Ndryshimi politik i 1991-it prej shumëkujt përshkruhet si 'ardhja e demokracisë', por perceptimi i përmirësimeve në vend është i vogël, dhe akoma më i vogël është ndikimi i shqiptarëve në mënyrën sesi qeveriset vendi. Çfarë pra kuptojnë ata me demokraci?

Shqipëria është një vend ku meshkujt vërdallisen nëpër qoshet e rrugëve, madje edhe në palcën e të ftohtit të dimrit. Ata mund t’i shohësh në qytezat e vogla, në Tiranë, në sheshet e qyteteve, nëpër kryqëzime e kudo gjetkë, nëpër kafenetë e panumërta. Duket sikur vendi është përplot me to. Edhe hotelet kanë kafene; kësi lokalesh i has kudo nëpër rrugë, të frekuentuara gati ekskluzivisht nga burrat dhe përgjatë gjithë ditës. 

Gjatë ditëve të mia të para në atdheun e tyre, unë çuditesha sesi mbijetonin në biznes kaq shumë lokale shqiptare të të njëjtit profil, por ato dukeshin plot me klientë shumicën e kohës; meshkuj të përkulur mbi filxhanin e kafesë, gotën e rakisë e pijeve të tjera, teksa digjnin jetët e tyre me tymin e cigares. Rrallë e tek sheh femra nëpër kafene apo duke u sjellë rrugëve, me përjashtim të pak lypëseve. Edhe burrat lypin, ose shesin karta celulari dhe çikërrima të tjera, edhe në këtë rast më të shumtë se femrat. Gratë punojnë në shtëpi, nëpër zyra dhe biznese të vogla; i gjen gjithashtu duke blerë a shitur nëpër tregje. Fëmijë nuk të zë syri shumë, edhe pse këndet e lojrave janë aty. 

Përveç kafeneve, vendi gëlon nga pikat e këmbimit valutor, që jo rrallë i gjen edhe çdo 50 metra larg njëra-tjetrës. I pikas kollaj dhe kësisoj, këmbimi i parave nuk është aspak problem, një tregues i qartë ky i një shoqërie që ende varet në masë të madhe nga emigracioni. Sepse numri i kufizuar i turistëve të huaj nuk e justifikon dot praninë kaq të madhe të kambistëve. Ka gjithashtu me mijëra filiale bankash, degë të pafundme të një numri jo të vogël bankash europiane e të tjera, të cilat kanë instaluar një shumicë të dukshme bankomatesh. Duke çuar në mendje katastrofën e firmave piramidale në fund të viteve 90-të, dikush mund të pyesë veten se sa leverdi dhe ç’volum pune kanë këto banka. Gjasat janë që shqiptari mesatar me fitime pak mbi modesten, t’i shpenzojë të ardhurat e veta për të jetuar, t’i investojë diku (me gjënë e gjallë në fshat apo ndonjë shtëpi në qytet) apo t’i mbajë poshtë dyshekut. Tingëllon një zgjedhje e mençur, pas atyre që kanë hequr. Por ndërkaq harroj edhe numrin po kaq të madh të lokaleve të bixhozit apo basteve sportive që kam hasur, të llojeve të larmishme: Nga cepat e vegjël të rrugëve dytësore, tek hapësirat “luksoze” të kumarit, që afrojnë më shumë me kazinotë. Hoqa dorë nga ushqimi në një restorant, kur pashë se pranë tavolinave ishin vendosur edhe makina elektronike. 

Në rradhën e mjediseve që frekuentohen më shumë janë supermarketet, të vogla apo më të mëdha, mes të cilave fiksova të quajturin Euromax, apo Conad-in italian. Më thanë edhe për një Carrefour në periferi të Tiranës, por ende nuk kam shkuar. Sa për vendasit, ata më vënë në dukje praninë po kaq të shpeshtë të farmacive; por unë pikasa edhe disa librari apo kafe-librari, një dukuri kjo që në shumë vende të tjera është goxha më e rrallë. Është diçka e këndshme të shohësh kaq shumë rafte me libra, ku qartësisht mbizotërues janë autorët e mëdhenj botërorë. Duke qenë se shqipja ime është zero, nuk munda ta shtjelloj më gjatë se çfarë lexojnë aktualisht shqiptarët. 

Kinezët këtu kanë mbërritur me kohë. Eca përgjatë një rruge të ngjeshur me dyqane që shisnin zbukurime të Krishtlindjeve edhe mallra të tjera të lira, si lule e lodra plastike, veshje burrash, grash e fëmijësh por edhe pajisje elektronike e orendi kuzhine. Të gjitha prodhim kinez, në dyqane të zotëruara nga kinezë. Në një zonë tjetër të Tiranës pashë se të njëjtat prodhime shiteshin nga shqiptarët. 

Nëse në ndonjë vend tjetër të Ballkanit varfëria nuk është kaq e dukshme, në Shqipëri ajo të përplaset në fytyrë. Dhe nuk është dhe aq tek blloqet e apartamenteve pak e shumë të lodhura nga epoka e mëparshme socialiste, shumë prej të cilave janë rilyer me bojra për t’u dukur më pak të trishta. Aq më pak është tek disa rrugë të gjera me ndërtesa moderne xham e çelik, plot me zyra, dyqane, markete e apartamente banimi që tash kanë mbirë gjithandej. Fukarallëku duket tek fakti që kudo, njerëzit në grupe të vogla apo më të mëdha, shesin prodhimet e bahçes së tyre, bimë aromatike, mallra të përdorura, kryesisht veshje; apo tek gratë që të ulura në qoshe rrugësh, shesin çorape e sende të tjera të punuara me dorë. Nëse keni patur ndonjë dyshim se ku shkojnë gjithë ato mallra që ne ua dhurojmë qendrave të bamirësisë apo organizatave të tjera, ato do t’i gjeni në masë të madhe këtu, tek shiten nëpër rrugë, por edhe në dyqane, disa syresh të renditura bukur dhe me shije, pasi janë larë. Pata përshtypjen se në shumë pjesë të Tiranës dhe qyteteve të tjera që vizitova, edhe dyqanet “serioze” më shumë shisnin mallra të dorës së dytë sesa rroba të reja. Pranë tregjeve të zë syri rradhë burrash të ulur mbi kuti apo arka, që ekspozojnë ato pak perime e fruta, bimë të thara mjekësore e shumëçka tjetër. Po ashtu atmosfera e përgjithshme bie era varfëri, me përshtypjen që ta përforcon mbushja e çdo trotuari apo hapësire të lirë, me njerëz që diçka shesin. 

Prodhim vendas dhe mallrat mikro-artizanale luajnë një rol të rëndësishëm në tregtinë lokale; mjalti, kompostot e turshitë, frutat e thata, djathi dhe lloje të ndryshme verërash etj, gjenden në tregjet e hapëta e dyqane, ku i sjellin prodhuesit e vegjël; vetëm pak syresh kanë etiketë. Dyqanet janë qartazi rajonale, me bulmetet dhe mishrat që reklamojnë origjinën e fshatit apo zonës. 

Edhe pse diku tek 70% e popullsisë thuhet të jetë myslimane (besimi fetar nuk ishte një pyetje e detyrueshme në cencusin e fundit), Krishtlindjet festohen gjerësisht. Por kur i pyes njerëzit, më thonë se të gjitha dekorimet e zbukurimet, pemët e babagjyshat e Krishtlindjeve etj, janë për…Vitin e Ri! Paçka se pemët dekorative janë stolisur me fashat e gjera ku lexohet “Gëzuar Krishtlindjet” dhe kanë topat e zakonshëm shumëngjyrësh e dritat e rastit. I sheh kudo: Në dyqane, hotele, në sheshet e qyteteve e fshatrave. Të ndriçuara gjatë gjithë natës, të bien në sy dekorimet e bulevardit qëndror të Tiranës, me disa dekoracione abstrakte të stilit Krishtlindas. Sheshi qëndror tani është tërësisht i ndezur gjatë natës, me pemët e vërteta të veshura me shirita dritash dhe një pemë gjigande Krishtindjesh; Pamja të krijon një ndjesi lezeti dhe gëzimi, ndoshta akoma më i nevojshëm për të hequr mendjen nga varfëria. Edhe pse broshurat udhëzuese për Shqipërinë më paralajmëronin për mungesën e energjisë elektrike, ky problem mesa duket nuk ishte kaq i ndjeshëm sa dikur, por sërish kjo varet nga standardet me të cilat mësohesh. 

Disi e vështirë të vlerësosh rolin e fesë. Si një vend dikur zyrtarisht ateist, përshtypja e parë është ajo e një populli jo dhe aq fetar, paçka se plot fonde janë shpenzuar për xhami e kisha të mëdha nëpër gjithë territorin- shumica e tyre të reja, sepse të vjetrat janë shkatërruar gjatë regjimit të kaluar. Disa gjëra të bëjnë çudi: Qendra kryesore e veriut, Shkodra, që është edhe vatra kryesore e katolicizmit, ka një xhami masive të sapondërtuar mu në qendër të qytetit (e financuar nga sauditët, thonë). Por nëse objektet fetare të kultit nuk mungojnë, të çdo besimi, sa frekuentohen ato? Nga ajo pak përvojë që mblodha, duket se janë kryer e kryhen shumë martesa të përziera dhe feja nuk ka patur asnjë rol frenues në këtë rast: Unë shpresoj që kjo të jetë pikërisht kështu, duke patur parasysh se ç’dramë ka patur ish Jugosllavia fqinje në këtë lëmë. 

Pejzazhet rurale janë të bukura, sidomos me borën e parë që ka veshur majat e maleve dhe kodrave. Lumenjtë rrjedhin me ngjyrat e gjelbra e të kaltra, pemët kanë ende disa gjethe të vonuara ngjyrë kafe e të verdha, pa harruar pishat me jeshilen e tyre të errët, ndërsa fushat janë të mbuluara me brymën dimërore. Bagëtia e imët gëlon në tufa me tingëllimat e zileve që kthehen nga jehona e maleve, e më pak janë gjedhët. Në zonat e largëta, kuajt e gomerët përdoren ende për transport e udhëtim, me fshatarët që sjellin prodhimet e tyre në qytet. Nëpër gjithë vendin, syri të zë mjaft ndërtime të braktisura e të rrënuara të epokës socialiste, shumica hangarë e stalla të gjata. Disa syresh janë privatizuar dhe përdoren nga fermerët në bizneset e tyre të vogla. Por pjesa tjetër mbeten aty, duke u shkërmoqur dita-ditës dhe të dukshme që larg. Shoh se ca janë ndërtuar me gur të mirë, dhe habitem përse nuk e kanë marrë për të ndërtuar shtëpi të reja. Edhe pse në disa vende të ngjashme i kam hasur edhe më tepër se këtu, këto gërmadha mbeten një kujtim i gjallë i sistemit të vjetër. 

A kanë mall për atë regjim njerëzit sot? Zor ta thuash. Afërmendsh, mënyra sesi flasin disa prej tyre, lë të kuptohet se për disa gjëra nga ai sistem, kanë mall. Është interesante se ndryshimi politik i vitit 1991, prej shumëkujt përshkruhet si “ardhja e demokracisë”, por perceptimi i përmirësimeve në vend është i vogël, dhe akoma më i vogël është ndikimi i shqiptarëve në mënyrën sesi qeveriset vendi. Çfarë kuptojnë shqiptarët me demokraci? Kjo pyetje nuk vlen vetëm për Shqipërinë. 

Unë ja dola të shijoj diellin dhe borën në dy ditë rresht njëra pas tjetrës, duke ecur nëpër gjysmë metri borë për të arritur tek një fshat i largët, pasi makina jonë nuk kishte zinxhirë; dhe ditën tjetër duke parë panoramën totalisht mahnitëse mbi liqenin e Shkodrës, nën diellin e dimrit. Rrugët janë një përzierje e infrastrukturës së vjetër, me ish asfalt të shkalafitur e plot gropa, dhe rrugëve të reja, përfshi dhe autostradat me dy korsi e ndarje betoni, segmente të cilat ende janë në ndërtim aty-këtu. Për vizitorin që e ka sefte, udhëtimi nëpër Shqipëri përfshin kalimin nga njëri ekstrem tek tjetri, ku faktori i paparashikueshmërisë është i lartë. Por progresi që është bërë me ndërtimet, nënkupton që gjërat gradualisht po përmirësohen. 

Për një vend me veç 3 milionë banorë, ekzistojnë katër rrjete telefonie celulare! Çuditem sesi arrijnë të fitojnë, dhe lidere e sektorit është Vodafone. Emrat e tjerë nuk të lënë të kuptosh se ç’origjinë kanë, nëse nuk kërkon shpjegime; rrjeti Eagle mund të jetë vendas, meqë shqiponja është simboli i flamurit. Dhe sidomos në këtë vit 100 vjetori të Pavarësisë së vendit, flamujt i sheh gjithandej. Mbase është një mënyrë paqëtimi e qetësimi i një populli me 100 vjet histori të trazuar shtetërore. Nuk mungojnë as flamujt e BE-së dhe SHBA-së, nëpër ballkone, lokale e rrugë. Supozohet që kjo të reflektojë dëshirën për t’u anëtarësuar në BE, që në fakt nuk po kalon ditë të mirë këto kohë, e megjithatë perceptohet si gjë e mirë nga shumica e njerëzve. Disa fonde para-anëtarësimi po mbërrijnë, shumica e tyre me destinacion përafrimin e prodhimeve bujqësore në standardet europiane. Por rruga përpara është e gjatë… Përse flamuri amerikan gjendet gjithandej, është diçka që nuk ja dola ta kuptoj në këtë udhëtim të shkurtër. 

Përfundimisht, pavarësisht nga fama që ka marrë ky vend për qeverisjen e keqe, korrupsionin dhe trafiqet mafioze, për një vizitor afatshkurtër aspekti më goditës është sesa miqësorë, mikpritës e ndihmues janë njerëzit, dhe sa e këndshme është atmosfera, edhe kur mysafiri nuk nxjerr dot nga goja as fjalët më të thjeshta në shqip. 

* Artikulli origjinal nga OpenDemocracy, perkthyer dhe botuar nga revista "Klan".

* Fotografia ilustruese nga Fatmir Trashani

10 Komente

Edhe po pastaj? Cfare ti komentojme? Meqe ka shkruar njera nje artikull duhet te vij ketu tek peshku qe ta komentojme ne? alla alla me kete pune, si s'hoqem njehere dore nga kto...

… Përse flamuri amerikan gjendet gjithandej, është diçka që nuk ja dola ta kuptoj në këtë udhëtim të shkurtër.

 Kur gazetaruci nuk arrin të kuptojë këtë, çfarë do të mundëte tjetër ky të kuptonte nga bota e këtij vëndi, ku qëndroi disa orë? Nuk arrij të kuptoj kurrë këto monstra megallomane, që ndërsa nuk njohin dot veten e tyre, duan të njohin të tjerët. Është më se i njohur veprimi abuziv i gjetjes të të varfërve si gjah i lehtë.

Petro problemi qendron pse i japim ne rendesi cdo lloj idioti qe i bie rruga andej dhe mbasi te ike i shkon ndermend te shkruaj dhe mbresat... Po pse or me te gjith idiotet qe u bie rruga do merremi ne e do i kthejme ne debat kombetar tani, epo pike e zeze. Para ca kohesh e kthyem ne lajm kombetar udhetimin e dy cunave qe kishin ardh per qejf te beheshin pall me hashash e te kapnin ndonje zocke nga Shqiperia, tek top-show mbaj mend njehere nje aktor medioker  britanik e mbajten mbi nje ore ne interviste aq sa edhe ai filloi te bezdisej jashte mase. Te mos flasim fare per ate manine e keqe qe kishin te gjith analeshet e medias qe cdo shkrim e  fillonin me 'isha me nje mikun tim te huaj dhe tha ai keshtu e tha ai ashtu' a thua ti paska fol mesia, ai perderisa ka qene mik i analesheve shqiptar o ka qene ndonje cope mishi me dy sy o ndonje rrogetar i atyre qarqeve qe nga mbifinancimi i panevojshem e ndjenjne te nevojshme te kene per detyre talljen e menderes me Shqiperine, si psh miq ambasadash, mediash te huaja kryesisht perendimore etj etj. Do heq dore nga kto budallalleqe, jan fukarallek.

Përshëndetje 1oora! A ju kujtohet se sa u mërzitën shqiptarët me atë eksentrikun A.A.Gill, gazetar i "The Sun", kur ai shkroi se shqiptarët janë me puçra...hahaha. Meqë mund të kesh më shumë informacion për zotërinë e tij, di se ku bëhet, kë merr tani nëpër gojë?

Petro, kete fjali qe keni nenvizuar, nuk e shoh ketu. Flitet per flamurin e BE/EU dhe te USA-s, por jo ne kete forme.  Shkrimi i autorit/res mu duk i sinqerte dhe dukej qe po shkelte per her te pare ne vendin tone.  Perplasja e varferise ne fytyre, nuk eshte se i ndodh vetem te huajve, kjo i ndodh edhe emigranteve kur vizitojne Shqiperine. Fatkeqesisht, vendi yne eshte nder me te varferit ne Europe. 

Pjer lexo edhe postimin tim po nuk e pate bezdismiley se kush perserit veten kot.smiley

1oora, komentin tend e lexova me kohe, para se te shkruaj komentin tim. E kam zakon qe e filloj leximin nga titulli e deri tek komenti i fundit. Disa komente i kaloj shpejt, kur e shoh qe nuk kane brume. 

Epo ketu paske hequr goxha, me gjith kto komente yhyy..smiley

 I dashur Pjer,

 Korsivi im i shkëputur ka pozicionin e paragrafit 6, nga fundi. Këtë zgjedhje e kam bërë për të kuptuar lexuesi se sa idiot është gazetari që edhe nuk di se pse ne shqiptarët e mbajmë dhe e ekspozojmë dëndur flamurin amerikan, dhe ndërkohë merr përsipër shkrimin e një opinioni për këtë vend. Nuk besoj se ka shqiptar që nuk e di shkakun. Janë 40 arsyet. A do kish pavarsi të shqiptarve të Kosovës pa SHBA-në, është njëra prej tyre?

për një vizitor afatshkurtër 

Te kishte nejt icik ma gjat - do kishim lexuar nje analize me te thelle te sojit tjeter smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).