Pse, vërtet qajnë dhe shkijet?!

Po përcjellim disa fragmente nga ditari i çuditshëm i Rreze Abdullahut (vajzës nga Ferizaj - Kosovë), që po përgatitet për shtyp. Rrezja ka mbajtur shënime, në një fletore shkolle, në pranverë të '99, kur asokohe qe vetëm 9 vjeçe. Në nëntor të 2012-s, e gjeti atë fletore dhe, me mirëdashjen e vet, na e ofroi ditarin, që të marrë udhën e botimit.Tani, rreth 14 vjet mbas asaj kohe që shkroi ditarin, Rrezja është studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. 

Në këtë ditar, është përshkrimi i luftës dhe gjithçka përreth me sytë e një fëmije. Drama e atyre ditëve është e pranishme në çdo fletë. Dhe, Rrezja, nuk e sheh luftën si lodër, por si realitet. Ajo veneron edhe imtësi, të denja për një prozë të kultivuar artistike. N'ato ditë dramatike ajo gjen kohë edhe të ëndërrojë: kur të rritej, të shkonte në Amerikë, të bëhej gazetare e të shkruante çfarë kishte pa me sytë e saj, duke harruar se, pikërisht mu në moshën 9-vjeçare, ajo po linte dëshminë e saj tronditëse. Në ditar, janë edhe shënimet e datës 10 prill 1999, ditën kur Rrezja mbushte 9 vjeç. Krejt fleta e ditarit më bëri përshtypje, por sidomos fraza: "Unë veç s'po due me vdekë, po due me qenë gjallë... ", e cila më kujtoi nji varg të poetit të njohur I. Sarajliq: "Të gjitha i kam provuar, përveç vdekjes". Fleta e ditarit përmban edhe të papritura të tjera. Rrezja shkon te ushtari serb që i ruante dhe i thotë se kishte ditëlindjen dhe e pyet se a kishin me i vra. Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet se kishte kujtuar se "shkijet nuk qajnë". 

Në vitet e Luftës së Dytë botërore, Ana Frank dëshmoi për Holokaustin. Në vitin 1999, thuajse 70 vite më vonë, Rreze Abdullahu dëshmoi për mizorinë e ushtrisë dhe milicisë serbe mbi Kosovën. Analogjitë s'janë të rastit dhe do të jenë të pranishme, derisa bota të shlirohet nga eksperimentimi i metodave mesjetare edhe në kohnat moderne. 

Ditari i Rreze Abdullahut është dëshmi e asaj çka ndodhi në Kosovë në 99-n. Natyrisht, nji dëshmi reale, jo fiktive dhe e pakontestueshme. 

Nuk kam bërë asnji ndryshim në tekstin e saj, përveç do ndryshimeve të vogla gjuhësore. 

Ja disa fragmente nga ditari.

Nga RREZE ABDULLAHU 

 

1. 

Krejt po folin për luftën, krejt po thojnë: Luftë, luftë. 

Gjyshja ka thanë se veç Zoti mundet me na ndihmu. Un po i ndij tue folë për luftën, edhe pse krejt po dojnë me e mshefë. Nganjiherë edhe po qajnë. Në televizion kanë thanë se kanë vdekë do njerëz. Un, kur i kam vetë n'shpi, m'kanë thanë që nuk asht kjo puna e fmijve. Ne, veç duhet me luejtë. Po ne nuk jemi budallë. Un krejt e dij çka ka me u ba n'luftë. Ndoshta kanë me na vra. 

Beja ka thanë: "Un ju marr në Zvicer se atje kurrë nuk bahet luftë". 

2. 

Ka ardh Beci me ndejtë, edhe kanë qenë tue fol me hallën. Beci ka thanë: "Janë do shkije, e kanë emrin Dora e zezë, me maska...". 

Ata kishin dashtë me marrë edhe nji djalë, te ne, e kanë kapë për setre e ai e ka zhveshë setrën e u ka ikë. Un s'muj me nga shpejt, ata mujnë me m'zanë mu, po Albani mundet me nga shpejt. Ata s'mujnë me zanë Albanin. Un e kam vetë babin, babi m'ka thanë se mos m'u tutë. Krejt burrat e mahallës hiç nuk flejnë, na ruejnë neve. Ka thanë mos m'i kallzu kërkujt: as Albanit, as Dardanit, as Ardit. Ata nuk kuptojnë sikur un. Edhe babi ka thanë se un jam princeshë e shkijet princeshat nuk i marrin. Po un nuk jam princeshë përnjimend, veç për babin. E dorës zezë hiç nuk i intereson a jam un princesha e babit a jo! 

Un e kam vetë babin: "A mujna me shku n'Amerikë?". Babi ka thanë: "Mbas lufte se ne kemi me qenë gjallë!". Un kam m'u rritë, m'u ba e madhe, m'u ba gazetare, me shku vetë n'Amerikë, ata na dojnë ne. Un kam me taku plot njerz e kam me u kallzu për luftën tonë, për shkijet, për dorën e zezë, për fëmijtë që i kanë vra, për UÇK - në, për Adem Jasharin, për krejt, për krejt, për krejt. 

5. 

Janë ba dy javë e ne sot kemi shkue në shkollë. Kur kemi shkue në shkollë, na ka shti msusi me lexu. Un kam qenë tue lexu. E kemi ndi oshëtimën, po nuk e kemi ditë çka ashtë tue u ba. Mirëmbajtësi i shkollës ka bërtitë që po vijnë shkijet, me ndi krejt. Mësusi e ka çelë derën e klasës, ka dal me kqyrë te dritarja edhe i ka pa shkijet te shitorja e bacit Haki, me tanke, me pushkë t'mdhaja. Mësusi na ka thanë me hy ndër banka edhe mos me qajtë. Ne jemi tutë, ama s'kemi qajtë se ka thanë mësuesi. Kemi ndejtë pak ashtu derisa ata kanë shku. Hiç s'na kanë vra këtë herë. Kam shku shpejt te klasa e Dardanit dhe e Ardit; i kam marrë ata dy dhe jemi përqafu. Kemi ndejtë mbrenda n'klasë derisa ka ardhë gjyshi me na marrë. Kur ka ardhë gjyshi s'ka mujtë gati frymë me marrë. Gjyshi plak u lodh dhe u tut shumë për ne. Kur kemi ardhë te shpija kanë qenë tue qajtë krejt. Masandej mami na ka mbaru nji tortë, ka dashtë me na gëzu. Ka thirrë Beja prej Zvicre në telefon, edhe axhi Sylë; janë mërzitë shumë dhe kanë thanë me u incizu nji video. Ne jemi veshë mirë dhe kemi recitu vjersha me i pasë ata për kujtim prej nesh, nëse kanë me na vra shkijet. 

11. 

Kam pa andërr mbramë. 

Kishin ardh shkijet këtu keshe i kanë vra babin, gjyshin, Albanin, Dardanin dhe Ardin. I kanë marrë m'u rritë nji herë (e) m'i vra. Mami keshe nuk dojke me ja dhanë shkijeve e tani e kanëë plagosë. Masandej mue ma kanë marrë fletoren, ma kanë lexu e kanë pa që un kam thanë se shkijet janë si dreqi, kanë dashtë me më vra, po nana u kaë dal përpara dhe e kanë vra nanën. Kishe ka mbetë veç mami plagostë edhe halla, e keshe mue m'kanëë marrë me m'çu n'Serbi. Jo,jo. Oh Zoti jem, un s'po du me shku n'Serbi, u kam than keshe shkijeve se ma mirë me m'vra. Un kisha qenë tue fol jerm, më ka thirrë mami, ma ka dhan do ujë me pi, edhe m'ka marrë n'gji, kemi fjetë bashkë, un s'tutna kur flej me mamin, asaj i vjen era mam. Oh Zoti jem, sa shumë e du un mamin, nuk du m'i ba kërkush keq, un luftoj edhe me shkijet për mamin! Mami i ka bërtitë Flamurit, i ka thanë: "Mos me na folë ma fjalë për luftën, as për masakra!" 

Natën e mirë! 

13. 

Mami m'ka kallzu kur ka qenë n'shkollë, studente, ka nisë lufta. Mami me shoqet e veta kishin ba demonstratë për Kosovën Republikë... Shkijet i kishin marrë mamin dhe shoqet e veta n'burg... I kanë lshue, po ma nuk i kanë lanë me shku n'shkollë. Mami, gjynah, se ka mësue shumë. Mami n'burg e kish pas emrin Tringa, mu m'ka pëlqy shumë. Mami, gati menjiherë mbas lufte, u feju dhe u martu... na ka lindë neve. S'pari ka lindë Rrezja, motra jeme qe ka vdekë, ajo kish qenë shumë e bukur. 

Kahnjiherë s'po tutna me vdekë se shkojna në qiell, në qiell e takoj un motrën teme atje veshun njejtë. Nëse ne na vrajnë, ajo del me na pritë ne. Në qiell nuk ka luftë, në qiell nuk ka shkije, ka veç engjuj. 

Natën e mirë! 

14. 

Sot kemi ik prej shpije, kemi dalë krejt me traktora. 

Shkijet na kanë kalu përrethi, na kanë thanë me shku në Varosh e m'u kthy me vonë. Ne kemi shku krejt, po qentë na kanë mbetë te shpija: Buci edhe Benxhi. Më ka ardhë gjynah prej Benxhit se ashtë qen plak. Un kam qeshë sot pak me gjyshin, e kam pa qe ai ka mbathë kpucat ndryshe. 

Mbasdite na kanë thanë m'u kthy prap te shpija. 

Oh Zoti jem, kur i kemi pa krejt shpijat tue u kallë! Njerzit kanë bërtitë shum, kanë qajtë, kanë nga. Un jam habitë, veç kam bërtitë dhe ma s'kam mujtë me lëvritë prej vendit. Tani dada Zylë ma ka mëshu shuplakë të madhe. Kemi kcy prej traktorit, krejt kemi nga te shpija, kemi dashtë me i shkymë. Un e kam pa Benxhin, e kanë plagosë. Oh Zot, Benxhi e ka pasë plumbin në qafë. Ka shku gjyshi e ka kapë në krah, kemi provu krejt me ia hjekë plumbin. Oh Zot, Benxhi po vdekë, Benxhi po cofë. Zoti jem, shkijet e kanë vra Benxhin! Pse ata e kanë vra, pse Benxhi ka qenë shumë i urtë! Benxhi nuk u ka ba keq shkijeve. Benxhi gjyshin e ka kqyrë në sy, n'drita t'synit. M'ka thanë me i ndihmu. Un s'kam mujtë, kërkush nuk ka mujtë. Oh Zoti jem, Benxhin e kanë mbytë! Mami më ka thanë mos m'e harru kurrë ket ditë. Un kurrë nuk kam me harru, kurrë nuk kam me harru Benxhin... 

17. 

Sot asht 10 Prill. 

Un sot e kam ditëlindjen. Hiç nuk jam tue e festu, askërkush nuk ma ka uru. Po un nuk jam hidhëru hiç me kërkand, un e dij, un kuptoj që asht luftë, kanë vdek shumë njerëz, i kanë vra plot fëmi, gra, pleq, edhe gra shtatzana. I kam pa në televizion, edhe i kam ndij në shpi tue folë, kanë thanë se edhe ne jemi në rrezik. Tash ne na kanë djegë krejt shpinë, na janë djegë krejt gjanat. Mue krejt fletoret, librat, kukullat prej Zvicre, aparati. Mami ka thanë se si të kryhet lufta t'i blejmë tjera. Un e kam pa, un e dij që ata janë mërzitë shumë që na kanë djegë shpinë tonë të re, jam mërzitë edhe un, krejt shoqet më kanë thanë se na e kemi shpinë shumë të mirë. Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s'po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë. 

Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu. 

Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt… 

Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?! 

19. 

Na kanë than m'u nisë, me dalë prej ktu, na kanë përzanë prej vendit tonë, prej Kosovës. Rrugës kemi pa plot kafshë, edhe ato kanë mbetë pa shpi, edhe ato janë tue u tutë. Shkijet na kanë lypë pare rrugës, ama nuk e kanë vra kërkand, kta shkije kishin qenë ma të mirë. Janë tue na çu në Maqedoni, atje ka plot shqiptarë. Jemi n'kufi t'Maqedonisë, jemi tue pritë qe s'di sa orë. Po na japin ndihma, po na japin ushqim, mbulojë. Dita ka shkue me i ndihmu t'smutit, ka shumë njerz qe janë t'smutë, edhe nana u s'mu, pa vetdije, gati asht tue vdekë, gjyshi asht smutë pak ma pak. Veç po vjellin, kanë marrë ilaçe. Un s'po du me vdekë nana dhe gjyshi; kemi shpëtu gati prej shkijeve, veç edhe pak dhe kufinin kemi me kalu. 

25. 

Nuk e di po un sot shumë jam mërzitë. 

Nji ditë ka me ardhë liria e ne kemi m'u kthy n'Kosovë, n'vendin tonë, n'shpijat tona, në shkollën tonë. 

Këtu njerzit janë shum t'mirë, po un s'po dukem sikur te shpija! Po më duket sikur zemra jeme asht krejt e zbraztë. Ktu po folet edhe maqedonisht, po më duket mue sikur janë shkije. Ne po na shtijnë me lexu, me msu maqedonisht. Msuesja hiç s'po na don. Nuk e di, nuk e di, n'shpi, n'Kosovë krejt janë ma t'mirë. Edhe mue m'kanë dhanë plot kukulla, po un s'po muj m'u knaqë ma, s'po muj. Mue shpesh po më kujtohen krejt. Edhe Benxhi, sytë e Benxhit me lot. Ktu edhe gjumi po më vjen ma ndryshe. Ndoshta n'Shqipëri me shku isha knaqë ma shumë se janë krejt shqiptarë. Krejt sendet po m'vijnë pa lidhje edhe pse jemi gjallë. Kurgja nuk asht si n'shpi, kurgja. Nuk kam ma çka kam pasë n'shpi, krejt jeta ka ndryshu. 

Mami na ka thanë nji ditë: "Lufta u ka rritë para kohe". 

26. 

Un nuk e di a ka me u ba ndonjiherë jeta normale, a kemi m'u kthy qysh kemi qenë. Kjo nuk mundet me ndodhë, njerzit kanë vdekë edhe s'mujnë m'u ngjallë, ata që janë gjallë s'kanë ma pare me i mbaru shpijat. 

Ne nuk mujna me harru luftën kurrhiç, bash kurrë. 

Edhe pse gati po vjen liria, ne po gzohemi, po çka për ata që ju kanë vra familjet? Un nuk po muj me ditë a asht gzim apo çka! Më ka marrë malli me dalë n'mal, me shetitë, m'ka marrë malli me vrapu, m'ka marrë malli me luejtë me shoqe, m'ka marrë malli mos m'u tutë, m'ka marr malli me kqyrë nji film vizatimor edhe me qesh shumë. 

Lajme, lajme, veç lajme. Luftë, luftë, luftë, veç luftë. 

Mirë ka thanë mami. Po më duket sikur nuk jam hala fmi, jam e madhe duhet me kuptu edhe luftën që e bëjnë njerzit e mdhaj. Kahnjiherë po më duket sikur prrallë, prrallë e keqe me përbindsha që na tregojke gjyshi. Po prrallat e gjyshit u kryhshin, kjo jo, hiç s'po kryhet. Me prrallat e gjyshit ne flejshim e me kta s'po na nxe gjumi. 

Ah, kur t'kthehemi te nji ditë te shpija, sa shumë malli m'ka marrë e t'i ndihmoj mamit me mbjellë lule, lule t'kuqe edhe t'bardha, lule me erë të mirë, mos me ardhë ma era luftë. Kur t'shkojmë n'shkollë, ta përqafoj msusin me duer e shoqet t'i shtrëngoj shumë. Kur vjen dita me shku te shpija, kur edhe pse ma s'kemi shpi, ne atje e kemi shpinë, kemi m'u kthy n'oborr me fjetë. 

Shpija jonë e djegtë, Benxhi jonë i vdektë, m'ka marr malli shumë! 

27. 

Po kthehemi n'shpi, po shkoj. 

Shkijet kanë ikë prej Kosove. Kosova asht e lirë. E di, ne s'kemi shpi ma, s'kemi kurgja, po ne e kemi Kosovën e lirë, Kosovën pa luftë. 

Ne s'kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n'krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gzimit. Un e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë! 

Po shkojmë te shpija, te Kosova ime me lot e me gjak. Te Kosova ime e djegtë, te Kosova ime e lirë. 

Të dua, Kosovë!

36 Komente

Gjate leximit te ketyre rradheve eshte gati e pamundur te mbash lotet... Asnjehere me pare nuk kam lexuar dicka kaq tronditese dhe te bukur njekohesisht! Pa fjale...

Shume prekese ne fakt! Shyqyr qe mbaroj. Shpresoj te perkthehet. Te lumte dora Rreze, faleminderit Ed.

Ne jemi veshë mirë dhe kemi recitu vjersha me i pasë ata për kujtim prej nesh, nëse kanë me na vra shkijet. 

1000 filma, 1000 romane per luften, nuk besoj se ja arrijne tma trondisin shpirtin sa kjo fjali.  

Rrezja shkon te ushtari serb që i ruante dhe i thotë se kishte ditëlindjen dhe e pyet se a kishin me i vra. Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet se kishte kujtuar se "shkijet nuk qajnë".

9 vjeçe, me dy klase shkolle i ka shkru kto? Please!

 Un kam qeshë sot pak me gjyshin, e kam pa qe ai ka mbathë kpucat ndryshe. 

Hoppa, vetem nji femije mund ta shkruj ket!

Po kthehemi n'shpi, po shkoj.

Lajme, lajme, veç lajme. Luftë, luftë, luftë, veç luftë.

Shpija jonë e djegtë, Benxhi jonë i vdektë, m'ka marr malli shumë!

Po shkojmë te shpija, te Kosova ime me lot e me gjak. Te Kosova ime e djegtë, te Kosova ime e lirë.

Shume e mundur qe nje 9 vjecar te shkruaje edhe keshtu. Tregon qe ka lexuar shume dhe dicka i ka ngelur ne koke nga stilet e lexuara. Keto vargje jane dicka mes prozes dhe poezise...

Nuk ka asgje per te qene skeptike...

 

Lumi • 4 hours ago

Kjo gjithmon ka shkru prej e vogel kur u kon,une e kom pas nklas,ka shkru ditar,ka pas shenime,ka shkru poezi,ka shkru letra,ka lexu me se mirti.Bravo,bravo qika klases

 

Shume prekse flm!! Duket e pabesueshme vertet qe i ka shkruar nje vajze 9 vjece,ashtu si me dukej mua e pabesueshme,e jo vetem mua,fakti qe familja ime mbajti 3 gra e dy femi nga kosova ne kohen e luftes brenda ne 1 apartament dhome-guzhine per reth 2 muaj..pyetjes se si ja beni,ku do i futesh?..plaku ju pergjigj..shkova e i mora tek pallati i sportit,nuk mund ti lija,as nuk mund ti ndaja grate nga femijet...nena me motren tende flene ne 1 krevat,kam gjetur dy krevat te tjere ku flene edhe 2 grate e tjera me femijet, plus njera shtrohet per toke, praktikisht dhoma e gjumit eshte kthyer ne nje fjetore,une per vete fle ne koridor e shkoj ne banje vetem pas mesnate,per te gatuar e te tjera nuk e kemi shume problem...jane njerez te thjeshte e pa harxhime,grate po mesojne te gatuajne e femijet me therasin bace,po ti na dergo ndonje lek,se na duhen!!

qaj shkijet e qaj une...  smiley

Cimo shife si duket Rrezja sot:

Un e kam vetë babin: "A mujna me shku n'Amerikë?".

 

Po dé !! smiley

ose: "syzeze, vetulla B...

RRezja u martu me Sokol Abdurrahmanin ,te birin e Afrim Abdurrahamnit ne Bronx...Ardi e Dardani jane ende tu punu me Bacen ,rrugen e Turqise.Jane ka punojne mir boll,Kane ble Benxh t'madh e kullat jane maru bash njaty ku na i djegu shkjau...

aasht shkru kaq mrekullueshem ,sa do t'ju lutesha edhe sikur te mos jete i vogelushes ma lini ta besoj.....

Zana, une e besoj se teksti eshte origjinal, dmth Rrezja eshte autorja. Nuk e di a eshte kjo foto qe keni sjelle ketu e Rrezes se rritur, pasi fotoja si femije eshte shume e embel...

Me poshte po sjell komentin percjelles qe ka bere Ben Andoni tek gazeta Milosao, shtojce e Gazeta Shqiptare per kete tekst. Une e besoj qe ditari eshte unikal ne llojin e tij, pasi sic thote Ben Andoni, letra dhe gjithcka tjeter eshte shume e vjeter. Por per te vertetuar kete gje mund te kete analiza qe e percaktojne sakte kohen e shkrimit te asaj fletoreje. Gjithashtu mund te vertetohet analiza e shkrimit nga nje ekspertize e thjeshte. 

Rreze Abdullahu, një Ana Frank shqiptare?!
Nga Ben Andoni 

Prozatori i njohur Petrit Palushi këmbëngul që ky ditar, i cili po botohet për herë të parë, është autentik dhe ai po ia dhuron "Milosaos" me mirëkuptimin e autores. E marrim të mirëqenë dhe urojmë të jetë i tillë. 
Në faqet e ditarit mund të shikosh përcjelljen e jehonës së luftës nga një fëmijë që di të shkruaj, por luftën e sheh shumë "çuditshëm", ashtu si mund ta shikoj një fëmijë në moshë të tillë. Pa notat e zakonshme të lavdisë (por që edhe asaj çuditërisht nuk i mungojnë), dhe me një qashtërsi fëmije ajo tregon për gjyshin e vet, nënën, qenin plak, familjen, mësuesin, Maqedoninë dhe ushtarin serb që i ruan dhe shumë e shumë gjëra të tjera?! 

Atë që ke parasysh nga imazhet e stacioneve të huaja televizive për Luftën në Kosovë, në këtë rast, ke mundësi ta shikosh direkt nga dëshmia e një fëmije vetëm 9 vjeç. Me një gjuhë që është gjithnjë më e largët për ne në Shqipëri, por që është e justifikuar sepse është nga dora e një fëmije, vajza rrëfen gjithçka, ëndrrat, dëshirën, mësuesit dhe realitetin që e rrethon. Njerëzit mundohen që tek fëmijët lufta të vijojë sa më e vogël, por edhe tek Rrezja e asaj kohe ky kumbim i tmerrshëm nuk mund tw fshihet dot. Ditari, nëse është vërtetë autentik, ka shumë vlera dhe ia vlen që të botohet por edhe të ekranizohet. Nëse s'është i tillë dhe kjo botë për dreqin është e mbushur me raste të tilla, atëherë do të rreshtohet si një shembull i keq, deri ku mund të arrijë keqësia njerëzore për protagonizmin. Gjithsesi, gjuha e përdorur, por edhe gjendja e letrës, si thotë kuratori i saj z.Petrit Palushi i cili po merret me të, nuk lë vend për diskutime dhe i takon realisht kësaj kohe. Për ne, nëse do e merrnim të mirëqenë këtë fakt, do të thoshim se një letërsi e tillë i bën nder Kosovës dhe Shqipërisë dhe është një subjekt i jashtëzakonshëm për Luftën e Kosovës. Faktet e thjeshta sesi fëmija e shikon luftën, por më shumë akoma dashurinë për jetën tregojnë se lufta s'është aq 'e tmerrshme', por njerëzit që e bëjnë atë janë mostra. Serbët janë njerëz, ashtu si edhe shqiptarët, që urrehen prej tyre, janë po ashtu. Të gjithë kanë problemet e tyre, kanë fëmijë, kanë familje dhe e duan jetën. Por, kokënxehja e disave që nuk e shikojnë fare jetën është e tmerrshme. Dhe, këtë solli lufta të cilën analistët mund ta lidhin me lloj-lloj gjërash që shpjegohen me gjeostrategjinë. Për Rrezen e vogël këto s'kanë rëndësi. Ajo na jep dëshminë me vetë sytë e saj. Na tregon ëndrrat, eksodin, ikjen në Maqedoni, mundësinë që s'ua jep mësuesi maqedon dhe pikëllimi i saj është se ditën e saj të lindjes nuk ia uroi askush. Madje ka frikë se do ta vrasin. Por, ushtarit serb që i ruan, kur e pyet nëse do i vrasë, ai e shikon i çmeritur, sepse ndoshta edhe vetë e presin fëmijët në shtëpi. "A do më vrasësh sot, që kam ditëlindjen?" A vriten njerëzit kështu?! Por më mirë le të flasë vetë kjo vogëlushe e mrekullueshme, që fati e la gjallë për të na dhënë këtë dëshmi të jashtëzakonshme: 
"Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s'po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë. 
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu. 
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt… 
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!"

Bukur, prekese, kete e lexova dje tek gazeta dhe sot paradite ketu, e mendoj se ia vlen ta besh film. 

Vetem per te bere e ke mendjen o Pjer! 

Roni, po shoh dhe Emigrantin ketu tani, nuk keni shkuar ne pune ju tani. Sa eshte ora aty tani. Ketu eshte thuajse 4 e mbasdites. 

Po ne nuk punojme me kazem mor Pjer! Amerika na i ka plotrsuar kushtet e punes me se mirti. 

un s'tutna kur flej me mamin, asaj i vjen era mam.

...

shkrim prekes. 

shyqyr, me happy ending. Se titulli nuk premtonte ashtu.

....pse duket si histori e montuar ?!
kosovaret spara perdorin, mami e babi...

perdorin

sepse normalisht mosha e autores nuk perkon me cilesine e tekstit sic eshte dhene - "normalisht" thashe, duke rezervu te drejten per ndonje rast gjenialiteti, qe eshte "unlikely, but not impossible" (i pagjase, por jo i pamundur).

Ne total eshte shume mire te botohet nje liber i tille, e ne e paste shkrujt keshtu ne fletore apo jo, vertet ajo eshte gjeja me e parendesishme ne bote.

Nje deshmi e saj vlen sa per tre tonat.

Hidh parrulla Emo hidh. 

Ti Emo pi për shëndetin e kujt të duash. Tëndin apo të të bukrave sinjorina sykaleshe. Unë do pi PËR SHËNDETIN TIM!

Po nejse, do vijë edhe radha ime.

 

 

Nje deshmi e saj vlen sa per tre tonat.

 

pastaj do ti themi:  na fal se te genjyem.  Ramiu.smiley

Ky m'duket e ka mbiemrin Ferra - duhet t'i njofesh se s'ben.

eshte nga te tute

smiley

 

 

Mua s'me vajti mendja fare qe kjo mund te ish e sajuar vone...

Ka nje ciltersi femijerore, qe me mahniti...

/Plus qe dy paragrafet e pare jane shkrimi me i bukur qe kam lexuar tek peshku qe nga krijimi tij smiley

//Edhe po te jete shkruar ne moshe te madhe, prape ngelet shkrimi me i bukur qe kam lexuar ndonjehere tek peshku.

///Gjerat me te thjeshta jane me superiore se tere filozofite e botes

Po sikur Rrezja te kishte qene nga Krusha e Madhe (fshati i vejushave ku mbeten jetime me shume se 500 femije) , si do e kishte shkruar? 

S'do thoshte "mami" e "babi", do thoshte "ku ku moj nane" ne ditar nga nje faqe ne tjetren.  

Per marren tone do merreshim me "a me verte shkroi e qau ne te njejten kohe 9-vjecarja".  

 

 Un e kam vetë babin, babi m'ka thanë se mos m'u tutë. Krejt burrat e mahallës hiç nuk flejnë, na ruejnë neve. Ka thanë mos m'i kallzu kërkujt: as Albanit, as Dardanit, as Ardit. Ata nuk kuptojnë sikur un. Edhe babi ka thanë se un jam princeshë e shkijet princeshat nuk i marrin. Po un nuk jam princeshë përnjimend, veç për babin. E dorës zezë hiç nuk i intereson a jam un princesha e babit a jo!

 

Kryeveper... na e boni mishin kokrra kokrra...smiley

E shkruajtur bukur dhe e ka ruajtur mirë frymën fëminore .

Pyetja është ku e mësoi 9 vjeçarja shkrimin dialektor apo në shkolla kte drejtshkrim i mësojnë ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).