Një rimë e vetme! Ajo hyn në poezi ashtu si plumbi tek i qëlluari. Kjo rimë flet për plumbin i cili është kaq i rëndomtë, një send i vogël prej metali të nxehtë, por në të njëjtën kohë dhe i përgatitur me shumë saktësi. Ai e bën detyrën në mënyrë të përsosur. Vargjet rimojnë për mënyrën se si ai vret, vret për herë të njëmijtë, ashtu siç ka rimuar njëmijë herë: rëndom, pa kurrfarë pengese, saktë. 

Fjala rimuese flet në të njëjtën kohë për aktin rimues që kryhet. 

"Sein Auge ist blau/ er trifft dich genau" 
"Syri i tij është i sterrosur / ai ka shenjë të përsosur" 
("Syri i tij është blu / shënjon mirë jo kuturú") 

Rutina poetike përkon frikshëm me rutinën e vrasjes. Kjo rimë e vetme në këtë poezi të gjatë! Ajo i përket enigmave të tekstit, përkrah "qumështit të zi" dhe "Mjeshtrit gjerman". Ajo që mund të kuptohet nga shpjegimi i saj, duhet të bëjë më të qartë dhe gjithçka tjetër. 
Paraqet poezia një lloj "rime gjermane", e cila gjendet edhe në ndonjë poezi tjetër të së njëjtës kohë? Mund të marrim me mend se "syri blu" përfaqëson njeriun gjerman ashtu si "flokët e hirtë" përfaqësojnë hebrenjtë. Atëherë a mundemi njëkohësisht të japim një gjykim mbi poezinë gjermane? Përveç kësaj, mos përmendet këtu një fjalë e tmerrshme mbi gjithë të tjerat, e cila lë të kuptohet si fjalë gjermane? Në mënyrë të veçantë, vargje të tjera, në të cilat bëhet fjalë për "rimën gjermane" ("Pranë varreve"), tregojnë, që nuk është dhe aq e thjeshtë të gjykosh. Vargjet i kushtohen nënës së vrarë. Ato flasin qetë dhe vajtueshëm me gruan e varrosur në harkun e largët, duke përfunduar : 

" Und duldest du, Mutter, ëie einst, ach, daheim, / 
den leisen, den deutschen, den schmerzlichen Reim?" 

"Dhe duron ti, nënë, si dikur, ah, në shtëpi, / 
të ngadaltën, të dhimbshmen rimë gjermane?" 

Nëna e Celan-it i ka adhuruar pa kursim poetët gjermanë, ia ka përçuar këtë dashuri të birit dhe kohë më parë ata konkurronin me njëri - tjetrin duke recituar pjesët më të bukura të poezive. A mund ta durosh ende ti këtë, pyesin vargjet, tani si një e pushkatuar, njëra nga të shumtat? Në llojin e pyetjes gjendet edhe përgjigja: e ngadalta, e dhimbshmja rimë gjermane, e cila dhe në këto rreshta rimon trishtueshëm me: "në shtëpi", 

( ….deutsche Reim, 
…………….daheim) 

kumbon dhe lajmëron jo si pjesë e të tmerrshmes dhe të keqes, por si vendi i strehës së fundit. Si një hije, ajo bëhet mjet lidhës me të vdekurën, dhe pyetjen mund ta lexosh thuajse si një lutje: 

Duroje, nënë atë, dhe nga yt bir,! 

Këtu na shfaqjet një qasje me paradoksin themelor të poezisë: një magji gjuhësore e adhuruar, e jashtëzakonshme shpaloset, për të vjershëruar mbi krimin më ekstrem. Tingujt më marramendës të poezisë gjermane rrëshqasin këtu në njëri tjetrin, të kënduarit e marrosur e Loreleit, rënia në çmenduri e Cornet-it të Rilkes, madhështia e mjegullt e Georges, gjithçka e lidhur pas një kënge të pafund, sikur të vazhdonte të luante një violinist i çmendur papushim, njëra pas tjetrës dhe të përziera, të njëjtat melodi, një violinist sikurse në kohën e Chagall-it të hershëm: Ahasver-i si një muzikant çoroditës. 
Poezia u titullua në fillim "Tangoja e vdekjes" dhe kjo kuptohet pa vështirësi. Mund të ishte quajtur edhe "Bolero". Ashtu siç saktësisht strukturat e një Fuge provojnë, efekti - Bolero është më i qartë - si dhe në kërcimet e vjetra të vdekjes, tek të cilat kumbon fjala "Tango e vdekjes", për vdekjen, me sa kuptohet nuk luhen këngë liturgjike, por pjesë të çjerrura, të luajtura keq me violinë. 
Fjala "Mjeshtër" përcjell mbi të gjitha, atë çfarë ishte art i madh në Gjermani, ëndërr e re e lindur. Dhe në të njëjtën kohë përcjell gjenocidin, vrasjen masive. Të dyja ndërthuren njëra me tjetrën, në mënyrë të pandashme: 

Luani më ëmbël për vdekjen………..bjeruni përzishëm violinave. 

Sidoqoftë poezia nuk jep një gjykim mbi atë çfarë është e drejtë. Ajo bën, diçka më të vështirë, ajo mban mbi vete paradoksin - këtë mund ta quash çmenduri ose poezi. Në paradoksin e pjerrët të dy fjalëve të para zbulohet natyra e të gjithës. Nëna dhe gjuha gjermane, dhe "rima gjermane" janë një - Ushqimi i Agimit. E gjithë kjo është kaq e pajetë por dhe kaq e gjallë: e pajetë ashtu si gruaja e vrarë, si rima e vetme e tmerrshme, e gjallë si dashuria e birit, si krijimtaria e tij e vulosur - Qumësht i zi. 

Ahasver - emri i hebreut të përjetshëm / 
shtegtar që nuk gjen qetësi e nuk ndalet. 

Paul Celan 

Fuga e vdekjes 

Qumësht të zi agimi ne mbrëmjeve pijmë 
pijmë mesditave mëngjeseve pijmë netëve 
ne pijmë dhe pijmë 
hapim një varr në ajër atje trupi gërmuq nuk rri shtrirë 
Një njeri jeton në shtëpi ai luan me nëpërkat e veta ai shkruan 
ai shkruan kur erret mbi Gjermani flokët e tu të artë Margaret 
ai shkruan dhe del përpara shtëpisë dhe yjet vetëtijnë 
ai u vërshëllen langojve të vet t'u rrijnë pranë 
u vërshëllen hebrenjve të vet në radhë u ka gërmuar një varr në tokë 
ai urdhëron të bëjnë muzikë për vallëzim 

Qumësht i zi agimi të pijmë netëve 
të pijmë mëngjeseve mesditave të pijmë mbrëmjeve 
ne pijmë dhe pijmë 
Një njeri jeton në shtëpi ai luan me nepërkat ai shkruan 
ai shkruan kur erret mbi Gjermani flokët e tu të artë Margaret 
flokët e tu të hirtë Shulamit 
do hapim një varr në ajër atje trupi nuk mblidhet gërmuq 

ai thërret ju atje gërrmoni më thellë në tokë ju të tjerët këndoni dhe bëni muzikë 
ai mbërthen me duar armën në rripin e tij kërcënon me të sytë e tij blu 
ngulni më thellë lopatat ju atje ju të tjerët luani dhe më shumë muzikë për vallëzimin 

Qumësht i zi agimi të pijmë netëve 
të pijmë mesditave e mëngjeseve të pijmë mbrëmjeve 
pijmë dhe pijmë 
një njeri jeton në shtëpi flokët e tu të artë Margaret flokët e tu të hirtë Shulamit 
ai luan me nëpërkat ai thërret 
luani më ëmbël për Vdekjen Vdekja është një Mjeshtër nga Gjermania 
bjeruni violinave përzishëm pastaj ngrihuni si tymi në qiell 
ju keni një varr në ajër atje ka më shumë vend të prehesh 

Qumësht i zi agimi të pijmë netëve 
të pijmë mesditave vdekja është një Mjeshtër nga Gjermania 
të pijmë mbrëmjeve e mëngjeseve 
ne pijmë dhe pijmë 
vdekja është një Mjeshtër nga Gjermania syri i tij është blu 
ai qëllon me plumb shenjon mirë jo kuturú 
një njeri jeton në shtëpi flokët e tu të artë Margaret 
ai ndërsen langojtë e tij mbi ne na jep një varr në ajër 
ai luan me gjarpërinjtë dhe ëndërron vdekja është një Mjeshtër nga Gjermania 

flokët e tu të artë Margaret 
flokët e tu të hirtë Shulamit 

Përktheu nga gjermanishtja Arjana Kadiu

Marrë nga Milosao

______

Shënim: Peter Von Matt është fitues i Swiss Book Prize 2012

Disa versione të tjera përkthimi të "Fugë e vdekjes" mund të lexohen ketu dhe ketu

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).