Albanologët arbëreshë mendojnë se nëse rishkruhet historia e Shqipërisë, ajo duhet t’i japë kontributit të arbëreshëve atë që u takon. Prof. Francesco Altimari: Duhen korrigjuar pasaktësitë në tekstet zyrtare.

Prej më se dy dekadash, katedrat e gjuhës shqipe në Itali, sidomos katedra e Universitetit të Kalabrisë dhe ajo e Universitetit të Palermos, kanë dhënë mjaft botime kritike të autorëve arbëreshë. Dy nga albanologët dhe filologët arbëreshë, autorë të këtyre botimeve, prof. Francesco Altimari (Universiteti i Kalabrisë) dhe prof. Matteo Mandala (Universiteti i Palermos) kanë pohuar gjithnjë se nëpërmjet kësaj rruge, do të krijohet një premisë për zhvillimet në studimet në Shqipëri, që më në fund të botohen në shqip të plota veprat e autorëve të vjetër dhe romantikëve arbëreshë. Vepra që në kohën e regjimit janë sjellë jo në variantin origjinal, por të përshtatura, ndërsa interpretimi i tyre ka qenë i shtrembëruar. Kështu prof. Altimari ka përgatitur ndër këto vite një botim kritik të veprës së De Radës, arbërisht përballë tekstit italian, po kështu janë botuar vepra e Serembes, e Jul Varibobës, Skiroit, Gavril Darës i Riu. Por studiuesit shqiptarë janë akoma larg teksteve arbërisht, për rrjedhojë, larg akoma asaj periudhe me frymë të re që pritej për studimet letrare. Këtë javë, erdhi në shqip “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” i Matteo Mandala-së (Botimet Naimi, 376 f.), që synon pikërisht këtë mision me veprat arbërisht. Parë më gjerë, si prof. Mandala edhe prof. Altimari, mendojnë se kur flitet për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, kjo gjë duhet filluar nga roli i arbëreshëve. Nuk është as në interes dhe as në nder të historisë dhe kulturës shqiptare që fillimet e Rilindjes të datojnë në krye të shek.19. Ky ishte një argument që u hodh edhe në panairin e fundit të librit në Tiranë, në mesin e muajit nëntor. Me temën “Arbëria e lashtë për Shqipërinë e re”, iu bë një homazh kulturor arbëreshëve të Italisë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Më pas, në bisedë me prof. Francesco Altimarin ai thekson se duhen korrigjuar pasaktësitë në tekstet zyrtare shqipe.

Profesor Altimari, është e rrallë të dëgjojmë deklarata si ajo e kolegut tuaj prof.Mandala: kur flitet për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, kjo gjë duhet filluar nga roli i arbëreshëve...

Ka të drejtë. Pajtohem me mendimin e kolegut Mandala se nuk mundet ta kuptojmë historinë kulturore-letrare të Shqipërisë pa pasur parasysh rolin historik që kanë luajtur arbëreshët në këtë proces që nuk fillon në të vërtetë, siç shkruhet e thuhet, në fillim të shek. 19. Por që ka rrënjët në angazhimin e qarqeve intelektuale arbëreshe që u manifestua në Itali e ku gjeti një hapësirë të denjë që prej shek.16. Nuk është e rastit që kur flasim për veprën e parë “E mbësueme e krështerë” e Lekë Matrëngës, kemi të bëjmë jo vetëm me një libër të botuar, por me një traditë që nënkuptonte një sërë aktivitetesh arsimore, gjuhësore, që kishte në këto komunitetet tona dhe disa çerdhe të rëndësishme patriotike ku jepej mësimi i gjuhës sonë që prej fundit të shek.16. Që në atë kohë filluan shkollat tek ne pastaj pati disa kolegje të rëndësishme fetare ku u formuan klerikët arbëreshë të kishës lindore që kanë qenë bartësit e kësaj lëvizjeje kulturore që u zhvillua nëpër shekuj e që gjithmonë pati vëmendje ndaj botës shqiptare. Edhe kjo ide, që arbëreshët i konsiderojnë të izoluar e të ndarë nga atdheu i tyre i lashtë që nga epoka e Skënderbeut, nuk është korrekte. Sepse pati disa marrëdhënie të vazhdueshme edhe ndër ata që disa antropologë i kanë quajtur “shekujt e heshtjes”. Nuk kanë qenë askurrë “shekujt e heshtjes”.

Pse u krijua kjo koracë?

Sepse ne marrim parasysh vetëm botimet. Botimet natyrisht që kanë qenë më të shpeshta e më të shumta që prej shek. 19, por në këto vatra, që formonin jo vetëm priftërinj, por edhe inteligjencën e botës sonë, merrej parasysh problemi i identitetit. Kemi traktate të tëra, sidomos në shek. 18,. Në njërin prej tyre, At Gjergj Guxeta një nga themeluesit e kolegjit të Palermos, thuhej qartë se ne nuk jemi grekë, se kemi një histori, kemi një gjuhë tonën, ishin traktate për t’i dëshmuar botës italiane, për t’i bërë të ditur rrënjët tona. Nuk është e rastit se në shek.18, intelektualët e botës shqiptare dhe arbëreshe, kishin një dialog të frytshëm, pavarësisht se bota shqiptare kishte kushtëzimet nga sundimi turk. Për shembull, një intelektual kishtar si Gjon Nikollë Kazazi, kur zbulon “Mesharin”, ia njofton At Gjergj Guxetës. Ishin këta referuesit e kulturës so- në dhe jo ata të një bote të izoluar. Pra, bota arbëreshe zëvendësoi botën shqiptare pastaj duke ia kthyer këtë trashëgimi. Kanë qenë këto vatra inkubatore të formimit të ndërgjegjes kombëtare dhe nuk mund të shkëputen nga bota shqiptare.

Kolegët tuaj albanologë të Shqipërisë kanë mbrojtur gjatë idenë se rrënjët e Rilindjes janë në fillim të shek. 19.

Rrënjët e Rilindjes nuk janë në dhjetëvjetëshin e parë të shek.19, sepse ne nënvleftësojmë kështu rolin e kombit shqiptar duke ia vënë këto kufij rilindjes sonë. Me gjithë kushtëzimet ideologjike, nëse lexojmë disa vepra të rëndësishme si “Shkrimet historike” të Dhimitër Shuteriqit, del qartë kjo lëvizje që prej asaj kohe. Duhet vënë në vend ajo që linguistët tanë me Xhuvanin, Çabejn i kanë dhënë vendin e merituar. Por në historitë shkollore, në tekstet zyrtare, vazhdohet të mos bëhet kjo gjë. Problemi ka qenë pastaj edhe i qarkullimit të dokumentacionit, ky dokumentacion mbeti dorëshkrimor. Por At Gjergj Guxeta, Nikollë Keta etj., kanë qenë paraardhësit e rilindësve. Diheshin kontributet e tyre.

Për çfarë tërhiqni vëmendjen në tekstet zyrtare shqip?

Përsëriten pasaktësitë për fillimet e Rilindjes, sepse fillimet e rilindjes kombëtare shqiptare, së paku duhet t’i risjellin një shekull më përpara. Jo për të vënë në radhën e dytë De Radën e të tjerë, sepse De Rada ka qenë korifeu i kësaj lëvizjeje, ai që e shprehu në këto vatra, të cilat e kanë filluar aktivitetin një shekull më përpara. Miti pellazgjik lindi një shekull më përpara, pastaj patën meritën veprat e rëndësishme intelektuale, që ta shpërhapnin në qarqet evropiane. Inkubatorët ku u formuan idetë për identitetin shqiptar, për rrënjët e këtij identiteti kishin pasur qendër të rëndësishme në mendimin e këtyre autorëve, por nuk mund të themi se rilindja fillon me “Këngët e Milosaos” të Jeronim de Radës, sepse një shekull më përpara lindi në vitin 1782 kolegji arbëresh në Kalabri, dhe më 1784 seminari italo-greko-arbëresh i Palermos. Ato janë shtyllat ku u formua pastaj angazhimi e ku mund të gjesh një shpjegim për rolin që patën breza të tërë arbëreshësh, jo vetëm autorët më të mëdhenj. Sepse siç thotë Kadare, kur bota shqiptare ishte në errësirën e plotë, ndezi këtë fener drite për të rizbuluar identitetin me angazhimin e tyre kulturor.

Ju thoni se duhen gjetur instrumentet ideologjike për të promovuar rolin e arbëreshëve, për ta parë në këtë këndvështrim që sapo thatë kontributin e tyre të mëhershëm. Çfarë prisni nga kolegët tuaj në Shqipëri?

Kolegët besoj se duhet ta marrin parasysh dokumentacionin, që në sajë të punës së lirë që ka bërë edhe kolegu Mandala, dhe punës që kemi bërë edhe në qendrat tona, ta rikonsideronim këtë dokumentacion. Ju kujtoj se në traktate, Nikollë Keta në vitin 1777 flet për shqiptarët si pasardhës të maqedonasve të vjetër. Ai thotë nuk jemi grekë, por jemi pasardhës të maqedonasve të vjetër, pra jemi më të lashtë. Është një traktat i tërë me fakte për rrënjët e këtij identiteti. Nuk mund të konsiderohet paraardhës i Rilindjes, siç është cituar në veprat tona Naun Veqilharxhi, e të lëmë mënjanë një figurë si ajo e Nikollë Ketës që i ka thënë këto gjëra 100 vjet më përpara.

Duhet të ndjekin pak hapin tuaj kolegët shqiptarë?

Po. Siç thotë Popperi, shkenca ka dy karakteristika: është e përkohshme, është e falsifikueshme. Duke qenë shkenca albanologjike e përkohshme, për fat, duke marrë parasysh këto të dhëna që e bëjnë më pak të përkohshme e më pak të falsifikueshme, e fusim atë brenda rrjedhës për të riparë historinë tonë. Kjo varet nga vullneti individual, kolektiv dhe i institucioneve. Kur kemi të dhëna të reja, të dimë ta shikojmë historinë tonë pa lënë në harresë të tjerët, por duke i bërë një çështje objektiviteti të shkencës, për t’i shpjeguar gjërat në mënyrë më objektive me të dhënat e reja. Ajo që ishte arritja e fundit të bëhet arritja e parafundit.

Dixhitalizmi i “Shqiptarit të Italisë” është gati?

Është gati. Kemi zbuluar pothuajse koleksionin komplet. Presim vetëm ta botojmë së shpejti. Ky është homazhi i arbëreshëve: koleksioni pothuaj komplet qoftë në formatin origjinal në letër, qoftë në formatin dixhital për ta bërë të njohur veprën e De Radës në sistemet e reja. Ne e kemi shumë në zemër këtë proces, për ta dixhitalizuar krejt veprën e De Radës. Kjo do t’i shërbejë botës arbëreshe për të zbuluar vizionin e këtyre intelektualëve që ruanin botën e tyre, botën shqiptare, por jo duke u izoluar nga bota.

4 Komente

Ju kujtoj se në traktate, Nikollë Keta në vitin 1777 flet për shqiptarët si pasardhës të maqedonasve të vjetër. Ai thotë nuk jemi grekë, por jemi pasardhës të maqedonasve të vjetër, pra jemi më të lashtë.

keto u duhen perplasur ne fytyre gruevskit e samarait qe zihen me njeri tjetrin per leken e madh tone.

Flm Elsa per artikullin interesant dhe flm Rhea per postimin , e natyrisht nuk mund te rrijme pa i falenderuar adminet/çensuroret qe e futen ketu kete artikull interesant. Se na mbyten me artikuj politike. 

po çi falenderon kot adminet o Pjero.. nga revista e famshme Monitor, skane  publikuar asgje. pershembull...

Mendoj se prof te universiteteve ne Itali kane te drejte.Kur mendoj Prof tonin si Jup Kastarti e androkliu.....Jupi njehere qe e njoh demek studiues i De rades,,,Spiu' e deshmitar ne gjyqe komuniste famekeqe te fetareve te ndritur intelektuale shkodrane....pffff

Lisa toka kish ndrrue ....de rada i madh .....po lumbardh' ankreontit aq e moçme tempe rronte....Girolamo de Rada....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).