Në një botë që ndryshon pareshtur, punët e njerëzve të mirë janë nga ato të paktë konstantë që e bëjnë jetën të vyer e njëmend të veçantë. Ferit Vokopola jetoi nen fashizëm e komunizëm por këndvështrimi i tij mbi jetën mbijetoi konstruktet njerëzore, jo vetëm në jetëgjatësi por edhe në përmbajtje e thellësi. Botëkuptimi i tij i ngritur mbi të përjetshmen, larg nevojave te ngutshme e ndonjëherë të panevojshme të së tashmes, është sot  i dobishëm me shumë se kurrë për të injektuar njëfarë baraspeshe kundër dëshirës se sotme njerëzore për të grumbulluar shumë e më shumë materie.

Pena e tij si një zë i ndërgjegjes shpirtërore, një përgjërim për t’i dhënë kuptim jetës përtej ekzistencës së përkohshme, na rikthen vëmendjen tek gjerat qe janë me vërtet të rëndësishme.

 

O Zot I Madh! I Madhi Zot!

O Fsheti’ e thell’ në botë!

Je që dihesh por s’të njohin,

Je në shesh por nuk të shohin 

 

Ulema na rikujton se udha e mistikut eshte një përpjekje e vazhdueshme rizbulim  vetveteje. Sikurse shkencëtari kundron e zbulon me kërshëri natyrën, mistiku endet pafundësisht në rrathët e brendshëm te shpirtit duke gjetur e rigjetur  rishtazi vetveten.

Puna e shpirtndriturit është një melodi e ëmbël për veshin tonë të pamësuar, një oazë ne shkretëtirën tonë shpirtërore.

 

Këto shfaqe: ky alemi

Pa qëndresë jan’ tu themi,

Ku Havaja, ku Ademi?

Dede! Mendjen ku e kemi?

        Ky ças ësht’ vetëm ky ças!

        Hajt t’ ia themi me avas!

T’a lëm kohën e kaluarë,

Se na bën të dëshpëruarë,

Mos mejto se ç’ është shkruarë,

Te gjith kanë për te shkuarë,

        Ky ças ësht’ vetëm ky ças!

        Hajt...t’ ia themi me avas!

Ti je lipës der’ më derë!

Ç’ të duhet brengë e qederë!

Me të sotçmen mos u-merë

Dhe të nesërmen e lerë!

        Ky ças esht’ vetëm ky ças!

        Hajt...t’ ia themi me avas!

Në kët jetë s’ka qëndrim!

Çdo ditë ësht’ me hidhërim!

O ti që kërkon gëzim!

Mos humb jetën një grim!

        Ky ças ësht’ vetëm ky ças!

        Hajt...t’ ia themi me avas!

Kush e di, qënkësh Ed-hem,

Kush e di, qënkësh sersem,

Gjithesej qenkësh maras,

Koha tjetër të lë pas...

        Ky ças ësht’ vetëm ky ças!

        Hajt...t’ ia themi me avas!

 

Përkthim nga Ferit Vokopola

 

Një copëz ku Ferit bej Vokopola shtjellon shkurtimisht disa mendime të tija mbi mistikën.

 

....

Po t’i hedhim një sy Historisë së Përgjithëshme do të shohim se të gjithë besimet e fetë e kaluara si dhe parimet filozofike janë mbështetur disa herë Fuqisë së Përgjithshme të Natyrës e herë të tjera asaj të mendjes, dhe nga një herë të dyjave bashkë duke i përshtatur si pas kohës e nevojës.

 Të tëra këto janë si shtizat e një shtrati të vetëm, të shkëlqyer që kur jemi ball’ për ballë me urtësinë e Përjetshme nuk mundet te na shtjellojnë shpirtërisht as unitetit natyral, as ay mendor përveç unitetit të vërtetë që nuk eshte gjë tjetër veç përfytyrimi riflektiv i Qënies Hyjnore.

 Por ç’është Qënëja Hyjnore? Për të kuptuarë këtë ne duhet se pari të ndjekëm udhën e një diturije ose njohurije shpirtërore, që fillon me ndjesinë e një ndryshimi të brendshëm të padyshuarë, që zbulon me një herë trajtimet paraprake sipërnaturale, të cilat e bëjnë zemrën e njeriut të priret drejt misterit jetik.

Po, duhet t’a pohojmë se njohuritë shpirtërore nuk mësohen me libra dhe në se po, deri diku, pse nuk është e mundur të zotërohen e të asimilohen krejtësisht pa siguruarë dorëzimin hyjnor. Gjuha e kësaj njohurie është trajtimi i gjendjes prandaj i thonë dituri e thellë, dituri mistike, dituri esoterike.

Njohuria mistike ose esoterike nuk është vetëm filozofi, mbesim a moral, por burimi i të gjithave, është pasqyra kthjellonjëse e çdo faqeje shpirtnore e lëndore.

 Platoni thotë: “dituritë e lartra nuk gjenden ndër libra, duhet një mendje e thellë që ti krejë ato nga thesari i ndërgjegjes duke ndezur zjarrin e shënjt në vatrën e mevehtësisë. Nga ky shkak s’kam pasë shkuarë as qe do te shkruaj gjë mbi inspiracionet....”

 

I madhi Muhamed (a. s.) thotë se dituritë janë dy llojesh, njëra eshte e zemrës që është më e dobishmja dhe tjetra e gjuhës qeë është dëshmija e Zotit mbi të birin e Ademit. E para eshte dituria esoretike, që merret me prirjet shpinore dhe e dyta dituria pozitiviste, që ndjekë gjërat e botës eksoterike. Filozofi Bertrand Russel ka thënë; “Dy prirje të kundërta me njëra tjetrën i shtyjnë ca njerëz në shkencë e dituri e të tjerët drejt misticizmit; që të dyja udhët kanë njerëz të lartë e të arritur : për shembull Hjumi (Hume) eshte prierur në fenomenizmë ndërsa Blaku (Blake) ndjekë udhën e një diturije të thellë mistike”. Me gjithë këtë kanë ardhur njerës t’ urt, që janë munduarë dhe po mundohen të gjejnë udhën e mesme për t’i pajtuare këto dy dituri sikur u lodhë dikur Herakliti me Platonin.

Misticizmi Islam, esoterizmin dhe eksoterizmin, i ka bashkuarë në një trajtë të vetme, duke i cilësuarë ato si dy atribute të një strati absolut. Ay vërteton fetë e përparshme, profetet dhe shenjtët që kanë shkuarë para profetësisë Muhamedit (a. s.), e, ka pasur, sipas nevojës shpirtnore, mistike e misticizëm....

...

Për ata qe na kuptojnë u zgjatem mjaft në këtë parathenëje e sa për te tjerët, që nuk ndjejnë nevojën shpirtnore te një mbesimi mbështetur Qënies absolute, që është kryekreje e çdo gjëje, i përgjigjemi me fjalët e një t’ Urti Persian :

Anqe fehmi tyra deru reh nist,

Gajeti fehn  tyst Allah nist :

Që d. m. th.

Atje ku mendja jote ngel e me tej nuk arrinë,

Është fundi mendjes s’ ate, pra s’ e gjen Perëndinë.

 

Ferit Vokopola 

 

Parathënia e përkthimit “Thellësirat e Fantazis”

Shtypshkronja Shkodra – Tiranë 1942

 

 

Ferit Vokopola, përfaqësuesi më i shquar i misticizmit islam në Shqipëri

 

FERIT VOKOPOLA (1887-1967)

FERIT VOKOPOLA (1887-1967)

 

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, Deputet në Vlorë e Berat, Ministër i Bujqësisë

(1927-1928), Teolog, Ekonomist, Poet, Publicist, Themelues i Organizatës “Drita Hyjnore”, Drejtor i Revistës “Njeriu”

 

Ferit Vokopola lindi në Vokopolë të Beratit më 18 gusht 1887. Atdhetar dhe njëri nga pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Në vitin 1920 ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Ai iu përkushtua fesë dhe ishte ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe bashkëpunëtor i njohur i shtypit laik e fetar. Autor i veprës “Gjëmimi i Tomorrit”, përmbledhjes me vjersha “Symbyllazi me ëndërrime” dhe vëllimit me poezi “Fluturimet e shpirtit”.

Ferit Vokopola përktheu Kur’anin dhe la në dorëshkrim’’Kalendarin osman”. Në shtypin shqiptar të viteve 1920-‘30 ndriçoi pena e fuqishme e tij, si një prej figurave poliedrike të kohës. Studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Ai ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist.

Më 28 nëntor 1912, Ferit Vokopola firmosi dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë si delegat i Vlorës. Më 1914 bëri pjesë në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të Qeverisë së Durrësit. Pikërisht në këtë kohë ai hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kur’anit.

Atdhetari i flaktë Ferit Vokopola në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira të pragshpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, viti II, nr. 6-7 të dt. 30 janar e 1 shkurt 1914, shkruan: “… u nisëm përmes Myzeqesë në ato kohëra të këqija nga dimri i fortë e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal beun me shokë. Ismail Qemal beu në zyrën telegrafike merrte shpjegime mbi situatën e okupacioneve dhe jepte këshilla mbi masat që duheshin e me padurim të mblidheshin delegatët shpejtësisht në Vlorë. Kur ishim në zyrën telegrafike më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër të rëndë dhe Ismail beu më thotë: shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën, ti marrësh uratën e pastaj hajde në Vlorë me delegatet e Beratit. Duke e digjuar, unë i thashë se jam nisur për Mëmën Shqipëri, e uratën kam me ja marë kësaj. Ai më përgëzoi atenisht me një bravo, e cila i buroj nga zemra… dhe vuna re se sytë i kishte të lotueshëm.

Nga Fieri u nisëm për Vlorë. Atje Agallarët Sharra çelën shtëpinë e na pritën me bujari të madhe. Ndërkohë prisnin me padurim të vinin delegatët e vëndeve të tjera”.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë u botua në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, edhe nën kujdesin e firmëtarit më të ri të Aktit të Pavarësisë (vetëm 25 vjeç) Ferit Bej Vokopola.

Gjatë periudhës 1920-1928 u zgjodh deputet i Vlorës, kurse gjatë viteve 1928-1939 deputet i Beratit. Pikërisht në këtë kohë, në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës.

Më 26.10.1927 deri më 10.5.1928 Ferit Vokopola mbuloi postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare. Në Kongresin e Lushnjës (21.1.1920) ai mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh Sekretar. I frymëzuar nga kjo ngjarje historike, ai shkroi himnin e Kongresit të Lushnjës. Poezia e këtij himni është një muzikalitet me tinguj melodioz. Më 1919 boton “Fluturimet e Shpirtit”, në vitin 1920 botoi vëllimin me poezi “Symbyllazi me ëndërrimet”, në vitin 1942 botoi veprën poetike “Gjëmimet e Tomorrit”. Stili i tij është atraktiv, gjuha plot figura, metrika e respektuar. Figurat e përdorura në poezinë e tij kanë karakter simbolesh, gjithmonë brenda botës së madhe të emocioneve.

Ai është përfaqësuesi më i shquar i misticizmit islam në Shqipëri, në gjysmën e parë të shekullit XX-të, dhe radhitet ndër persologët më të rëndësishëm shqiptarë. Poezia e poetit Ferit Vokopola është e udhëhequr tërësisht nga misticizmi dhe qëndron në tre përbërësit kryesorë, njeriu, natyra dhe Zoti, ku mbi të gjitha qëndron Zoti. Në revistën më të shquar të kohës “Zani i Naltë”, poeti dhe filozofi i shquar Ferit Vokopola botoi poezinë “Perëndimi i Shejh Shaban Tixhanisë”, si dhuratë miqësore e gjurmuesve të tarikatit Tixhani, duke i bërë himn vetë njeriut, që qëndron në thelb të doktrinës së tij filozofike dhe religjioze. Frymën e misticizmit islam e solli në vjershërimin poetik shqip Naim Frashëri, dhe e vazhdoi Ferit Vokopola. Ai shprehej në vargjet poetike:

“Fillonj` me emnin e t`madhit Zot

Që është bekues e Mëshirplotë”.

Në fushën e legjislacionit Ferit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve 1920-1930. Ai së bashku me deputetë të tjerë të besimit islam përgatitën dhe miratuan në Parlament Kodin Civil të viteve 30-të të shek. XX dhe që u vlerësua si hapi më i rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e vendit. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Ferit Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Në këtë kohë, ai themeloi në Tiranë organizatën fetare “Drita Hyjnore”, që pati si organ të saj revistën “Njeriu”, e cila doli rregullisht nga korriku 1942 deri në qershor 1944. Në këtë revistë ai botoi një pjesë të shkrimeve të tij, ku shquhen në mënyrë të veçantë poezitë e tij simbolike me theks filozofik.

Duke qenë njohës i mirë i mistikës islame, ai e përçon këtë frymë pothuajse në të gjitha poezitë e tij. “Zani i Naltë” ishte një revistë letrare që u publikua nga tetori 1923 deri në prill 1939, në të njëjtën kohë me “Udhën e s`vërtetës”. Mirëpo, ndërsa “Udha e s`vërtetës” u publikua në Shkodër, “Zani i Naltë” që ishte botim i Komunitetit Mysliman Shqiptar dilte në Tiranë. Nga Ferit Vokopola në të u pasqyruan dy të drejtat më të respektuara të njeriut. E drejta e pluralizmit kulturor, ku kulturat e ndryshme zhvillohen së bashku dhe e drejta e pavarësisë kulturore, ku një kulturë zhvillohet e vetme në hapësirën e saj. Pra kultura e lindjes dhe ajo perëndimore u ngjizën në kulturën shqiptare, nëpërmjet inteligjencës krijuese të Ferit Vokopolës.

Në aspektin e vlerësimit teologjik dhe filozofik të moralit islam, ai u shpreh për çështje madhore dhe shkroi esetë filozofike “Problemi i Zotit dhe Djallit”, “Verdikti i fatit” dhe “Morali dhe epshi i masave”. Në këtë revistë më të shquarën e kohës, ai botoi dhe studimet dhe esetë në fushën e historisë së artit si “Kuptimi i artit dhe kufijtë e tij”, “Shkrimtarët e Letërsisë Islamike në Shqipëri” etj. Në korrik 1942, doli në Tiranë revista kulturore dhe fetare “Njeriu”. E në numrat e parë, kjo revistë periodike e përmuajshme e kishte të përcaktuar orientimin shpirtëror dhe kulturor të saj. Me përkthimin e vargjeve kur’anore dhe të mësimeve të Profetit dhe botimin e tyre në faqet e revistës “Njeriu”, të edituar dhe drejtuar nga Ferit Vokopola, u kontribuua në formimin e një pikëpamjeje bashkëkohore mbi moralin, filozofinë, edukimin, qytetërimin dhe besimin islam. Revista “Njeriu” ishte organ i Shoqatës “Drita Hyjnore” e themeluar nga Ferit Bej Vokopola. Në përmbajtjen e saj ne gjejmë një gërshetim të teorisë me praktikën, me misticizmin si epiqendër të saj. Politika redaksionale e Ferit Vokopolës e definoi këtë teori si “Misticizmi me të gjithë karakteristikat e ngjashme të tij, është rruga e zakonshme e njohjes së të vërtetës, dhe ajo është boshti, i cili ka të përfshirë të gjithë atë luftë e përpjekje në kuptimin, ndikimin, këmbënguljen dhe përhapjen e veprës së ndritur të mirëbërësisë. Në faqet e kësaj reviste Ferit Vokopola botoi edhe shkrime të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mithat Frashërit dhe intelektualëve më të rinj si Suat Haxhit, Mustaf Greblleshit, Jup Kastratit etj. Revista doli në 27 numra dhe u mbyll në qershor 1944. Ferit Vokopola botoi dhe përkthime të pjesshme në revistën tjetër të kohës “Kultura Islame”, ku bashkëpunoi ngushtësisht me figura të shquara të kulturës shqiptare si Sherif Putra, Haki Sharofi, Sadik Bega e të tjerë. Edhe në fushën e përkthimeve nga osmanishtja, ai u shqua mbi të tjerë, duke prurë në shqip thesare të letërsisë dhe kulturës perse në veçanti dhe asaj islame në përgjithësi. “Rubaij-jati” (Rubairat) i Omar Kajamit u botua për herë të parë më 1942, në Tiranë, vepër në vargje prej 139 faqesh i Hafiz Ali Korçës. Me kërkesë të tij, Ferit Vokopola shkroi parathënien e kësaj vepre fondamentale të kulturës perse, që vinte në shqip për herë të parë.

Ferit Vokopola, një nga zotëruesit e mirënjohur e më të përkryer të disa gjuhëve të huaja të lindjes dhe të perëndimit, në parathënien e këtij libri, vëren: “Shtatë shekuj fjeti në hirin e harresës edhe vepra e “Rubairave” të Omar Kajamit, pra, s’dihej të çmohej prej një bote fantastike e fanatike, realiteti i jetës, që ai poet e filozof i shquar, ishte munduar të shpjegonte në vargjet e bukura katrore”. Ferit Vokopola nxiti dhe frymëzoi ngjizjen e kulturës islame në kulturën dhe inteligjencën krijuese shqiptare. Agjah Libohova, i dërguari i qeverisë dhe Ferit Vokopola – deputet, shpjeguan më pas reformat që duhej të kryheshin dhe rëndësinë e tyre. Ky kongres, ndryshe nga dy të parët, u mor edhe me sigurimin e mirëmbajtjen e objekteve fetare, ndërsa një komision i veçantë u mor me hartimin e raportit vlerësues për të ardhurat e vakëfeve. Kongresi shqyrtoi probleme të njohura në këtë komunitet, por që nuk kishin marrë ende zgjidhje deri në atë kohë.

Në vitet ‘20 ishte pjekur mendimi për të krijuar një shkollë të mesme fetare islame me fizionomi bashkëkohore. Ithtarë të kësaj ideje dhe iniciatorë të kësaj ndërmarrjeje u bënë personalitete të shquara të politikës shqiptare të atyre viteve. Me rënien e Kalifatit, ngritja e një shkolle të tillë shtrohej si një çështje emergjente. Grupi i iniciatorëve kryesorë përbëhej nga Haxhi Vehbi Dibra, senatori Sali Vuçiterni, intelektualët e shquar Ferit Vokopola dhe Qamil Bala. Medreseja që do të ngrihej synonte të përgatiste klerikë të ditur, të pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore, në përkatësi me arritjet e arsimit bashkëkohor. Në mesin e shumë studiuesve të Kur’anit në botë, ndër të parët që u morën me studimin e Kur’anit në mbarim të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX nga shqiptarët, ishin Ferit Vokopola, Hafiz Ali Korça dhe Haxhi Vehbi Dibra. Këta studiues, padyshim, bëjnë pjesë në bashkësinë e artë të studiuesve më të famshëm shqiptarë të Kur’anit, gjatë shekullit që lamë pas. Pushteti komunist e burgosi. Në qelinë e burgut nuk ra as në dëshpërim, as në pesimizëm. Në këtë kohë ai shpesh thoshte: “Unë nuk jam as pesimist dhe as optimist, por mundësist”. Dhe ai kishte të drejtë, mbasi mundësia vjen vetëm me punë dhe përkushtim të inteligjencës krijuese në krijimin e vlerave të shoqërisë dhe të kombit. I bindur në pikëpamjet e tij islame, ai iu dedikua përkthimit të Kur’anit, punë të cilën ai e vazhdoi dhe e përfundoi për dhjetë vjet. Kur doli nga burgu, ai gjeti rreth e rrotull mjedise të tjera, larg lirisë së fjalës e të mendimit, kundërshtarë deri në armiqësi ndaj fesë. Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë derisa vdiq në vitin 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.

 

Marrë nga Enciklopedia “100 personalitete shqiptare të kulturës islame” Shek. XIX-XX , fq. 50-53

(Revista Drita Islame, Nëntor 2012)

1 Komente

rrofsh vb

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).