Braktisja e Tokës

 

Një zog braktisi Tokën

Dhe iku në Univers,

Zogu kërkon një diell 

Të shoh sqepin e vet.

 

Qëndroi në Pikën e Zjarrtë,

Ku shihet gjithë deti dhe dheu

Këndoi atë këngen e marrë,

Atë që këndoi Prometeu.

 

O zog i madh e sqepverdhë,

U dogje në Pikën Diellore

Shëtit tani i lirë

Me një yll kapur për dore.

 

 

Tretja e gurëve

 

Keshtu tretet ngadalë guri

Nga mërzia e murrme në të errët;

Para dhe pas ka vetëm muzgje,

Të hirta në të zeza, dhe pak pjerrët.

 

 

Pikëpyetje

 

Kur shndrit dhe shuhet dielli,

Kur ndodh eklips i gjatë,

Kur lind dhe sapo lind vdes foshnja,

Ku vyshket pa çelur një gonxhe.

 

A duhet të shohim gurëzit?

Gurëzit e shndritshëm të lumit,

Apo të ngjitemi në majë të malit,

Dhe të thithim ajrin e rrallë?

 

Kur dielli në qiell shuhet,

A duhet të kërkojmë nëpër terr?

Të gjejmë pak fosfor eshtrash

T’i bëjmë dritë shpirtit të gjallë?

 

 

Tretja në rrugë 

 

Tani i lodhur nga kolla dhe tymi i marrë,

Që buzët e holla m`i dogji me afshin e zjarrit,

Pështyj trotuarit si plak; ky tym i mallkuar

Bloz m`i bëri mushkëritë, krejt u tymosa.

Shumë jam drobitur duke bredhur me leqe,

Si meit i kam duart; o zot! nga era e keqe.

 

Prapë rrotullohem në vend nga tymi mbuluar

Prapë rrotullohem në vrundujt e tymit të kaltër,

E bie plasur si plumb, gurëve të ashpër.

 

Ky tym si lugati me ndjek, të shkurtë e kam hapin,

Vajzat përqeshin kur shohin si jam lemerisur,

Kërcasin takat e larta gurëve të krisur...

 

 

Murtaja

 

Tymi i mbushur me farmak

I ra malit në këtë muzg.

Në mëngjes në asnjë varg

S’kishte mbetur asnjë lule…

 

 

Pylli 

 

Nga rrenjët u ngjit ngadalë në trungjet e trasha,

Pastaj si miza pushtoi degët e gjethet e blerta

Rreth ballit të pyllit riosh oshëtiu ogurzeza.

 

U vjerr për degët e lisit si gjarpër i zi,

Me ngulm dhe me afsh po puthte gjithë pyllin në mes,

E shtrihej e fryhej si grami në tokën e zezë..

 

Eh...një erë e barrdhë po frynë në mbrëmjen e mjerë

Dhe farën e pyllit të mirë me vete e mori,

Ta sjellë sërish në këto anë, një ditë dhjetori.

 

 

Murtaja në Qytet 

 

Pastaj një ditë do vijë me duart plot me gjëmba

Do qeshet e ngërrdheshet në logun e qytetit...

Me sytë bebeqorruar do nisi të vajtojë

 

Do bredhë nëpër rrugë si leckë e menderosur

Nga hiçi kinseterr*), në hiç do katandiset...

Lumenjtë do ecin rrugës, e dielli lart do ngrihet.

 

Do bredhë si gjë e ligë...siç bredh murtaj e zezë

Në qosh, në gropë të thellë do zhytet përsëri

E errët do jetë nata, as hënë s’do ketë, as yjë.

 

E dielli në mëngjes do ngrihet përsëri,

Të djeg gjithë gogolierët që kohën e kanë ngrënë

Qytetit t’i bëjë dritë, e lulet t'i harlisë…

 

*) Kinseterr – Terr i qëllimtë- fjalëformim

    

 

4 Komente

Bukur Ed Martini , te thjeshta, te kuptueshme. Shpresoj te japi mendimin e tij edhe Emigranti i poezive te renda smiley

Kane shume klas Poezite.Duket sikur fjalaeshte e zgjedhur po vjen natyrshem.Nje ndjenje perhumbjeje i pershkon.

Faleminderit Pjer, faleminderit Zana. Me pelqen vemendja juaj!

shume te bukura, urime !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).