Eshtë e hapur mundësia që të pohohet, së bashku me Durkheim-in dhe Habermas-in, se feja ka qenë themelore për fillimet e historisë njerëzore dhe ndërtimin e kulturave madje edhe për fillimin e gjuhës njerëzore (siç ka pohuar edhe Habermasi), por se qeniet njerëzore moderne e kanë çliruar veten nga këto fillime fetare dhe kanë marrë kontrollin e jetëve të tyre. Duhet pranuar se një gjë e tillë nuk është e papërfytyrueshme dhe se realiteti i kulturës shekullare moderne, së paku në shikim të parë, duket se konfirmon faktin se një divorc i tillë, nga themelet fetare të rrënjosura në historinë natyrore, është me të vërtetë i mundur. Sidoqoftë, ne mund ende të pyesim nëse braktisja e plotë subjektit fetar duhet gjykuar si një fenomen shtypës që, njësoj si çdo shtypje e diçkaje thelbësore të qenies njerëzore, do të ketë pasoja negative. Sigmund Frojdi ka hetuar pasojat që mund të ketë për situatën dhe jetën individuale njerëzore ndrydhja e shtysave seksuale. A mund të ketë edhe ndrydhja e dimensionit fetar të jetës njerëzore pasoja të ngjashme shkatërrimtare?

Ekzistojnë tregues që mund ta konfirmojnë këtë dyshim. Së pari, kemi ndjesinë e tjetërsimit dhe mungesës së kuptimit, që duket se është duke u përhapur gjithnjë e më shumë në kulturën shekullare. Këto të dyja janë ngushtësisht të ndërlidhura. Tëhuajzimi do të thotë, në radhë të parë, se qeniet njerëzore nuk mund të integrojnë, në sensin e tyre të identitetit, disa aspekte të jetës së tyre të përditshme; ato mbeten të huaj, në këtë mënyrë vetë aspektet shfaqen gjithashtu si të pakuptimta. Qeniet njerëzore kanë nevojë për një orientim kuptimplotë për ambientin që i rrethon, kuptime që nuk i jepen gjërave nga vetë personi, por janë të tilla që nuk mund të ndërtohen arbitrarisht në një mënyrë tërësisht të ndryshme. Pikërisht ky arbitraritet dhe transferueshmëri e kuptimeve janë shprehje e faktit se bota moderne shekullare nuk ka asnjë kuptim për vetveten dhe në vetvete që të kapërcejë kapriçon njerëzore si një masë e sjelljes njerëzore dhe që gjen shprehje në rendin e botës. Rezultati i gjithë kësaj mund të jetë ndjesia se jeta është kryekëput e pakuptimtë. Qeniet njerëzore nuk mund më ta gjejnë vendin e tyre në botë, identitetin dhe kuptimin për unin e tyre. Pa një kuptim që mbështet jetët e tyre, ata ndjehen të tjetërsuar nga vetvetet. Psikologu vjenez Viktor E. Frankl i referohej në mënyrë të përsëritur kësaj eksperience të një “mungese të njësisë” dhe efekteve të saj. Në mënyrë korrekte, për këtë arsye ai e ka vendosur gishtin mbi sëmundjen e epokës sonë, që vjen nga fakti se bota jonë shekullare e ka harruar Zotin. Sipas këndvështrimit të tij, ajo është tërësisht përgjegjëse për rritjen e shpejtë të sëmundjeve neurotike dhe veçanërisht për shtimin e rasteve të vetëvrasjeve.

Unë e shoh treguesin e dytë në faktin që emancipimi i botësh shekullare nga rrënjët kulturoro-historike dhe fetare të saj ka dërguar në një destabilizim të gjërave në rënien e legjitimitetit të institucioneve sociale dhe veçanërisht në rendin politik të shoqërisë. Në sferën e familjes, ligjit dhe edukimit, fortësia e një rendi të jetës që i paraprin individuales është duke u zhdukur. Çështja nuk qëndron vetëm në faktin se format tradicionale të këtyre institucioneve duket se po ndryshojnë, por se rregullimet e jetës së zakonshme përtej individit nuk janë më bindëse. Kërkesa se individët duhet të përshtatin vetet e tyre ndaj rendeve ekzistuese konsiderohet si e paarsyeshme. Kjo ndodh edhe në rastet kur njerëzit vazhdojnë të jetojnë brenda rendeve të tilla. Kjo është e vërtetë veçanërisht për rendin politik. Sundimi i disa njerëzve mbi disa të tjerë është i tolerueshëm vetëm për sa kohë ai bazohet mbi një rend që përgjithësisht besohet se është përtej çdo kapriçoje dhe manipulimi njerëzor, një rend që konsiderohet se është superior edhe ndaj vullnetit arbitrar të atyre që janë në fuqi, kundër të cilëve duhet të matet sjellja e tyre. Rendi ligjor, në fund të fundit kushtetuta, përfshinte fillimisht një masë të tillë, por kur rendi ligjor në vetvete është thjesht diçka e bërë nga qeniet njerëzore dhe mund të ndryshohet nga një mazhorancë relativisht e rastësishme, atëherë vetë pretendimi i rendit ligjor për bindje të qytetarëve vihet në dyshim. Divorci i shtetit modern nga feja si kriteri i rendit të tij ka dërguar si pasojë (siç ka vërejtur me të drejtë Ulrich Matz-i) në mungesën e besimit në legjitimitetin e qeverisjes politike të çdo lloji. Pra, legjitimiteti i shtetit shekullar është në rënie, por e njëjta vlen edhe për të institucione të tjera të shoqërisë shekullariste. Gërryerja tinzare dhe e rrezikshme e autoritetit të këtyre institucioneve në ndërgjegjen e qytetarëve me siguri nuk do të dërgojë në shembjen e menjëhershëm të tyre. Institucionet vazhdojnë të funksionojnë pak a shumë mirë. Qytetari mesatar nuk ndjehet tërësisht i përjashtuar dhe për sa kohët do të jenë kështu nuk ka asnjë rrezik të madh që sistemi social të shpërbëhet. Por ky sistem është i cenueshëm në rast presioni të pazakontë, qoftë i brendshëm – si p.sh. rënia e vazhdueshme e gjendjes ekonomike – apo i jashtëm. Kriza e zvarritur e legjitimitetit të shtetit shekullar dhe rendit ligjor të tij, për momentin mund të mos jetë asgjë më shumë se sa një re e vogël në horizont. Sidoqoftë, është një supozim i dyshimtë hamendësimi se një rend social, krejtësisht i shkëputur nga rrënjët e tij fetare, mund të mbijetoj për një periudhë të gjatë.

Disa dekada më parë ndërgjegjja e kulturës shekullare formohej nga pritshmëria, siç ishte formuluar nga Maks Veberi, e përparimit të pashmangshëm të procesit të shekullarizimit dhe se feja domosdoshmërish do të shtyhej gjithnjë e më shumë drejt periferisë. Peter L. Berger ende e supozonte këtë në librin e tij të vitit 1969 me titull “A Rumor of Angels”[1], por vetëm disa vite më vonë, në vitin 1973, Berger-i shkroi një tjetër libër këtë herë të titulluar “The Homeless Mind”.[2] Në libër tregohet se procesi i shekullarizimit apo – siç preferon ta quaj Berger-i – “modernizimi” i shoqërisë përmes organizimin efektiv, burokratizimit dhe industrializimit nuk po përparonte në mënyrë lineare. Procesi nuk mund të vazhdonte përgjithnjë pa krijuar kundërforca. Me fjalë të tjera, modernizimi i shoqërisë i lë të gjitha elementet e kuptimit të jetës të jenë pre e kapriços së zgjedhjes private – jo vetëm fenë, por edhe artin dhe çdo përmbajtje të traditës kulturore. Jeta publike lirohet nga çdo lidhje ndaj bazave detyruese të kuptimit. Arbitrariteti i asaj që ka kuptim shkatërron vetë sensin e kuptimit, i cili kërkon diçka që është përtej kapriços njerëzore dhe për rrjedhojë detyrues, diçka pas së cilës mund të kapesh fort. Duke qenë se, sipas Berger-it, rendi publik i jetës nuk zbulon më asnjë kuptim të tillë normativ, rezultati është se kudo në shoqëritë shekullare lindin kundërlëvizje që janë subkulturore për nga natyra. Ajo që është e rëndësishme për këto kundërlëvizje nuk janë shprehjet e jashtme: Këto mund të jenë shpërbërëse, mund të marrin formën e një mospranie të heshtur ose atë të një proteste politike. Sipas Berger-it, ajo që është e përbashkët për këto lëvizje kundërkulturore, veçanërisht midis të rinjve, është rezistenca e tyre ndaj sistemit të shoqërisë moderne dhe kufizimeve të saj, i gjithë sistemi shihet si i boshatisur dhe i pakuptimtë. Rrënjët e një rezistence të tillë janë thelbësisht fetare për nga natyra, sepse fakti që një qenie njerëzore nuk mund të jetojë pa një kuptim normativ në fund të fundit do të thotë se ai apo ajo nuk mund të jetoj pa fe. Prandaj, në ditët tona ne nuk presim që feja të zëvendësohet gradualisht nga kultura shekullare. Çështja nuk shtrohet më se sa gjatë do të vazhdoj të ekzistoj feja apo se kur ajo do të zhduket krejtësisht, por në ditët tona çështja shtrohet se sa gjatë mund të vazhdoj të ekzistoj një shoqëri shekullare, e cila e ka liruar vetveten nga rrënjët e saj fetare. Kështu që, feja nuk do të zhduket sepse sido që të jetë fetë botërore kanë përjetuar vazhdimisht rënien dhe shembjen e sistemeve sunduese të kësaj bote.

Përfundimi i këtyre reflektimeve është se fillimet fetare të njerëzimit mund të mos i kenë përkitur thjesht një faze fillestare të historisë njerëzore, të cilën e kemi kapërcyer. Nocioni se feja mund të ketë pasur domethënie themelore për fillimet e kulturës dhe gjuhës njerëzore, por që tani është zëvendësuar nga një formë pastërtish shekullare, vetëemancipuese, e jetës njerëzore, është një mendim që ka ende nevojë të ofroj prova për supozimet e tij. […]

Fusnota

[*] Fragment i shkëputur nga libri i Wolfhart Pannenberg-ut me titull: “The Historicity of Nature”, edited by Niels Henrik Gregerson (Templeton Foundation Press, 2008), f. 75-87.

[1] Peter L. Berger, A Rumor of Angels: Modern Society and the Rediscovery of the Supernatural (Garden City, N.Y.: Doubleday, 1969).

[2] Peter L. Berger, Brigitte Berger, and Hansfried Kellner, The Homeless Mind: Modernization and Consciousness (New York: Random House, 1973).

www.e-zani.com

1 Komente

Kur dometheniet shkeputen nga rrenjet , doemos ata qe shquhen si te ditur jane gjithmone ata qe mbizotrojne ambientin me debate per Kapaket e Librave ...Plot eshte Derstila jone e dashur me te tille ! Se fundi u shfaqen tek firmat e InteletuHaleve si firmtare Dacibaosh inteliDjente , me perkares  peshqit tane te dashur syfryre e barkaliq !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).