Bashkimin e pengon Shqipëria: Një Shqipëri kaq e dobët dhe kaq e padrejtë s’jep garanci për një Shqipëri më të madhe.

Këto ditë duket sikur po hyjmë në kohën e nacionalizmit. Ndryshe nga çfarë besonim në 100 vitet e fundit, tani besojmë se në 100 vitet e ardhshme do jemi një popull më i madh dhe prandaj më i fortë dhe më i begatë. Në rastin tonë kjo ndjenjë është e merituar. Ne besojmë se koha na ka marrë, më shumë se na ka dhënë. Por sot jetojmë në disa shtete dhe prandaj nacionalizmi shqiptar ka tipare të ndryshme. Sepse shtetet janë si ena. Ato i japin nacionalizmit forma të ndryshme.

Nacionalizmi shqiptar përbëhet nga nacionalizmi i Shqipërisë, nga ai i Kosovës dhe ai i Maqedonisë. Koha do donte qe të tria të ishin një, por fatkeqësisht ato nuk janë. Dhe s’mund të jenë. Po mundohem të bëj dallimin.

Nacionalizmi i shqiptarëve të Shqipërisë

Nacionalizmi i Shqipërisë ka një qellim: të rregullojë shtetin e vet. Ne shqiptarët që jetojmë në Shqipëri e kemi pasur shtetin. I mirë apo i keq, i drejtë apo i padrejtë, ideologjik, kanunor, apo persekutor, i madh apo i vogël. Në 100 vjet neve nuk na ka munguar shteti. Sot po përpiqemi ta bëjmë më të mirë, më të drejtë, më funksional. Në përgjithësi shqiptarët e Shqipërisë e përdorin sot nacionalizmin si një mundësi për të ndryshuar cilësinë e jetës së tyre të përditshme. Ne këtë kuptim, shprehjet nacionaliste të popullit nga ato të politikës shqiptare nuk janë e njëjta gjë. Nëse populli ka rritur përdorimin e simboleve kombëtare, këtë nuk e bën si një nevojë për të shtuar territoret e veta, por për të shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike. Nacionalizmi i shqiptarëve të Shqipërisë është reagim, jo pajtim. Ai është shprehje pakënaqësie ndaj Shqipërisë, jo ndaj ndonjë vendi tjetër. Shqiptarët e Shqipërisë po e përdorin flamurin kombëtar për tu mbrojtur ndaj së keqes. Në të vërtetë ata po mbrohen, nuk po sulmojnë. Po mbrohen nga dëmet e qeverive të tyre, jo nga të huajt. Shqiptarët kërkojnë kryesisht një Shqipëri më të mirë dhe jo detyrimisht një Shqipëri më të madhe. Ose, thënë ndryshe, duan një Shqipëri më të mirë, e cila mund të bëhet edhe më e madhe, pasi të bëhet më e mirë. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do mbeten edhe për shumë kohë një popull i pakënaqur nga klasa e vet politike. Ne këta 100 vjet, pothuajse kurrë ata që i kanë drejtuar nuk kanë garantuar barazi, paqe, demokraci, emancipim, krenari dhe cilësi jete. Krahasimisht me popujt e tjerë, shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë më keq. Pra, kanë më pak shpresë për të qenë të barabartë në mirëqenie me popujt e tjerë, të jetojnë cilësisht njëlloj si ata. Sot kjo mungesë shkëlqen edhe më shumë.

Në të kundërt, politika shqiptare nuk e ka këtë qellim. Është e kotë të them se tonet nacionaliste të kohëve të fundit synojnë një Shqipëri më të mirë. Jo. Ndryshe nga populli, klasa politike do donte një Shqipëri më të madhe përpara se të donte një Shqipëri më të mirë. Sepse çdo territor më i madh, por në kaos, administrohet më lehtë se një territor më i vogël, më i rregullt dhe më demokratik. Rregulli thotë që mungesa e rregullit të mban në pushtet më gjatë se rregulli. Prandaj, madhësia dhe demokracia nuk janë e njëjta gjë. Madhësia nuk i shërben gjithnjë demokracisë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Madhësia nuk të bën detyrimisht demokraci, ndërsa demokracia të shton shanset për t’u bërë i madh edhe kur je i vogël. Vendet më të mëdha të botës sot, fatkeqësisht janë më pak demokratike. Klasa politike e Shqipërisë e di se përkohësisht të dyja qëllimet janë të pamundura. Ose të paktën janë të pamundura dhe të paarritshme, për aq kohë që kjo klasë është në pushtet. Pra, edhe madhësia e Shqipërisë, edhe demokracia e saj. Dhe duke mos arritur asnjërën nga të dyja, i ngatërron të dyja. Pra, nuk e bën dot Shqipërinë më të madhe, duke mos ditur si ta bëjë më të mirë. Për cilindo prej nesh sot është e qartë që një Shqipëri kaq e dobët, kaq e padrejtë, kaq e korruptuar dhe kaq e paintegruar nuk jep asnjë garanci për një Shqipëri më të madhe. Bashkimin e Shqipërisë sot nuk e pengon asgjë më shume sesa vetë Shqipëria. Asnjë projekt i madh ndërkombëtar, sado dashamirës dhe kurajoz, nuk do zgjidhte të zmadhonte një vend me kaq shumë probleme. Sepse të bashkosh problemet është zgjidhja më e keqe për t’i zgjidhur ato. Prandaj nacionalizmi i Shqipërisë do mbetet edhe për shumë vjet vetëm elektoralisht konkurrues dhe aspak frymëzues. Ai më shumë e vonon, sesa e shpejton bashkimin.

Nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës

Koka e dytë e nacionalizmit shqiptar është ajo e Kosovës. Ndryshe nga nacionalizmi i Shqipërisë që kërkon të rregullojë shtetin e vet, nacionalizmi i Kosovës kërkon ta bëjë shtetin e vet. Këtë javë në Vlorë, shumë njerëz që jetojnë aty më thanë se ishin kryesisht kosovarët ata që ushqenin zjarrin e festimeve. Ata i shihje gjithandej. Në Tiranë, në Vlorë, me flamuj, me qeleshe dhe me gjuhën e tyre të dallueshme. Kosovarët duan të festojnë në një shtet që nuk e kanë. Ne ndoshta nuk e kuptojmë siç duhet dhe sa duhet, por shqiptarët e Kosovës e përjetojnë ndryshe nga ne jubileun e shtetit. Ata nuk kanë pasur shtet. Etja për shtet është cilësi që ne nuk e njohim, sepse shtetin e kemi pasur. Nevoja e shqiptarëve të Kosovës për të pasur shtetin e tyre e bën nacionalizmin e tyre të ndryshëm. Megjithëse e kanë fituar pavarësinë prej disa vitesh, shqiptarët e Kosovës nuk ndihen si në shtetin e tyre. Ata kanë sovranitet të kufizuar në Drejtësi, në politikë të jashtme dhe në politikat e sigurisë. Javën e fundit, disa prej tyre u rebeluan sepse misioni europian i shtetit ligjor dhe drejtësisë, EULEX, që drejton në Kosovë, arrestoi një nga anëtarët e qeverisë. Imagjinoni sikur një nga ministrat e Shqipërisë të ishte arrestuar nga Ambasada e Brukselit në Tiranë! Shumica e shqiptarëve do ishin dakord. Në kushtet kur besojnë se gjykatat e Shqipërisë janë nën kontroll politik, shqiptarët do ishin të kënaqur ta lëshonin këtë pjesë të sovranitetit për më shumë drejtësi dhe barazi përpara ligjit. Në Kosovë kjo nuk ndodh dhe gjasat që populli të kërkojë t’i bëjë gabimet vetë, të japë ndëshkimet vetë dhe të korrë vetë efektet apo defektet e kësaj lirie administrative janë në rritje. Ne këto kushte, nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës nuk kërkon sot më shumë cilësi jete dhe demokraci, por kërkon më shumë sovranitet. Në këtë pikë, nacionalizmi i popullit të Kosovës dhe ai i klasës politike janë më të përputhur. Kjo garanton më shumë harmoni brenda shtetit dhe jep shpresë për më shumë konsensus siç edhe ka ndodhur në të shkuarën e afërt, krahasimisht me Shqipërinë. Nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës pra do vazhdojë të jetë më i përmbajtur. Në të kundërt, ai i shqiptarëve të Shqipërisë do vazhdojë të jetë më i zhurmshëm dhe më konkurrues. Sepse këtu pakënaqësia e popullit do rritet dhe pamundësia e klasës politike për ta shuar këtë pakënaqësi po ashtu do rritet. Ndryshe thënë, burimet e këtyre dy lloj nacionalizmash janë të ndryshme, prandaj japin dhe do japin pasoja të ndryshme. Në Kosovë nuk ka ende pakënaqësi të popullit ndaj klasës së vet politike. Shteti është i ri dhe klasa politike po ashtu. Në pak vjet ajo ka arritur një fitore të madhe që rentabilizon ende: pavarësinë. Sa i takon administrimit të përditshëm, klasa politike e Kosovës ka gjithmonë një arsye të fshehë dështimet e veta pas sovranitetit të kufizuar. Ajo pretendon se shumë vendime nuk i merr dot vetë. Prandaj pakënaqësia e kosovarëve po bëhet e lëvizshme. Nga një pakënaqësi e drejtuar ndaj Serbisë po kthehet në pakënaqësi ndaj Europës dhe misioneve ndërkombëtare. Ndërsa në Shqipëri është e kundërta. Pakënaqësia e popullit ndaj klasës politike po rritet dhe i vetmi shpëtim duket sikur është Europa. E nëse kosovarët duan një Kosovë për vete, shqiptarët e Shqipërisë duan fillimisht një Shqipëri më të mirë. Kjo i dallon.

Nacionalizmi i shqiptarëve të Maqedonisë

Nacionalizmi i llojit të tretë është ai i shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse shqiptarët e Shqipërisë duan të rregullojnë shtetin e tyre, shqiptarët e Kosovës duan ta bëjnë shtetin e tyre, shqiptarët e Maqedonisë duan ta prishin shtetin e tyre. Me rritjen e nacionalizmit shqiptar në përgjithësi, shqiptarët e Maqedonisë do bëhen edhe më të paduruar. Të gjitha kreshtat e kësaj dallge do përfundojnë atje. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do ta prishin shtetin e tyre i cili për ta mbetet inatçor, inferior, i padrejtë dhe i paskrupullt. Ai shtet i dhunon shqiptarët për të ekzistuar vetë. Sepse pa shqiptarë ndoshta nuk ka Maqedoni. Ndërsa me shqiptarë të prapambetur mundësia për dominim është më e madhe. Maqedonasit duan të fitojnë kohë, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë nuk duan të humbin kohë. Në këtë frymë shqiptarët e Maqedonisë nuk i shohin defektet e demokracisë tonë. Ata janë të verbër ndaj dhunimit sistematik të demokracisë që shqiptarët e Shqipërisë i bëjnë prej 100 vitesh njëri-tjetrit. Në krahasim me mbytjen jugosllave dhe diktatin maqedonas, ata zgjedhin dhe do zgjedhin gjithmonë një shtet të shqiptarëve, sado i deformuar dhe i padrejtë të jetë ai. Shqiptarët e Maqedonisë janë sot shqiptarët më xhelozë të rajonit. Dhe si gjithë xhelozët janë në ankth të përhershëm. Ata nuk pajtohen dot me faktin që shqiptarët e Kosovës arritën atë që ata nuk e arritën dot. Kjo do vazhdojë ta bëjë nacionalizmin e tyre më të flaktë dhe më rebel. Ata nuk kanë pakënaqësi ndaj autoriteteve shqiptare, siç është rasti i Shqipërisë, nuk kanë pakënaqësi ndaj misioneve ndërkombëtare siç është rasti i Kosovës, ata kanë dhe do vazhdojnë të kenë pakënaqësi ndaj maqedonasve. Besojnë gjithë ditën se shteti ku janë nuk është dhe nuk do jetë kurrë shteti i tyre. Ata flenë në një shtet dhe ëndërrojnë të flenë në një shtet tjetër. Kjo i bën të paduruar. Qëllimi imediat i tyre është shteti i shqiptarëve dhe asgjë më shumë. Ata nuk duan të shkojnë drejt demokracisë përmes nacionalizmit siç është rasti ynë, as nuk duan të shkojnë nga sovraniteti drejt demokracisë siç është rasti i Kosovës. Ata duan shtetin përpara demokracisë, duke e ditur se demokratizimi i Maqedonisë është një pengesë që duhet ta shmangin sa më shpejt dhe me çdo kusht. Sa më pak demokratik të jetë shteti maqedon, aq më e lehtë është për shqiptarët e Maqedonisë. Dhe në këtë drejtim, shteti maqedonas i ndihmon çdo ditë. Sepse një shtet demokratik është më i vështirë për t’u prishur. Nacionalizmi i shqiptarëve të Maqedonisë është sot më i vërteti, sepse nga gjithë shqiptarët e rajonit ata jetojnë në një shtet tjetër, i cili është më i keq se shteti më i keq.

Bashkimi i shqiptarëve

Në përgjithësi besohet se nacionalizmi lind nga forca. Në rastin e shqiptarëve nacionalizmi po lind nga pakënaqësia. Ose nga dobësia. Për fat të keq, arsyet për pakënaqësi janë më shumë të ditës, sesa të kohës. Pra, më shumë të kohës që jetojmë, sesa të kohës që ka ikur. Por pyetja është: a i ndihmon nacionalizmi shqiptarët të bashkohen më shpejt se ç’munden apo se ç’duan të tjerët që ata të bashkohen? Dhe kur flitet për bashkim, në kohët që jetojmë, flitet për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Çështja e Maqedonisë është më e komplikuar dhe më e vështirë për arsyet që dihen. Shqiptarët ë Shqipërisë dhe Kosovës kanë shtetet e tyre, ndërsa ata të Maqedonisë jo. Prandaj bashkimi i dy shteteve në një shtet është i më i lehtë se bashkimi i dy apo më shumë popujve, pa shtet, në një shtet, qoftë edhe kur ata janë një popull. Në këtë logjikë, dy shtete demokratike, normale, të begata, paqësore dhe ekonomikisht të vetëmjaftueshme mund të bashkohen më shpejt se dy popuj, të cilët nuk japin prova se kanë aftësi të plota shtetformuese. Ky paragjykim i ka shoqëruar shqiptarët në shekuj. Nëse kanë apo jo aftësi për të mbajtur një shtet. Ky paragjykim është sot po aq i justifikueshëm. Të gjithë ata që e kanë, ne i ndihmojmë çdo ditë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Korrupsion më shumë se ekonomi, zgjedhje të diskutueshme më shumë se demokraci, mungesë reformash më shumë se emancipim, polarizim më shumë se drejtësi, anarki më shumë se unitet, krahinalizëm më shumë se solidaritet kombëtar. Kjo është Shqipëria. Në shembullin tonë shkon edhe Kosova. Prandaj pyetja mbetet.

A mund të bashkohen dy shtete të vogla dhe të dobëta për të krijuar një shtet të madh edhe me të dobët? Kush e cenon më shumë paqen dhe begatinë e një bashkësie, dy qenie të dobëta, të uritura por të vogla apo një qenie e madhe shumë e dobët dhe prandaj problematike? Për çdo shqiptar, përfshi edhe mua, përgjigjja do ishte e lehtë, por e pamjaftueshme dhe jo bindëse. Ne duam të bashkohemi dhe të tjerat i zgjidhim rrugës. Madje ne duam të bashkohemi që të gjitha të tjerat t’i zgjidhim rrugës. Ne duam të bashkohemi që t’i japim shtetit tonë cilësitë që nuk ia kemi dhënë dot të ndarë. Ligjin, Ekonominë, Drejtësinë, Demokracinë, Unitetin, Solidaritetin dhe Paqen me natyrën. Natyrisht. Por të tjerët nuk mendojnë si ne. Dhe nuk kanë faj. Nëse ka një fuqi që shtyn çështjen e bashkimit, fatkeqësisht janë vetë shqiptarët. Ka fuqi të cilat duan të na bashkojnë, por nuk munden. Sepse ne i pengojmë. Ka fuqi të cilat duan të na pengojnë dhe munden. Sepse ne i ndihmojmë. Dhe, me sa duket, do vazhdojmë t’i pengojmë të parët dhe t’i ndihmojmë të dytët.

Por ndoshta, nacionalizmi i shqiptarëve, që është më shumë popullor sesa shtetëror, mund të jetë i vlefshëm në vitet që vijnë, nëse ai synon dhe arrin të rregullojë shtetet e tyre. Nacionalizmi i shqiptarëve nuk ka për qëllim të rregullojë as Greqinë as Serbinë sepse nuk do, dhe as Europën sepse nuk mundet. Por Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë pa dyshim mund t’i bëjë tri shtete më të jetueshme.

E nëse e pranojmë se boshti, arsyeja, mjeti dhe qëllimi i këtij bashkimi është Shqipëria, duhet të pranojmë se pengesa më e madhe për bashkimin e shqiptarëve është vetë Shqipëria. Sekush prej nesh mund të imagjinojë një Shqipëri më të drejtë, më demokratike, më solidare, më të begatë, më të ditur dhe më të ndritur. A do ishte bashkimi më i lehtë dhe më i shpejtë në këto kushte? Pa dyshim. Një Shqipëri me e mirë mund të ishte dhe duhej të ishte më e madhe. Prandaj nacionalizmi shqiptar ka një detyrim para së gjithash. Ai duhet të rregullojë Shqipërinë për të rregulluar kombin. Shqipëria është mjeti dhe qëllimi. Rrugë tjetër nuk ka dhe s’ka pse të ketë.

14 Komente

Pavaresisht nga vecanesite e tre nacionalizmave,aspirata per bashkim kombetar, per nje shtet te vetem kombetar ne trojet etnike shqiptare, eshte komponent i perbashket i te tre nacionalizmave. Ku eshte me  e fuqishme kjo deshire dhe ku me pak e mbeshtetur nga popullata, eshte tjeter gje.

Per cfare manifestuan shqiptaret ne 28 Nentor? Thjesht festuan ditelindjen apo kishte nje domethenie tjeter ajo dalldi nacionaliste? 

Nacionalizmi i fundem i Berishes eshte bosh, kallp, thjeshte retorike elektorale sepse nuk ka asnje projekt konkret , me hapat konkrete qe do krijonin dhe pershpejtonin infrastrukturen e bashkimit kombetar. Pralelizmi deklarativ me I.Qemalin (Une jam S.Berisha, dua vatanet e mija) eshte vetem nje gjest  butaforik ne skenen ku ai eshte artikuluesi kryesor i integrimit europian.

ajo levizja e Sales eshte shume e ulet pikerisht se vjen prej tij. E llogaritme per fushate, tregues qe po i ruhet AKZ. Po kish nji citim te "kathimerinit" te b-web sot se deklarate te ngjashme ka bere dhe Rama. Midis te dyve, ky i fundit m'duket tregon se ka nji fije me shume koherence nqse del me flamurin e nacionalistit

ne pergjithesi shprehet qarte dhe hapur,por nuk eshte 100% i ndershem.perse nje shtet i vogel dhe jodemokratik si shqiperia e sotme eshte me mire se nje shtet me i madh dhe perseri jodemokratik?gjeorgjia eshte me mire se rusia?

une mendoj se ne se nacionalizmi percaktohet si ideologji kombetare dhe demokratizimi (qe ecen paralel me zhvillimin),do vije me shpejt.

ne te kundert shqiperia me kalimin e kohes do te kthehet ne liban me ndihmen e miqve greke e serbe te saliut,kosova ne sanxhak,dhe shqiptaret ne maqedoni si refugjate ne turqi.

edhe dy gjermanite kishin ndryshim te madh ekonomik dhe demokratik ne -89-n por pengesat jane per tu kaluar.

pse ne 1912-n kishte njeri me mend ne koke qe mendonte se mund te mbijetonte shteti i ismail qemalit?

pra pike se pari ,bashkimi eshte nevoje urgjente per ekzistence.

qe ketij bashkimi duhet ti paraprije nje fryme bashkeshpirterore kombetare,kjo eshte me se e qarte.por kete nuk mund ta beje kjo klase e deshtuar polike ,me mendesine e esat toptanit.

prandaj kjo fryme e re kombetare do te nxjerre fytyra te reja ne skene.

I merr te mireqena disa formula matematike  Blushi..   kujdes se ke bere ca gabime trashanike ne te shprehurin parashikues tek paragrafet e para.. ncuq ncuq,  ke dhe ca te verteta  por ne pergjithesi  pershkrimi kalkulues i nacionalizmit qe ben calon shume !

" Nacionalizmi Shqiptar perbehet nga Nacionalizmi i Shqiperise , nga ai i Kosoves dhe ai i Maqedonise "

Do pyesja une pse e perjashton Nacionalizmin e Shqiptareve te Malit te Zi nga Nacionalizmi Shqiptar Blushi ?

Hajt mo..Vezhgues si antropolog. 

Po mire po nacionalizmi i shqiptareve te Lugines, qe eshte ndoshta me i flakti, dhe i cili ka nje karakter komplet ndryshe nga ai i ketyre te tjereve? Pse nuk e quajme?

Mua me duk pas si shkrim hajt sa per te bere. Por ne Shqiperi , asnje gje s'eshte produkt autokton. As nacionalizmi. Vala e nacionalizmit, filloi te rritej si pasoje e rritjes se qendrimeve ekstremiste ne vendet fqinje, te cilat ndikuan ne fryrjen e qendrimeve tona. Per te mos thone, qe ka nje rang akoma me global i cili po vuan rritje nacionalizmi, dhe per pasoje izolacion kombtar, si rezultat i krizes financiare. Etj etj. Ne Shqiperi asnje gje s'ndodh, per se, por si rezultat i nje vale te jashtme.

"Sepse shtetet janë si ena. Ato i japin nacionalizmit forma të ndryshme."

Ja pse muret knej i bojn me kartoxheston, perplase kaptinen pa fryk Fiqo

Jemi mesuar deri me sot vetem me shkrime rreth te keqes se madhe qe do te ishte bashkimi kombetar, apo sesi nuk mund te kishte kurre nje bashkim te tille sepse ne Europe nuk mund te ndodhnin kurre ndryshime kufijsh. Madje intelektualet e leshit te tipit Lubonja e Vehbiu i paraqisnin si krime kunder njerezimit shprehjen e ketyre deshirave. I quante njerezit nazista dhe qenie te trasha prehistorike Vehbiu po te flisje per bashkim kombetar, por s'kishe c'te beje sepse masa e injoranteve e mbante dhe e mbajne akoma si mjeshter, nderkohe qe eshte aq absurde sa te thuash se Haxhi Qamili ishte mendimtari qe duhej degjuar ne ato kohe e jo Ismail Qemali. Ja kaq absurde eshte sepse po njelloj kunder frymes historike.

Ndersa tani me ne fund po degjohen hapur intelektualet te flasin per bashkim dhe puna eshte vetem sesi duhet bere. Dhe ky shkrimi me siper pikerisht kete po thote. E merr te mireqene bashkimin (qe tashme eshte kryer) dhe merret vetem me persosjen. Dhe madje flet tamam edhe per shqiptaret e Maqedonise qe do te jene pjese e ketij bashkimi. I lumte se me ne fund po e thote qarte ate qe te tjeret e konsiderojne si tabu.

Maqedonin se le amerika te shperbehet as behet llaf. 

1. duke e marre ne versionin e thjeshtuar shqiperi+kosove: jam e mendimit se bashkimi ne 1 shtet do na beje qe shqiptaret e shqiperise te mesojne ca te mira nga kosovaret, dhe kosovaret te mesojne ca te mira qe i kane shqiptaret e shqiperise

2. bashkimi sjell unifikimin e kapitaleve, energjive, tregut, sistemit tatimor tregut te punes etj etj rrjedhimisht ekonomia behet me eficente, gjakovari qe ka 10 vjet qe merret me bujqesi e zeme vjen e blen 1 ferme ne fier dhe mirditori qe do te merret me turizem malor hap 1 hotel ne brezovice te kosoves (shembuj)

3. tre pjeset e para te tekstit me pelqejne, konkluzionet me duken pak te pasakta. ne menyre te vecante e ka dhene shume sakte tablon ne maqedoni, mendoj

Nuk e kuptoj une kete punen e problemeve te shtuara, ne rast bashkimi.

Sipas kesaj logjike, hajde zhbejme Shqiperine ne disa shtete qe secili te kete me pak probleme, i zgjidhim me shpejt e pastaj ribashkohemi.

Kur keta tipat duan te bashkojne shtetet europiane ne nje te vetem e bejne, sepse thone qe Europa e Bashkuar u jep me mire zgjidhje problemeve te veçanta qe kane shtetet dhe natyrisht problemeve te perbashketa.

Argument fals eshte ai i klasave politike qe duan bashkimin meqe do shtohet parregullsia.

Klasat politike nuk duan bashkimin se ulet numri i kolltuqeve dhe pushteti e secilit. Asnjehere klasat politike nuk jane pro bashkimit, ne asnje vend e asnje kohe.

Feudalet jane kunder monarkise se perqendruar ne parim e ne praktike, mbreterit e princat gjermane e italiane ishin kunder bashkimit te Italise e Gjermanise ne shek 19.

Kunder bashkimit ka vetem reagime, asnjehere argumentime. Robi reagon kunder bashkimit per hir te nje paragjykimi qe ka ne koke, paragjykim te cilin pastaj e mbulon me ereza dhe e sjell si argument.

 

 

kam nje ide? hajde e ndajme shqiperine ne 100 copa, konkurrojme ne eurovision dhe fitojme me ne fund ^______^

Nacionalizmi si mbas syve te nje kozmpoliti, eklektiku e pragmatisti qe do te thote qe thuajse cdo gje qe shkruan Blushi mbi nacionalizmin, e me sakte ate te te shqiptareve, eshte e pasakte.

Blushi duhet te kuptoj qe nacionalizmi nuk eshte reagim, as nuk lind nga forca apo dobesia apo pakenaqesia.  Nacionalizmi eshte botekuptim, botekuptim qe kombi yne (teresia e njerezve relativisht e njesuar) perben teresi, dhe si i tille kerkon te ndertoje nje shtet per, nga dhe te kesaj teresie ne menyre qe kjo teresi te ruhet, zgjerohet dhe zhvillohet. Nacionalizmi mund te perdoret si mjet per te permiresuar jeten e njerzve apo zgjidhur problemet qe percakton Blushi apo si mjet per cfaredo qellimi, por kjo s'do te thote qe nacionalizmi lind nga nevoja per dicka por se ai egziston pavaresisht saj.  Kjo deshmohet nga fakti se pavaresisht statusit qytetar te shqiptareve ne trojet e tyre etnike, pavaresisht problemeve vendore qe perballojne, sondazh mbas sondazhi ata tregojne ne pjesen derrmuese te tyre se jane pro bashkimit kombetar ne nje shtet-komb.  Blushi s'e kupton apo refuzon te kuptoje se nacionalizmi i shqiptareve, eshte primordialist dhe egziston pavaresisht problemeve specifike qe hasin shqiptaret ne trojet e tyre etnike.  Me sa me duket mua, Blushi gati gati sa nuk e portretizon nacionalizmin shqiptar si fenomen reaksionar si mbas kushteve specifike rajonale te grupeve te ndryshme te shqiptareve ne trojet e tyre etnike dhe nga ana tjeter sugjeron qe ky nacionalizem te jete civik per te rregulluar  Shqiperine (por dhe Kosoven) qe bashkimin ta bejme si qytetare te nje shteti ligjor, demokratik, te zhvilluar ekonomikisht, te emancipuar etj etj. e jo thjeshte si shqiptare etnike qe keto probleme do i zgjidhnin prej bashkimit.  

Sic thote e Akesiti me siper, kunder bashkimit ka vetem reagime e jo argumentime, dhe ky eshte nje reagim gjithashtu qe edhe pse shume i moderuar e i matur e i mbuluar me erza, ne thelb eshte i njejte me ate te nje tjeter kozmopoliti si Vehbiu.  Emblematike e ketij reagimo eshte pyejta paksa idiote (me qellim a jo) e Blushit kur thote se a mundet nacionalizmi ti ndihmoje shqiptaret te bashkohet me shpejt se c'munden apo se c'duan te tjeret qe ata te bashkohen?  Bashkimi eshte vecori e perbrendshme e nacionalizmit shqiptar, dhe te qenit shqiptar e te veteidentifikuarit si i tille perben ne thelb deshiren per te qene bashke.  Nqftse s'eshte keshtu athere shqiptaret nuk do identifikoheshin si te tille, por do kishin nje tjeter identitet si paresor, qofte ky shtetror, fetar, krahinor etj etj.

Artikulli me pelqeu, kish argumente bindese, i shpjegonte bukur arsyet e nacionalizmit te tre grupeve/popujve te shqiptarve ne tre shtete.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).