Në një proverb kinez lexojmë këtë ndodhi:

Teksa po udhëtonte në viset në veri të lumit Han, Tzu-Gung-u pa një plak që po punonte kopshtin. Ai kishte hapur një kanal për vaditje. Plaku zbriste në pus, mbushte një enë me ujë që e mbante në krahë dhe e zbrazte në kanal. Në këtë mënyrë, me gjithë stërmundimin, rezultatet e punës dukeshin të papërfillshme.

Tzu-Gung-u i tha: “Ka një mënyrë për të vaditur njëqind kanale në ditë pa u mundur shumë. A të ta tregoj?”

Kopshtari drejtoi trupin, e pa dhe i tha: “Ç’është kjo mënyrë?”

Tzu-Gung-u iu përgjigj: “Merr një levë druri të rëndë në bisht dhe të lehtë në majë. Në këtë mënyrë mund të bësh që uji të ngjitet lart me po atë shpejtësi që del nga burimi.”

Plaku u nxeh dhe ia ktheu: “Mësuesi im më ka thënë se kushdo që përdor makina e bën punën si një makinë. Atij që punon si makinë edhe vetë zemra i bëhet si një zemër makine, dhe kush ka zemrën e një makine humbet thjeshtësinë. Ai që humb thjeshtësinë s’është më i sigurt për sprovat e shpirtit të tij. Pasiguria për sprovat e shpirtit është diçka që nuk pajtohet me ndershmërinë. Nuk është se unë nuk i njoh këto lloj gjërash: më vjen turp t’i përdor ato.”[1]

“Ndoshta aspekti më interesant i kësaj anekdote – thotë MacLuhan-i – është tërheqja që ndien ndaj saj një fizikan modern. Ajo s’do t’i kishte pëlqyer as Newton-it e as Adam Smith-it, këtyre dy ekspertëve dhe mbështetësve të mëdhenj të fragmentarizimit dhe të një qasjeje të specializuar.”[2]  Nuk do u pëlqente atyre dhe shumë të tjerëve që ndjekin hullinë e tyre, sepse tashmë nuk jemi në një rrafsh formal apo teknik të çështjes, por në rrafsh botëkuptimor. Pikërisht botëkuptimet e ndryshme e ndajnë kopshtarin plak të proverbit kinez me Newton-in dhe Adam Smith-in. Arsyetimi i kopshtarit plak, më e pakta do u dukej fanatik, dhe më e shumta injorant.

Prirja e njeriut drejt të lehtës dhe shpejtësisë nuk është pra aspak aq e thjeshtë apo e “natyrshme” sa ç’mund të duket. Kjo prirje mendojmë se është pasojë e një besimi dhe e një botëkuptimi të caktuar, që sot është më shumë i pavetëdijshëm sesa i vetëdijshëm te shumë njerëz. Domethënë, pas prirjes për të lehtën dhe shpejtësinë qëndron një botëkuptim që i mban peng shumë individë gati në mënyrë të pavetëdijshme, për aq sa në lidhje me këtë prirje nuk janë në gjendje të japin një shpjegim për të qenë, por i janë nënshtruar të mbërthyer nga trysnia e instinkteve, gjë për të cilën dëshmojnë qartazi dëshirat që artikulojnë dhe mënyra se si sillen.

Kjo prirje është çështje besimi dhe botëkuptimi, sepse ose do besojmë se brenda kësaj bote gjendet si e mira ashtu edhe e keqja, ose do besojmë se në botë duhet dhe mund të ekzistojë vetëm e mira (e ashtuquajtura mirëqenie ose zhvillim i qëndrueshëm[3]), dhe sidomos duhet jetuar pa brenga e pa sprova; domethënë, besimi që parajsa ndodhët në tokë, në këtë botë – këtu dhe tani.

Prandaj dhe në manifestimin e dy gjendjeve të vazhdueshme që shoqërojnë qenien njerëzore, gëzimi dhe hidhërimi, shumë njerëz mbajnë një qëndrim të llojit të vet: kur gëzojnë e dëfrehen pësojnë një lloj mpirjeje që i përhumb pothuaj tej çdo arsyetimi jetik/qenësor; ndërsa kur hidhërohen, fjala vjen, kur u vdes një i afërm, përsëri pësojnë një lloj mpirjeje, ose shtangie, e cila është rrjedhojë e një hutimi të plotë përballë një çasti si vdekja, për të cilën nuk janë në gjendje të japin kurrfarë domethënieje – duke e parë atë si një ngjarje që nuk ka të bëjë me jetën e tyre, sikur nuk do e provojnë kurrë!

Shekulli që sapo lamë pas është një dëshmi e kthjellët dhe kthjelluese për të marrë me mend se besimi dhe botëkuptimi “këtu dhe tani” nuk është i mundur, pra, e thënë ndryshe është një utopi – duke nënkuptuar këtu në veçanti të gjitha ato ideologji që u lindën dhe u ushqyen nga besimi “këtu dhe tani”.

Ky besim ushqen edhe demokracinë liberale, që mbahet si “fjala e fundit” e tij. Së këndejmi, edhe demokracia liberale sa vjen e jep dëshmi të ndryshme (në formë) se është një utopi e pastër.

Kjo është pasoja e daljes/rebelimit të njeriut nga rrjedha e natyrshme e gjërave, që u zyrtarizua me ceremoninë që njihet si Rilindje, dhe, më pas, e ndërhyrjes së tij në këtë rrjedhë. E harruam atë “dorën e fshehtë” që i rregullon gjërat pa pasur nevojë për ndihmën tonë, për të cilën bënte fjalë Adam Smith-i. Ose, harruam Qenien, për të cilën ngulmonte Hiedegger-i.

Sa do që njeriu të dëshirojë apo të mendojë të kundërtën, nuk mund t’i ndryshojë ligjësitë përmes të cilave qëndron jeta, sepse kjo nuk varet aspak nga dëshira dhe mendimi. Dëshira dhe mendimi janë të mundura dhe në hullinë e duhur (në kuptimin e përmbushjes qenësore) vetëm atëherë kur bëhen pjesë me vetëdije e këtyre ligjësive, që mbi të gjitha nuk i vendosëm ne, por i gjetëm ashtu siç i gjetëm.  Por, siç e theksuam, kjo është çështje besimi dhe botëkuptimi, ose çështje vetëdijeje, pikërisht se sa e projektojmë veten si pjesë të korit kozmik, të ligjësive të jetës, pavarësisht se na është dhënë mundësia – që së këndejmi përbën një sprovë – të mos i pranojmë, t’i harrojmë apo t’i thyejmë, gjithnjë për sa i takon atyre ligjësive që kanë të bëjnë me qenien dhe vullnetin tonë, sepse përtej kësaj nuk shkojmë dot, edhe sikur të duam.

Njeriu është vërtetë qenia (krijesa) më e përkryer (gjë të cilën dikur e dëshmonte me mënyrën se si jetonte në raport me Qenien, me veten dhe me të tjerët, kurse sot e dëshmon vetëm përmes shpikjeve dhe produkteve), për aq sa këtë përkryerje e sheh si teleologjike, si pjesë të Tërësisë, që është gjithëpoaq teleologjike. Në të kundërt, e vetmja mundësi është utopia, pra paralizimi në të gjithë kuptimet e mundshme. Ky është burimi i ankthit.


 

[1] Cituar nga Marshall MacLuhan në librin Instrumentat e komunikimit – media si një zgjatim i njeriut, f. 76. Tiranë: Instituti i Dialogut & Komunikimit.

[2] Po aty, f. 76-77.

[3] I përjetshëm.

 

Marrë nga E-Zani

 

2 Komente

ky kot i ka rene nga Kinasmiley, per te na dhene  idene essesë..  shembujt i kemi shume prane..  jeta e murgjerve ne manastire.smiley

pra o burra  ti shmangemi modernitetit, teknologjise  e te bejme jete thjeshte e sa me te mundimshme.. te behemi murgjer..smiley

 

''bijte e mi, te ara kam fshehur nje qyp me florinj... (heuu, breeesmiley)... punojeni aren bijte e mi, e do ta gjeni...smiley

Ky vertet eshte duke i rene kot nga Kina, por kjo nuk do me thene se i bihet plot duke i rene nga murgjit ne manastire qe kane merdhif te gjithe prej kohesh. Leni manastiret se e kane kryer misionin e tyre, pa ata nuk kishe per te pas teknologji e kompjuter, e shife kete Filipin, duka i Edimburgut, themelues i organizates laike WWF,

http://en.wikipedia.org/wiki/Prince_Philip,_Duke_of_Edinburgh

i cili ka thene: “Po te lindja perseri, do te desha te isha nje virus vdekjeprures, per te dhene kontribut ne zgjidhjen e mbipopullimit te njerzimit. Drama me e madhe ne bote eshte qe ekzistojne me teper djepe se arkivole".

Ke sa te duash organizma ekologjistesh radikale, pothuajse gjithnje ateiste agresive dhe anti-teknologji. Po deshe hidhi nje sy Voluntary Human Extinction Movement:

https://www.facebook.com/pages/Voluntary-Human-Extinction-Movement/201193073543

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).