Një grusht qershia Berati për Orhan Pamukun dhe një shishe raki për kandidatin e Nobel-it, Jonathan Franzen, janë disa nga kujtimet që sjell botuesja Flutura Açka me shkrimtarët më të njohur të letërsisë së huaj

Të rendësh pas autorëve nobelistë, për botuesen Flutura Açka është vështirësi e bukur, por ca e shtrenjtë! “Sepse, po t’i blesh si autorë janë të kushtueshëm, por edhe sepse tregun e tyre duhet ta ndërtosh” –thotë ajo. Tani në listën e Skanderbeg Books, ata ndihmojnë njëri-tjetrin. Një pjesë e tyre nuk e kishin Nobelin kur Açka si botuese i ka prezantuar në shqip, e morën gjatë rrugës, si J.M. Coetzee më 2003, Orhan Pamuk më 2006, dhe Mario Vargas Llosa më 2010. “Duke qenë autorë që i lexoja dhe i dashuroja vetë, vendosa ta ndaj kënaqësinë time me lexues që mendojnë dhe dashurojnë një letërsi të tillë stili”- thotë ajo. Këta autorë janë krejt të ndryshëm, dhe kjo i bën magjepsës. Ka mes tyre që do ta marrin Nobelin, beson botuesja shqiptare e tyre, duke veçuar autorë si Philip Roth, Haruki Murakami, Amos Oz, Jonathan Franzen etj. Por edhe po të mos e marrin, kjo nuk i pengon të jenë autorë të mrekullueshëm, që e kanë magjepsur prej vitesh edhe lexuesin shqiptar.

Janë të “shtrenjta” kostot për të sjellë një Nobelist në shqip? E kam këtu fjalën për të drejtën e autorit dhe gjithë procesin në të cilin kalon një libër…

Sigurisht, e thashë më parë. Autorë të tillë në shqip, edhe çdo autor tjetër i botuar nga Skanderbeg Books, janë të gjithë me të drejta botimi. Në përgjithësi lista jonë është e shtrenjtë, shtrenjtësi që nis nga e drejta e botimit, kurimi deri në detaje në përkthim, paraqitje. Edhe germa e përdorur, është ekskluzive e botimeve tona. Janë detaje, sigurisht, por detaje që bëjnë ndryshimin dhe tregojnë se çdo të thotë kur priresh nga pasioni ndaj diçkaje, para tregut, të cilin, për të qenë e sinqertë, në kushtet shqiptare nuk duhet ta shpërfillësh, nëse do të mbijetosh. Atë çfarë kam humbur në treg gjatë vitesh, e kam fituar në formë morale, dhe kjo është gjëja më e kushtueshme se gjithçka tjetër. Këta libra do t’i mbeten bibliotekës shqiptare të librit. Kjo më jep qetësinë e të jetuarit për diçka që ia ka vlejtur. Paratë shkojnë e vijnë…

Si komunikoni me ta?

Jo me të gjithë komunikoj. Kam pasur kontakte dhe takime disa prej tyre, me Orhan Pamuk, J.M. Coetzee, Jonathan Franzen, Amos Oz, Jonathan Littel, dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kureshtja ime ka qenë përtej botueses, është përvojë e vyer të takosh si shkrimtare fenomene të tilla letrare. Është pasuri.

I keni njohur nga afër, apo vetëm përmes veprave të tyre?

Nga këta që përmenda, kam takuar dhe kam ndenjur gjatë me Orhan Pamuk, Amos Oz dhe Jonathan Franzen, me të tjerët kam komunikuar virtualisht. Më e rëndësishme është se veprën e tyre e njoh mirë, mund të them shumë mirë. Nëse ndonjë universitet në Shqipëri do të qe i interesuar për një cikël leksionesh mbi këta autorë, do ta kisha bërë me kënaqësi. Nga kjo listë, dobësia ime është J.M. Coetzee, afrikanojugori Nobelist i vitit 2003, autori që bëri kthesën e madhe në profesionin tim si botuese. Jam duke lexuar biografinë e tij të shkruar nga JC Kannemeyer “Një jetë shkrimëri” (A life in Writing), që sapo është botuar dhe e njoh pothuajse të plotë veprën e tij, një nga mrekullitë e botës së shkruar, por sigurisht jo për çdo lexues. Unë nuk shqetësohem për çdo lexues, sepse çdo lexues ka letërsinë e tij. Letërsia e masës zor se gjen vend në raftet e bibliotekës sime.

Cili prej tyre ju ka lënë më shumë mbresa?

Amos Oz, nuk kam parë njeri me sy më të thellë dhe me shpirt më të bukur. Kujtoj profilin e tij në mes të shkretëtirës Judea, në qytetin e Aradit, ku ai jeton dhe ku e kam takuar. Libri i tij “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” është libri më i bukur që kam botuar shqip. Libri më i bukur. Kjo është absolute për mua si botuese. Kam edhe të tjerë, shumë, shumë, shumë të bukur, por ky është më i bukuri, libri i librave.

Cilin prej tyre e identifikoni më shumë me shqiptarët?

Orhan Pamuk është më afër dhe është autori më i dashur për lexuesin shqiptar. E gjithë vepra e tij identifikohet me shqiptarët, që vjen për arsye tradicionale, kulturore, gjeografike, veçmas historike. Edhe Orhan Pamuk e ka shprehur vetë këtë, kjo është njëra nga arsyet edhe pse e vizitoi Shqipërinë në maj të vitit 2010.

Cili prej tyre njihte më mirë shqiptarët dhe çfarë informacioni kishin për vendin ku vepra e tyre do të botohej?

Orhan Pamuk dhe Jonathan Franzen kishin më shumë njohje për Shqipërinë. Kureshtja e tyre më shumë lidhej me gjuhën, dhe për ta qe një gjë e mrekullueshme të botoheshin në një gjuhë kaq të vjetër. Izolimi i Shqipërisë nën diktaturë e bëri të pamundur informacionin mbi ne, vetëm në njëzet vitet e fundit bota pati mundësinë të na njihte, e mes tyre edhe shkrimtarët e interesuar për Shqipërinë. E shoh këtë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj nesh edhe tek agjentët e këtyre autorëve, që i rendisin botimet në gjuhën shqipe në listën e botimeve të rëndësishme të autorëve të tyre. Aq më shumë, kur botuesit e tyre janë seriozë dhe merren me veprën letrare të autorëve dhe jo libra të veçantë të tyre.

Keni ndonjë episod për të treguar nga takimet apo bisedat me ta?

Kam shumë, por vështirë të them shumë. Kur e pyeta Jonathan Franzen, ndër autorët më të rëndësishëm amerikanë të ditëve tona, i cili vizitoi Shqipërinë vitin e kaluar, se çfarë dëshironte të merrte nga Shqipëria para se të largohej, më tha: “Raki. Kam dëgjuar që është e mrekullueshme.” Me disa miq të mi, kuturisa natën të gjeja raki (të mirë fare!) për Jonathan Franzen. “Një miku im” i thashë, “e quan rakinë ‘eleksiri i cicës së hardhisë’, së cilës i jepemi me vullnet të plotë.” Qeshi shumë. Besoj e ka shijuar rakinë tonë më pas në Nju-Jork. Në letrat e tij vazhdon të më falenderojë, sigurisht jo për rakinë, por për fatin që pati mundësinë ta njihte Shqipërinë, një vend me natyrë të mrekullueshme. Kam plot ngjarje të tilla, por më së shumti nga takimet me Orhan Pamuk, të cilin e kam takuar disa herë. Nga takimi me Orhan Pamuk, gjatë vizitës së tij në Shqipëri kujtoj një detaj shumë të bukur të 17 majit të vitit 2010 në Tiranë. I tensionuar dhe i lodhur nga gjithë ai vërshim njerëzish dhe interesimi për ta takuar, për të marrë autografe dhe për t’u fotografuar me të, një çast më tha mënjanë: “Flutura, çfarë po ndodh?!” Unë e kuptova përse e kishte fjalën, dhe i thashë: “Zoti Pamuk, unë mund të të mbroj nga urrejtja, por jo nga dashuria. Mos ma kërkoni këtë, nuk ua bëj dot këtë këtyre njerëzve që të adhurojnë.” Ai qeshi dhe e pashë që u çarmatos.

Të nesërmen ishim në Berat, dhe duke ecur anës lumit, në një nga kthesat që të çonin në lagjen e epërme, pa dikë që shiste qershi dhe iu afrua fshatarit. Mund të ishin qershitë e para të pranverës. Unë iu luta të zotit të blija një grusht, por ai më tha se i shiste të gjitha dhe nuk i ndante. Këmbëngula se më duhej vetëm një grusht dhe se do t’ia blija me çfarëdo çmimi të donte, qoftë edhe me çmimin e të gjithë kaçiles. Më duket se e bleva shtrenjtë atë grusht qershi, mbase 500 lekë, nuk e mbaj mend, por di që më la shije të keqe ajo bisedë me shitësin e qershive. Si për të më nxjerrë nga kjo situatë, një zonjë e shtëpisë ngjitur më solli ujë për t’i larë qershitë dhe unë ia zgjata Orhan Pamuk-ut. “My Goodness,” tha Orhan Pamuk, “kjo nuk mund të ndodhë askund tjetër, të trajtohet autori kështu.” Kjo ishte për të një gjë përtej etikës njerëzore. “Ju nuk jeni vetëm autor i imi, por mik i Shqipërisë. Këtë do ta kishte bërë çdo shqiptar, po të ishte në vendin tim. Provojeni, trokisni në çfarëdo dere të kësaj lagjeje, ata që do ta hapin, do të të thonë: Bujrum për një kafe!” Ai tundi kokën i mrekulluar. Atë çast i kam bërë një foto, mu përballë Mangalemit, që e kam në arkiv si shenjë të asaj dite.

 

Intervistoi Aida Tuci

2 Komente

Po kto vini ne krye jo ca artikuj kot me kot

Leximerojme ne pa shkrimeroni ju, apo shkrimeroni ju pa leximerojme ne?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).