"Iluminizmi ... na ka lënë përfundimisht si trashëgimi një botë e cila është “njerëzisht e pakuptueshme dhe e paqëllimtë në mënyrë shkatërrimtare… ajo nuk ka nxjerrë asgjë që t’i ngjajë një qytetërimi të ri… por në vend të kësaj [ka prodhur] nihilizëm"

Për iluminizmin sekular, arsyeja është dhuntia më thelemore njerëzore dhe për rrjedhojë edhe baza e nevojshme për çdo qasje ndaj etikës. Sidoqoftë, tradicionalisht në perspektivën islame arsyeja është parë si një mjet, në vend që të shihet si një mënyrë krejtësisht e vetëmjaftueshme e arritjes së përfundimeve morale të padiskutueshme, sepse siç ka vërejtur edhe Weaver-i, “Arsyeja e vetme nuk arrin të përligjë veten . Jo pa arsye djalli është quajtur princi i juristëve dhe jo rastësisht tek Shekspiri të ligjtë janë arsyetues të mirë. Nëse prirja (e natyrshme) është e gabuar, atëherë arsyeja e rrit dëmin e saj.  Por, nëse prirja është e drejtë, atëherë arsyeja urdhëron dhe e dërgon më tej të mirën”.[i] Megjithatë, kërkimi për një parim racional të moralitetit që mund të zbatohet universalisht është qendror për etikën sekulare moderne.  Si Emanuel Kanti ashtu edhe utilitaristët Jeremy Bentham dhe John Stuart Mill u përpoqën të gjenin pikërisht një parim të tillë, autoritetin e të cilit nuk do të mund ta mohonte asnjeri. Në mënyrë paradoksale, arsyeja i dërgoi ata në përfundime radikalisht kontradiktore dhe u tregua e pafuqishme për të siguruar një pikëpamje “neutrale” nga e cila mund të merrej një vendim ndërmjet perspektivave dhe pretendimeve konkurruese morale. Teoria deontologjike e Kantit dhe qasja teleologjike e utilitarizmit janë që të dyja me të meta të mëdha – pavarësisht nga dobësitë e qenësishme të këtyre teorive – për shkak të mbështetjes në supozimet iluministe rreth rolit të arsyes në etikë, supozime këto që në ditët tona shihen, ndër të tjerë edhe nga MacIntyre dhe John Gray, si të vjetëruara. Këta dy autorë sugjerojnë se përpjekjet për të siguruar një bazë pastërtisht racionale për një moralitet objektiv janë të mbështetura, në mënyrë të pashmangshme, në themele joracionale, që në fund të fundit nuk janë gjë tjetër vetëm se një grup preferencash dhe presupozimesh të përbashkëta. Në ditët tona shumë sekularistë pranojnë se arsyeja e vetme është treguar e paaftë të sigurojë një bazë vetëpërligjëse për moralitetin dhe se nuk ka asnjë arsye për të qenë të moralshëm, të tillë që çdo person i arsyeshëm të jetë i detyruar ta pranojë[ii].

Një tjetër problem për pretendimet universale të teorive të bazuara racionalisht ka qenë gjithmonë fakti se jo të gjithë mendimtarët sekularistë kanë qenë të mendimit se arsyeja është e aftë të kryejë një rol të tillë. Për David Hume, për shembull, arsyeja duhet të jetë shërbëtorja e pasioneve në vend se të jetë padronja e tyre, ndëkohë që racionalizmi e injoron faktin – feja dhe psikologjia moderne pajtohen në këtë pikë – se ekziston një aspekt i natyrës njerëzore që nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë racional dhe se ky irracionalizëm luan një rol shumë domethënës në jetën njerëzore. Kësodore, kur kërkimi i parimeve abstrakte, të tilla si detyra ose lumturia e shumicës bien në konflikt me dëshirat tona egoiste, shpesh këto të fundit mbizotërojnë mbi të parat, sepse në praktikë abstraksione të tilla (si ideja e detyrës dhe të mirës së përgjithshme) kanë pak kontroll mbi vullnetin njerëzor dhe është e pagjasë që ata të frymëzojnë besnikëri apo frikë të madhe. Apeli për të vendosur arsyen përmbi interesin vetjak injoron po ashtu faktin se ne nuk mund t’i trajtojmë njerzit paanësisht dhe se nga perspektiva pastërtisht racionale mund të jetë më racionale që të përmbushësh dëshirat personale me sa më efikasitet të jetë e mundur. Siç ka vërejtur edhe Roger Scruton: “Është devotshmëria dhe jo arsyeja ajo që mbjell brenda nesh respektin për botën, për të kaluarën dhe të ardhmen e saj, dhe e cila na pegon nga plaçkitja e gjithçka mundemi para se drita e vetëdijes të dështojë tek ne”[iii].

Shumë prej vlerave fillestare të iluminizmit në fakt kanë qenë trashëguar në formë të transpozuar nga Krishterimi. Përkundër kësaj, shumë shoqëri moderne liberale kanë kërkuar më pas që të lirojnë vetveten nga traditat morale që perceptoheshin si tiranike dhe të vjetëruara, duke iu apeluar parimeve universale të mirëpranuara dhe të disponueshme për të gjithë. Megjithëkëtë, MacIntyre argumenton se projekti illuminist i kërkimit të një përligjieje të pavarur racionale për moralitetin dhe progresin e përbashkët racional, përmes vlerave liberale, ka dështuar[iv], duke rezultuar në relativizëm dhe në atë që Gray i referohet si “gjendja postmoderne e prespektivave të copëzuara dhe praktikave të pathemelta, të cilat refuzojnë konceptin illuminist të arsyes[v]. Postmodernizmi, i rrënjosur në kriticizmin që Niçja i bëri Iluminizmit, thekson shumësinë e prespektivave të cilave u mungon uniteti apo ndonjë bazë objektive, sepse të gjitha vlerat janë thjesht çështje prespektivash dhe nuk ka asnjë “pikëpamje morale” neutrale. Nisur nga një perspektivë postmoderne, liberalizmi, larg së qenuri i aftë për të ofruar një grup parimesh universale morale, rezultoi të ishte asgjë më shumë se një tjetër pikëpamje historikisht e kushtëzuar, një pikëpamje njëlloj e ndjeshme ndaj vorbullës shpërbërëse të relativizmit modern. Kësisoj, Iluminizmi ishte në fund të fundit vetëshkatërrues sepse metoda e tij racionale e kërkimit ekspozonte pashmangshmërisht parimet e tij themelore ndaj një shqyrtimi fshikullues, të cilin ata nuk mund ta përballonin për një kohë afatgjatë. Ky përfundim i projektit iluminist, sugjeron Gray, minon shumë prej asaj që është themelore në traditën perëndimore[vi], e cila mund të mos jetë më e rinovueshme, por e destinuar për një rënie të pakthyeshme. Ai argumenton se Iluminizmi duke privilegjuar arsyen në kurriz të vlerave të tjera na ka lënë përfundimisht si trashëgimi një botë e cila është “njerëzisht e pakuptueshme dhe e paqëllimtë në mënyrë shkatërrimtare… ajo nuk ka nxjerrë asgjë që t’i ngjajë një qytetërimi të ri… por në vend të kësaj [ka prodhur] nihilizëm”[vii].

Përktheu: Rezart Beka

[*] Fragment i shkëputur nga eseja “From Humanism to Nihilism: The Eclipse of Secular Ethics” (CMC Paper nr. 6), f. 2-3.

 

[i] Richard Weaver, Ideas Have Consequences, University of Chicago Press, Chicago, 1948, f. 19.

[ii] Përshembull, Julian Baggini, Atheism: A Very Short Introduction, OUP, Oxford, f.44

[iii] Roger Scruton, Animal Rights and Wrongs, Demos Open Access, no date, f.51

[iv] Alasdair MacIntyre, After Virtue, University of Notre Dame Press, Notre Dame, Indiana, 1981, f. 38.

[v] Gray f.146

[vi] Ibid. f.146

[vii] John Gray, Enlightenment’s Wake: Politics and Culture at the Close of the Modern Age, Routledge, London, 1995, f.146, 145

 

http://www.e-zani.com/2013/02/07/dykupti...

7 Komente

Faleminderit per prurjet gjithmone mjaft interesante.

Kur gjykojme a posteriori iluminizmin mendoj se nuk duhet te leme jashte konsiderimit ate cfare e paraprinte, qe ne nje fare menyre mund ta lexojme sot (edhe pse "te infektuar") kryesisht ne ate pjese te botes qe i perket fese islame dhe budiste.

Gjithashtu duhet te konsiderojme ate qe paraprinte çfare parapriu Iluminizmin, te cilen mund ta lexojme sot ngado ne boten globale qe ka hec shume perpara mer jahu nen udheheqjen e intelektualeve te shquar mer jahu.

cka te konsiderojme , mor jahu ? 

 

 

Duket sikur autori ka nje far te drejte ketu dhe mund te kete te drejte, veç do te ishte me mire te sillte me shum shembuj per te na bindur 100% se eshte vertet ashtu siç thote ai. 

Cfar bindje kerkon me 100%, kete thote pra shkrimi se nuk mund te kete bindje 100% qe t'i trasmetohet te tjereve 100% qe njerzit te binden 100% racionalisht. Nuk e di nese arrita te bind 100% per ceshtjen. Shembujt pastaj i gjen tek Peshku, sa te dush, mbush plot me racionalitete iluministe. Fergellojne luspat. 

Keta te ezanit bejne loje te piste.

Gjithsesi, mjaft te shihet paniku i Hegelit nga relativizmi dhe kerkimi i ethshem i Absolutes, qe te kuptohet se çfare ishte iluminizmi.

Sundimi i asgjese, mosqenies, relativizmit, nihilizmit, i ka padyshim rrenjet tek iluminizmi.

Gjithe sofistet e sotem globalisto-kozmopolite jane ithtare te medhenj te iluminizmit.

Veçse nuk mund te kete ndonje globalizem te vertete pa qenien, pa absoluten. Mbi asgjene nuk ngrihet asgje, mbi relativen nuk ngrihen sigurite e as besimi.

Pa qenien, pa sigurine, pa besimin kemi te paqenen, te pasigurten, te pabesueshmen.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).