"Gjin Marku dhe komiteti i pajtimtarëve janë mashtrues. Ata u marrin lekë familjeve në gjak, duke i premtuar se do t’i çojnë jashtë shtetit për strehim politik”.

Kështu ka rrëfyer versionin e tij lidhur me aktivitetin e “Misionarëve të Paqes” që drejton Gjin Marku, i biri i njërit prej anëtarëve të kësaj shoqate. Ai quhet Ervjon Cara dhe punon si kameraman, fotograf e regjisor në një media. Të njëjtën punë ka bërë edhe me grupin e pajtimtarëve, duke i shoqëruar në vizitat e tyre tek familjet në gjak, e duke xhiruar e fotografuar pamjet. Këtë punë ia ka ofruar i ati, Preng Cara. Ervjoni tregon se pak kohë pasi kishte filluar punën në shoqatë, kishte zbuluar edhe veprimet e jashtëligjshme që ata bëjnë. 

Ervjon ke publikuar në Youtube një video ku dëgjohen disa persona të bëjnë marrëveshje për para. Po ashtu në email ke denoncuar Gjin Markun dhe shoqatën që ai drejton për pajtimin e familjeve në gjak, duke i quajtur mashtrues. Pse? 
Sepse kjo është e vërteta. Këtë të vërtetë unë e kam zbuluar duke punuar me “Misionarët e Paqes” siç e quajnë ata veten për më shumë se një vit. Gjatë punës zbulova se atyre jo vetëm që nuk u intereson problemi që kanë familjet në gjak, por përpiqen t’i shfrytëzojnë në maksimum këta njerëz me probleme për të fituar para. Pjesë e këtij mashtrimi të madh përveç Gjin Markut është edhe babai im, Preng Cara. 

Cila është konkretisht shkelja e tyre. Çfarë bën Gjin Marku, babai yt dhe të gjithë anëtarët e tjerë të shoqatës së pajtimit kundër ligjit? 
Si fillim duhet të them se në Youtube kam hedhur një video që nuk ka pamje, por dëgjohet vetëm audio, në të cilën Gjin Marku dhe im atë bëjnë pazare me një familje që është në gjak, të cilës i kërkojnë para përkundrejt ndihmës për t’i çuar jashtë shtetit e të kërkojnë azil politik. Kjo është e jashtëligjshme. Ata u mbushin mendjen njerëzve që megjithëse është e paligjshme dhe shteti ua ka ndaluar, mund gjithsesi t’i ndihmojnë për të bërë dokumentet, t’i dërgojnë jashtë shtetit dhe atje të kërkojnë azil politik. Kjo për familjet në gjak është një dritë shprese. Pjesa më e madhe e këtyre familjeve jetojnë në varfëri ekstreme, por për të ikur nga Shqipëria ata futen në borxh dhe i paguajnë Gjin Markut shumën që u kërkon. 

Sa lekë u kërkohet këtyre familjeve për t’i dërguar jashtë Shqipërisë? 
Zakonisht atyre u kërkohet nga 300 deri në 2 mijë euro. Por ka pasur edhe raste, që i kam parë me sytë e mi që kanë marrë edhe 5 mijë euro. Shumat që familjet i japin “pajtimtarëve” faturohen dhe firmosen në dy kopje. 

Kush i faturon dhe kush i firmos? 
Faturat e pagesave i bën vetë Gjin Marku dhe deri para një viti i firmoste po ai vetë. Pasi e thirrën në prokurori, ai kishte frikë t’i firmoste dhe këtë detyrë ia ka kaluar babait tim. Im atë është plak dhe i alkoolizuar. Është gati gjithë kohën i pirë dhe Gjin Marku e mashtron duke i dhënë alkool për ta mbajtur pas vetes. 

Këto fatura kanë ndonjë vlerë ligjore? 
Absolutisht. Marrëveshja me para që bëhet është e jashtëligjshme dhe po ashtu janë edhe faturat. Njëra faturë i lihet familjes në gjak që paguan paratë si një formë sigurie. Jam i sigurt që po të kërkoni, do të gjeni qindra familje në hasmëri që i kanë dhënë lekë Gjin Markut për të ikur jashtë shtetit. Mirëpo është e vështirë që këto familje të shfaqen publikisht, sepse duke qenë të ngujuara, kanë frikë nga gjakësi dhe këtë Gjin Marku bashkë me tim atë dhe me para që bëhet është e jashtëligjshme dhe po ashtu janë edhe faturat. Njëra faturë i lihet familjes në gjak që paguan paratë si një formë sigurie. Jam i sigurt që po të kërkoni, do të gjeni qindra familje në hasmëri që i kanë dhënë lekë Gjin Markut për të ikur jashtë shtetit. Mirëpo është e vështirë që këto familje të shfaqen publikisht, sepse duke qenë të ngujuara, kanë frikë nga gjakësi dhe këtë Gjin Marku bashkë me tim atë dhe me gjithë të tjerët e përdor për t’i shfrytëzuar. 

Ti pse u bëre pjesë e aktivitetit të tyre? 
Në fillim për t’i ndihmuar. Por pasi e kuptova se çfarë loje e pistë bëhej, vendosa që të qëndroj për të mbledhur prova materiale e një ditë t’i denoncoja. Në fillim ata rezervoheshin nga unë, sepse kishin frikë të më tregonin hapur. 

Të gjithë pjesëtarët e shoqatës janë në dijeni të shkeljeve që bëhen? Të gjithë paguhen? 
Të gjithë marrin lekë. Paratë i ndan Gjin Marku, i cili mban për vete pjesën më të madhe. Ky është një rreth shumë i mbyllur familjesh dhe të gjitha pisllëqet bëhen brenda këtij rrethi. Im atë paguhet me 150 mijë lekë rrogë dhe raki pafund. Babai im është i alkoolizuar dhe Gjin Marku jo vetëm atë, por edhe dhjetëra bashkëpunëtorë të tjerë i mban afër për qëllimet e tij monstruoze, duke u kapur pas veseve të tyre. Një i alkoolizuar është njësoj si një i droguar. Im atë pi tmerrësisht shumë raki dhe nuk ha pothuajse fare. 

Prej sa kohësh je në dijeni për veprimet e tyre të jashtëligjshme? 
Unë kam filluar të marr vesh se çfarë luhej në të vërtetë në aktivitetin e tyre rreth para një viti, kur Gjin Markun e thirrën të paraqitej në prokurori, pasi e nxorën në emisionin “Fiks Fare”. 

Ke bërë denoncim në polici? 
Sigurisht që kam bërë, po nuk ka pasur asnjë vlerë. Ata janë të lidhur dhe kanë miq në polici e për këtë arsye nuk i arreston njeri. Deri tani policia s’ka bërë asgjë dhe s’ka për të bërë ndonjëherë. Një arsye tjetër që Gjin Marku mban pas vetes tim atë është edhe se në zyrën e kontrollit të prokurorëve punon një nip i babait tim, që quhet Arben Cara dhe është drejtor në Drejtorinë e Inspektimit të Prokurorisë. 

Disa javë më parë Gjin Markun e arrestuan, por e liruan sërish. Çfarë di për këtë? 
Jam i sigurt që ai ka paguar shuma të mëdha parash që ta lirojnë. Gjin Marku ka punuar te SHIK-u dhe ka qenë drejtor i Analizës së Shërbimit Informativ dhe ka miq plot. Mjafton të paguajë dhe nuk e mban njeri brenda. 

Ata e dinë që ti po i denoncon? Ke folur me babain për këtë? 
Sigurisht që kam folur. Jo vetëm unë, por i gjithë fisi jemi munduar t’i mbushim mendjen që të largohet nga këta mashtrues, por ai nuk na dëgjon. Pasi u largova nga ata dhe publikova videon në Youtube, im atë më dërgon letra, ku më kërkon të dorëzoj materialet dhe të heq videon. Po ashtu ai në mënyrë të organizuar, pra jo vetëm, më ka pritur poshtë shtëpisë dhe më kanë rrahur. Tani jam nën kërcënimet e tij të zakonshme nëpërmjet letrave të firmosura poshtë derës. Herë bën sikur është i sëmurë e po vdes e herë bëhet aq agresiv dhe i dhunshëm. Sa herë që babai im do të arrijë diçka e bën me dhunë. Ai ka frikë nga puna ime, sepse arma ime janë videot-regjistrimet dhe faktet që kam mbledhur duke punuar me ta përgjatë një viti. Ata m’i kanë prishur njëherë të gjitha mjetet e mia të punës. Gjin Marku, bashkë me Prengën, që është im atë ma kanë mbushur kamerën me ujë. Më kanë thyer edhe kompjuterat që unë i kisha blerë me kursimet e mia, gjatë kohës që jetoja jashtë. 

Ke kërkuar ndihmë nga mediat? 
Të them të drejtën jam mjaftuar duke i publikuar faktet në internet, ku mund t’i shohin të gjithë. Pastaj sa herë që këta dalin në media, zyra e tyre mbushet plot, sepse njerëzit i kërkojnë ndihmë. Historia e pajtimit është përrallë, sepse të gjitha familjet që janë pajtuar dhe kanë falur gjakun, kanë dashur vetë ta bëjnë jo se kanë ndërhyrë këta.

Në letrat që të shkruan babai yt, të kërcënon me arrestim? Ke bërë diçka të jashtëligjshme për të cilën rrezikon arrestimin? 
Para shumë vitesh kam pasur një konflikt me ish-gruan time, por që u vërtetua se ishte keqkuptim dhe u mbyll si histori. Nuk kam pse të frikësohem nga ligji, sepse nuk kam bërë asgjë për t’u frikësuar. Edhe pse e kam shumë të vështirë sepse po dal kundër babait tim, unë jam gati të dëshmoj në prokurori.

4 Komente

Ky eshte gomar, kot e keni postuar ketu

nqs eshte nje sharlatan qe shpif publikisht per te atin do te ishte mire qe personat ne fjale te reagonin

çeshtja qenka delikate, se nga njera ane ke te besh me fenomenin e pajtimit qe keta kane marre persiper dhe nga ana tjeter ke te besh me korrupsionin, parate qe flitet ketu dhe shantazhet ndaj ketij kameramanit. Eshte diçka e rralle, ku pajtuesit (nje detyre fisnike) na dalin mashtrusa, sipas kameramanit ketu, qe nga njera ane eshte guxim i madh te denoncosh nje grup qe ben diçka "fisnike" dhe nga ana tjeter te kesh patur lidhje me kete grup. 

çfar nuk po na nigjojn veshet. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).