I kisha rezistuar Facebook-ut, deri dje.

 

Një ditë në Facebook

I kisha rezistuar Facebook-ut, deri dje.

Kur botova librin "Më kujtohet", nipi, djali motrës, më tha : Daja (më pëlqen kur më thërret daja, daje, më duket pak katunarshe), daja, duhet të krijosh një faqe facebook, sot të gjithë janë në Facebook. Bëje, i thashë. Dhe zogu i vogël e bëri. Nuk kisha vënë asnjëherë këmbët në Facebook. Por, para tre ditësh, nipi më thotë : Daja, disa nga miqtë e tu të kanë shkruar. Unë nuk mund t'i përgjigjem, se nuk i njoh.

Kështu u detyrova që të hyj në Facebook e të krijoj një faqe personale. Për t’i kthyer përgjigje miqve të mi për të mos e marrë heshtjen time si mendjemadhësi. Aq më tepër që nuk e meritonin.

Megjithatë, para se të hyj pyeta se si përdoret. Më dhanë disa udhëzime elementare. Arrita të shkruaj emrin, të vendos fotografinë, madje dhe një sfond…

Veç kur filluan që të shfaqen emra të njohur e të panjohur. Të gjithë quheshin miq. Ose miqtë e miqve. Miku i mikut tim është miku im. Për ato që i njihja, shtypa butonin ku shkruhej shtoje. Nuk vonojë dhe zbarkuan miqtë e sugjeruar nga miqtë. Pastaj ato ku thuhej se filani kërkon të bëhet mik. Si mund të mos e pranoje dikë që kërkonte të bëhej mik me ty ? E shtypja butonin me sy mbyllur. Njohur, panjohur. Në një mesazh të ardhur nga një emër me tingëllim të huaj (më vonë e kuptova se kishte qene emër shqiptar, por i oksidentalizuar si p.sh : nga Nikollë Bardhi kthyer në Nicolas Leblanc), që më shkruante i lumtur në shqip : "Po ti si më gjete !!!" Në fakt, nuk kisha kërkuar asnjeri me atë emër. Vetëm kisha shtypur butonin pranoje.

Si banor i ri, pati nga ata që më pritën me formula mikpritëse : Mirëseardhe mes nesh ! Gëzohem që erdhe !, etj., etj. S’ kishte asgjë të keqe edhe pse unë doja që të isha sa më i rezervuar. Shkurt, të mos bija fare në sy. Por kjo nuk ishte asgjë ! Çfarë të shof !? para të gjithëve afishohej : Filani u bë mik me filanen ; fisteku ka ndryshuar fotografinë ; filan fisteku ka shtypur butonin « më pëlqen » për fotografinë e X-it ; ypsiloni i ka lënë një koment zetës….

Me aq sa pashë, nuk do të vonojë që në facebook të afishohet edhe kur pjerdh filani, e të gjithë miqtë t’i ndjejnë erën (një shtëllungë që del nga poshtë ekranit).

Kur po mendoja se duhet të largohesha, në majë të këmbëve pa bërë zhurmë, shoh të shkruar : « Cili jeni ju ? sepse nuk ju njoh. » Cili jeni ju ?!!! Këtë pyetje nuk ia kisha bërë kurrë vetes. Pyetja më e vështirë. Si t’i përgjigjesha, kur as unë vetë nuk e dija se kush isha. Isha ai që mendoja se isha ? Ai që ëndërroja të isha ? Ai që doja të dukesha para të tjerëve ? Apo ai që të tjerët mendonin se isha ? I thashe se e kisha të pamundur që t’i përgjigjesha në atë kuadrat të vogël poshtë ekranit, por nuk e merrja për keq po të më hiqte nga lista e miqve të saj. Mu përgjegj se ishte Filania që ia kishte sugjeruar emrin tim si mik. I urova natën e mirë, dhe fika kompjuterin (ka shenja që tregojnë se kur je në linje e kur jo. (!)

Unë e kisha gjetur strehën time. Në blog-un tim : http://bllokshenimesh.unblog.fr/ që nuk ishte tjetër veçse vazhdimi i ditareve të dikurshëm. Me anë të tij komunikoja, më saktë, me anë të tij shprehem. Me ata që e njohin blog-un apo me ata që u bie rruga rastësisht. Blog-u ka një të mirë : ti nuk e di se kush e lexon. Me përjashtim të atyre që të lenë një shënim. Është si një shishe e hedhur në det (në rrjet). Askush tjetër nuk të shqetëson me : filani ka ndryshuar fotografinë, fisteku e dymbëdhjetë të tjerë u bënë miq.

(E çuditshme! Po më ngjan vetia si ata që sapo janë ndarë, dhe kur i jepet rasti vazhdojnë e t'i flasin së dashurës së re për ish të dashurën. Kur e reja nuk ka frikë nga vetmia, me ta kuptuar që lidhja e vjetër akoma nuk është këputur, ikën e çan ferrën. Po të qëllojë se është e duruar (ku të shkojë? ku të mbytet me atë surrat që ka?), bën sikur nuk kupton. Ia lë kohës. )

A do të vazhdoj të komunikoj në Facebbok? Apo do të vazhdoj vetëm me blogu-n tim që i ngjan më tepër një faqeje libri?

Facebook-u kishte një të mirë : merr vesh që miq e shokë që ke vite e vite pa i parë, janë akoma gjallë. Pa harruar komentin e një mikeshe që kishte lënë këtë natë poshtë fotografisë sime ! Aq u desh, për ta filluar ditën mbarë. Po të vazhdojë kështu, ka shumë mundësi që të mos shkëputem (ndoshta kjo dobësi e njeriut e bën Facebook-un aq popullor).

Disa aktorë të Teatrit Popullor, siç quhej në atë kohë, kanë qenë të pasionuar pas gjuetisë së peshkut. Më i fantaksuri – Kadri Roshi. Një ditë, Prokop Mima, që deri më parë tallej me pasionin e tyre, kërkon një ditë që të shkojë bashkë me ato për peshk. Për të provuar, për kuriozitet.

Të gjithë kanë hedhur grepat. Qetësi. Kur, një çast, dëgjohet ulërima e Prokopit : E zura !!! E zurra !!!

-Eeeeeeee, taniii e hëngree, Prokop…

E që nga ajo ditë e deri sa vdiq, Prokopi ju shtua rradhës së peshkaxhinjve.

(Treguar nga Pirro Mani).

YD

57 Komente

Resistance is futile, you will be assimilated. Te gjithe do te marrin vesh gjithcka qe ben, do apo s'do ti. 

All your (bases) info are belong to us.

me per vete me pelqe fb....atyre qe sju pelqe ose skane shoqni ose nuk dun te kene mo'.....ate tweeter nuk e mor vesh fare si funksionon!!?? jo ca te following...e ca i follow....fb eshte me i thjeshte, per ne katunaret si puna jeme...

smiley dhe per mu vallai smiley m'ka kursy lekt e telefonit smiley

Hej, me bej add. smiley

Me duhet ta shtyp 5-6 here F5 qe te me zhduket Sali Berisha nga ana e djathte e faqes.Te pakten,deri diten qe u regjistrua ne Fb,ishte vendi i fundit ku s'te dilte surrati i tij perpara.

Dhe ti ke paguar qe ajo reklame te dale aty.

S'ke pse lodhesh aq shume:

  • leviz miun siper titullit te reklames
  • ne te djathte ne ane te titullit te del nje x. Kliko
  • Te thote "report this ad"
  • Zgjidh qe t'a fshehesh "hide this ad" ose cilen te duash.

Lexim shume i kendshem.

Faleminderit Blend.

Privatsia ka ik per lesh, qe kur u shpik interneti, sidomos qe kur Marku hapi fb. Me e thjeshta eshte te mos e prekesh me dore.smiley

Shkrimi per nga forma eshte i kendshem, i pershtatet dhe natyres se blogut, thjesht nje flete ditari. Per sa i perket permbajtjes bie ne sy permbysja e moshave mes nipit dhe dajes. Daja, si rrjedhoje emungeses se pervojes ne fcb, perceptohet si feminor ne te menduarin e tij, ndersa nipi si adult. Ka konstatime, habi dhe frike, here-here irritim nga perballja e pare me fenomenin facebook. Percohet nje ndjesi e pakondensuar ende, me gjykime paraprake, te cilat ndoshta lexuesit i duken te panevojshme, pasi lexuesi preferon ta gjykoje vete ngjarjen qe i servir shkrimtari. Nje miku im ne facebook, i cili shkruan shpesh letersi artistike, nje dite postoi nje proze te bukur me titullin "Facebook" duke shfrytezuar statuset dhe aktivitetet me interesante te miqve te tij aty, duke na bere personazhe dhe njekohesisht duke treguar terthorazi natyren e ketij rrjeti social e menyren se si perceptohet individualisht. Duke mos e mbivleresuar dhe duke mos e nenvleresuar facebook-un (ashtu si cdo gje tjeter ne jete), artisti ka okazionet me te mira te beje art ne cfare dolloj gjeje, duke bashkuar te miren me te keqen me pak frymezim. (si ai poeti gjerman qe i dedikoi nje poezi materies se ekskretuar njerezore). Sepse fundja, ligji i shenjte ne zemren e nje artisti ka mbetur po ai: "Eshte e pafalshme, te mos japesh dashuri."

 

Daja (më pëlqen kur më thërret daja, daje, më duket pak katunarshe),

Mendoj se ke dhene nje percaktim te kuptueshem vetem per nje numer te kufizuar lexuesish, gje qe s'eshte dhe aq me leverdi dhe sugjeroj qe ne vend te katunarshe te vendosesh nje percaktor me specifik lidhur me menyren se si tingellon fjala.

Me aq sa pashë, nuk do të vonojë që në facebook të afishohet edhe kur pjerdh filani, e të gjithë miqtë t’i ndjejnë erën (një shtëllungë që del nga poshtë ekranit).

Kjo eshte kalimtare nga mungesa e pervojes, do ta shohesh me kalimin e kohes qe opsionet e privatesise te japin mundesine te qendrosh ne nje dhome virtuale me aq persona sa deshiron dhe te zgjedhesh te shikosh nga dritarja e dhomes, mes komshinjve qe kane lene perdet hapur, vetem ata qe do ti. smiley

Fee, të përgëzoj për përpjekjen që ke bërë për të analizuar shkrimin tim edhe pse nuk jam shumë dakort me ato që ke shkruar. Te paktën nuk janë vërejtje tendencioze. Dashakeqe. Eshtë thjesht në vështrim tjetër duke mos i marrë fare parasysh ngjyrat kryesore të teksit, si ironia, sarkazma, etj. Në ato ujra noton historia ime me nipin, edhe pse është e vërtetë.

Ajo që kam shkruar është eksperinca e ditës sime të parë në Facebook. Duke shprehur dhe mendime të tjera si rastësisht.

Sigurisht qe nuk ishte tendencioze, s'ka arsye pse! Ne nje fare menyre doja te te inkurajoja te behesh perdorues facebook-u (me karar, sic e di vete), pasi ke goxha material per te shfrytezuar, per te sintetizuar krijime artistike, sidomos tani qe njerezit preferojne fcb per te diskutuar, ka edhe lehtesime, i ke te dokumentuara me shkrim, me foto, e video gjithcka, me nje fjale i ke aty dosjet e personazheve. smiley

Faleminderit, sepse kete ide qe shprehe tani, nuk e kisha kapur. Nuk kam deklaruar se nuk do te jem perdorues facebook-u. Perkundrazi, me historine me Prokom Mimen le te mendohet se tani qe hyra, ka rrezik qe te mbetem.

 

Ne fakt, po mendoj,sa pushtet psikologjik, ka ai personi ne krye te vendit. Parashikoj qe keto kohe do degjojme ( me koshience ose pa koshience) tjerrje te gjata per FB. Ndonese kjo e Xyz ishte thjeshte nje koincidence.Te me ndjesh,po kete sikur e kishte postuar Xyz, si doli Blendi?Nderkohe mbaje bllogun Xyz, s'ke pse ta mbyllesh per FB.

FB me ka krijuar munedsi qe te rilidhem me miqte e vjeter dhe te takohemi rregullisht.Po te mos ish FB do te ishim harruar e ndare pergjithmone.

Jam lidhur edhe me disa shoke feminije qe kisha 20-30 vjet pa i pare dhe vertet me vjen shume mire kur bisedoj dhe qaj hallet me ta si dukur kur ishim femije.

Privacia?Kjo eshte preteksti i idioteve dhe cmirezinjve,per themeluesin e FB.

Mund te mos vendosesh foto,dhe mund te besh muhabet me kedo pa para.

Mund te vendosesh foto dhe te zgjedhesh kush i sheh dhe kush jo.

Mund edhe te mos futesh fare ne FB dhe merru me msn dhe te tjera.

Kori i sorrave qe duan te erresojne shpikjen e Zukerbergut,me pretekste privacie apo te tjera,thjesht me kujton sorrat e kohes se feminise time,qe kur filluam te bleme televizore,po thoshin po i prish femijet tv dhe shkolla!!!!

Jane njerez qe jane ankuar,ankohen dhe do te ankohen per cdo gje.Gjeja me e mire per kete lloj shtrese eshte injorimi i tyre.

Zakonisht ankesat per privatesine evropianet, prej qelqi ata mooo. 

Privacia?Kjo eshte preteksti i idioteve dhe cmirezinjve

Jam shume dakort! Prandaj duhet lene i qete Asanzhi dhe Manning nga 'MURICANET... 

nuk eshte ceshtje privatesie ne lidhje me te huajt,por brenda miqve.smiley

ca add behen dhe nga halli.

 

Edhe brenda miqve mund te zgjdhesh ke te futesh dhe ke te lesh jashte ne nje mesazh apo foto.

Une per vete skam bere add nga halli.

Une per vete skam bere add nga halli. 

 

smiley

 

Nje gabim qe e bejne te porsafuturit ne FB eshte se te gjitha ata persona qe ua sugjeron FB-ja, i shtojne tek lista e miqve. Ne baze te pershkrimit, edhe XYZ ka bere te njejten gje. Eshte mashtruar nga algoritmi i FB-se duke menduar se dikush tjeter ben kerkese miqesie. Ben vaki qe FB-ja ma sugjeron edhe Berishen, Seldin, Sinan Hoxhen. Madje edhe çiljeten, te cilen nuk e bej "like", po fotot futem dhe ja shiqoj ama smiley

Une FB-ne e perdor me shume per nje rreth te ngushte shoqeroro-familjar. Nuk kam njerez qe nuk i njoh. Nuk kam njerez nga puna, me te cilet nuk me lidh asgje ne jeten private, etj. Thjesht, me pelqen te shikoj kur nje shok diku ne bote martohet, nje tjeter behet prind, nje tjetrit i kane rene floket; ish e dashura ka gjet nje te dashur tjeter, te cilin e krahasoj ne cdo pikpamje me veten time, etj, etj 

 

Jo, jo, i dashur Ben. Nuk kam vepruars aspak ashtu siç thua ti. Lista që propozon Facebook eshte aty e gjatë sa muri kinez. Në fillim kam zgjedhur miqtë e mi. vetëm disa prej tyre se nuk kisha mundësi që ti tregoja secilit jetën time që prej 25 vjetësh. Ku ta dija unë që ato kishin miqtë e tyre të lidhur si varg fiqsh! A mund ti mbyllja deren miqve të miqve të mi? Në fund të fundit, nuk kisha asgjë për të fshehur.

A mund ti mbyllja deren miqve të miqve të mi?

në karmat e kaluara do kesh qënë gejshë i dashur mik

Mik i dashur, duhet te jete e tmerrshme qe te kesh Saliun ne mendje pergjate 24 oreve!

Hypi tajares e ndrro hava.smiley

 

ps : s'ka te beje fare me preferencat politike. Sinqerisht.

 

Ja kshu rrezohen kalate. Po ka ngelur dhe nje e fundit qe s'po dorezohet akoma. smiley

Nice smiley

Pastaj ato ku thuhej se filani kërkon të bëhet mik. Si mund të mos e pranoje dikë që kërkonte të bëhej mik me ty ?

smiley

ç'bëhet një temë dy herë mbrenda ditës ? 

Poshtë thesbuku se është për thashemexhijt , brimçelsshikuesit e  dylbishbirusit!

në se shoku enver do të mbahet mënd për elektrifikimin e shqipërisë, ndër të tjera, shoku sali për fejsbukimin e sajë.

ish e dashura ka gjet nje te dashur tjeter, te cilin e krahasoj ne cdo pikpamje me veten time, etj, etj 

Mos , mos se hyn në qynah smiley

dhant zoti st'shty me cicrue nipi i dashur

Po të vazhdojë kështu, ka shumë mundësi që të mos shkëputem (ndoshta kjo dobësi e njeriut e bën Facebook-un aq popullor).

ashtu te duket...  si cdo gje e ''re'','edhe FB, shume shume,  2 a 3 muaj e pare  te behet interesante,  pastaj i del lezeti.. shkeputesh...   ose zevendesohet nga ndonje interes tjeter.

xyz; ".... Me aq sa pashë, nuk do të vonojë që në facebook të afishohet edhe kur pjerdh filani, e të gjithë miqtë t’i ndjejnë erën (një shtëllungë që del nga poshtë ekranit)..."  

smileysmileysmiley I gjith shkrimi me pelqeu, tregonte tamam sikletin qe ndjen nje njeri normal i modelit te vjeter (siç jam dhe une) smiley ndaj nje faqeje qe ne vend qe ta drejtosh ti, te drejton ajo. 

Prandaj s'futem une ne fejsbuk, se te iken truni. Shyqyr kemi gjetur karar me Peshkun smiley

sikletin qe ndjen nje njeri normal i modelit te vjeter (siç jam dhe une) smiley ndaj nje faqeje qe ne vend qe ta drejtosh ti, te drejton ajo.

ky s'eshte justifikim, ka shume gjysher e gjyshe qe jane integruar per bukuri ne ate rrjet. smiley

Vuajtjet e djaloshit facebookist smiley. Keta dashuroret e batutave do thoshin: gelltit diku nje lug corbe te prishur... smiley 

I kam rezistuar dhe do ti rezistoj deri kur te zhduket fare.

Shih ky gjoja s'është në fb. Po qysh i bën " më pëlqen" Naltmatdhimit ti?smiley

E di se ti e pelqen twitter po nuk  te lejojne smiley

Njerezit si ne jeten reale dhe ne ate virtuale i ndaj ne dy grupe, njeri shum shum i vogel, ata qe i kam zgjedhur une dhe tjetri i madh te cilet jane ata qe me kane rene per pjese. Keshtu qe XYZ bej nje liste me ata qe i don me te vertete per miq dhe shtyp opsionin qe vetem ata mund te shohin veprimtarine tende ne FB.Per ne qe jetojme ne emigracion eshte i dobishem FB, kam shoke qe jetojne ne Kanada, SHBA, Australia, Japoni etj etj te cilet ne jeten reale nuk do ti kisha takuar kurre, shyqyr qe doli surrat_libri, qe i takoj here pas here virtualisht. Ndersa per shumicen FB ka zevendesuar gardhin, mepare nje ketej dhe tjetri andej gardhit benin thashetheme, sot eshte Fb...ju pershendes perzemersisht me kete kengen... http://www.youtube.com/watch?v=5MegkuHT6sg

Ne fakt e vetmja arsye qe mbaj facebook akoma eshte per kushurinjt, eshte nje menyre e mire per te qene ne kontakt me kushurinj.... me bezdis shume fakti qe cdo gje qe bej ne facebook duket tek te tjeret. Para disa ditesh kisha shkruar nje mesazh diku, dhe vetem kur ja beh nje prej miqve te mij te FB vetem 2 minuta mbas mesazhit me nje mesazh privat ku thuhej 'Po ti cfar ke shkruar atje, se as nuk e mora vesh fare cfar ke dash te thuash' ... po ti ku e more vesh qe paskam shkruajtur une atje i them? Si duket atij i del tek faqja e tij, qe filani ka shkruajtur ne wallin e kesaj apo asaj faqeje. E vetmja gje qe me ben ta mbaj jane lidhjet farefisnore. Nuk them qe ska miq qe dua te mbaj kontakt por me FB nuk mund te  diskriminosh midis njerezve qe do te mbash kontakt dhe atyre qe s'do, per arsye te miresjelljes.

hapu me shoqnin dhe farefisnin mer burr, mos u bo kaq i mceft. pse me dy ftyra ti...nje per miqt e nji per kushurinjt lol

Nuk e kam thene une ate gje. Ku? Muhabeti eshte se me miqte nuk i humbet lidhjet se nuk te lidh vetem facebook-u, kurse kushurinjte psh ne qe jemi ketej pa facebook aha, 1 vit edhe harroemi fare. Kurse ka edhe njerez qe nuk i ke miq, madje nuk i njeh fare por i ke tek miqesia ne facebook sepse ke punuar me ta diku, dikur, apo i ke njohur kur ke qene 5 vjec, dhe ata jo vetem shohin cdo gje ben ti ne facebook, por edhe komentojne madje.

po mir o burr, ka dhe kushurinj qe i ke taku i her ene te cajne taravelin, po perdore dhe butonin 'unfriend'

oooo, me fal, do te te kem heq padashje. hera dyt, ee..ku di gjo un si puno kjo mrroklla, prit se po te shtoj sa te kthehem ne angli

XYZ...nuk osht facebook-u per mosha t'mdhoja me probleme te pazgjidhura emocionale lol

Facebook-u është dukuri i mediokritetit. (ndjesë gjithë atyre që mund ta ndjejne veten të fyer. Nuk është ky qellimi im). Jam përdorues i mirë dhe i vjetër i kompjuterit e zotroj disa programe. Në punë e kam në zotërim nga viti i largët 1993 dhe ne shtëpi nga viti 1997. Miq, shokë e shoqe, mjaftueshëm e të zgjedhur sipas porosisë së babait-zgjidhi shokët më të mirë se veten. Gjithësesi, këto kushte nuk kanë ndikuar aspak që une të hapja nje llogari në FB. Sipas të gjitha gjasave të koefiçientit intelektual të PPU-së, rrjedhimisht unë rezultoj nje dhi e zgjebosur, i prapambetur, i ngelur ne humbetirat e paditurise. Per pasojë, kohën time të lirë lirë vazhdoj ta shpërdoroj duke lexuar libra.Eh....vetmi, vetmi! Por përsëri nuk kam ndryshuar mendim.Facebook-u është dukuri i mediokritetit.I gëzohem në vetmi privatësisë time, si një lirije të çmuar.

 Kur S.berisha hapi llogari n FB, i bëra një juristi pyetjen: kaq mediokër janë qeveritarët? Është e njohur, më ktheu gjegje, se asnjëherë e në asnjë vend elitat nuk drejtojnë e as qeverisin. Facebook-u nuk do i ndihmojë dot të ndryshojnë parimin e funksionimit në kapitalizëm: të pasurit më të pasur e të varfrit gjithnjë e më të parëndsishëm

Te skicoshe nje profil personaliteti, keshtu sikunder e lexoj, te shumeanshem, them se eshte nje pune shume e veshtire, per te mos thene gati e pamundur.Le ta provoje seicili dhe mandej ti beje... autokritiken.

Me duket nje perpjekeje eseiste shume interesante.

Gjynah  qe mebtete anonime 

Edhe per mua FB eshte nje fenomen shume i keq dhe i rrezikshem. Dikur ne 2008 kam pas hapur nje faqe ne FB i detyruar per te pare nje foto timen nje nje mikeshe e kishte vendosur ne adresen e saj dhe menjehere u ndjeva keq. Si ka mundesi qe dikush te vendose nje foto ku jam edhe une ne publik pa me pyetur mendova? 

Humbja e privacy mu duk kaq vulgare sa qe vendosa te mos e perdor kurre. Por nuk e dija çdo me gjente me vone. Ne 2010 me erdhen mesazhe ne Email qe u dergoja promocione pornografike miqve te mij nga FB. Plasa derisa e mbylla adresen e FB. Nuk ishte e lehte. Dhe nuk kam hapur me kurre.

Pavaresisht nga mundesite per tu takuar me miq, mendoj se FB si nje pazar stermadh thashethemesh eshte nje semundje e madhe e njerezimit ne ditet e sotme, jo vetem sepse harxhohet kohe me informacione pa vlere, jo vetem se je padashur i shfrytezuar nga reklamat (edhe njoftimet nga miqte e tu jane shpesh reklama, por aq me teper nga politikanet), por edhe sepse mendoj se FB harxhon kohe te pamate per te mesuar se ç'bejne dhe ç'kane arritur te tjeret duke te rritur cmiren dhe xhelozine dhe duke frenuar tmerresisht energjine e krijimit.

Me FB jeta e te rinjve sot po behet gjithnje e me e zbrazur!

Sa rehat kam rene qe e kam mbyllur fcb. 

Vertet, peshqit qe edhe facebookojne edhe peshkpaujojne rregullisht duhet ta kene goxha pisk kohen. Si ju del koha per te kap dashnor/e, sidomos po qete te martuar?

Ne orar te punes chatojne, nuk flasin kur shkojne ne shtepi se atje kane burrat apo grate. smiley

o ketlin, 

nuk tregohen te gjitha ne peshk. smiley 

Qyqja, prandaj e paske mbyllur FB ti se filluan te te chatonin kur ishe ne shtepi? smiley

Ne fakt, po mendoj,sa pushtet psikologjik, ka ai personi ne krye te vendit. Parashikoj qe keto kohe do degjojme ( me koshience ose pa koshience) tjerrje te gjata per FB. Ndonese kjo e Xyz ishte thjeshte nje koincidence.Te me ndjesh,po kete sikur e kishte postuar Xyz, si doli Blendi?Nderkohe mbaje bllogun Xyz, s'ke pse ta mbyllesh per FB.

 

observimi me i mire i javes ne Peshk.

Facebook eshte nje faqe sociale ku ti do te marresh 10 pelqime dhe 20 komente ne nje status update  "me lini rehat" Eshte faqe interesante per te kaluar kohen, do te te pelqej !!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).