Pas miratimit të referendumit për importin e mbetjeve nga Gjykata… Kushtetuese, një sërë eksponentësh të qeverisë kanë filluar të hedhin në treg idenë se referendumi për importin e plehrave në fakt synon liberalizimin, dhe jo ndalimin e këtij importi. Kjo është një ide e artikuluar nga Kryeministri Berisha, deputeti Rusmali, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, dhe së fundi nga analisti Artan Hoxha.

Në thelb të kësaj ideje qëndron argumenti se eliminimi i nenit 49, që lejon importin e mbetjeve të parrezikshme për qëllim riciklimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, në fakt i hap rrugën liberalizimit të importit të mbetjeve. Pra, nëse hiqet neni që lejon dhe rregullon importin e mbetjeve, atëherë në fakt lejohet importi i të gjitha mbetjeve të parrezikshme. Për ta vërtetuar këtë “shqetësim”, eksponentët qeveritarë bëjnë një argumentim të spërdredhur juridik me të cilin nuk mund të merremi këtu. Për ta kuptuar që ky arsyetim paradoksal nuk qëndron, mjafton të themi se ai u paraqit nga qeveria përpara Gjykatës Kushtetuese dhe nuk u vlerësua si bindës prej saj.

Por le ta marrim si të vërtetë shqetësimin e qeverisë se Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) është në fakt një organizatë tinëzare që po mashtron popullin shqiptar. E thënë ndryshe, le të pranojmë pretendimin e qeverisë se nëse populli voton në referendum në shumicë kundër importit të mbetjeve, duke shfuqizuar nenet 22 pika 3 dhe nenin 49, në fakt ky rezultat do të prodhojë efektin e kundërt: liberalizmin e importit të mbetjeve.

Ky pretendim është absurd sepse nëse vullneti i sovranit kundër importit të mbetjeve shprehet qartë në referendum, atëherë është detyrimi ligjor, politik dhe moral i Parlamentit dhe i qeverisë që ta normojë këtë vullnet. Pra, nëse votohet nga qytetarët kundër importit në referendum, Parlamenti dhe qeveria duhet të bëjnë ndryshimet e duhura ligjore, nëse nuk mjafton eliminimi i neneve të sipërpërmendura, për ta materializuar në ligj vullnetin e sovranit. Në këtë mënyrë shpartallohet edhe qëllimi tinëzar i AKIP për të mashtruar sovranin.

Rezultati i referendumit mund të lexohet mjaft lehtë. Qytetarët ose do të votojnë alternativën e AKIP për të bllokuar importin e mbetjeve të parrezikshme për riciklim, ose alternativën e qeverisë për ta lejuar këtë import. Nëse qytetarët votojnë për shfuqizimin e nenit 49 që propozohet nga AKIP, atëherë ata qartazi kanë shprehur vullnet për ndalimin e importit. Qëllimi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), argumentet e dorëzuara prej saj në Parlament, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Gjykatën Kushtetuese, fushata referendare që do të zhvillohet prej saj, të gjitha tregojnë qartë se qëllimi i kësaj nisme është ndalimi i importit të mbetjeve. Pra, nëse fiton alternativa e kësaj nisme, d.m.th. shfuqizimi i nenit 22.3 dhe nenit 49, atëherë është e qartë që vullneti i sovranit është kundër importit të mbetjeve.

Në kushte të tilla, edhe nëse shfuqizimi i neneve të mësipërme nuk mjafton për ta bllokuar tërësisht importin e mbetjeve, është detyrim ligjor, politik dhe moral i ligjvënësit që të bëjë përmirësimet e duhura ligjore për të garantuar vullnetin e sovranit: bllokimin e importit të mbetjeve. Në këtë mënyrë bllokohet edhe qëllimi tinëzar i AKIP për të sjellë më shumë plehra nëpërmjet një referendum kundër plehrave. E thënë shkurt, pretendimi se AKIP po përdor referendumin popullor kundër importit të plehrave për të sjellë akoma më shumë plehra në Shqipëri, është sa absurd, edhe pervers.

Perversiteti qëndron në faktin se kemi të bëjmë me një pretendim që nuk e gjen, por e prodhon problemin për të cilin “shqetësohet”. Qeveria, në vend që të mbrojë kauzën e saj për lejimin e importit të mbetjeve për riciklim, u thotë qytetarëve se po votuan kundër importit të mbetjeve, në fakt do të votojnë pro importit të tyre. Synimi është për të krijuar sa më shumë konfuzion, me qëllimin e vetëm që nëse qytetarët nesër votojnë për rrëzimin e nenit 49 që lejon importin e mbetjeve për riciklim, qeveria të pretendojë se nuk është e qartë se përse kanë votuar qytetarët. Në këtë mënyrë, qeveria në vend që të shqetësohet për zbatimin e vullnetit të sovranit, përpiqet që ta mjegullojë sa më shumë këtë vullnet.

Për këtë qëllim është shpikur edhe përralla e radhës rreth referendumit. Përralla e parë ishte që për të pastruar plehrat tona duhet të sjellim fillimisht më shumë mbetje nga jashtë. Përralla e dytë ishte se ata që kundërshtojnë importin e mbetjeve janë antiglobalistë, eko-mafiozistë, e kështu me radhë. Përralla e radhës është se nëse qytetarët votojnë kundër importit të mbetjeve, atëherë lejohet futja e plehrave nga jashtë. Problemi me këto përralla është se i trajtojnë qytetarët si fëmijë dhe nismat e tyre si budallallëqe.

9 Komente

Hallall Kajsiu, e ka mbajtur gjithmone kete ceshtje ne vemendje te publikut me artikuj, edhe ne disa periudha kur kjo ceshtje s'ishte ne radar te 'ceshtjeve te dites'.

rrofsh blendi

ps: por prit nji fije se jena tuj zgjedh papën

Normal qe do tregojne perralla Blendi, presin fonde per fushate. Duhet te tregojne zell qysh tani, duhet te bejne te duket sikur, kur t'i vije siraja, do ta mbrojne me cdo mjet nenin 49. Por ligji do permiresohet e do behet i tille qe lenda e pare te hyje dhe plehrat te mbeten jashte. Ata ne biznesin e groposjes se helmeve te botes ne toke shqiptare le te mesojne ndonje zanat me te ndershem.

Kajsio, ky shkrimi yt me kujton pak shkrimet e fillimit te Albinit. I shkreti Albin ra telef duke fol me logjike dhe duke kundershtu me argumenta bindes gomarlliqet e disave. Rezultati ishte qe maskarenjte, si ai disku i prish qe ngel ne vend, nuk e rrunin fare dhe vazhdonin po njesoj. Pra une nuk pres qe ti te arrish t'u mbyllesh gojen atyre me argumenta sepse ata thjesht nuk besojne asgje nga ato qe thone. Do kishe nje mundesi ne debate televizive, por edhe aty veshtire do e kesh se je shume cun i mire dhe i kulturuar ti per t'i kthyer pergjigjen qe meritojne.

Albini i dha drejtim dhe e ktheu VV ne levizje politike.

Kur te vije dita qe cuna si ty te jene atje ku e meritojne ne vendimarrje ne Shqiperi, do kemi bere nje hap shume te madh perpara. Deri atehere te uroj te mos lodhesh dhe te bindesh qe te aspirosh per rol ne vendimarrje. Une gjithmone do te te jem mirenjohes per angazhimin tend.

PS : Jo me larg se sot desha me te more per dreke se dje m'u kujtu historia me policin e Kosoves kur po ktheheshim nga Prizreni. 

Polici : "Te kujt jeni ju te Aleances Kuqezi"
Ne te katert : "Jooo t'Vetevendosje-s" 

Bravo Kajsi.  Shkrim konciz si gjithmone.

hallall plako, pralla me mbret kto riciklimet, kush do ti kontrolloj ato plera se cfar sjellin e cfar groposin

 

""Apart from this, Albania has long allowed the disposal of nuclear waste on its territory, thereby becoming a centre for nuclear waste disposal in the Balkans."""

http://www.climatesceptics.org/europe/al...

 

nuk kam tjeter resources, nqs dini jeni te lutur ti postoni

mqs ra fjala, behej llaf per nje stacion nuklear ne durres, cfar u be me te

Kjo qeveri ne bashkepunim me zagaret sahanlepires qe e mbeshtesin aka Grupi i Zjarrit Mediatik (hoxha, cili, fevziu, zheji & co.) perrallen e ka ngrit ne piedestal, kujto numrimin e votave per bashkine e tiranes, pafajsine e te akuzuarve per 21 Janarin, gjyqin per videon meta-prifti, foton e krereve te policise me te akuzuarin per vrasje, etj etj etj. Kjo e referendumit ishte e pritshme

Edhe kur do vijne?

Perrallat jane nje nder karakteristikat me te qendrueshme te kesaj qeverie!  Ndersa demonizimi i cdo nisme  me duket tipike ne kete shoqeri smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).