Imazhe, shfryrje, komente, banalitet me lopatë e sarkazëm inekzistente: nëpër rrjetet sociale, aspektet më pak institucionale dhe prapaskenat virtuale të një fushate qesharake qysh në zanafillë

 

Foto, karikatura, njoftime të zbukuruara të axhendave gjithaq të zbukuruara të liderëve muzë, komente lloj-soj, banalitet me lopatë e sarkazëm inekzistente , polemika dhe falënderime: Fushata elektorale bëhet më pak institucionale nëpër rrjetet sociale, duke u bërë kasa e rezonancës që nxjerr në dritë aspektet më pak zyrtare, dhe shpesh më kuptimplote të garës politike. Gjithçka i ngjan një telefoni të prishur, që mesa duket do ta mbajë frymën matanë zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti.

Nga ana tjetër, mësohet se nga kampi socialist, në vazhdën e përgatitjeve për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, është duke përgatitur një rrjet social të personalizuar, të ngjashëm me Facebook, por me një linjë specifike interaktiviteti. Gjithçka thuhet se është gati dhe shumë shpejt faqja në ndërtim do të bëhet e aksesueshme për ndjekësit e saj.

Të gjitha janë aktivë, në mënyrat e tyre, dhe ndjekin hap pas hapi shembullin e betejës (edhe) virtuale të të dy liderëve kryesorë të kampeve politike. Por, për t’i lënë mënjanë krerët dhe deklaratat e tyre në rrjetet sociale, që nga ëndrra në vend numëro e Berishës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, e deri tek lumi i retorikave nga kampi përkarshi, provuam të bëjmë një xhiro nëpër faqet e reja e të vjetra të mbështetësve të tyre anembanë.

E përbashkëta: votuesi dembel ka zbuluar më në fund një instrument të thjeshtë, të përcaktuar dhe efikas, për të shprehur gjykimin e tij, ashtu siç i vjen, me qëllimin e qartë të influencimit në një fushatë elektorale: ueb-in.

Por sa do t’ia arrijnë...? Përpjekjet e të gjithëve s’mund kurrsesi të krahasohen me atë që mbarë bota pa gjatë fushatës së fundit të Barack Obamës. E megjithatë, duhet pranuar se ato të 23 qershorit do të jenë për Shqipërinë të parat “votime 2.0”. Politikanë, kandidatë e ndjekës, e kanë kuptuar këtë, aq sa javët e fundit kanë shpërthyer account-et, kërkesa për miqësi dhe postime të gjithfarëllojshme, që kanë të bëjnë me parapërgatitjen për fushatën elektorale. 

Në tollovinë e të (pa)kënaqurve

Nuk mungojnë degët e partive kryesore në çdo qytet të Shqipërisë dhe të botës, ku ka shqiptarë. Po ashtu degët e forumeve rinore, socialiste e demokrate. Edhe Antikomunistët e Shqipërisë kanë degët e tyre përfaqësuese në rrjetet sociale, edhe këta nga çdo qytet i vendit e më tej. Janë angazhuar gjimnazet e universitetet, edhe këto në aq pak sa mund të jenë, kanë krijuar qerthujt e tyre mbështetës të njërit kah apo tjetrit. Sigurisht, në krye të listës janë “Të mbështesim Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare 2013” dhe “Të mbështesim Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare 2013”. Por fill pas tyre, nuk rri më mbrapa grupi “Unë do bëj ktë unë do bëj atë, por kur t’marojnë zgjedhjet, nuk do merrni gjë”. Një fije sarkazëm, që gjithsesi, me gjithë sinqeritetin që përcjell, nuk ngre peshë përballë armatës së dishepujve virtualë. Sepse kthetrat i kanë nxjerrë të gjithë, “Malsorët Socialista” e “Labët Demokratë”, “Vajzat Veriore Socialiste” (edhe “Djemtë Veriorë Socialistë” kishin bërë mënjanë grupin e tyre dhe “Demokratet Simpatike”. Mbi to bënte hije “Nënë Shqipëri”, zemër demokrate, por e pagojë, si gjithmonë.

Siç të pagojë ishin të gjithë...Përjashto faqet zyrtare të dy partive kryesore dhe të dy liderëve të tyre, që freskohen minutë pas minute dhe mbushen sakaq me komente që iu bëjnë fresk nga mëngjesi në darke. Po gjithsesi, pemë pa kokrra, sa kohë lëmi i rrjeteve sociale shërben më së shumti vetëm si arenë ku anonimët do të shfryjnë dufin e ditës, dhe kaq.

E meqë jemi te anonimët...ka çudira e çudira 

“Berisha Bam Zagarët Ham”

Ai është një burrë anonim, ose pak a shumë kështu, nëse mund të konsiderohen gjeneralitetet e tij “Sally” dhe “Berischa”, i kredhur në “magjinë” po aq anonime të rrjeteve sociale në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Flet në vetën e parë, në emër të kreut të qeverisë, dhe nuk lë rast pa postuar gjithë postet e të sipërpërmendurit në faqen e tij zyrtare në FB. 

“Le të lehin edhe ca zagarët e Bllokut, deri më 23 qershor 2013 kur ne do t'ua rrëzojmë murin! Rroftë rinia shqiptare!” – një pasazh i para pak ditëve. 

Ende s’i ka dalë e keqja e “100-vjetorit”. 

“Zagarët nuk duan që unë të bëj mbledhjen e Qeverisë në Vlorë, por popullin e Vlorës ata s'mund ta ndalojnë. Zagarët e PP-së, (sot PS) hiqen se u vjen keq për Ismail Qemalin, por a nuk ishin etërit e tyre ata që burgosën dhe i izoluan fëmijët e tij nga pjesa tjetër e shoqërisë??”.

Dhe bojkotuesit...

Por kujdes, mediat sociale dhe rrjetet e këtij lloji, të vetme, nuk spostojnë vota. E kjo, jo vetëm sepse për ne ky është një kufi ende i panjohur, ku komunikimi politik dixhital reflekton një vonesë prej të paktën 10 vjetësh, duke e bërë të duket pak interaktiv, shumë përgjithësues, qesharak dhe të privuar nga një gjuhë specifike, ende të pavendosur. Por, edhe sepse njësoj siç militantët, mbështetësit e grupazhet e tyre, kanë nisur sakaq nga puna edhe një tjetër armatë të pakënaqurish. Janë ata që kanë nisur të lobojnë për refuzimin. As më shumë e as më pak, por “Bojkotojmë Zgjedhjet në Shqipëri!!!”, apo “Mos Voto, Bojkoto!”. “Bojkoto Zgjedhjet”, thotë një tjetër grup i hapur, i cili fton të gjithë ata që janë myslimanë t’i bashkohen thirrjes: “Në zgjedhjet më të afërta, ftohen të gjithë muslimanët që ta lëshojnë votën e tyre kundër çdo pushteti...”.

12 Komente

O Gladiola/Peshku, na i kishit dhene si lajm te koncentruar alla cicerime twitteristike kete lajmin e rrjetit psedramist, pse duhet ta paraqesni si artikull te pergjithshem duke na humbur 27 sekonda nga jeta? lol

mësohet se nga kampi socialist, në vazhdën e përgatitjeve për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, është duke përgatitur një rrjet social të personalizuar, të ngjashëm me Facebook

Pash Zotin ca pune je tu be, se ti e ke venin gati ne Tirone.
Ke estrada, vllajo.I lezetshem fort

Nderkohe ne Kanada  eshte edhe nje problem tjeter .

 professionals duhet te kene shume kujdes se cfare shkruajne ne murin e facebook-ut te tyre , mendime apo besime personale . Ndodh qe ne listen e miqve te tyre kane shume "miq " pune dhe kjo ka cuar deri dhe ne pezullimin  e tyre nga puna kur kane kaluar limitet me shprehje publike qe kan cenuar filozofine e organizates ne te cilen bejne pjese.

eshte me e udhes ( nga eksperienca personale) familja dhe miqte qe skane lidhje me punen, te vihen ne  nje llogari tjeter.

dhe "miqte" e rinj qe kane lidhje me punen/shkollen, te vihen ne nje llogari tjeter.

Fejsbuku/Facebooku eshte bere si hale me duket, ku shpalosen vetem emocione, aspak mendim shkencor. Kam provuar te shoh seç thuhet aty, por nuk futesh dot, ka nje liste te gjate qe duhet ta plotesosh , per tu futur apo per tu bere antare. 

eshte liste shkencoresmiley  Pjero.      behet ne fillim nje perzgjedhje... se jo dokushdo  lejohet te futet atje, prandaj.

Pjero e ke gabim. Hap i faqe per librin vq ne facebook. Pastaj paguj 100 euro edhe e bo reklame librin qe ta lexoje gjithe facebooku shqiptar. Reklamen aktivizoje me cost per impression se me cost per click te ikin leket me shpejt dhe e shohin me pak njerez

PP, po ku morr vesh un or daj nga ; me cost per impression se me cost per click,  ti me siguri je ftof n'tajare.  Sa here duhet me e perserit ketu, se; une kam bo 1 kurs kompjutri ketu, ku e kam mesuar shum mire se si hapet dhe mbyllet kompjutri smiley

Eshte e vertete lista eshte tmerr! Kerkojne gjera te pamundura si emer, mbiemer. Pale pale, me e keqja eshte se te kerkojne dhe emailin!!!!! Po pasi ti merr te gjitha keto, te kerkon dhe nje password... Po iken bota seprapthi!

djema, Pjeri e ka perseritur disa here qe nuk eshte kompjuterist. Po ju qe hidhni romuze, pyesni veten njehere se a mendoni per vendin tuaj sa 1% i asaj qe kontribuon Pjeri dhe pastaj flasim

"kompjuterist" - nuk e kuptoj ca do me thene

te mendoshe dhe te kontribuoshe nuk eshte e njejta gje. ta shpjegoj ordinerce: mund te mendoshe gjithe diten per femra te bukura, po sdo te thote se ke bere gje. me thuaj ndonje gje ca ka bere(?), se vetem peridhuj babanesh nuk ka nevoje ky vend ose per dyqane qe shesin gjera me ere.

 

Kjo qenka tema kryesore e PPU-se sot... .

Pa i bo RT kryetari qe te sigurohen qe u lexu, nuk e heqin...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).