Adoleshenca dhe kohët e rinisë kanë qenë ndoshta ndryshe për Bashkim Shehun. Për vetë historinë e familjes së tij, ai pati mundësi të njihte nga afër “shkëlqimin” e bllokut komunist, dhe kohë më pas të shihte “fytyrën” tjetër të tij që ishin kohët e burgu

Kanë qenë tregimet e Kafkës ato që e shtynë të shkruante për herë të parë. Atëherë thjesht një adoleshent, ai do ta ndiente se dashuria për librat do ta çonte ngadalë drejt një tjetër dashurie, që ishte e shkruara. Janë pafund rreshtat e parë që kanë mbetur në blloqet e shënimeve të atyre viteve, nga të cilat ai mundi të botonte disa libra. Adoleshenca dhe kohët e rinisë kanë qenë ndoshta ndryshe për Bashkim Shehun. Për vetë historinë e familjes së tij, ai pati mundësi të njihte nga afër “shkëlqimin” e bllokut komunist, dhe kohë më pas të shihte “fytyrën” tjetër të tij që ishin kohët e burgut. Me një jetë sa interesante aq edhe të vështirë në disa vite, ajo që ai nuk harroi asnjëherë ishte letërsia. Ajo diti ta shpëtonte edhe kur hapësira përreth tij ishte vetëm mure. Vetëm dy javë më parë, Ministria e Kulturës e vlerësoi atë me çmimin “Fan Noli” për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit Roberto Bolanjo, me motivacionin “prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj në gjuhën shqipe”. Këtë vepër, Shehu e ka përkthyer bashkë me bashkëshorten e tij Edlira Hoxhollin. Bolanjo nuk është vepra e parë ku ata shfaqen si bashkëpërkthyes. Ata kanë përkthyer Sean McMeekin, apo Borhesin… Përkthimi me bashkëpunim ka gjithnjë vështirësitë e tij, por duket se çifti Shehu ka ditur të jenë bashkë në një gjuhë… Bashkim Shehu është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Që prej vitit 1993 e deri më sot ka botuar në mënyrë sistematike çdo vit e më shumë vepra të tij. Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Disa prej librave të tij janë botuar në gjuhë të ndryshme si: “Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit” (roman), “Rrëfim ndanë një varri të zbrazët” (roman autobiografik), “Vjeshta e ankthit” (roman), “Gostia” (roman) dhe dy përmbledhje me tregime. Në një bisedë më poshtë, Shehu rrëfen lidhjen e tij me letërsinë, endjen në prozën e një prej shkrimtarëve më të njohur të Amerikës Latine, Roberto Bolanjos, apo çfarë ndryshoi burgu në mënyrën e tij të të shkruarit…

 

Vetëm dy javë më parë ju u vlerësuat me çmimin “Fan Noli” për përkthimin e romanin “Nokturnet e Kilit” shkruar nga Roberto Bolanjo. Si ishte për ju endja në prozën e Bolanjos i konsideruar nga kritikët si një shkrimtar jo i lehtë?

Asnjë shkrimtar i mirë nuk është i lehtë. Por, siç e kam thënë edhe në një tjetër intervistë pak ditë më parë, për ta përkthyer Bolanjon më ka ndihmuar njëfarë sintonie e vetvetishme stilistike me të.

Çfarë është për ju letërsia e Bolanjos?

Për mua Bolanjo është një nga shkrimtarët më të fuqishëm bashkëkohorë. Është një nga pasardhësit më të denjë të Borhesit.

Në këtë vepër, por edhe në libra të tjerë, ju jeni shfaqur si bashkëpërkthyes me bashkëshorten tuaj Edlirën. Mund të na flisni pak për këtë mënyrë përkthimi në bashkautorësi?

Përkthimi në bashkëpunim ka vështirësitë e tij. Problemi kryesor që duhet zgjidhur është që teksti të tingëllojë si të ishte i dalë nga një dorë e vetme. Por me time shoqe kemi kohë që përkthejmë bashkërisht. Ose, që shqyrtojmë përkthime të njëri-tjetrit. Ky lloj bashkëpunimi, ndërkaq, më ka ndihmuar edhe në lidhje me të shkruarit. Po përmend një episod. Dhjetë apo dymbëdhjetë vjet më parë, ime shoqe, Edlira, kishte përkthyer një tregim të Borhesit dhe unë po e rishikoja. Fillova të bëja disa retushime në fjalitë e para, aty ku ndieja se teksti “kërciste” paksa. “Kjo që ke bërë është shumë mirë”, më tha Edlira, “po nuk është Borhesi, është Bashkim Shehu”. Dhe e mori prapë tekstin dhe i bëri disa modifikime, duke ndryshuar pjesërisht retushimet e mia. Kështu, stili i tekstit në gjuhën shqipe i ngjante më shumë atij të Borhesit. Dhe një punë e tillë, futje brenda tekstit dhe distancim i atypëratyshëm për t’u kthyer sërishmi brenda tij, më ndihmoi për ta njohur më në thellësi mënyrën sesi shkruan Borhesi dhe për të pasuruar kësisoj edhe regjistrin tim stilistik.

Duke u ndalur te përkthimi, si erdhi ai te ju?

Thjesht e lexova romanin e Bolanjos, u mahnita dhe, më vonë, me sa duket ngaqë efekti i leximit vazhdonte, mendova se duhej përkthyer në shqip.

Si e kujtoni lidhjen tuaj me letërsinë? Cilat ishin librat apo shenjat që ju çuan drejt saj?

Ka filluar mjaft herët, qysh në adoleshencë. Më pëlqente të lexoja dhe dikur, ashtu si pa kuptuar, ndjeva nevojën që të shkruaja. Nga shtysat librore mund të përmend në veçanti tregimet e Kafkës. Kjo ndërthurej me shqetësime të caktuara që fillon të ndiejë njeriu në atë moshë, një moshë që ndeshet me sfidën e çlirimit nga autoriteti prindëror.

Librat tuaj, ju i keni botuar pas një periudhe jo të lehtë në jetën tuaj, siç ishte burgu. Sa ka ndikuar ky i fundit në atë çfarë keni shkruar?

Kam botuar edhe më parë. Por pjesën më të madhe të krijimtarisë e kam botuar pas burgut, siç thoni ju. Periudha e burgut ka ndikuar jashtëzakonisht në ato që kam shkruar. Ka qenë vendimtare në të gjitha aspektet. Efekti i menjëhershëm dhe më i rëndësishmi nga pikëpamja letrare, ishte ndryshimi i mënyrës së të shkruarit. Duke qenë se në burg ndihesha i lirë nga tundimi për të botuar dhe, rrjedhimisht, nga kufizimet që sillte botimi në Shqipërinë e atëhershme, kisha më shumë hapësirë për të kërkuar mënyra shprehjeje, për një estetikë më vetjake. Mendoj se të shkruarit në burg përbën momentin më të rëndësishëm të kthesës në krijimtarinë time. Nga ana tjetër, përjetimet e burgut janë lëndë paraletrare shumë e pasur, ndonëse e vështirë për t’u trajtuar, për t’u shndërruar në letërsi, për të arritur që shprehja letrare të jetë në nivelin e të tilla situatave të ekzistencës. Në letrarizime përvojash të tilla, ndoshta aleati më i mirë i shkrimtarit është koha, distancimi kohor.

Le të flasim për romanin “Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit”. Çfarë është për ju ky libër?

Nga librat e mi, është libri i botuar në më shumë gjuhë. Sidoqoftë, përbën një fazë të kapërcyer në krijimtarinë time.

“Rrëfim ndanë një varri të zbrazët” dhe “Vjeshta e ankthit”, duket sikur janë dy romanë ku ju kërkoni të shpjegoni disi raportet tuaja me kohën me historinë që mbart mbiemri juaj…?

Në të dyja rastet jam përpjekur të bëj letërsi, jo të bëj shpjegime personale.

Vëllimi me tregime “Hija e gurit”, duket se pavarësisht jetës suaj jashtë Shqipërisë, personazhet që ju i ofroni lexuesit jetojnë këtu, në Tiranë, apo në çdo qytet tjetër… është një fakt i njohur dhe me shkrimtarë të mëdhenj që, pavarësisht vendit ku jetojnë, shkruajnë për vendin nga vijnë. Çfarë është Shqipëria për ju?

Në këtë përmbledhje tregimesh të zgjedhura, më shumë se gjysmën i kam shkruar para se të largohesha nga Shqipëria. Për shembull, njërin nga tregimet e kam shkruar në vitin 1988, në Burgun e Burrelit. Madje ka edhe një tregim që e kam shkruar më 1975-n dhe që është përfshirë en bloc brenda një tregimi të mëvonshëm. Gjithsesi, nga koha kur kam shkruar tekstet më të vona, këtu në Barcelonë, kanë kaluar dhjetë vjet, po Shqipëria vazhdon të ndodhet në fokusin e subjekteve të shkrimeve të mia. Ç’është Shqipëria për mua? Kjo do të kërkonte një libër më vete.

Çfarë jeni duke shkruar tani?

Tani nuk jam duke shkruar asgjë. Qysh nga tetori, kur mbarova një roman që del së shpejti, kam ndenjur pa shkruar, për herë të parë mbas tetë vjetësh të shkruari pothuajse të përditshëm. Rezultati i këtyre tetë vjetëve konsiston në tre romanë, dhe në ndonjë treqind apo katërqind faqe mbeturinash, që shpresoj të jenë të riciklueshme. Sikurse shpresoj që kjo periudhë pushimi, që duket se do të vazhdojë edhe ca, të jetë periudhë përtëritjeje.

6 Komente

Shume interviste e mire m'u duk. Flm shvejk.

Bashkimi, do te ishte mire te provonte te perkthente nga shqipja ne spanjisht. 

qyqja van pierre, je bo si brigadier i peshkut. ti bo kte, ti kte..etj..

Po si do ta shperndajme kulturen shqiptare, ja keshtu, duke perkthyer veprat shqipe ne gjuhe te huaj smiley Me kete rast ballancojme marrjen e kultures se huaj (importin) me çuarjen e kultures sone (eksportin) smiley

gouden mens

S'na thërrasin, hundët s'i fusim.

Mjafton që gruaja na mban,

kënaqemi, gjë tjetër s'lusim.

Por kur del një njeri

që drejton për ne fenomenet

Ne themi ky është Gjeni.

Ja një Profet ne themi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).