Gjatë festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u detyrua që të botonte një libër të posaçëm me aktet e themelimit të shtetit shqiptar për t’ua dhuruar atë në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në 100 vite shtet, të gjithë pasardhësve të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë më 1912 në Vlorë, por edhe të gjithë personaliteteve të tjera të shtetit, kulturës, artit etj. Një zgjidhje e detyruar kjo për kryetaren e Kuvendit, e cila nuk kishte një instrument tjetër të posaçëm për të nderuar këto figura të kombit shqiptar në vite. Por një situatë e tillë duket se nuk ka për t’u përsëritur më, kjo pasi qeveria ka vendosur që t’i heqë të drejtën e ekskluzivitetit për dhënien e dekoratave, titujve dhe medaljeve, jo vetëm kreut të shtetit siç është deri më tani, por edhe të gjithë drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit, duke filluar pikërisht nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministrat. Për këtë qëllim me propozim të Ministrisë së Drejtësisë ka mbërritur në Kuvend propozimi për miratimin e një ligji të ri “Për Dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit”, i cili ndër të tjera bën dhe shfuqizimin e gjithë legjislacionit që trajton këto çështje deri më tani, por duke lënë në fuqi të gjithë ata tituj dhe medalje që janë dhënë deri më tani nga shtetit shqiptar, përfshi këtu edhe ato të periudhës së komunizmit.

Projektligji

Drafti përcakton të gjitha llojet e dekoratave, titujve dhe medaljeve, si dhe autoritetet shtetërore kompetente, rregullat, procedurat dhe kriteret për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre. Kështu, projektligji përcakton fillimisht në mënyrë ezauruese të gjitha institucionet që kanë të drejtë të bëjnë propozime për dhënien e dekoratave apo titujve të nderit, duke e kufizuar atë vetëm te 9 krerë institucionesh, si kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat apo dhe krerët e gjykatave dhe të Akademisë së Shkencave. Në këtë mënyrë i mbyllet rruga mundësisë që ekziston deri më tani që një propozim të tillë mund ta bëjë dhe një shoqatë apo organizim joshtetëror. Së dyti, në këtë projektligj bëhet ndarja e qartë e dekoratave dhe titujve dhe medaljeve për meritat për të cilat ato jepen. Por ajo çka në fakt përbën risinë kryesore në këtë draft është pikërisht ndarja që i bëhet dekoratave dhe titujve të nderit, që do të vijojnë të jepen vetëm nga kreu i shtetit, ndërkohë që nga ana tjetër do të ekzistojnë dhe medaljet, por që tani e tutje do të jepen nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministrat. Dhe kjo sipas një logjike të thjeshtë, pasi dekoratat dhe titujt do të jepen nga presidenti si shpërblim për akte të veçanta merite apo trimërie ndaj kombit shqiptar dhe interesave të tij. Ato do të përbëhen nga një medalje e madhe dhe një e vogël, të dyja të arta. Ndërkohë që medaljet që do të jepen nga krerët e institucioneve të renditurat të dyta apo të tretat në hierarkinë e shtetit, shqiptar siç është kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të jepen si shpërblim për veprimtarinë e shquar në një fushë të veçantë profesionale.

Dekoratat dhe medaljet

Presidenti mund të japë 12 lloje dekoratash dhe titujsh të ndryshëm, duke filluar nga më i rëndësishmi që është dekorata “Urdhri i Flamurit” dhe për të vijuar më pas me dekorata dhe tituj të tjerë më pak të rëndësishëm. Ndërkohë që Kuvendi me propozim të 1/5 së deputetëve jep medaljen “Qytetar Nderi i Republikës së Shqipërisë”, për personalitete shqiptare ose të huaja, për vepra me efekte të spikatura në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar, të cilat njihen si arritje madhore. Ndërsa kryeministri dhe ministrat mund të japin medaljen “Mirënjohje publike” dhe “Vlerësim profesional”. Çdo institucion që sipas këtij ligji do të ketë të drejtën të japë dekorata, tituj apo medalje do të krijojë një komision këshillimor, i cili do të trajtojë çdo propozim të ardhur, duke vlerësuar së pari meritën dhe kontributin e dhënë prej personit që kërkohet të nderohet, por edhe të shkuarën e tij penale.

Titulli i PPU

4 Komente

Vazhdon akoma teoria e mbivleresimit te stimulti moral kundrejt atij material. Sikur te jepeshin pensione ne vend to dekoratave, ndoshta do t'i nxiste ndopak arnavutet te benin dicka me vlere.

Ca te keqe paska me dhene dekorata ?

E paska sjelle Monda , tani e pashe ,ai mi ai Bamiri e ka fajin smiley

Natyrisht, qe titujt/dekoratat, duhen shoqeruar me stimul financiar, perndryshe s'do te kishte kuptim. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).