Kjo aromë high-tech që kutërbon nga të gjitha anët, krijon një iluzion progresi e përparimi që për fat të keq, përballë ka një realitet aspak teknologjik që tradhton një distancë në rritje mes njerëzve të pushtetshëm të këtij vendi dhe shumicës dërrmuese.

Dy ngjarje “telekomunikative” të ditëve të para të këtij viti, ishin një shenjë e qartë për llojin e fushatës së ardhshme elektorale: Intervistimi kibernetik live i kryetarit të opozitës Edi Rama në twitter, nga kushdo që dëshironte të bënte pyetje, pasuar nga po e njëjta intervistë virtuale e ambasadorit amerikan z.Arvizu në facebook. Padyshim një risi kjo në lëmin e komunikimit politik në rastin e parë, pa harruar nga ana tjetër, afshin e vazhdueshëm teknologjik të kryeministrit Berisha që së fundi është përqëndruar tek faqja e vet në facebook, kompania rivale e Ramës (pardon, e twitter-it). Madje kryeministri ka urdhëruar edhe ministrat e eksponentë të tjerë të administratës që të hapin faqe pune e komunikimi direkt në facebook, ndërkohë që ende nuk dihet nëse Rama ka bërë të njëjtën gjë me socialistët. 

“Internetizimi” gjithnjë e më i pranishëm i politikës, ka ndezur edhe një debat në media (në fakt edhe kjo gjithnjë e më shumë elektronike dhe internetike) mbi këtë avancim të komunikimit politik. Mesa duket, me zor po mësohemi të komentojmë Edi Ramën nga twitteri apo Berishën nga facebooku, por nga ana tjetër duhet pranuar se kjo histori e politikëbërjes “nga kompjuteri” seç ka atë joshjen e një pëlhure modernizimi e teknologjizimi, që më në fund na bën edhe ne si botën e qytetëruar. Leverdia e kësaj metode është botërisht e njohur dhe mjaftojnë për ilustrim fushatat e Barak Obamës: Komunikim e mesazhe direkte, masive e fare pa kosto me një pjesë të madhe të elektoratit. Secili në dhomën a zyrën e vet, kryeministra e politikanë këmbejnë pyetje-përgjigje me të rinj, emigrantë nga gjysma tjetër e globit, fermerë apo hidraulikë, pa lëvizur vendit. 

Le të pranojmë se ky lloj i ri komunikimi mund të ketë trembur botën e gazetarisë tradicionale, dhe në perëndim kjo “trembje” ka ndodhur prej vitesh tashmë: Mos po e mënjanon teknologjia e re, rolin e ndërmjetësit mes publikut dhe pushtetit; të analizuesit (teorikisht) të kualifikuar që është gazetari, i cili del jashtë loje me këtë “qark të shkurtër”? Mediat ndërkombëtare e kanë gjetur një përgjigje, jo pak të suksesshme, duke u përshtatur kush të mundë me kushtet e reja. Por në kushtet dhe nivelin e demokracisë që ka shoqëria shqiptare, edhe nëse kjo çështje është hapur tashmë, problemi është tjetër. 

Bathët, pra, tregojnë se do të kemi një fushatë shumë elektronike. Tanimë, edhe akuzat venë e vijnë nga faqet e internetit, emailet, ose tek e fundit, nga ekranet e televizioneve, ku me një skenë në sfond dhe një foltore përpara, përfaqësuesit e zëdhënësit e palëve lexojnë një fletë të printuar. Në fakt, edhe teksti i rradhës ka dalë më parë në internet sesa në lajmet televizive. Akoma dhe kur dalin në terren, në “ajër të pastër”, kryeministri ka në sfond në pikturë rrugësh të reja dhe ullishtat, ndërsa kryetari i opozitës apo të tjerë kryetarë partish, copa kompesatash ku kanë shkruar sloganet përkatëse. Dhe kjo aromë high-tech që kutërbon nga të gjitha anët, krijon një iluzion progresi e përparimi që për fat të keq, përballë ka një realitet aspak teknologjik. 

Është një realitet me administratë që po i vonohen rrogat, me fshatin në skamje, me makina të mbushura dingaz me hashash që lëshohen nga Lazarati si raketa duke e marrë zvarrë policinë, me fshatra e qytete në mungesë dritash, me vetëvrasje nga dëshpërimi për drejtësinë e munguar, me çmime të rritura në tregje, monumente kulture dita-ditës edhe më të shkatërruara, me familje që nxirren në rrugë të madhe edhe atëherë kur prona shkon tek i zoti. Me shqiptarë, burra e gra, që përtej qendrave të qyteteve kryesore, janë akoma vite dritë larg kësaj fasade dixhitale prej bajtësh, fibrash optike e antenash. Paçka se mund të kenë celularë në dorë, zilet e të cilëve kryeministrit i duken si cicërima zogjsh. 

Është ky realitet, që tradhton një distancë në rritje mes njerëzve të pushtetshëm të këtij vendi dhe shumicës dërrmuese, që presin e shpresojnë të qeverisen me drejtësi e prosperitet, por që dëgjojnë vetëm shifra me shumë zero që disa kryetarë ua vërvisin kryetarëve të tjerë si akuza korrupsioni. Kjo distancë nuk mund të shuhet përmes twitterit dhe facebookut dhe as nga ekrani i televizorit. Përkundrazi, ajo bëhet edhe më e madhe, pikërisht për shkak të afërsisë iluzore që të sjell komunikimi virtual me kryetarët. 

7 Komente

Aroma.... nuk kuterbon! Ndryshe nuk e ka emrin arome.

kisha kohe qe nuk lexoja ndonje gje te bukur ne shtypin shqiptar!

Une jam kurioz te di nese autori i ketij artikulli per kete qe ka shkruar eshte paguar apo jo? Ne kuptimin eshte gazetar me rroge i revistes KLAN? Paguhet ne baze te artikujve, ne baze te sa germa ka artikulli? Paguhet ne baze te sa lexime, vizita ka artikulli ketu ku supozoj te jete publikuar fillimisht? Apo funksionon qe dikush per tu publikuar apo ku di une per prezence thjesht shkruan per revista gazeta te ndryshme dhe dergon artikujt neper redaksi?

Nuk eshte pyetje specifike per autorin po ne pergjithesi... di ndonjeri si funksionon?

E kishe pyetje te pergjithshme "Si paguhen kontributoret e mediave shqiptare?" apo...? Nese po, c'lidhje ka me kete artikull, dmth pse e bere pikerisht ketu dhe s'e hape si pyetje/teme me vete? smiley

Dakort, po pertoja te shkruaja sa i dobet me duket artikulli.

Sepse te thoja thjesht "shume dobet" do komentoje serish ti (apo dikush tjeter) duke thene "po pse eshte i dobet?" pasi per te thene se sa i dobet eshte si artikull do me duhej te shkruaja shume dhe te linkoja ne shume artikuj te tjere qe vertetojne se sa i dobet eshte si artikull...

Ndaj u limitova duke komentuar pikerisht ketu per te lene te kuptohej qe mendoja se ishte artikull i dobet, por, nderkohe jam vertet kurioz dhe per menyren e pageses se gazetareve ne pergjithesi.

Ps: Dua te ve ne dukje dhe qe nuk ja kam dhene une ate voten 1 artikullit, rrallehere votoj artikujt. smiley

Jo i nderuar, do ishte me i nderuar po te ishe shprehur direkt, me apo pa shpjegime, sesa t'i bie kshu nga unaza e re.

Opinionet natyrisht s'jane te ndaluara, xhanem as renia nga unaza e re. Une vertet kujtova se kishte pak shanse qe mund ta kishe pyetjen seriozisht per dicka pa lidhje me kete artikull, ndryshe nuk do i isha pergjigjur komentit tend unazeereist. smiley

Bukur, artikull me vend,  eshte e vertete se realiteti eshte i hidhur, sado ta zbukurojne nepermjet faqeve te tyre. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).