajtjes dhe jo përkthimit të vërtetë të poezisë së tij. Deri më tash nuk ia arrita ta përkthej Lasgushin në mënyrë të kënaqshme. E marr me mend që e kanë më kollaj kolegët që përkthejnë në rumanishte a gjuhë të tjera romane. 

Keni folur për mësuesin tuaj, Camajn, do donim të dinim lidhjet specifike tuajat, me dy autorët e tjerë, afrinë shpirtërore me vargjet dhe gjuhën e tyre, po ndoshta edhe me jetët e tyre “boheme”, si heronj pa zë të botës së zhurmshme shqiptare. 

Me gjithë profilin e tyre tepër individual, të tre autorët e kësaj mbrëmjeje puqen në disa pika të përbashkëta. Janë fjalëpak. Tek ata nuk gjen stolisje e fjalë të tepërta. Këta autorë rrinë larg realizmit, poezisë deskriptive dhe narrative. Ata i rrinë larg letërsisë afirmative që e lartëson historinë apo të tashmen shqiptare, u rrinë larg temave kombëtare dhe kollektive.

Poezia e tyre na tregon gjendje individuale shpirtërore. Edhe peizazhet e Martin Camajt dhe Frederik Rreshpjes pasqyrojnë gjendjen e tyre të brendshme. Këta të tre nuk kanë bërë kurrë ndonjë kompromis më regjimin dhe doktrinën e tij letrare. 

Frederik Rreshpja dhe Jamarbër Marko janë poetë të vuajtjes. Rreshpja është poeti i mallëngjimit, dhimbjes, humbjes dhe trishtimit që e derdh në vargje të një bukurie të rrallë. Markoja është një "angry young man" që revoltohet kundër jetës dhe shoqërisë që e ka pasur rreth e rrotull. Poezia e Rreshpjes është butë dhe i ngjan kadifesë, ndërsa ajo e Markos është e ashpër dhe e mprehtë si një kristal i lëmuar. Me gjithë ndryshimet midis tyre, ndjej një afinitet të madh për poezinë e secilit. Nuk kam simpati për poezi afirmative, konstatuese. Si Rreshpja ashtu dhe Markoja kanë imazhe poetike dhe metafora të mrekullueshme. Gjuha e tyre është autentike, tek ata nuk ka gjë të kërkuar, nuk qëndronin nën trysninë dhe detyrën për të shkruar e dorëzuar për botim çdo vit nga një libër.

Biografia s’e bën poetin poet. Megjithëkëtë, një biografi e ndershme dhe autentike si ajo e Frederikut dhe Jamarbrit e fisnikëron poetin. Përveç kësaj, duhet pranuar që biografitë e Frederik Rreshpjes dhe Jamarbër Markos janë posaçërisht të prekshme dhe interesante për lexuesin gjerman, të dytë kanë hequr të zitë e ullirit nën komunizmin. Tragjike ka qenë jeta e Jamarbër Markos burgimi i vërtetë i të cilit filloi pas "lirimit me kusht" (çmimi i të cilit dihet) ku ai ka qenë i izoluar dhe i damkosur si "armik i Nënës Parti" e cila zemërgjërësisht i lejoi gazetarit të diplomuar të punonte hamall… Pastaj aksidenti i tij, vitet në varfëri, mospërfillja nga qarqet letrare dhe institucionet zyrtare të kulturës (si dhe në rastin e Frederik Rreshpjes)… Te Frederik Rreshpja më tërheq edhe modestia e tij, të qenurit i mirë si bukë, indiferenca e tij ndaj famës, ndaj gurgulesë dhe xhelozisë së skenës letrare.

Çfarë keni zgjedhur prej teksteve të tyre?

Jam përpjekur të jap një përzgjedhje deri diku reprezentative të veprës poetike të secilit prej tyre. Përveç kësaj kam kombinuar lirikën e tyre me muzikë nga Johann Sebastian Bach, nga suita e tretë për violonçel solo. Pjesët nga suita i kam përzgjedhur në mënyrë që ato të jenë në harmoni me tekstet letrare. Kështu, leximit të poezive të Camajt i paraprin Preludi polifon, leximi i Rreshpjes ndërpritet nga Sarabanda melankolike, ai i Markos nga Gigue [zhig] e egër. Synimi është, ndër të tjera, që të bëhet e qartë që poezia shqipe shkon mirë me kulmin e muzikës europiane. Pjesët nga Bach i interpreton violonçelisti 14-vjeç Joel Blido, djali i pianistes Fedra Blido dhe nipi i piktorit Llambi Blido, ku dua të tregoj që shqiptarët dinë t’i bien jo vetëm çiftelisë.

 Ju jeni ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve letrare, çfarë rrymash ju bëjnë përshtypje në këtë zhvillim?

Nuk jam ndjekës aq i vëmendshëm i zhvillimeve letrare. Letërsinë shqipe e ndjek nëpërmjet shtypit që del në internet e nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me disa autorë. Me disa përjashtime, nuk më ranë ndër sy zhvillime a dukuri vërtet të reja përveç asaj që thashë qysh në fillim (kërkimi i rrugëve jashtë trashëgimisë socreale). Ajo që më bie ndër sy më së shumti është fakti që vazhdon struktura dhe loja e vjetër. Letërsia në Shqipëri duket shikohet ende sipas modelit të piramidës. Maje piramidës qëndrojnë patriarkët, ata që quhen "majat e piramidës së vlerave letrare". Përafërsisht në mes të piramidës ngulen ish-të rinjtë, të mospërfillurit e para njëzet, dhjetë vjetësh, që kanë filluar të konsolidohen, konfirmohen e të bëhen elita e sotme. Rrëzë të malit rrinë galiç të rinjtë, të mospërfillurit e sotëm që ëndërrojnë që t' i përmbysin dikur ish-të rinjtë e sotëm, patriarkët e ardhshëm. Mes majës së piramidës dhe ish-të rinjve të sotëm gjenden letrarët e zyrtarizuar, ata që nuk mungojnë në asnjë antologji, paraqitje etj. Mes tyre dhe ish-të rinjve të sotëm që janë duke u bërë elita e sotme, apo edhe tjetërkund rrinë shkrimtarët e sotëm e të djeshëm jashtëklanorë. Ata janë pothuaj të padukshëm meqenëse nuk i përkasin asnjë klani a grupi. Janë individualistë, nonkonformistë të sotëm e të djeshëm që s’kanë perspektiva për t' u zyrtarizuar (dhe as nuk gjakojnë të zyrtarizohen). Në fund të bisedës për të cilën ju falënderoj dua të rrëfej që jam më së shumti me ata, me kategorinë e fundit, me të pazyrtarizueshmit.

Elsa Demo

4 Komente

Edhe Fiqo me rinjte e neserm eshte tifoz.
Shkruni mor derra sa mo shum. Lexoni njoni tjetrin, rrijini afer njoni tjetrit o ju shkrofte perenia syte smiley

Në Gjermani e përkthejnë letërsinë shqipe dy Hans- Joachim.

I dyti, Lëm, i përket marksist-leninistëve që e mësuan shqipen në Tiranë, dhe vazhdojnë të përkthejnë vetëm atë letërsi që reklamohej atëherë, ose derivatet e saj.

I pari e ka mësuar letërsinë nga Martin Camaj, pra është i shkëputur nga nga ajo që cilësuam për të parin, prandaj nuk pyet për sistemin letrar zyrtar, sipas të cilit ai duhej merrej me poetë të tjerë dhe jo me këta që ka zgjedhur.

Poeti Azem Shkreli - nuk e di se sa ju thotë ky emër - më thoshte dikur se Lanksch është estet.

Njeri prej tyre ky qe lexojme eshte perfaqesuesi me i denje i thenies ... Lavdia  e njerit Ngrihet mbi renojat e tjetrit .Ky ka ardhe dhe disa here te tjera . Lamash i nje krahu dhe ne e falenderojme qe perkthen ne Gjermanisht libra Shqiptare .Por deshem te dinim

Kush Ja Boton dhe sa xhiro kane piramida e tij ,ne Raport me Kadarene .

Perse nuk nxit nje shije Letrare tek populli ( lexuesi Gjerman ) qe te pelqeje me shume ata qe pelqen ky se sa ata qe desherojne shqiptaret !

dhe se fundi me shume sinqeritet desha te dij ...A paguhet ky nga Instituti TUFES kur sheh "ngjarje tragjike " tek jeta e letrareve ?

E nje varg Gomarlleqesh dashamirese per Letersine shqiptare qe e njeh "nga gazetat " . Falemenderes PPU qe na ben me dije se ka edhe te tille Letrare te cquar ne Bote qe kane mejtim te mendjes !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).