Nganjëherë, kur ngrihesha për të kërkuar një libër në kabinetin e babait, mikja ime, që më pati kërkuar leje të shtrihej gjatë kësaj kohe, ishte aq e molisur nga ravgimet e gjata të mëngjesit dhe të mbasdites në ajrin e  qashtër sa, edhe nëse s’mbetesha veçse një çast jashtë dhomës, duke u kthyer, e gjeja Albertinën të kotur dhe nuk e zgjoja më.

E shtrirë sa gjatë e gjerë në krevatin tim, në një qëndrim aq të njëmendët, sa s’mund ta sajonte, më dukej me pamjen e një kërcelli të gjatë luleje që e kishin vendosur aty dhe qe shi kështu në të vërtetë: pushtetin e ëndrrës, që e kisha veç kur ajo më mungonte, në këto çaste e gjeja pranë saj, sikur, duke fjetur, ajo ishte bërë një bimë. Që prej aty, gjumi i saj realizonte në njëfarë mase gjasën e dashurisë; gjyrgjo, mund të mendoja për të, ndonëse s’e kisha, s’e zotëroja. Tashmë i flisja, por isha shumë i trullosur nga vetvetja që të mund të mendoja. Kur ajo flinte, nuk kisha më për të folur, e dija që nuk isha më i kundruar prej saj, nuk kisha më nevojë të jetoja në sipërfaqe të vetvetes.

Duke mbyllur sytë, duke humbur vetëdijen, Albertina kishte celfisur njërën pas tjetrës përveçësitë e ndryshme njerëzore që më kishin zhgënjyer qysh ditën e fillimtë të njohjes me të. S’gjallonte më veçse prej jetës së pavetëdijshme bimoreve, drurëve, jetë më e allasojtë nga e imja, më e pataksshme, dhe ndërkaq që më përkiste më shumë. Uni im nuk arratisej në çdo çast, njëlloj si atëherë kur bisedonim për daljet e mendimit të pathënë dhe vështrimit. Ajo kishte ndjellur tek vetja gjithçka që prej saj ishte jashtë; ishte strukur, mbyllur, cakosur në trupin e saj. Dhe duke e mbajtur nën kundrim, në duart e mia, kisha mbresën që e zotëroja fundekreje, ndjesi që s’e kisha kur ishte zgjuar. Jeta e saj më ishte nënshtruar, kërnjonte drejt meje frymimin e lehtë.

Dëgjoja këtë flurim mërmëritës misterioz që ishte gjumi i saj, të ëmbël si një zefir detar, shtojzovallor si kjo kthjellësi hënore. Për aq sa ai vazhdonte, mund të ëndërroja për të dhe e vështroja, ndërsa kur ky gjumë bëhej më i thellë, e prekja, e përqafoja. Kjo që provoja atëherë qe një dashuri përpara diçkaje kaq të qiqërt, kaq jomateriale në ndjeshmërinë e vet, që e kisha patur përpara gjallesave jofrymore, të cilat janë bukuria e natyrës. Dhe, në fakt, sapo ajo flinte një çikëz më thellë, rreshtte së qenuri bimë siç kishte qenë: gjumi i saj, buzë së cilit unë ëndërroja me një lektisje taze që s’më ishte mërzitur kurrë dhe që e shijoja pafundësisht, ishte për mua krejt një peizazh. Gjumi i saj më sillte pranë diçka kaq të prajtë, kaq ndjeshmërisht ngashnjyese, sa këto netë me hënë të plotë në gjirin Balbec-ut bëheshin të ashtëta si një liqen, ku degëzat mezi lëviznin, ku, i dergjur mbi rërë, i dëgjoje tek thyenin papra zbaticat.

Duke hyrë në dhomë, kisha mbetur në prag, nuk guxoja të bëja zhurmë dhe nuk dëgjoja gjë tjetër veç frymës së saj që e nxirrte mbi buzë me ndërprerje të herahershme dhe të rregullta si një zbaticë, por më molisëse dhe më të ëmbël. Dhe në çastin kur veshi im mblidhte këtë zhurmë hyjnore, më dukej se ishte e kondensuar në të e gjithë qenia, gjithë jeta e robinjës hamngjitëse, që dergjej aty nën sytë e mi. Karroca kalonin zallamahishëm në rrugë, por balli i saj mbetej i palëvizur, po aq i qashtër, firoma po aq e lehtë, e thjeshtëzuar në nxjerrjen e ajrit më të doemosshëm. Pastaj, duke e parë që gjumi nuk do t’i turbullohej, i qasesha kujdesshëm, ulesha mbi karrigen që ishte buzë shtratit, së mbrami mbi vetë krevatin.

Kam kaluar mbrëmje magjepsëse duke biseduar, duke luajtur me Albertinën, por kurrë kaq ëmbëlcake sesa kur e kundroja tek flinte. Kishte dukje të bukur duke folur, duke luajtur me letra, dhe kjo natyrshmëri që asnjë aktore nuk do të kishte mundur ta shkërbente, ishte një natyrshmëri e shkallës së dytë që ma jepte gjumi i saj. Floknaja, duke i zbritur përgjatë fytyrës së paparuntë, i dergjej përanash saj, mbi shtrat dhe ndonjëherë, një cullufe vetanake dhe e drejtë, të jepte të njëjtin efekt të perspektivës së drurëve hollakë të hënëzuar dhe të zbehtë që ajgëtohen fare të drejtë në fund të tablove rafaelike të Elstir-it. Nëse buzët e Albertinës ishin të mbyllura, për më tepër, në po atë mënyrë si i kisha lënë, qepallat e saj ngjasonin aq pak të puthitura, sa pothuajse do të kureshtohesha nëse flinte me të vërtetë. Sidoqoftë, këto qepalla të ulura i paëzonin në fytyrë atë vazhdimësi të thukët që sytë nuk e ndërprisnin. Ka qenie që fytyra iu merr një bryllësi dhe një hijeshi të pazakontë për aq sa nuk kanë më  vështrim.

Soditja sytë e Albertinës që dergjej tek këmbët e mia. Herë-herë ajo përshkohej nga një fërgëllimë e lehtë dhe e pashpjegueshme, siç fërgëllon çastshëm gjethnaja nga një puhizë e beftë. Ajo prekte floknajën, së mbrami, duke mos e bërë siç e gjakonte, e mbante dorën aty me lëvizje të rregullta, të dëshirueshme, sa isha i bindur se ishte e zgjuar. Aspak; bëhej e prajtë në gjumin që s’ e kishte braktisur. Këtej e mbrapa rrinte e palëvizur. Kishte vendosur dorën mbi kraharor nën një shpërfillje të krahut kaq fëminisht naive sa, duke e ajgëtuar, isha i detyruar të mbytja të qeshurën që, përmes seriozitetit, pafajësisë dhe hirit të tyre, na i japin fëmijët.

Unë që njihja shumë Albertina në një të vetme më dukej se shihja mjaft të tjera tek rrinin me mua. Qerpikët, të harkuar si të sajët s’kisha parë kurrë, rrethonin rruzujt e qepallave si një çerdhe të dhembshur alcioni. Raca, atavizma, vese qëndronin mbi fytyrën e saj. Çdo herë që zhvendoste kokën, krijonte një femër të re, shpesh të padyshueshme. Më ngjasonte sikur nuk zotëroja një, por panumërsi vajzash rioshe. Frymëmarrja e saj, pak nga pak më e thellë, i ngrinte rregullisht kraharorin dhe, përmbi të, duart e kryqëzuara, bizhutë, i zhvendoseshin në një mënyrë të tjetërfartë nga e njëjta lëvizje, si ato barkat, si ata zinxhirët e ballamarit, që bëjnë të kalamendet lëvizja e valës. Atëherë, duke e ndjerë që gjumi i saj ishte i thellë, që të mos përplasesha në gumat e ndërgjegjes të mbuluara tani nga deti i dystë i gjumit të saj, lirshmërisht, hovja pa zhurmë në shtrat, kumbisesha përgjatë asaj, ia merrja kurmin në njërin nga krahët, i vendosja buzët mbi faqe dhe mbi zemër; pastaj, mbi të gjitha pjesët e trupit i vendosja dorën që mbetej e lirë dhe që,  po ashtu si bizhutë, hovte lart nga frymëmarrja e Albertinës; vetë unë zhvendosesha lehtësisht nga lëvizjet e saj të rregullta: isha kredhur në gjumin e Albertinës. Nganjëherë më dukej se shijoja një kënaqësi më pak të pastër. Për këtë s’ kisha nevojë për asnjë lëvizje, e vendosja këmbën time pranë të sajës  si një shkop që e branisin dhe të cilin hera-herës e shtyn një lëkundje e lehtë, e njëjtë me rrahjet e herëpashershme të krahëve që kanë zogjtë që dremisin në ajër. Zgjidhja për të kundruar atë faqe të fytyrës së saj që nuk kundrohej kurrë dhe që ishte kaq e bukur.

Mbase duhet që qeniet t’ju bëjnë të sfiliteni, me qëllim që në orët e ndjesës t’ju japin atë këndellje çkëthëse që ka natyra. Nuk kisha për t’iu përgjigjur, siç bëja kur bisedonim, madje nuk mundja të heshtja, siç bëja kur ajo fliste dhe që, duke e dëgjuar të fliste, nuk zbrisja menjëherë përpara saj. Duke vazhduar ta sodit, të dëgjoj nga njëri çast në tjetrin murmurimën e firomën së saj të qashër, ishte krejt një ekzistencë psikologjike që ishte para meje, për mua; për aq kohë sa dikur qëndroja i shtrirë mbi plazh, nën hënën e plotë, do të mbetja aty për ta kundruar, për ta dëgjuar.

Ndonjëherë thoshte se deti bëhej i stuhishëm, që stuhia ndjehej gjer në dritare dhe unë bëja si ajo për të dëgjuar shurakamën e frymës së saj që gërhinte. Ndonjëherë, kur kishte shumë vapë, ajo, pothuajse duke fjetur tashmë, hiqte kimonnë, të cilin e linte mbi kolltuk. Ndërsa ajo flinte, unë thoshja se të gjitha letrat e saj ishin në xhepin e brendshëm të kësaj kimonoje, ku i vendoste gjithmonë. Një nënshkrim, një takim i premtuar, do të ishin të mjaftueshëm për të provuar një rrenë, ose për të fshehur një dyshim. Kur ndjeja gjumin mjaft të thellë të Albertinës, braktisja fundin e krevatit, prej nga ku e soditja për një kohë të gjatë pa pipëtirë fare, bëja një hap, më kaplonte një kureshti e zjarrtë, duke ndjerë sekretin e kësaj jete të ofruar, të pushtë e të pambrojtur në këtë kolltuk. Ka gjasa ta bëja këtë hap sepse kundrimi i fjetëses pa lëvizur fillonte të bëhej molisës. Dhe kësisoj, duke ecur pa zhurmë, kthehesha papra për të parë nëse Albertina nuk zgjohej, shkoja gjer te kolltuku. Aty ndalesha, qëndroja shumë kohë duke kundruar kimononë, siç kisha mbetur shumë kohë së sodituri Albertinën. Por (dhe për këtë kam patur të drejtë) kurrë nuk kam prekur në kimono, futja dorën në xhep, sështroja letrat. Së mbrami, duke e parë që s’po vendosja, nisesha pa zhurmë, vija pranë shtratit të Albertinës dhe filloja ta kundroja duke fjetur, atë që nuk më thoshte kurrgjë, ndërkohë që shihja mbi krah të kolltukut atë kimono që mbase më thoshte shumë gjëra. E ndërsa njerëzit paguanin njëqind franga në ditë një dhomë në hotelin e Balbec-ut për të thithur ajrin e detit, mua më dukej krejt natyrale të shpenzoja më shumë se kaq për atë, meqë kisha firomën e saj pranë faqes sime, në gojën e saj që hapej përgjysmë mbi timen, ku ballas gjuhës sime rridhte jeta e saj.

Por kësaj këndelljeje për ta parë të fjetur, dhe që ishte kaq prehëse sa e ndjeja të gjallë, i dha fund një tjetër, që ishte ajo për ta parë tek zgjohej. Ajo, në një shkallë më të epërme dhe më misterioze, ishte kënaqësia vetë që banonte tek unë. Pa dyshim ishte e çkëthëshme mbasditeve, kur zbriste nga karroca dhe hynte në apartamentin tim. Ishte më shumë akoma, kur, në fund të gjumit, ngjiste shkallët e fundit të ëndrrave, qe dhoma ime ku i kërthndezej rishmë ndërgjegja dhe jeta, tek më pyeste një çast “ku jam?” dhe, duke kundruar objektet që e kishin qerthulluar, llampën, ndriçimi i së cilës e bënte të puliste sytë, mund t’i përgjigjesha që ishte në shtëpi të saj, duke konstatuar që zgjohej në shtëpinë time. Në këtë çast të fillimtë prajtës të mëdyshjes më ngjasonte se e zotëroja plotësisht atë, sepse, sapo kishte dalë, në vend që të hynte në dhomën e saj, ishte dhoma ime ajo që do të njihej prej Albertinës, që do ta përlante, që do ta kaplonte, pa e lënë që sytë e mikes sime të bëheshin të kelfët, duke mbetur po aq të prajtë sikur të mos kishte fjetur.

Ngurrimi i zgjimit, i zbuluar prej heshtjes së saj, nuk ishin për vështrimin e saj. Porsa e gjeti fjalën, tha: “I imi” ose “i dashuri im”, të ndjekura, njëra, apo tjetra, nga emri im i pagëzimit, ai që, duke i dhënë tregimtarit të njëjtin emër me autorin e këtij libri, bëhet: “Marseli im”, “I dashuri im Marsel”. Qysh atëherë nuk i lejoja më prindërit të më thërrisnin në familje “i dashur”, duke i celfisur nga çmimi i të qenit përveçues, në ato fjalë këndellëse që m’i thoshte Albertina. Gjithë duke m’i thënë ajo bënte një rrudhje të vogëlth buzësh që po vetë e shndërronte në puthje. Po aq shpejt si kur ishte e përgjumur, po aq shpejt dhe kur ishte zgjuar.

 Përktheu: Balil Gjini

9 Komente

sa veshtirshem e ke perkthyer...sa te zorshme keto fjale shqip:kerthndezej rishme ndergjegj qerthulluar llamben??diçka e ç'ketheshme..vetemnje nje fraze keto.....

a eshte e perkthyer ne shqip 'ne kerkim te kohes se humbur' e proustit?

Mendje-mendje kjo dynja. Gjithe shqiptaret qe njoh une mesojne gjuhe te huaja qe te shpeojne nga perkthyesit, kurse ca mesojne gjuhe te huaja qe te behen perkthyes! smiley

ishte aq e molisur nga ravgimet e gjata të mëngjesit dhe të mbasdites në ajrin e  qashtër sa, edhe nëse s’mbetesha veçse një çast jashtë dhomës, duke u kthyer, e gjeja Albertinën të kotur

kur bakllaves i hudhet shum shiqer.

Leje Em se u molisem nga sheqeri i zaharosur. Po na vjen vilani.

Nejse, personalisht mendoj se Prusti ecen me nje ekuiliber te cuditshem per mijra e mijra faqe ne tehun e holle qe ndan gjenialitetin nga budallalleku. Imagjino se sa e veshtire ne mos dhe e pamundur per cdo perkthyes eshte qe te gjeje vend qe te ece edhe per vete krahas Prustit. Obviously ky perkthyes ka rreshqitur pak, here pas here.

M'a vderren edhe Proustin nga Lista e Koves mua keta.   smiley

Sakrilegj! Lexohet shume me mire ne gjuhe te huaj. Shume shpejt gjatesia e fjalive te Proust-it nuk te rendon me, kurse ketu sa me shume ec ne tekst aq me i palexueshem behet ai. 

Ka nje perkthim ne shqip te Proust-it te botuar. Eshte nje pjese nga vellimi i pare, qe e kane titulluar "Kur dashuronte Suani"  perkthyer nga Edmond Tupja. Krejt i palexueshem edhe ky. Per te mos folur per kopertinen skandaloze te librit... nje foto e marre nga ky filmi ketu besoj, qe ngjan si foto e shkeputur nga ndonje telenovele. Te mos dish nga ta kapesh me nje fjale dhe te te nervozojne me zor pavaresisht subjektit. smiley

ne kerkim te kohes se humbur e kam lexuar ne frengjisht dhe pavareesisht mundimit them me plot goje qe eshte nder romanet me te mira qe mund te lexosh. Prousti eshte shkrimtar shume i madh por fatkeqsisht pak i vleresuar nga kontemporanet e vete.
Perkthimi i tij ne shqip me duket shume i veshtire, thuajse i pamundur. Aty duket sipas meje varferia e shqipes.

Për amatorët e Proust-it, mu kujtua që kisha vë~ë në blog-un tim diçka në lidhje me Proust-in. Mund ta lexoni me këtë adresë : http://bllokshenimesh.unblog.fr/2008/12/...

 

Pos kësaj kam provuar që të përkthej një fragment të vogël nga libri "Në kërkim të kohës së humbur". Thjesht për kënaqësinë time. Duhet provuar për të parë vështirësinë e jashtëzakonshme në të përkthyer. Mund ta lexoni duke klikuar në këtë adresë :

http://bllokshenimesh.unblog.fr/2008/11/...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).