Arkeologji

 

Gërmo, gërmo,

Në shpirtin tim.

Copëra të thyera

Fytyrash do gjesh

Në çdo shtresë të tij

Por provo t’i mbledhësh tok

Ato copra të shpërndara nëpër sheshe e kënde:

 

Do të formojnë të gjitha veç fytyrën tënde-

(Të Bukurës së Dheut)

 

Që mund ta vësh si murale në Xhaminë e Etem Beut!

 

1985

 

 

Ruse

 

U kris

Një re.

 

Tri pika drite rrëzoi përdhe

 

dhe një ruse

 

(Që s‘më lënë ta marr nuse!)

 

1985

 

Kineze

 

Pa ty kam ngelur

Glob pa ekuator.

 

Mbi mua bie vetëm borë-

e bardhë si beze.

 

(S’bën dot me të as një kineze!)

 

1985

 

Kushëriri im Hani-Bali

 

Ti prapa shpine më re mua

Me një dredhi prej provinciali

Si Romës kushëriri im

Nga Kartagjena: Hani-Bali.

 

Më çoje edhe letër. Thoshe:

S’e dua fshatin, sinqerisht,

Sado që retë i ka të bukura,

Me një ylber në fund. (Me bisht!)

 

Mund të jetonim pa kokëçarje

Por ja, por ja, ti e di vetë,

Tani shikohet që dhe hëna

Kurrikulum të mirë të ketë.

 

Në territor të kësaj letre

Shtëpinë kish ngritur pabesia

Por dhe më keq: shtëpinë ka ngritur

Edhe tek shpirti yt me vija.

 

Unë ballpërballë ty do të dal

Siç i del fushës para mali

Dhe jo si kushëriri im

Pas shpine Romës: Hani-Bali

 

1985

 

 

Ishulli Bali në Indonezi

 

M’i morën pronat që të bëra

Dikur me bujë e brohori,

Përveç një prone: ishullit Bali

Që ndodhet në Idonezi.

 

Këto të gjitha ti i dije

Prej stendës së emulacionit

Por u mundove të shkëputeshe

Prej tyre e ferrobetonit.

 

Madje dhe flu-tu-rat që kapje

M’i sillje vrap ashtu siç ishin,

Se mund të zgjasja me to vargjet

E mia. (Nga 3 rrokje kishin!)

 

Porse tani ku je, ku je,

Në cilin cep, në cilin skaj

E ku pushon e ngashërryer

Me aj e oj e oj e aj?

 

Nuk të kam faj unë ty aspak

Nëse ti vuan përsëri.

Për ty e pata ishullin Bali:

Të priste në Indonezi!

 

1985

 

Tulla

 

Një ditë do të vij patjetër

Dhe do të nxjerr nga ajo kullë.

Unë Pirro s’jam që nëna jote

Të më qëllojë me një tullë.

 

U prishën yjet një nga një,

(Ky sipër është ylli i fundit)

Por ty s’të pashë që të vije

Me hënën poshtë minifundit

 

Asnjë kontakt me mozaikët

E yjeve që ranë përdhe

Dhe pellgu mu në skaj fytyrën

Të ka harruar. (Si e ke?!)

 

Për atë tjetrin që të gjetën

Të afërmit të bënë presione.

Zakoni nëpër muzg të çfaqet

Si xhind pa formë e dimensione.

 

Por unë patjetër ndonjë ditë

Do të të nxjerr ty që nga kulla

Dhe po ta di se do të vritem

Si Pirro. (Pa lavdi: nga tulla!)

 

1985

 

 

Kaprolli me Safo

 

Me hënën që tundet në degët e brirëve

Si mollë me një kokërr del në shteg një kaproll.

Safon ai ka punësuar tek brirët,

Gjersa i ngeli pa vjelur dhe kjo mollë.

 

Po ma sjell mua.

Por unë, o kaproll, vetëm Safon dua!

 

 

 

Pusullë dashurie

 

Eja sonte në orën pesë,

(Urdhër të prerë. Urdhër kalifi.)

 

Sherifi.

 

1985

 

Përgjigje pusullës

 

Do të vij sonte, Sherif, kur hëna

Të shënojë një bulkth e shtatë minuta.

 

Teuta.

 

1985

 

Thika

 

Dëgjon fusha komplimentat e verës

Në ëndërrime e kredhur

 

…dhe përgatit serinë e shalqinit të zgjedhur

 

Por si nga hera

 

Thika pas pak do t‘i prishë këto vlera!

 

1985

 

 Poeti

Poeti është si shalqini:

 

S’i bën kokrrat për të ëmbëlsuar veten,

Po për të ëmbëlsuar të tjerët, ta dini.

 

Dhe ata as farat

 

Nuk ja ruajnë që të mbjellin prapë arat!

 

1985

6 Komente

Nusja poshte minderit

Shume faleminderit.

1981

 

Ruse

U kris

Një re.

Tri pika drite rrëzoi përdhe

dhe një ruse

(Që s‘më lënë ta marr nuse!)

 

1985

 

 

smiley  fantastike

 

 

Do te me kishte pelqyer shume t'i lexoja ne '85 keto poezi. Po prape m'u qesh smileysmileysmiley.

Poeti është si shalqini:

 

S’i bën kokrrat për të ëmbëlsuar veten,

Po për të ëmbëlsuar të tjerët, ta dini.

 

Dhe ata as farat

 

Nuk ja ruajnë që të mbjellin prapë arat!

smiley

shtati yt posi selvi

ne zemer kam dy hunj

rripi i fustanit tend

m'i mori fare mend

nga "Baj Gano", 198-e ca

Safon ai ka punësuar tek brirët smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).