Trashëgimia e kombit ka nevojë për mbrojtje. Njëzet vitet e fundit kanë qenë periudha e humbjeve më të mëdha të trashëgimisë kulturore në historinë e Shqipërisë, thotë arkeologu shqiptar, Prof. Gjergj Frashëri.

 

DW: Vitet e fundit ka pasur dëmtime të shumta në objektet e trashëgimisë kombëtare? Së fundi u shkatërruan në mënyrë të parikthyeshme disa nga afresket e njohura të Onufrit të kishës në Valsh. Në ç'nivel është e rrezikuar trashëgimia kulturore në vend, ngase e përse?

Prof. Gjergj Frasheri: Dhunimi i Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri tashmë ka arritur sipas konstatimit tim, simptomën e veprimtarisë antikombëtare. Fenomeni ka shumë rëndësi të analizohet, sepse ka të bëjë me të drejtën dhe dëshmitë për të qenë komb, apo popull, pra për ta pasur vetë veten në dorë, apo për t'ia lënë fatin të tjerëve. Në dy dekadat e fundit, dhunimi i monumenteve të kulturës dhe i pasurisë arkeologjike i ka përshkruar me energji të gjitha kategoritë kriminale; së pari, janë vjedhjet e ikonave dhe ikonostaseve nga kishat, po ashtu objektet arkeologjike nga depot e muzeumeve, deri edhe „Epitafin e Gllavinicës“ nga ambjentet e Muzeut Kombëtar. Së dyti, ka më se dy dekada që shteti dhe qeveritë tona s'janë në gjendje të ndalin veprimtarinë e thesarkërkuesve dhe trafikantëve, që gërmojnë në mënyrë klandestine anëkënd vendit, duke nxjerrë objekte arkeologjike për t'i shitur për përfitime private. Për shembull, vetëm monedha të statusit arkeologjik të nxjerra nga nëntoka e Shqipërisë identifikohen mbi dy milion copë, të cilat kanë dalë nga kufijtë e Republikës sonë nga banori shqiptar dhe janë “shitur për pesë aspra” në “të zezë” në filatelitë evropiane, midis të cilave një numër i madh edhe në ato të Gjermanisë. Por sa vepra të lëvizshme arkeologjike të historisë së artit antik e mesjetar janë transportuar në vendet fqinjë me vetura, furgonë, autobusë, tragete, madje edhe fluturuar në valixhe e çanta gjatë këtyre dy dekadave të “demokracisë” së Shqipërisë! Nga ky trafik i hershëm mësoi edhe droga të çajë rrugën; Të kategorisë së tretë vijnë grabitësit, që marrin fshehtas gjetje direkt nga gërmimet arkeologjike duke iu shmangur regjistrimeve dokumentare, të cilat ndjekin të njëjtin fat, zhdukjen nga pasuria historike kombëtare. Deri këtu jemi në kornizën e iniciativës së banorit për përfitimin financiar vetjak. Së fundi, ka edhe dëmtime të kategorisë ekstreme, siç është rasti i masakrimit të pikturave murale të vitit 1554 të piktorit Onufri në kishën e Valshit në Shpat të Elbasanit, me përmasa kërcënuese antikombëtare. Me goditje sqepari zhduken pjesë të pikturës murale më domethënëse për historinë e artit shqiptar të shek.15-16. Ky akt nuk kryhet për të vjedhur dhe as për të grabitur, apo përvetësuar diçka materiale. Ai shpjegohet me dekadencën politike, mjerimin ekonomik dhe verbërinë e edukatës qytetare dhe përbën për mua alarm të zhdukjes së identitetit kombëtar. Këtu ka arritur niveli i rrezikimit të trashëgimisë kulturore kombëtare në territorin e Shqipërisë.

DW: Sikur ekziston një klimë mosvlerësimi ndaj trashëgimisë kulturore, indiferentizëm mungesë dashurie dhe përkujdesi edhe tek njerëzit? Si ta shpjegosh këtë?

Prof. Gjergj Frasheri: Shoqëria shqiptare ka ditur t'i ruajë dhe t'i vlerësojë veprat e trashëgimisë kulturore, që ka krijuar në shekuj, ndryshe ato nuk do të kishin ardhur deri në ditët tona. Shqiptarët nuk mund të akuzohen se janë barbarë të kulturës. Shkatërrime dhe humbje ka pasur çdo vend në historinë e vet. Trashëgimia kulturore shqiptare ka një histori të hidhur për grabitjet, vjedhjet dhe shkatërrimet nga udhëtarë, studiues, konsuj dhe ushtri të kombësive të ndryshme evropiane e ballkanike në shek. 19-të, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe sidomos misionet e famshme italiane e franceze të periudhës 1920-1943. Por më vjen keq të konstatoj se njëzet vitet e fundit përcaktojnë periudhën e humbjeve më të mëdha të veprave të trashëgimisë kulturore në historinë e Shqipërisë. Atë që të huajt e bënë përgjatë shek. 19 deri në Luftën e Dytë Botërore, tashmë po e bëjnë vetë shqiptarët në shtëpinë e vet. Bëhen ndërtime pa leje në qytete si Durrësi, duke zhdukur tërë substancën arkeologjike, pa asnjë përpjekje për dokumentimin e saj. Dhunohen me arrogancë politike mjedise historike të simbolit kombëtar si Kalaja e Krujës. Kryhen ekspedita arkeologjike vendase dhe të huaja anekënd vendit pa kontroll shtetëror, që i lënë në mëshirë të fatit të shkatërrohet substanca arkeologjike e dalë nga gërmimi. Me të drejtë vëreni në pyetjen tuaj, se ekziston aktualisht klima e mosvlerësimit ndaj trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Shkakun e saj nuk e shikoj në indiferentizmin, mungesën e dashurisë dhe të përkujdesit të njerëzve. Shoqëria shqiptare është shumë e lodhur dhe e çakërdisur nga lodrat e politikës korruptive të vendit dhe e tejngopur me problemet e mbijetesës së përditshme. Ajo gjendet pa ofertë dhe pa kërkesë për të marrë pjesë me përgjegjësinë e vet në ruajtjen, mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe përfitimit legjitim që i takon prej saj. Gjithçka vjen nga çthurrja shtetërore dhe mungesa e zbatimit të ligjit. Mungon interesi shtetëror për parandalimin, ndjekjen dhe penalizmin e dëmtuesve. Kjo do të thotë se projektuesit e kësaj grabitjeje kombëtare gjenden në katet më të larta të shtetit.

DW: Si është e mundur të vidhen objektet e kishave në jug të vendit. Si lejohet kjo? Çfarë bëhet me materialin e vjedhur?

Prof. Gjergj Frasheri: Tashmë ka mbi njëzet vjet, që në kishat ortodokse të Shqipërisë Jugore, që ruhen si monumente kulture, janë vjedhur pareshtur ikona, ikonostase dhe objekte të pajisjeve kishtare me vlera historike. Sipas informacionit që kam, deri në vitin 1990 kanë qenë të inventarizuara mbi 12.000 ikona nga i gjithë vendi. Sot asnjeri nuk e di se sa kanë mbetur. Ikonat, që mungojnë, janë vjedhur. Qeveria shqiptare me institucionet dhe drejtuesit e tyre janë përkrahësit dhe pjesëmarrësit e saj. Por vjedhja nuk mbaron me ikonat dhe ikonostaset. Janë të panumërta veprat me vlera unikale të paregjistruara (padenoncuara,) si ato arkeologjike, portrete e buste në mermer e gur, vepra arti në skulpturë, mbishkrime, relieve, monedha, terrakota, statuja bronxi, etj., që vidhen dhe grabiten. Më ka rënë rasti të shoh disa syresh prej tyre në foto të bëra nga amatorë, që përpiqen të marrin mendimin e specialistit për çmimin e tyre monetar. Këto raste janë për t'u denoncuar, por vetëm me foto të tilla nuk ia del me sukses kësaj detyre qytetare. Ka midis tyre vepra mahnitëse, që të impresionojnë për domethënien historike dokumentare, për të cilat lutet zoti, që ato të mos kenë marrë rrugën jashtë vendit, të paktën të kenë gjetur blerës në Shqipëri. Por nuk besoj se këto vepra, që janë më mijëra e mijëra, kanë përfunduar në shtëpitë e blerësve shqiptarë, ndoshta një përqindje e vogël e tyre. Është shumë e dhimbshme, se si zhduket kjo pasuri kombëtare!

DW: Kur flasim për dëmtimin e kishave mund të supozosh se vjedhja, rrëmbimi i interierëve mund të bëhet për qëllime fitimi, per t'i shitur, po shkatërrimi i pakthyeshëm i afreskeve te çmuara, dëshmi te kulturës kombëtare, të një ikonografi, që të nderon si komb, çfarë kuptimi ka?

Prof. Gjergj Frasheri: Siç e vëreni edhe Ju, ka dy platforma të dëmeve të veprave të trashëgimisë kulturore. Të vjedhësh veprën e trashëgimisë, apo ta shkatërrosh atë përfundimisht, janë dy akte me potencial krejt të ndryshëm politik, social dhe moral qytetar. Vjedhja, dhe shitja, apo trafikimi është njëra anë e dëmit, që ndodh rëndom, që bëhet për përfitime materiale dhe rrallë shpirtërore. Me këtë të fundit dua të them, se mund të ketë individë të veçantë, që në raste kritike pasigurie, i japin të drejtë vetes për të grabitur një vepër nga vendi, ku ajo ndodhet, jo për përfitime materiale, por thjesht ngaqë e çmojnë atë nga ana dokumentare, patriotike dhe sociale dhe dëshirojnë që të ruhet dhe të vihet përsëri në dispozicion të vizitorit, kur të jetë larguar rreziku i zhdukjes së saj. Por edhe ky akt hyn në kapitullin e grabitjes.

Segmenti tjetër i dëmeve ndaj trashëgimisë është shkatërrimi i veprës pa qëllime përfitimi material, siç është rasti i vandalizmit të pikturës murale në Kishën e Valshit në Shpat. Këtu hyjnë rastet e interesave politike kombëtare, apo ndërkombëtare. Po ashtu vepra mund të bëhet viktimë e konkurrencës, apo urrejtjes ideologjike (nacionalizmit), ku hyn edhe sfera fetare. Plotësisht e modës është që vepra mund të sakrifikohet edhe për hir të koniukturave tregtare, kur ajo ka një rezonancë vlerash artistike në konkurrencë me një vepër tjetër simotër të saj, së cilës mund t'i rritet ndjeshëm vlera financiare, nëse konkurrentja e saj zhduket në mënyrë të pakthyeshme. Gjithashtu vepra mund të bëhet viktimë e manipulimit të organizuar për t'u përdorur si shkak në rrëzimin nga posti të funksionarëve të lartë shtetërorë, që mbulojnë sektorin përkatës. Por vepra mund të bëhet viktimë edhe prej një individi me alergji psiqike, e raste të tjera. Në rastin konkret, shkatërrimi i veprës së Onufrit hyn në këtë segment, pra nuk është kërkuar përfitimi material i drejtpërdrejtë prej saj.

DW: Çfarë masash do të propozonit ju për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre?

Prof. Gjergj Frasheri: E kam shprehur në media shumë herë shqetësimin për paaftësinë e strukturave të sotme mbi ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të pasurisë arkeologjike, që vijnë të pandryshuara qysh nga koha e diktaturës. Ato duhet të përshtaten me problematikën e sistemit të pronës private, të rikonstruktohen rrënjësisht. Duhet të reformohet menaxhimi për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre në një çati të përbashkët të dy këtyre disiplinave, pra të bëhet Reforma e Shpëtimit të tyre sipas konventave evropiane. Kontingjenti i punonjësve të angazhuar në strukturat e sotme do të jetë i mjaftueshëm për strukturat e reja. Administrata e ardhshme qendrore duhet të shkurtohet, për të forcuar kontrollin dhe administrimin në ruajtjen e veprave të trashëgimisë in situ, atje ku ato ndodhen në terren. Njëkohësisht të ndërpritet invazioni i gërmimeve arkeologjike, sepse shteti nuk është aspak në gjendje në këtë etapë t'i përgjigjet ruajtjes dhe konservimit mbas zbulimit të tyre.

DW: Çfarë duhet bëre, për të krijuar, ngulitur, te njerezit mendësinë, se monumentet, pa përjashtim, duhen ruajtur, dashur, respektuar, se jane dëshmi e historisë e tradites kombëtare dhe nuk guxojnë të preken?

Prof. Gjergj Frasheri: Shqipëria është vendi, që ka jetëgjatësinë më të shkurtër në vlerësimin e trashëgimisë kulturore. Themelimi i punës për ruajtjen e Monumenteve dhe të Arkeologjisë filloi Pas Luftës së Dytë Botërore. Në periudhën 1944-1991 ajo u integrua në strukturat e sistemit të centralizuar të shtetit. Në vitet 60-të specialistët shqiptarë i përzgjodhën veprat më përfaqësuese të tyre dhe shteti diktatorial me institucionet dhe ligjet, që ngriti, i ruajti ato me ashpërsinë, që e karakterizonte në të gjitha fushat e veprimtarisë. Nuk mund të thuhet se shoqëria shqiptare në dekadat e diktaturës ishte e ndërgjegjshme për ruajtjen e monumenteve dhe të pasurisë arkeologjike. Ndërgjegjësimi për të ruajtur, dashuruar dhe respektuar monumentet e trashëgimisë kombëtare vjen me dijet, me arsimimin disabrezash, jo me start analfabetizmi. Në këto kushte shteti i asaj kohe forcoi propagandimin empirik politik të vlerave të tyre për historinë e popullit dhe paralelisht shtrëngoi masat për ndëshkimin e dëmtuesit të tyre. Për nivelin e qytetërimit të shoqërisë shqiptare ky koncept funksionoi dhe dha rezultat në ruajtjen e monumenteve, deri sa sistemi politik në fjalë pati jetë.

Me ndryshimet politike të Shqipërisë prej vitit 1991, me zëvendësimin e pronës shtetërore me pronën private (Ligji Nr. 7501 datë 19.07.1991), ruajtja e monumenteve të kulturës dhe e pasurisë arkeologjike në Shqipëri pësoi dëme të paimagjinueshme, në njërën anë nga agresiviteti i pronës private, nga ana tjetër, sepse shteti shqiptar nuk e shoqëroi këtë ndryshim politik me masa parandaluese ligjore për mbrojtjen e tyre. Ky ishte një test i plotë se shoqëria shqiptare në pjesën dërmuese, nuk është ende ndërgjegjësuar për nga edukata dhe kultura qytetare, për ruajtjen e monumenteve, dashurinë dhe respektin ndaj tyre si vepra dokumentare të traditës dhe historisë. Rezultoi se pa ligjin dhe strukturat e afta ekzekutive për zbatimin e tij, dëmet në trashëgiminë kulturore dhe grabitjet e veprave të saj tashmë në progresion gjeometrik nuk do të ndalen, deri në zhdukjen e saj. Në këto kushte e vetmja shpresë për shpëtimin e saj nga zhdukja, pra për shpëtimin e identitetit tonë kombëtar, është një Fillim i Ri serioz evropian i politikës.

DWA nuk do të ishte mirë, qe monumentet të bëhen objekte muzeale të vizitueshme nga turistët, gjë që do të siguronte edhe mirëmbajtjen e ruajtjen dhe do të sillte të ardhura nga vizitoret?

Prof. Gjergj Frasheri: Për pasurinë historike, që ka Shqipëria, Monumentet e Kulturës dhe Arkeologjia janë mundësi reale të kthehen në industri të turizmit. Por monumentet e kulturës dhe veprat arkeologjike janë pasuri kombëtare dhe mbrohen vetëm nga shteti. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për funksionin dhe përdorimin e tyre. Një shoqëri e emancipuar dhe individë apo grupe të saj mund ta ndihmojnë shtetin për ruajtjen e tyre, por pa pasur asnjë të drejtë të vendosin mbi fatin dhe përdorimin e tyre, aq më tepër për çështje interesash. Ata që vendosin për këtë, nuk e kuptojnë se të përfshish monumentet dhe parqet arkeologjike në rrezen e turizmit, duhet të zgjidhësh një herë e mirë çështjen e ruajtjes (mirëmbajtjes) dhe mbrojtjes (konservimit) të tyre, që kur t'i shohë vizitori të fitojë respektin dhe sigurinë për vendin, që viziton. Është si amvisa e mirë e shtëpisë, e cila për të fituar miq dhe emër të mirë, i rregullon ambientet e shtëpisë sa më mirë, sa më pastër, pa u kursyer. Fjala vjen, nëse qeveria propagandon projekte për ndërtime të reja brenda hapësirës së Akropolit të Kalasë së Lezhës, ky monument i shquar historik do të flasë kundër turizmit në veprat e trashëgimisë kulturore. Ndërtimi i qofterive brenda hapësirës së monumenteve është mungesë respekti ndaj veprës historike, kështu nuk shkohet dot më tej me turizmin. Të arrish ta bësh tërheqëse veprën e trashëgimisë kulturore te vizitori, është siguruar jo vetëm financimi për jetëgjatësinë e vet, por janë siguruar të ardhura edhe për të tjerët. Fqinjët tanë realizojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të vendit të tyre, me turizmin historik. Natyrisht kjo punë kërkon profesionistë patriotë. Por kjo punë nuk bëhet nën udhëheqjen e politikanëve të korruptuar dhe as nga “specialistë” militantë me diploma false.

4 Komente

Edhe ti me simptoma nostalgia canaglia do kishte thene hunteri? smiley

Do e kishte thene dhe ket? smiley

Jo mo thjesht, meqe jemi akoma me shijen e hidhet te Spacit, te zgjerohej pak gama. Por me sa shoh, dhe me te drejte ndoshta, paska kaluar ... shija. smiley

Po ajo e Fush Arrsit çfare do kishte thene PF ....)

Po po ta them une tye .Që nga Koha e sh.Pali na kem Trapa të pakrahsueshëm që i rujmë me fanatizë, si pasuri Kombëtare .

Kush mundet me u përgjigj po me sinqeritet ama ...Ky prof Frashëri në Shqipëri rron apo jashtë shtetit ? Jo për gjë po lexova një citat të lloit të lefKOPESË

Dhe shih si e paska mendjen zotria  i nderuar Frasheri 

Ndërtimi i qofterive brenda hapësirës së monumenteve është mungesë respekti ndaj veprës historike... gje qe tregon haptazi se nuk e ka kuptuar Themelin e shtetit te babasqapit dhe Perlen e Perlave ..

smileyNjë shoqëri e emancipuar smileysmiley...vetm dua ti them zotrise se mos ngatrohet me Fjalimin e Lushnjes . Atje po flisnim per traditat shekullore te Vucidolit ne Nacionalizem. Fjalimet qe pregatit LefKopeja kane tjeter Trajtim  per nacionalizmin Ato kercenojne me Plasje Ballkanin , Europen , Rajonin e me Gjere . Po po deshi ky i d.w mundet ti beje mesazh direkt LefKOPESE ose dhe ndonje tjetri nga te "antikomunisteve" , per te dhene shpjegime se " Cfare jane keto Plasje "

kisha nje pyetje per kete "profesorin" (nuk e ka marre kurre kete titull).

Si i ke germuar ato varret e mesjetes tek sheshi 1 maji ne durres? A i numuron eskavatori varret?

Si iku dyshemeja e mermerte e struktures se antikitetit te vone (qe nuk u kuptua kurre ç'fare ishte)?

Si germohen ambjentet e antikitetit me eskavator? 

A u kapen shtresat e periudhes arkaike apo perfunduan ne porto romano?

Rregullorja e germimeve arkeologjike te miratuara nga ministria kultures a u zbatua teresisht?

haj tung o lum miku, se me bere te ndershmin, e bejne te gjithe.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).