Na ishin njëherë…. Kështu fillon tregimi i ardhur nga kohët e largëta për tre vetë të cilët brezat e mëvonshëm në tregimin e tyre i quajtën tre shenjëtorët.

Në tregimin e ardhur nga larg ata të tre panë një ëndërr . Që të tre panë ëndërr sikur drejt tyre po vinte një rreze dielli e brenda saj ishte një zë që u dha disa udhëzime dhe iku prapë me rrezen e diellit. Ata u zgjuan dhe rendën të shihnin jashtë ku panë rrezen e diellit si një fije ari që udhëtonte në qiellin e errët e të pamatë derisa u zhduk.

Vetoni, Arbeni dhe Bardhi, sipas udhëzimit u nisën drejt bjeshkëve të Sharrit ku për disa ditë do të mendonin se ç’është e mirë e ç’është e keqe për popullin e tyre. Të dallosh të mirën dhe të keqën, kjo është një sfidë e përhershme e njerëzimit, i kishte thënë zëri.

Kështu ata u nisën drejt cakut të tyre të cilin tashmë e njihnin edhepse s’kishin qenë kurrë atje. Mbërritën në vendin e shenjuar , në rrafshnaltën e bjeshkëve të Sharrit  në të gdhirë, kur nata po tretej e  dielli që ende s’kishte ardhur kishte shpërndarë ngjyrën e tij në qiell në një pamje mahnitëse. Ishte vetë hyjnesha e bukurisë, Afërdita, që në një ceremoni të përditshme lajmëronte ardhjen e diellit.

Të tre u ulën pranë kroit dhe kundruan për disa minuta këtë pamje. Më vonë ata shkruan që kush sheh këtë pamje do ta ketë ditën të bukur.

Ata e dinin që do t’ishin tre, prandaj s’ishin habitur kur ishin takuar. Kishin bërë bashkë një copë udhë e s’kishin folur. Vetëm tani të ulur pranë kroit treguan diçka për veten e si kishin ardhur deri këtu. Pastaj shikuan për rreth dhe gjetën gurin e madh, ku dy prej tyre që do ta shkonin ditën duke menduar, çdo mbrëmje do të shënonin me pak fjalë atë që kishin gjetur në mendje. I treti do të siguronte ushqimin të cilin do ta hanin njëherë në ditë kur dielli të kishte dalë mbi kokat e tyre. Ai atë ditë nuk do të merrej me gjëra të tjera, e sidomos nuk do të shënonte asgjë në gur.

Kështu i kaluan ditët. Moti ishte i mirë dhe pemët sapo kishin filluar të piqeshin.

Në natën e ditës së dymbëdhjetë, tek po rrinin së bashku pranë gurit që tashmë ishte mbushur me fjalë, dhe pas një kuvendimi të gjatë, të tre u pajtuan, që çdo gjë duhet të rishqyrtohet pas njëmijë vitesh, që të mirat dhe të këqijat të peshohen çdo njëmijë vjet, dhe nëse ka nevojë diçka të largohet, diçka të shtohet apo diçkaje t’i ndërrohet vendi në hierarki, sepse asnjë e mirë dhe asnjë e keqe nuk mund të ketë të njëjtën vlerë përgjithmonë. Dhe e shënuan që fjalët e shkruara në këtë gur të rishqyrtohen pas njëmijë vitesh. Kur mbaruan së shkruari këtë fjali, në qiell u duk perseri rrezja e diellit. Ishte po ajo rreze e ëndrrës.  Ajo qëndroi mbi gurin e shkruar, në fund të tij. Tani kthehuni dhe tregoni popullit tuaj, tha zëri që ishte bashkë me rrezen dhe u larguan andej nga kishin ardhur. Të tre kundruan shenjën e rrumbulakët ngjyrë ari që rrezja kishte lënë mbi gur dhe këtë e morën si shenjë miratimi.

Ata u kthyen dhe për shumë vite zbërthyen para popullit atë që kishin shkruar në gur. Kur u plakën, ndërtuan një shtëpi te përbashkët ku njerëzit vinin të dëgjonin e të bënin pyetje.

Shumë vite pas vdekjes së tyre, disa njerëz vullnetmirë ndërtuan një shtëpi në rrafshnaltën e bjeshkëve të Sharrit, rreth njëzet kilometra nga Prizreni, ku ata të tre kishin qëndruar për dymbëdhjetë ditë dhe kishin mbushur gurin e madh me fjalë. Sipas porosisë së tyre gurin e madh e kishin vënë në themel të shtëpisë qe do t’ishte e të gjithëve.

Pastaj kaluan vite e vite. U bënë shumë luftra dhe ushtritë fituese sollën rregulla të reja të tokës por edhe të qiellit që do të mbështesnin këto të parat.

Erdhën të krishterët. Ata sollën rregullat e tyre dhe ndërtuan shtëpitë e tyre. Edhe në rrafshnaltën e Sharrit, mu pranë shtëpisë së tre shenjëtorëve, ndërtuan një shtëpi fetare të vetën. Populli u kthye nga ta dhe dalngangadalë harroi mësimet e vjetra. Edhe shtëpinë e tre shenjëtorëve e prishën. Gurin e madh s’dihet se ku e lanë. Mbase dikush e mori në shtëpi të vet dhe e vendosi në themel.

Pastaj erdhën muslimanët, me rregulla të reja dhe shtëpi të reja. Shtëpisë katolike të ndërtuar në rrafshnaltën e Sharrit nga ku shihen fshatrat që nuk janë larg, iu ndryshua pamja dhe u bë shtëpi muslimane. Tani kjo shtëpi i përket fesë ortodokse dhe quhet kisha e tre shenjëtorve, por jo e shenjëtorve të vërtet të këtij tregimi. Bëhet fjalë për tre shenjëtorë të mëvonshëm të shpikur nga kasta e gënjeshtarëve të cilët deri në lindjen e patriotizmit ishin biznismentët më të mëdhenjë të planetit.

Por në gjithë këtë rrëmujë, populli e ka ruajtur kujtimin e tre shenjëtorve dhe mësimin e tyre të vlefshëm, që çdo gjë të rishqyrtohet në njëmijë vjet, se asgjë nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë. Prandaj ky popull nuk është lidhur me asnjë fe, se e di që mësimet e tyre janë me afat të skaduar, se u ka kaluar koha qysh moti dhe tani u shërbejnë grupimeve, bandave e jo njerëzimit.

Ky popull e di që njeriu ka nevojë për mësime të tjera, e gurin ku shkruan tre shenjëtorët  ta vërë në themel të shtëpisë së re, siq ata porositën. U bëftë vullneti i tyre.

Ireshtansi

2 Komente

Me pelqeu ajo pjesa kur keta te tre po laheshin ne det dhe nuk u kishte dale pija akoma 

vlla un e lexova deri ne fund dhe me pelqeu deri diku, po te isha mesues letersie smiley me mu kishe marr noten 7.8

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).