Presim autobuzin. Streha e stacionit nxin solide. Shtangësia e shtyllave mbajtëse të saj është gati imperiale; ndërsa shkretimi i saj, i zbehtë e difuz - një shkreti neoni. Kjo lloj drite na rikujton për të njëqindtën herë se jemi jashtë shtetit. Pa qenë nevoja.
Rregulli i strehës, si i çdo konstrukti tjetër, po na bëhet i padurueshëm. Çatitë, dritaret, bordurat e drejta. Vidat mbërthejnë e shtrëngojnë saktësisht çdo gjë, asgjë nuk kuit, as ndryshket si në atdhe. Pamë se si u kishin vënë ca kapele bakri hunjve vertikalë mbajtës prej druri të një gardhi milimetrik në mes të asgjëkundit, që shiu të mos i depërtonte, askush s’do e shihte atë gardh, për hir të Perëndisë… e na zu një trishtim, e u ndjemë të abuzuar… bulonat shtrëngues kishin fole cilindrike në drurin drejtvizor, o Zot kjo marrëzi duhet të mbaronte dikur. Na ka zënë një brengë e thatë (që nuk është mall) për gozhdët tona martire që nuk shtrëngojnë gjë, por as nuk bien, vetëm mbajnë përjetësisht të lodhura ca mentesha të mëdyshura ankimtare… një liri prej fshatari dhe erë ugaresh pa fund na fryn nëpër mëngë, ne marrim ajër, si naftë motorësh lindorë…

Autobuzi nuk po vjen. Teknologjia dhe industria shtrëngojnë si këmisha të hekurta… kur s’je mësuar. Adhurimi për to vjen në formë armiqësie, vetia numër një e fshatarit që bulëzon në sythin e kohës me aspirata të buta lastari.
Autobuzi nuk po vjen duke mos qenë vonë: edhe kjo është një ndjesi e re. Orari i shkruar në një tabelë mizorisht drejtkëndëshe, me gërma hierarkike blu, si ngjyrë policie, na dëften se duhet të vijë pas dhjetë minutash. Jam i sigurtë se vonesa e atij autobuzi me një minutë do na mërziste më shumë se vonesat gjysëmorëshe të autobuzëve të Vorës apo Kamzës. Ndihemi të lodhur.

Nuk ka gjë në këtë botë që të lodh më shumë se muzeumet, me atë monotoni rraskapitëse objektesh të shënuara, që brenda muzeumit mund të jenë çdo gjë, por jo më të shënuara: ato dhjetra parzmore e shqyte fisnikësh mesjetarë po na shtrëngonin brinjët. Nuk ishim aspak të dhënë pas armëve e parzmoreve a numizmatikës, por duhej patjetër të shihnim përkrenaren dhe shpatën e heroit tonë kombëtar. Dhe sot e pamë. Punonjësi i muzeut rrëfeu mirëkuptim të informuar kur i thamë se jemi të tre shqiptarë. Të gjithë shqiptarët vijnë këtu, tha me mirëdashje. Urdhëroni. Nuk ndjeva ndonjë krenari sipërore ose vërshim zulme, siç prisja, tek e pashë pas xhamit armën heroike. E qortova veten. E detyrova të pohojë që ai metal aty ishte i ndryshëm nga metali i eksponateve të tjerë. Rrezëllima e ftohtë që vinte prej tyre, feksi me qesëndi. Ndoshta duhet pak distancë, thashë me vete, si për një mal të lartë që…

Autobuzi do edhe katër minuta. Lodhja akumulohet në kërcinj, mendova, kapital pa shpirt që shtohet me përqindje të lartë interesi. With usura. Lëviz pak, bëj ca hapa shkrydhës. Duhet të ndihemi krenarë, jemi ndër shqiptarët e paktë që kemi parë armët e Skenderbeut. Mendimi që turqit u zbythën nga Viena, por jo nga Kruja, vjen vërdallë si një hienë neoni. Nuse lale. Ngushëllon mendimi tjetër, që Skënderbeu ishte shumë më i pashëm se princ Eugjeni.
Në terrin me stërpikje neoni, mbi një stol të strehës, kur sytë mësohen me terrin, shquhet një qese plastike. Duket si një kafshë e bardhë në gjumë. Dikush e ka lënë, natyrisht… e në një rast të tillë, duhet të jetë hedhurinë. Patjetër që është hedhurinë; koshi i plehrave nxin rreth 10 metra larg… një largësi që për dreq nuk të ndihmon për asgjë. Ai kosh është aq afër sa të dyshosh për një lënie me qëllim jashtë tij të qeses nga i zoti. Me ç’rast qesja nuk është më hedhurinë… Por dhe aq larg sa të mendosh që i zoti ka përtuar të shkojë deri atje, dhe e ka lënë atë mbi stol. Ose nuk ka pasur kohë, pasi autobuzi i tij ka qenë në nisje? Dhe përpikmëria e këtushme… Me ç’rast qesja është hedhurinë.

Problemi i vërtetë është vetë qesja, si e tillë: nuk jemi mësuar të shohim qese kësisoji të lëna përtokë, në fakt kësi qesesh i mbajnë femrat më moderne të qytetit tonë, qesja është pjesë e pamjes së tyre, simbol i statusit të tyre, jemi mësuar t’i shohim ato vetëtima plastike mbajtur nga duar nazike anë këmbësh të adhuruara e hapash ritmike prej primadonnash. Ajo qese e mbledhur kruspull, sikur nuk do të na jepet, nuk tregon ç’ka brenda, dhe mund të përmbajë gjithçka, deri shuka parashë ose bizhu të shtrenjta. Të mos ishim bashkë, secili prej nesh nuk do i qëndronte tundimit, por do e kontrollonte - përreth nuk kish njerëz. Por ngaqë ishim tre, e shpërfillnim, nuk e kishim vene re.

Autobuzi do edhe dy minuta të vijë. Ne flasim prapë për armët që pamë sot. Ato do jenë tashmë status simboli ynë. Do i vringëllijmë në brez, anë këmbëve dhe hapave ritmike prej njerëzish të shëtitur dhe që kanë parë. Diskutojmë prapë për shpatën e luftës, që nuk do gjendet kurrë “fatkeqësisht”, gjatësinë trupore të heroit, lidhjen mes gjatësisë së një shpate dhe të luftëtarit që e mban, e kemi të lehtë të flasim për shpatën, është një fjalë me të cilën jemi rritur, e zakonshme si buka dhe uji. Gjatë gjithë kësaj kohe mundohemi të mos shikojmë nga ajo qese e flamosur… gjithë potencial.

Autobuzi mbërrin i përpiktë. Hipim. Ka fare pak udhëtarë. Rrimë në fund, para xhamit të madh, e ndërsa autobuzi niset shohim nga stacioni, i cili largohet gjithë duke feksur përherë e më dobët të bardhën e qeses plastike enigmatike, perëndimore, mbi të cilën janë ngulur e nuk shqiten sytë tanë.

14 Komente

Misherimi i qyteterimit Ballkanik:

... gozhdët tona martire që nuk shtrëngojnë gjë, por as nuk bien, vetëm mbajnë përjetësisht të lodhura ca mentesha të mëdyshura ankimtare...

 

Shumë gri- por më pëlqeu ideja.

Të mos ishim bashkë, secili prej nesh nuk do i qëndronte tundimit, por do e kontrollonte - përreth nuk kish njerëz. Por ngaqë ishim tre, e shpërfillnim, nuk e kishim vene re.

 

nje nder ne mos qofte e para dalje nga rrethimi me tel me gjemba.edhe nje here me çudit freskia me te cilen i percjell Emigrant keto evente ...Te duken te jetuara dje.

ç'ka, nje stil qe i duhet ndryshuar pak dora. futja e dialogjeve, monologjeve, do ta pasuronte tregimin.  duhet pak fantazi. 

Emo, si gjithenje mendje...vrare! Urime prej verteti

Por....pa studjoje pake vrejtjen e Pjerit!

Emo mua me pelqen shkrimi qe perdor ti, eshte i cuditshem ( ne sensin jo mainstream) , por interesantsmiley. Faleminderit qe na sjell hera-heres shkrime.smiley

për hir të Perëndis

 

 

Konstruktet e huja (for God sake) nuk ngjisin ne shqip.Ma mire t'kishe than "per baba tomor"smiley sic thone anej nga ti ,ose ma perfshirse "per at Zot" smiley

per nur te Allahut!

smiley

 

Për qime të Pejgamerit. 

Këtë duhet të thoshe more firaun, se ty nuk të kemi as kaurr.

Megjithëse....kaurrë janë, po të mirë. Japim e marrim me ta.

Grandioze. Kur mpelqeu mu qe sme pelqe gjo. Ti qenke kampion ne perdorimin e gjuhes shqipe e sme vje turp me e pranu qe duhet me vjedh nga ty. Sdi ca profesioni ke po po sishe shkrimtar eshte mekat. Urime te sinqerta. 

-Mato gjeni! Mato hero kombetar!

-Ate e di une!

me pelqeu shume emo.....komplimente..

ti gjithmone shkruan tip D> BOwie...kjo eshte tamom tip RR. Stones smiley

 

Ja dhe esenca e 800km rruge. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).