1.

Atë mbasdite të ngrohtë vere, teksa udhëtoja drejt ishullit Lemnos, duke vërejtur një hartë të madhe në murin e kafesë së anijes vura re se nuk ishim shumë larg Trojës së lashtë. Frynte zefiri, era e perëndimit , e njëjta që para 3200 vjetësh tendoste velat e qëndisura të anijes me stemën mbretërore të Trojës.

Nuk do më dukej fare çudi, sikur në stolat e kaltër të verandës së madhe të anijes tonë të shihja të ulur Helenën. Në fakt, në qoshe të verandës, e mbështetur në kangjellat e bardha metalike qëndronte një vajzë e gjatë, e bukur, me kaçurrela të verdha që dukeshin si në flakë nga drita e purpurt e perëndimit. Me siguri ishte ndonjë turiste skandinave, por në trurin tim tashmë ishte fantazma e Helenës ajo që qëndronte e heshtur aty në qoshe, duke  bërë dhe ribërë të njëtin udhëtim, me të gjitha anijet e mundshme. Mbase ngaqë zhurma që bënte era e perëndimit teksa përplasej në pëlhurën e rëndë të tendës që kishin sajuar në verandën e anijes për t’u mbrojtur nga dielli, të kujtonte atë kërcitjen e thatë të velave. Ishin pastaj dhe ata flokët e verdhë të gruas së panjohur që sikur kishin marrë flakë nga purpuri i perëndimit. Këtë ngjyrë duhet të kishin pasur edhe flokët e Helenës atë mbasdite të largët.  

Ajo Helenë e panjohur ishte si një pishtar i ndezur që po shkonte t’i vinte zjarrin ishullit. Ajo po shkonte t’i vinte zjarrin një Troje tjetër.

Mbase nuk ka burrë që të mos ketë ëndërruar dikur, në një mbasdite të jetës së tij se është ai në bashin e kaltër të anijes që po lundron përmes të Egjeut drejt dashurisë së rrezikshme dhe lumturisë së premtuar, drejt ëndrrës. Duke mos e ditur njëkohësisht se çdo tendosje e velave nga zefiri dhe çdo rremëtim drejt Trojës së tij po e kthen atë në gërmadhë dhe ëndrrën dalëngadalë në makth ndërsa kaçurrelat e verdha të Helenës i prekin supet.

Flokët e asaj gruas nuk ishin shuar akoma. Megjithëse i përhumbur, e kuptova që ky ishte një rast i mirë për mua dhe mbase i vetmi që t’i jepja Helenës një fytyrë, ndaj u ngrita nga stoli ku rrija dhe lëviza kithët në verandë, dola anash për nga shkallët e katit të poshtëm në mënyrë që ta shihja sa më qartë dhe të ndriçuar nga drita e fundit e ditës fytyrën e së panjohurës, por kur arrita ajo nuk ishte më aty. U ktheva shpejt në sallën e madhe të ndenjes dhe pashë në një kanape të madhe një grup suedezesh me flokë të shuara. Rrinin të ulura me kompiuterat në prehër dhe tashmë nuk mund ta dija se cila nga ato ishte Helena.

Në ishullin e rradhës ato zbritën. Teksa prisnin të mbështetura në kangjellat të hapej porta e madhe dhe kërkëllitëse e anijes, mu bë sikur e njoha Helenën. Me të dalë në breg një burrë që me sa duket i priste për t’i çuar në hotel thërriste emrat. Mbajta frymën dhe u mundova të dëgjoja emrin e saj. E quanin Beata. Megjithëse emri tashmë nuk kishte kurrfarë rëndësie, më mirë të mos e kisha dëgjuar.

2.

Seferi e pa Helenën e vet në një fshat qipriot, në Platrat, në vitin 1953. Fshati ndodhet në shpatin e malit Tro’odh (emri i malit të kujton Trojën, gjithashtu ) dhe është destinacion pushuesish në verë dhe dimër. Eshtë koha kur Qiproja sapo ka filluar përpjekjet e saj për të fituar pavarësinë nga Anglia. Situata ka një paralelizëm. Greqia e lashtë ishte superfuqi detare dikur, ndërsa Anglia është e tillë në 1953. Troja ishte atëherë një qytet i vogël, ashtu sikundër Qipro është sot një ishull i vogël. Duket normale që Seferit t’i ketë shkuar ndërmend imazhi i anijeve greke që nxinë detin para mureve të Trojës. Kështu që imazhi i Helenës si paraprirës i anijeve me siguri që ka kaluar disa herë nga truri i poetit.

“Bilbilat nuk do të lënë të flesh gjumë në Platrat”.

Bilbil i ndrojtur, mes psherëtimave të gjetheve,

ti që u dhuron muzikën e freskët të pyllit

trupave të ndarë dhe shpirtrave

atyre që e dinë se nuk do kthehen më.

Zëth i verbër, që kërkon brënda muzgut të kujtesës

hapat dhe nojmat, nuk do guxoja të thoshja dhe puthjet,

dhe shkumëzimin e hidhët të skllaves së egërsuar.

Në një vend të paqtë dhe luksoz si Platrati, mes tingujve të ëmbël të bilbilit dhe bukurisë përrallore të natyrës mund të duket pakëz e çuditshme se si dikush mendon gjëra si ato për të cilat flet një vjershë si “ Helena”. Po kjo nuk është e pashpjegueshme sepse bëhet fjalë për Seferin, një poet. Poeti shpesh aty ku të tjerët shpesh shohin dritë, sheh errësirë. Atij shpesh kambanat e gëzueshme të kishave i ngjallin alarm. Po edhe sikur të mos bëhej fjalë për njërin nga dy nobelistët grekë çfarë tjetër mund të mendonte një 53 vjeçar, i cili kur ishte 14 vjeç kishte humbur atdheun e tij të parë, Izmirin, kishte jetuar dy luftra botërore dhe kishte frikë se mund të jetonte edhe një tjetër ?

Ai shpreson megjithatë që Qiprua, “skllavja e egërsuar me shkumëzim të hidhët”, kësaj rradhe do të fitojë lirinë pa gjak.

“Bilbilat nuk do të lënë të flesh gjumë në Platrat”.

Kush është Platrati ? Kush e njeh këtë ishull ?

Jetova duke dëgjuar çdo emër për herë të parë:

Vënde të panjohura, çmënduri të panjohura njerëzish

apo zotash,

                    se fati im që valëvitet

ndërmjet shpatës fatale të Eadit

dhe një tjetër Salamine

më nxori këtu në këtë anë deti.

                                                              Hëna

doli nga shkuma si një Afërditë,

mbuloi yjet e Harkëtarit, tani po shkon të gjejë

zemrën e Akrepit, dhe ti ndryshojë të gjitha.

Ku është e vërteta ?

 

Isha dhe unë në luftë harkëtar,

fati im, ish fat njeriu që nuk goditi shenjën.

 

Seferi e takon Helenën nëpërmjet Tefkrosit, harkëtarit më të mirë të grekëve në luftën dhjetëvjeçare të Trojës. Tefkrosi (Teukri) ishte bir i Telamonit dhe vëlla i Eadit (Ajaksit) dhe u kthye nga lufta e Trojës i ngarkuar përveçse me imazhet e tmerrshme të luftës edhe me peshën e rëndë të fajit se nuk mundi të ndalonte vetvrasjen e vëllait të dashur. Eadi, i cili i shpëtoi jetën Tefkrosit kur ky u plagos nga Hektori , kish vrarë veten sepse akejtë nuk i dhanë armët e Akilit, që sipas tij i meritonte si shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për trimërinë e treguar gjatë luftës.

Kur Tefkrosi u kthye në Salaminë (Salamina është një ishull fare pranë Athinës), Telamoni plak nuk ja fali dot kurrë Tefkrosit faktin që ai nuk u ndodh pranë Eadit në momentin e lig dhe të mbramë, kur ai i dëshpëruar kapi për herë të fundit dorëzën e shpatës së tij të lavdishme për t’i dhënë kaq pa kuptim fund jetës.

Atëherë, Tefkrosi i këshilluar nga Apolloni mërgoi në Qipro, ku themeloi një qytet të ri, Salaminën e Qipros që e quajti kështu për të nderuar atdheun e tij të vërtetë. Ashtu sikundër Seferi ai e humbi atdheun e tij të parë. Tefkrosi mori me vete nga atdheu i vet Eurisakin, birin e Eadit sikur të donte t’i kujtonte vetes derisa të vdiste fajin e rëndë, por njëkohësisht do ta ngushëllonte se vëllai  vetvrasës në njëfarë mënyre rronte akoma përmes të birit.

Tefkrosi ishte njëri nga grekët që hynë brenda  Kalit të Trojës. Është e sigurt që atij i ka shkuar ndërmend se duke qenë ndër të parët që do të hynte në pallatin  mbretëror të Trojës, me pakëz fat mund të shihte edhe Helenën, para se Menelau ta vriste, siç ishte betuar. Ndoshta ishte kurioz të shihte se a vlente ajo grua kaq gjak e tmerre. Por nuk e pa.

Më vonë u tha se Menelaut nuk i bëri zemra ta prishte gjithë atë bukuri dhe se mbas një udhëtimi të gjatë që zgjati siç thoshin tetë vjet, më në fund ishin kthyer dhe po plakeshin të dy të lumtur në Spartë.

 

Bilbil lahutar,

Shi’ në një natë si kjo në bregdetin e Proteut

të dëgjuan skllavet spartiate dhe ja nisën kujes,

dhe mes tyre- kush do e besonte- Helena !

Ajo që kërkonim kaq vjet në Skamandër.

Ish atje, në buzë të shkretëtirës, e preka, më foli:

“S’është e vërtetë, s’është e vërtetë” thërriti

“Nuk hipa kurrë në anijen bashkaltër.

Kurrë nuk shkela në Trojën burrërore”.

 

Me jelek që ngushton, me diell në flokë dhe shtatin e hedhur

me hijëza dhe buzëqeshje kudo

mbi supet mbi kofshët mbi gjunjët,

lëkurë e gjallë, edhe me sytë

me qerpikët e gjatë,

ishte atje, në bregun e Dheltës.

                                                          Dhe në Trojë ?

Asgjë në Trojë- një shëmbëllim.

Kështu deshën Zotat.

Dhe Paridi , me një hije binte në shtrat si të ishte e gjallë,

ndërsa ne për Helenën dhjetë vjet therreshim.

 

Gjëmë e madhe kish pllakosur Greqinë.

Kaq kurme të hedhura

në nofullat e detit thellë në nofullat e tokës

kaq shpirtra

ju hodhën mokrrave,si grushte gruri.

Dhe lumejtë fryheshin në mes baltës në gjak,

për një gufim linoje për një mjegullinë

një rrahje krahësh future një pupël mjelme

për një këmishë bosh, për një Helenë.

Dhe im vëlla ?

                         Bilbil, bilbil, bilbil,

ç’ësh’ zot? ç’ ësh’ jo zot dhe ç’ ka ndërmjet ?

 

Takimi i Tefkrosit me Helenën është i tmerrshëm dhe kjo vetëm sepse ndryshe nga të gjithë ne të tjerët ai takon Helenën e vërtetë. Për të na bindur e përshkruan me saktësi. Nuk mjaftohet vetëm me ngjyrën e flokëve të saj të verdhë si Homeri, i cili natyrisht e kishte dëgjuar këtë nga të tjerët, sepse ishte i verbër. Siç dihet Homeri nuk e përshkruan asnjëherë Helenën tek Iliada, ose se ka frikë se mbase të tjerët nuk ishin aq të zotë sa t’ja përcillnin dot të plotë bukurinë e saj, ose sepse vetë ai nuk ishte i bindur se mund ta përshkruante dot atë me imazhet e zbehta që kishin mbetur akoma në kokën që nga koha kur shihte. Homeri mjaftohet të përshkruajë reagimet e të tjerëve kur e shihnin. As Euripidi, nga tragjedia e të cilit “Helena” është marrë skena e takimit të Tefkrosit me Helenën gjithashtu nuk e përshkruan atë. Sikur janë betuar të mos e zënë në gojë atë bukuri të mallkuar që u solli aq mjerim dhe vuajtje trojanëve dhe akejve. Sikur kanë frikë nga përshkrimi i asaj gruaje fatale.

Seferi nuk ka frikë ta përshkruaj Helenën. E bën këtë nëpërmjet Tefkrosit, por në mënyrë të kursyer, kryesisht nëpërmjet lojës që krijon dritëhija në lakimet e trupit të saj të derdhur.

Tefkrosi pra, sipas Euripidit e sheh Helenën në Egjypt, në mbretërinë e Proteut. E sheh rastësisht në një bregdet tek vajton me shpurën e saj mes skllaveve spartane duke dëgjuar këngën e trishtuar të bilbilit. Eshtë i njëjti bilbil që dëgjon Seferi në vitin 1953, në Platratin e Qipros. Është po i njëjti bilbil që dëgjon edhe Tefkrosi. Eshtë e njëjta këngë bilbili që edhe sot mund ta dëgjojë cilido prej nesh. Ca gjëra nuk kanë ndryshuar fare.

Me të dëgjuar Helenën Tefkrosi kupton se sa e kotë kishte qenë gjithë ajo luftë, sa e gënjeshtërt. Kështu janë të gjitha luftrat . Sidomos për Seferin.

Ndoshta Menelau me të gjetur një skllave që i ngjante shumë Helenës e kishte dërguar të shoqen tek Proteu, mbreti mik i Egjyptit duke mos i thënë asgë nga e vërteta apo duke nxjerrë çfarëdolloj shkaku. Dhe pastaj e kishte detyruar Helenën e gënjeshtërt që të joshte me hiret e saj Parin. E gjithë kjo histori e ikjes ishte një gënjeshtër, një pretekst për të nisur luftën. Kurrë nuk kishte ikur Helena me Parin, as nuk kishte hypur kurrë në anijen e trojanëve. Kjo shpjegon edhe zemërimin e Helenës ndaj grekëve dhe simpatinë e saj për “Trojën burrërore”, e cila pranoi më mirë të shuhej nga faqja e dheut se sa të dorëzonte një grua të pambrojtur pavarësisht se trojanët , sikundër edhe ushtarët grekë nuk e dinin se po vdisnin për një shëmbëllim, për një hije, për një këmishë bosh.

Në të vërtetë Seferi e di mirë, mbase edhe nga përvoja e tij si diplomat karriere se luftrave shumë shpesh u fshihen shkaqet e vërteta dhe pothuajse gjithnjë atyre u jepet një  bazë morale. Nderi i prekur dhe solidariteti mashkullor i grekëve të tjerë ndaj Menelaut dhe identifikimi i Trojës me pabesinë dhe shthurrjen e bëri më të lehtë për ata që donin luftën të krijonin ushtrinë më të madhe të kohës.

 

“Bilbilat nuk do të lënë të flesh gjumë në Platrat”.

 

Zog i përlotur,

                          në Qipro në detputhurën

që ma taksën meqë më kujtonte atdheun,

u preha i vetëm me këtë përrallë,

në është e vërtetë që kjo është përrallë

në është e vërtetë se njerëzit nuk do gëlltisin prapë

karremin e lashtë të zotave,

                                                   në është e vërtetë

se një kushdo, një tjetër Tefkros, pas shumë vitesh,

apo ndonjë Eadë, a Priam, a Ekavi *

a dikush i panjohur, paemër, por që ndërko’

kish parë Skamandrin tek derdh kufoma,

ja kurseu fati dhimbjen sikur të dëgjonte

lajmëtarët që vijnë për të thënë

se kaq vuajtje dhe kaq jetë

humbën në errësirë

për një këmishë të zbrazët për një Helenë.

3.

Sidoqoftë kushdo e ka takuar Helenën. Në mos të tërën dhe përnjëherësh, ka takuar pjesë të saj të shpërndara në gra të ndryshme. Në ditë të ndryshme. Në luftra të ndryshme, shpesh në ekrane televizorësh, apo faqe kryesore gazetash. Kështu që takimi me Helenën është i pashmangshëm, por thjesht mund të zgjasë me vite të tëra. Është sikur të gjesh herë pas here copa të një mozaiku të thyer që koha dhe erërat e kanë shpërndarë kudo. Ti mund ta ndërtosh atë pak nga pak , por vetëm në trurin tënd. Ndaj mund të thuhet me siguri se ka po kaq trajta të Helenës së Trojës sa çka edhe burra ose gra mbi këtë botë. Secili ka të vetën. Shpesh të papërfunduar.

A shkoi vërtet Helena në Trojë ? A ishin zjarret e asaj vere të nxehtë në ishullin e Lemnos pasojë e erërave të vrullshme të jugut dhe e temperaturës së lartë siç u tha në edicionet e lajmeve? Kush e di ...

Në fund të fundit, në këtë botë është shpesh tragjike të besosh ato që të thuhen, siç bëri Tefkrosi. Por sido që të jetë, në rast se duhet besuar dikush, këta janë poetët.

 

HELENA

 

“Bilbilat nuk do të lënë të flesh gjumë në Platrat*”.

 

Bilbil i ndrojtur, mes psherëtimave të gjetheve,

ti që u dhuron muzikën e freskët të pyllit

trupave të ndarë dhe shpirtrave

atyre që e dinë se nuk do kthehen më.

Zëth i verbër, që kërkon brënda muzgut të kujtesës

hapat dhe nojmat, nuk do guxoja të thoshja dhe puthjet,

dhe shkumëzimin e hidhët të skllaves së egërsuar.

 

“Bilbilat nuk do të lënë të flesh gjumë në Platrat”.

 

Kush është Platrati ? Kush e njeh këtë ishull ?

Jetova duke dëgjuar çdo emër për herë të parë:

Vënde të panjohura, çmënduri të panjohura njerëzish

apo zotash,

                    se fati im që valëvitet

ndërmjet shpatës fatale të Eadit

dhe një tjetër Salamine

më nxori këtu në këtë anë deti.

                                                              Hëna

doli nga shkuma si një Afërditë,

mbuloi yjet e Harkëtarit, tani po shkon të gjejë

zemrën e Akrepit, dhe ti ndryshojë të gjitha.

Ku është e vërteta ?

Isha dhe unë në luftë harkëtar,

fati im, ish fat njeriu që nuk goditi shenjën.

 

Bilbil lahutar,

shi në një natë si kjo në bregdetin e Proteut

të dëgjuan skllavet spartiate dhe ja nisën kujes,

dhe mes tyre- kush do e besonte- Helena !

Ajo që kërkonim kaq vjet në Skamandër.*

Ish atje, në buzë të shkretëtirës, e preka, më foli:

“S’është e vërtetë, s’është e vërtetë” thërriti

“Nuk hipa kurrë në anijen bashkaltër.

Kurrë nuk shkela në Trojën burrërore”.

 

Me jelek që ngushton, me diell në flokë dhe shtatin e hedhur

me hijëza dhe buzëqeshje kudo

mbi supet mbi kofshët mbi gjunjët,

lëkurë e gjallë, edhe me sytë

me qerpikët e gjatë,

ishte atje, në bregun e Dheltës.*

                                                          Dhe në Trojë ?

Asgjë në Trojë- një shëmbëllim.

Kështu deshën Zotat.

Dhe Paridi , me një hije binte në shtrat si të ishte e gjallë,

ndërsa ne për Helenën dhjetë vjet therreshim.

 

Gjëmë e madhe kish pllakosur Greqinë.

Kaq kurme të hedhura

në nofullat e detit thellë në nofullat e tokës

kaq shpirtra

ju hodhën mokrrave,si grushte gruri.

Dhe lumejtë fryheshin në mes baltës në gjak,

për një gufim linoje për një mjegullinë

një rrahje krahësh future një pupul mjelme

për një këmishë bosh, për një Helenë.

Dhe im vëlla ?

                         Bilbil, bilbil, bilbil,

ç’ësh’ zot? ç’ ësh’ jo zot dhe ç’ ka ndërmjet ?

 

“Bilbilat nuk do të lënë të flesh gjumë në Platrat”.

 

Zog i përlotur,

                          në Qipro në detputhurën

që ma taksën meqë më kujtonte atdheun,

u preha i vetëm me këtë përrallë,

në është e vërtetë që kjo është përrallë

në është e vërtetë se njerëzit nuk do gëlltisin prapë

karremin e lashtë të zotave,

                                                   në është e vërtetë

se një kushdo, një tjetër Tefkros, pas shumë vitesh,

apo ndonjë Eadë, a Priam, a Ekavi *

a dikush i panjohur, paemër, por që ndërko’

kish parë Skamandrin tek derdh kufoma,

ja kurseu fati dhimbjen mos të dëgjonte

lajmëtarët që vijnë për të thënë

se kaq vuajtje dhe kaq jetë

humbën në errësirë

për një këmishë të zbrazët për një Helenë.

 

Jorgos Seferis

 

 

*Ekavi- Hekuba, gruaja e Priamit, nëna e Hektorit dhe Parit, mbretëresha e Trojës.

*Dhelta- Nili, dhelta e Nilit.

*Skamandra- lumi afër Trojës.

8 Komente

Oh, sa e bukur, sa e bukur! Faleminderit, Sajmir! 

T'ishim shok me siguri do te thojsha "Sajme". smiley

O Sajme...

O Cimo...

Në fakt disa prej nesh e thërrisnin Sajme, por më të afërtit Minxhe smiley

O Minxhe, nuk zhgënjen kurrë.

Këtë fund Korriku më prit në Athinë.

Rrofsh. Ma zbukurove te dielen.

smiley

me behet qejfi !

Faleminderit te gjitheve !

 

Wow! Shumë e bukur kjo! smiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).