Të quash “tradhtar”, Kastriot Islamin, ose ndonjë të ngjashëm me të, natyrisht që ky term është krejt pa vend dhe krejt i pa merituar, sepse ka disa faktorë që nuk e lejojnë këtë politikan të ardhur nga skutat e errëta të së djeshmes sonë, të ngrihet në nivelin e tradhtarit. Nuk është fjala vetëm tek fakti se politika jonë është bërë një tymnajë e pafund, por Kastriot Islami nuk plotëson as kërkesat më minimale që të ketë nderin të quhet tradhtar. Nuk ka asnjë dyshim se ai ndihet i lumtur kur dëgjon ta quajnë tradhtar, duke lënë të nënkuptohet se ai ka bërë gjithçka që të mund ta meritonte këtë titull, por për fatin e tij të keq nuk do ta meritojë kurrë. Ai ndihet thellësisht viktimë e një grupi njerëzish që nuk e kuptojnë largpamësinë e tij, ndërkohë që shumë të tjerë janë viktima të gjykimeve të tij të shkapërderdhura politike, gjykime që në aparencë duken se dalin nga kalkulimet e tij të ftohta matematike, por nuk është fare e vështirë të kuptosh se ato e kanë burimin në logjikën e tij (a)morale. Edhe po ta vesh re në “llafosjet” e tij të pafund nëpër studio e gazeta, ai mundohet me të gjitha mënyrat për të gjetur dikë që ta ketë quajtur tradhtar dhe pastaj me këtë argument vrapon pa u ndalur nëpër analet e historisë jakobine, nëpër stepat sovjetike, nëpër pllajat koreane, a nëpër plazhet kubane, për të bërë ca lidhje të çuditshme që vetëm ai i di t’i bëjë. Ndihet i lënë pas dore, nëse në studio nuk del ndonjë gazetarë ta quaj tradhtar dhe ai i provokon gazetarët që dikush prej tyre ta quaj kështu. Do të bënte gjithçka që ta meritonte këtë emërtim, madje të harrohej emri i tij thellësisht oriental dhe në vend të tij të shkruhej pseudonimi “tradhtari”. Ky mision i tij është i pamundur për një fakt fare të thjesht. Që të kesh “fatin” të quhesh tradhtar, duhet së paku të tradhtosh dikë, apo një grup njerëzish, të cilët duhet t’i kesh dashur, të tradhtosh një parim, apo disa parime, të cilat t’i kesh mbrojtur dhe e fundit së paku të tradhtosh veten tënde për të cilën duhet të kesh pasur minimumin e respektit.

Nëse i shohim këto tre sprova për t’u ngjitur në podiumin e tradhtarit, do të bindemi se Kastriot Islami nuk plotëson asnjë prej tyre dhe ai, ngado që të vërtitet, deri në fund ka për të mbetur një tradhtar i dështuar, pa kurrë si i tillë. Ai është i dënuar për të mos u quajtur tradhtar.

Së pari, ecuria e tij politike mes një grupi të formacionit ku ka bërë pjesë deri pak kohë më parë, apo edhe tek grupi i njerëzve u ka shkuar, po të shikohet me kujdes, do të bindesh se atë as e ka lidhur gjë me ish grupin dhe as e lidh gjë me grupin ku shkoi. Ikja tij prej një grupi, me të cilin kohëzgjatja është thuajse sa jeta e tij jo biologjike por politike, në një mënyrë kaq të shpenguar, tregojnë se brenda ndërgjegjes së tij, mund të luhaten lloj-lloj ndjesish, por nëse do të kërkonim shenja tradhtie do të na duhej të gërmonim të gjenim edhe shenja dashurie, gjë që duket se mungojnë krejtësisht. Edhe shkuarja e tij po kaq shpenguar tek një grup tjetër, që për shumë arsye tani nuk mund të jetë sa jeta e tij politike e as ajo biologjike, mund të tregojnë thjesht pabesi, por në asnjë mënyrë tradhti, sepse vetëm pabesia lind bashkë me lidhjen e re. E pra (mos)lidhjet e Kastriot Islamit mes grupeve të njerëzve nga ikën e ku shkon, me gjithë përpjekjet e tij që ai të quhet vazhdimisht tradhtar i një grupi, duket se është e qartë se nuk do ta gëzoj këtë privilegj.

Së dyti, përpjekja për të marrë sharmin e tradhtarit, mes besnikërisë së tij ndaj një parimi, apo grup parimesh, është e dështuar që në fillim. Për këtë mjafton të sjellim në vëmendje një shembull ku duket se qëndrimi i tij ndaj parimeve, nuk është gjë tjetër veçse një veprim (a)moral i tij. Ishte një kohë kur ai theksonte parimin se e majta kurrë nuk mund të fitojë pa bashkimin e saj dhe se fitorja i takon vetëm së djathtës, sepse në gjirin e saj ka një pjesë të së majtës. Më tej akoma ishte ai që thoshte se duhet bashkuar e majta që të arrihet fitorja, por aty për aty shtonte se edhe po u bashkua e majta fitorja nuk arrihet dhe ishte po ai që tha se me të majtën, pa të majtën fitorja i takon vetëm të djathtës. Edhe vetëm ky fakt i thjesht, tregon se lidhja e tij me parimet është një lidhje që me sa duket nuk eksiton. E pra thjesht nga kjo logjikë thellësisht qesharake, më thoni ku është merita e tij që të ketë fatin e të quhet tradhtar!? Ai kurrë nuk ka tradhtuar asnjë parim, sepse kurrë nuk ka pasur një të tillë që më pas ta tradhtojë.

Së treti, ndoshta duhet kërkuar grimca tradhtie tek koherenca e Kastriot Islamit ndaj vetvetes, por nëse ka një terren i cili ngjan vërtet si bokërimë, ku nuk mund të lulëzojë asnjë tradhti, është pikërisht qëndrimi ndaj vetes. Ky politikan, tipik i një politikani provincial e inatçi, kishte detyrimin minimal ndaj vetes që të respektonte qoftë edhe pak detaje nga e kaluara e tij, nga bindjet e tij. Mënyra si i braktisi ato, thuajse me tallje, tregojnë se ai kurrë nuk ka pasur bindje dhe koherencë ndaj vetes, por thjesht e gjithë karriera e tij nuk ka qenë gjë tjetër veçse një konjukturë e pafund interesi vetjak. Në këto kushte, ata që do të mundohen të gjejnë një devijim besnikërie të Kastriot Islamit ndaj vetes së tij, e kanë kot. Ai nuk ka mundur të krijojë imazhin e devijimit, sepse trajektorja e tij për shumë kohë, nuk është gjë tjetër veçse një spërdredhje pa fund dhe në këto kushte të flasësh për devijim është pa sens.

Dhe së fundi, dihet me siguri se nesër Kastriot Islami do të ulet në parlament dhe po me kaq siguri dihet se ky do të jetë parlamentarizmi i tij i fundit. Në këtë pozicion të ri, nuk do të mundet të rindërtojë një karrierë politike, sepse edhe biologjikisht jeta është kaq e shkurtër. Ai do të ulet në një cep, diku në skajin tjetër të sallës së parlamentit dhe vetëm kaq. Askush nuk do të ketë më nevojë për kalkulimet e tij, apo idetë e tij që derdheshin pafund në kohën që iku, sepse në vijim ai thjesht do të jetë asgjë më shumë se një numër. E kur ta kuptojë se nuk kanë vlerë as kultura oksidentale, as karriera e gjatë politike, nëse në perëndim të jetës kthehesh në numër, ndoshta Kastriot Islami do të ketë kohë të meditojë nëse vërtet ishte një tradhtar, apo një numër dhe asgjë më shumë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).