(Dhe Cezarit çfarë i përket atij. Shkrim për disa përzierje të punërave të fesë ndër shqiptarët sot)

Gjatë gjithë dekadës së fundit kemi mundur të shohim gati në krejt hapësirën shqiptare lehtësinë me të cilën diskutohet për fenë. Në këtë diskutim përfshihet gjithkushi, si të ishte diskutimi një pishinë publike, në katër cepat e së cilës hidhen zhurmshëm kalamaj parashkollorë; (jo se dijnë të notojnë, por zbatojnë parimin e vjetër që thotë “pa u futur në ujë, nuk e mëson notin”…);(…plus që edhe pishina e diskutimit është vetë e cekët, e ta lejon amatorizmin, e në këtë mënyrë edhe protagonizmin). Të gjithë mund të bëjnë si kampionë oqeanikë në këtë terren ujëpak, dhe bile, meqë nuk është rënë ende dakord as për termat e garës, të katër anët e diskutimit janë edhe cak edhe fillim edhe fund edhe mes i tij… Fajin për këtë tollovi për së pari e ka dobësia e mirënjohur e hoxhallarëve dhe priftërinjtve tanë, të cilët vetë nuk po i thellojnë përmasat e diskutimit dhe nuk po caktojnë qartas dhe dukshëm limitet.

Në përgjithësi, në diskutimet publike të dekadës së fundit, jofetarët që kanë patur monopolin e këtij diskutimi, haptas kanë guxuar të identifikojnë të keqen e kombit me fenë. Përjashto nga jofetarët vetëm ateistët e ndershëm fondamentalistë, (të cilët në esencë nuk pajtohen me aspektin joracional të fesë), pjesa tjetër e tyre nuk pajtohet me aspektin jonacional që kanë esencialisht besimet fetare. Kjo sipas tyre na pengon unitetin, së këndejmi edhe prosperitetin. Kështu, meqë projekti “feja e shqiptarit është shqiptaria” përveçse si metaforë patriotike e një konteksti të caktuar historik nuk pati fatin të marrë formën e ndonjë sinkretizmi të vërtetë religjioz, atëherë jofetarët kanë rendur të zgjedhin në mënyrë kriminale njërën prej feve, në kurriz të tjetrës, si përfaqësuese të përbashkët të projekteve nacionale. Të mos i largohemi idesë që thashë më lart, se ata vërtet kanë identifikuar, një palë Islamin e një palë krishterimin, me të keqen e kombit. Ata që thanë se muslimanët kanë fenë e pushtuesit, apo se ekzistenca e tyre na ndan nga Evropa dhe zhvillimi, a nuk ia kanë arritur me sukses ta portretizojnë Islamin si të keq për shqiptarët? Ata që kanë mbështetur se shqiptarët janë bërë muslimanë duke shpëtuar shqiptarinë nga krishterimi që ua rrezikonte, a nuk kanë fyer vallë kështu fenë e të krishterëve shqiptarë, (që kanë mbetur të krishterë e shqiptarë edhe sot e kësaj dite)? Në këtë diskutim jofetar mbi fetë, argumenti shterues pse Islami “është i mirë” për ne, qëndron në faktin se ai na mundësoi të mbetemi shqiptarë në një det ortodoks sllavo-grek, kurse argumenti paralel pse krishterimi për ne “është i mirë” lidhet me faktin se kjo është feja e Perëndimit të fuqishëm dhe të qytetëruar. Misionarët e parë të krishtërimit ndër shqiptarët, sigurisht përmendnin Perëndinë dhe jo Perëndimin, ashtu si edhe imamët e dervishët që thërrisnin popullin në Islam, kur flitnin për parajsën, nuk kishin ndërmend ndonjë utopi tokësore nacionaliste të Shqipërisë së Madhe… Ama sot, zëdhënësit e palinçensuar të të dyja feve i kanë tokëzuar e privatizuar qëllimet e shenjta. Të grumbulluar një palë rreth diskursit pseudofetar të integritetit kombëtar, e pala tjetër rreth një tjetri (diskurs pseudofetar po aq bosh) të integrimit ndërkombëtar, tentojnë të zyrtarizojnë midis shoqërisë tonë monumente monstruoze të fesë së politizuar e instrumentalizuar, të ngritura më dukshëm se minaret dhe këmbanoret. Personazhe të tillë janë vetë tashmë priftahoxhë të feve gjeopolitikisht korrekte, pasi i kanë shmangur nga loja besimtarët apo njerëzit e fesë me ca marifete futbollistike mbi terrenet tepër delikate të religjiozes, ku si minimum duhen hequr këpucët me baltë para se të shkelësh. Atyre, besimtarët a njerëzit e fesë u duhen thjeshtë si një element në dekorin e reputacionit, apo më keq, vjen dita e mund t’u duhen edhe si mburoja njerëzore. Territori i besimit, i ndjeshëm ndaj alkimisë së retorikave dhe emocionalizimeve grupuese, ka rezultuar frytdhënës për t’u përdorur prej politikës dhe biznesit. Ashtu si në fshatrat e varfër të Jugut shqiptar, ku përtej kallinjve të misrit maskohet kanabisi, pa u fshehur dot, edhe politikanët e tregtarët kërkojnë të përdorin arat e mbjella të fesë për punët e tyre. Simbolika fetare e gatshme për t’u propozuar si flamur betejash apo si logo produktesh; grupimi fetar i gatshëm për t’u servirur në konflikte si ushtar apo si blerës-konsumator në marketing … Të korrat janë të shumta, por korrësit më të shumtë… Nëse prijësit fetarë nuk flasin haptas për fenë si fe, nëse nuk e dallojnë haptas grigjën e tyre, por bëjnë “hesape elektorale” me numrin e besimtarëve duke e lënë evaziv perimetrin identifikues të xhamisë a kishës, të hapur edhe për ata që nuk e besojnë Zotin, (a thua se Zoti ka nevojë për njerëzit e jo e kundërta), apo nëse u vjen ëmbël kur njerëz a grupe të fuqishme jofetare bëhen artikulues të interesave fetare, atëherë të mos u vijë hidhur nëse nesër e gjitha kjo prodhon përfshirje të paparamenduara në konflikte apo përçarje interesash në shoqëri. Të cilat kaq pak kanë lidhje me fenë. Në kohën kur dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është një proces që megjithëse përpëlitet, ka hyrë në një rrjedhë, është tashmë detyrë e çdo besimtari shqiptar të nisë e të kontribuojë edhe për de-ateizimin e fesë, përzënien me ceremoni të tregtarëve nga tempulli, flakjen tej të gjithë mbishtresave koniukturale interesaxhije jashtëfetare prej ambientit dhe diskursit fetar. Që feja t’i kthehet vërtet Zotit, që të mos tallen më me të, që të mos ta akuzojnë më se është një sajesë narko-politike e kastave të larta, për të përmbajtur nënshtruar të ultat…

Përveç rastit kur debati publik mbi kryesinë e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare u dominua brutalisht nga njerëz jofetarë të traditës joortodokse, duhet thënë se bashkësia dhe feja absolutisht më e abuzuar dhe sulmuar tek ne është ajo e muslimanëve. Është fakt i njohur nga të gjithë, se përherë muslimanët shqiptarë goditen për faje të supozuara të njerëzve të tjerë (psh. për faj të turkut që na pushtoi gjysëmmijëvjeçari më parë, apo për faj të arabëve që hedhin bomba nëpër botë.) Mendimtarë dhe figura të njohura e më pak të njohura, nuk kanë ngurruar të ftojnë shqiptarët haptas të divorcohen me… veten e tyre, të kthejnë fenë dhe gunën nga fryn era, dhe të arrijnë kështu Perëndimin, meqë edhe era për andej frynka. Kanë tallur, stigmatizuar apo përpjekur të fshehin traditën dhe kontributin e muslimanëve shqiptarë, janë shërbyer në retorikën e vet me racizëm, ksenofobi orientaliste e fashiste; dhe e gjitha kjo jo nëpër fletushka të nëndheshme si traktet famëkeqe të Kosovës, jo në site interneti të ndaluara, por krejt haptas e krenarisht në tubime e botime të respektuara… Sipas mendimit tim, sidomos në Shqipëri, kur hapja nënkuptoi edhe hapje të xhamive, retorika demonizuese dhe përjashtuese ndaj Islamit, mëshonte më tepër tek prevencioni përmes sulmit, duke bërë lidhje midis elementëve të parë të rishfaqjes së Islamit në publik, me legjendat e eksperiencës nën turkun, apo me paralelet me terrorizmin ndërkombëtar për të nënvizuar në të gjitha rastet dhunën, obskurantizmin. Sot, pas më se një dekade, kur listën e grupmoshave nëpër xhami gjithnjë e më tepër po e mbizotëron rinia, nuk bëhet më fjalë që retorika islamofobe të jetë e tipit çrrënjosës si në fillim, por ka marrë tashmë karakter krasitës dhe frenues. Po ata mendimtarë që deri dje e shihnin islamizimin e shqiptarëve si një aksident historik, si një gabim për t’u korrigjuar, si një devijancë që i kishte ndodhur popullit tonë gjatë fazës së vet “pubertive”, po të njëjtët mendimtarë i gjen sot duke mbrojtur “islamin tradicional shqiptar” nga tendencat e huaja për radikalizim dhe arabizim. Pa delikatesë, muslimanëve të sotëm shqiptarë u thuhet se për ne, si një popull joreligjoz (!?), pranimi i Islamit ka qenë administrativ dhe strategjik, dhe kështu duhet të mbesë, se prishet tradita. Duke shpikur një “islam shqiptar” ku nënkuptohet kryesisht mungesa e ritualeve të dukshme dhe e aktivizmit shoqëror, kjo krijesë mitologjike i kundërvihet “islamit të arabizuar”, pra shembullit të një pjese të besimtarëve praktikantë, e cila pa shkelur asnjëlloj ligji të shtetit apo të fesë, pëlqen një stil “alternativ” jetese në sjellje, veshje, ushqim, argëtim etj. Stil i cili në fakt është jo thjesht më afër traditës shqiptare, por në shumicën e rasteve, është mbase i vetmi shembull i gjallë i kësaj tradite. Duke na trembur me “arabizimin e Islamit” i cili do na bëjë si Lindja e Mesme, mbështetësit jofetarë të “tradicionalizmit islam” na ofrojnë si shembull të “islamit vendas” disa dëshmi udhëtarësh qeflinj evropianë të shekullit të XIX, ku përshkruhen veshje ekzotike shqiptarësh të çuditshëm që shkojnë edhe në kishë edhe në xhami… (Ato kohë në fakt ka patur edhe literaturë që tregonte se shqiptarët përveç vijës së zezë “etnografike” mbi tirqe apo xhedikët e leshtë, kishin edhe nga një bisht të gjatë si majmuni pas vetes.) “Tradicionalistëve islamikë” u duhen këto lloj dëshmish për jostabilitet fetar te shqiptarët, për mungesë të dogmës dhe përditshmërisë fetare tek ta etj. Atyre nuk u mjaftojnë dëshmitë e parreshtura nëpër shekuj që tregojnë se përherë shqiptarët muslimanë kanë thirrur ezan e kanë mbajtur ramazan, se gratë kanë mbuluar flokët, dhe të përkushtuarit kanë rritur mjekërr, se kanë kënduar Kur’an arabisht e kanë lexuar vjersha persisht… Por edhe nëse do të binim dakord me vizionin e tyre të “islamit shqiptar”, prapë ata, në mënyrë krejt të pashpjegueshme i dashkan muslimanët shqiptarë muzealë, të pandryshueshëm. Në kohën e sotme, kur asnjë grupim apo bashkësi jo vetëm shqiptare, nuk mund të thotë se është e njëjtë jo më me një shekull më parë, por as me një dekadë, “konservatorët” tanë i duan muslimanët shqiptarë të vaksinuar ndaj çdo lëvizjeje të natyrshme apo rileximi në fenë islame, siç ka ndodhur historikisht në këtë fe.
Por, megjithë shfaqjen e “tradicionalistëve” në horizontin e kritikëve ndaj “problemit islamik”, veç “çrrënjosësve” të kurdondodhur që ende flenë me platforma rikonvertimesh masive, një lloj tjetër i ri islamofobie po mund të vërehet. Nëse “tradicionalistët” pranojnë gjithsesi një lloj Islami shqiptar të së shkuarës, vetëm të përshkruar por jo të dokumentuar (si një lloj Atlantide), nëse kemi ende edhe radikalët “çrrënjosës” që përmendin me zë të lartë Rekonkuistën, një rrymë tjetër “riformatuese”, (jo reformuese) po kërkon një “islam evropian” të së ardhmes. Vini re! Nuk është projekti gjithsesi-ortodoks i Tarik Ramadanit, nuk janë vizionet natyralizuese të diplomatit Murad Hofman, apo të eruditit Timothy (Abdal-Hakim) Winter a të tjerëve mendimtarë muslimanë, përmbi normalitetin e të jetuarit si musliman evropian. Janë tentativa nga jashtë Islamit, për të parë probleme brenda trupit të fesë dhe për t’i ndrequr ato për shkaqe politiko-ekonomike, të pagëzuara si shkaqe “evropiane”. Se ndryshe ç’siklet do t’i shtyjë njerëz me plot punë të tjera t’i hyjnë, (pa formimin dhe përkushtimin e duhur) profesionit të reformatorit fetar…

Në formën e një parathënie, ky projekt u duk sipas meje për herë të parë tek ne në një debat për çështje të Islamit të shqiptarëve, organizuar nga televizioni “Klan”, ku intelektuali dhe politikani i njohur Arbër Xhaferri shpjegoi se tashmë pas “evropianizimit të krishtërimit” rradha po i vinte edhe Islamit të evropianizohet në Kontinentin e Vjetër. (E keqja dhe e pavolitshmja si përherë janë lindore; kështu kishin qenë edhe në krishterim deri sa ky erdhi në Evropë.) Sipas z. Xhaferri, e kaluara paraglobaliste, ofronte peisazhin idilik e atdhetar të hoxhës e priftit nga fshati, kurse sot ky peisazh po kompromentohej nga të shkolluarit në vendet arabe, vende këto të prapambetura dhe politikisht anakronike. Këtë anakronizëm politik (ribashkimin e kishës me shtetin) kërkojnë ta fusin tek ne bashkë me fenë, të shkolluarit e Arabisë. Këtu tek rreziku i “arabizimit” të politikës (jo të Islamit pra; të paktën ta thonë kështu dhe ta lënë fenë rehat), puqet shqetësimi i tre shkollave, pra edhe “tradicionalistëve”, edhe “çrrënjosësve” edhe “euroislamikëve”. (Ashtu si kam patur rastin ta bëj edhe herë të tjera, do sugjeroja që feja të shihej me koherencën e vet, me paradigmën dhe me termat e qëllimet e saj si një tërësi dhe të mos copëzohet në detaje që hetohen me optika politizuese, sepse mu këto e nxisin profilizimin politik të fesë.)

Duke e parë ndërgjegjen njerëzore si të ndërtuar mbi dy elementë (dualizmi i vjetër, bardhezija e famshme), intelektuali Xhaferri në mënyrë shumë anatomike, u përfshi dashur pa dashur në frymën e “përplasjes së qytetërimeve”. Sipas leximit të tij këta dy elementë që flenë ndër ne të gjithë, qenkan elementi “protofashist” (asnjëherë nuk e di njeriu i shkretë sa të zeza mbaka në bark…) si edhe elementi i dashurisë. I pari neve na jep impulset e dhunës dhe të komandimin, shtetformimit etj, kurse i dyti nuk do fort koment. Në këtë raport manikeist engjëll/djall, eros/thanatos, jin/jang, lindje/perëndim, Xhaferri tha se në krishterim ka fituar dukshëm dashuria dhe pastaj çuditërisht nuk përmendi si qëndron kjo punë me Islamin, për të cilin zhvillohej edhe emisioni. Heshtja e tij, pasi kishte përmendur më parë botën arabe ku feja (dashuria) nuk është ndarë ende bindshëm nga shteti (protofashizmi), nënkuptoi për fenë tjetër një përkufizim ose me më pak dashuri dhe më shumë “proto…”, ose (duke e shfajësuar) një raport barazie midis këtyre dy elementëve. (Por pjesën tjetër të heshtjes e mbushte dijenia se në shtypin botëror prej kohësh lundrojnë bollshëm termat “fashizëm jeshil”, “islamofashizëm” për të përkufizuar ca trende të sotme të muslimanëve.) Fatmirësisht, niveli i të shprehurit të zotit Xaferri, ishte vërtet tepër i lartë, dhe shpresoj se shumica e shikuesve të emisionit të shumëndjekur “Opinion”, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë nuk e kanë marrë dot proto-mesazhin e tij. Dhe prapë fatmirësisht, ata që munden ta zbërthejnë elokuencën intelektuale të z.Xhaferri, janë njerëz që nuk ndikohen aq lehtë.

Vështrime që shohin tek Islami si fe pamundësi dhe papajtueshmëri dhe nevojë për kirrurgji, vështrime që duan të përmbledhin në trupin e fesë jo vetëm shkrimet e shenjta dhe shembullin profetik, por edhe kronikën e zezë të gazetave, vështrime që e gjykojnë Islamin jo nën dritat e hershme të Mekës e Medinës por nën zjarret e New Yorkut e Tel Avivit, vështrimet që duan t’i shohin të këqijat dhe teprimet e personave apo grupeve të caktuara si burimore nga Islami, vështrime të tilla sot është rënë dakord në të katër anët e botës të quhen islamofobi. Askush në fakt nuk mund të pengohet që të kultivojë në kraharorin e vet bistakët e protofashizmit, antisemitizmit, islamofobisë, islamofashizmit etj.etj, por nën dritën e diellit, e sidomos nën atë të skenës lipset demonstruar një minimum hipokrizie postmoderne pranimi dhe respekti për tjetrin, si nevojë për të vijuar bashkëjetesën nëpër shoqëri pluraliste. Nëse edhe ky minimum, i domosdoshëm si tharmi, do të mungojë, uji dhe mielli do të shkapërdahen dhe buka e përditshme e bashkëjetesës nuk do të mbruhet më. Por, edhe ky është një opcion mbase…

Sigurisht, çdokush ka lirinë e vet dhe copyright-in e vet për termat dhe projektet e veta. Por të gjithë ata që diskutojnë për fenë, tek e fundit duhet ta dijnë se xhamitë edhe kishat kanë edhe dyer, përveç dritareve nga ku njerëz të ndryshëm, pa i gjykuar në sinqeritetin e qëllimit, kërkojnë të hyjnë dhe të bëjnë rregullime. Siç shkrova edhe më sipër, është detyrë e të gjithëve të insistojnë që fesë t’i mjaftojnë institucionet dhe njerëzit e vet, dhe personat jofetarë, nëse munden, le të provojnë mënyra të tjera (ligjore psh) për t’i kodifikuar idetë apo vizionet e veta mbi fetë, gjithë duke respektuar shenjtërinë që përjetojnë besimtarët për to.

Shkrim i mehershem marre nga "Republick of Albbanania"

10 Komente

Te pakten kane ngele akoma njerez qe diskutimit publik i thone diskutim publik dhe jo diskurs publik

"diskurs" e perdor dhe ky shoku islamik .por "diskurs" nuk eshte si koncept i njete me "diskutim".

Feja dhe kombi argumenti . pastaj gjuha shkon tek dhembi islamofobise.

Ca esh ky taliban mre??? Kush e le te shkruaj ket?? 

);(

that's one slanted labia minora

qeke i smur bre...me tu nref nga nje kllape....lool
ty te dilka.shpirti ne plazh bre

 Fajin për këtë tollovi për së pari e ka dobësia e mirënjohur e hoxhallarëve dhe priftërinjtve tanë,...
ja mo e ka gjetur qe ne rreshtat e pare . Po pse te mos beje si Nastradini   eshte qe eshte pse te mos shkruaj dhe ca smiley Ne fund te fundit edhe Nastradini vete , Hoxhe e nderuar ishte .

Ktheu Hoxh efendi se Lopa erdhi ne shtepi .....

Jam qe jam ....tha Ervini ...pse te mos bej dhe ca hapa per ta kerkuar smiley

dhe se fundi vet e ka thene ....Vështrime që shohin tek Islami si fe pamundësi dhe papajtueshmëri dhe nevojë për kirrurgji,.etj etj.. te bejne ti rikujtosh z.Hatibi se " rri i qete nuk e ka njeri mendjen tek Islami por per te siguruar buken e gojes "

Sa pene e embel eshte Hatibi , ky ne te shpeshten e rasteve kur shkruan POEZI !!!!Ja urojme qe ta perfeksionoje ne majat me te Larta sepse ka BUKE !...dhe te mos bjere viktime e pragjykimit se ...nga Lirik do kalosh ne Dramaturg dhe nga Dramaturg ne Filosof ose dogmatik Fesh ! Eshte Koha qe njerzit mendojne te ndertojne jeten ne Mars .... Ke Fe do perfaqesojne atje ????????? Per poezi te jesh i bindur se ne mos Pemeve  e zogjve ne Toke  , Zanave ne Mriza e Shtojzovalleve ne Bjeshke smiley ....do gjenden fjale edhe per Serat ....

Hatibi e shikon boten si nderthurje te besimeve, ku ca ideologe ateiste perzihen per interesa krejt te tjera.Ndersa bota eshte e interesave, ku me te fuqishmit bejne edhe ideologet fetare edhe primatet e religjoneve.Ne Shqiperine e vogel, historia ka bere qe religjonet te bashkejetojne per te mbijetuar kombi.
Kjo ka krijuar nje vlere shoqerore, duke dobesuar, apo lene ne hije disi... vlera te besimit.E sotmja ne bite po i shpie njerezit, te rinjte jo me tek besimi ne fene me cilesore, por tek ...Feja e vetvehtes.Ky eshte nje proces historik, pasoje e nje shoqerie qe eci krejt ne kundershtim me projektin e Krijuesit.Ka fituar projekti i djallit

Meqe jemi tek puna e fese .a ka ndonje qe tia shpjegoje Rramos andej nga kosova se feja osht e ndame nga shteti.Apo edhe ai si vellaznit kendej qe mendon se kushtetuta osht nje cop letre me fshi te mbrapmen.

 

Kryetari i AAK-së, përveç tjerash, u shpreh se në të ardhmen e afërt, nëse ai merr drejtimin e qeverisë, “institucionet fetare duhet që të financohen nga buxheti i shtetit”.

Vetem gjysmen lexova, plot me gabime. Cfar IDIOTI mor zot! Kur do zhduket kjo mania e idioteve qe portretizojne nje opinion personal te bazuar vetem ne injorance dhe fodullek si fakt mbi te cilin pastaj ndertohen argumenta? O zot shpeto Shqiperine nga keta idiote.

Ervin, per nje cast (nje perjetesi)

jepja Zotit shpirtin tend-pafundesi

dhe shkruaj per kete shqiptari, letersi

lirika nga ato qe di vetem ti.

E kur Zoti serish te ta ktheje

shpirti yt do te mbetet po ai:

Infinit minus një poezi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).