Në zanafillë, ata që përcaktonin fraksionet ishin Zotat, priftërinjtë dhe mbretërit. Pastaj fisnikët dhe të pasurit. Më në fund, hyjnë në lojë masat. Si lindën e majta, e djathta, financimet dhe kandidatët

A mund të bëjmë pa partitë politike? Mbase do ta zbulojmë së shpejti, me këtë krizë që ka kapur politikën. Por një fakt është i sigurtë: ato kanë ekzistuar gjithmonë. Që në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, kur perëndia Marduk mbizotëroi ndaj Enlilit në Babiloni, ishte njësoj sikur një kryetar partie sot, të fitonte ndaj një kryetari tjetër. Veçse asokohe nuk fitohej me zgjedhje politike, por me përplasje fetare. Sepse origjina e partive, këtyre grupeve të organizuara për të shtënë në dorë dhe ushtruar pushtetin, kthehet pas deri në epokën e teokracive, ndryshe formave të para qeverisëse me baza religjioze. Qytetet-shtete kishin një perëndi-padron, të përfaqësuar nga një klasë priftërinjsh dhe nga mbreti. Dhe tempujt ishin “seli” të partive të kohës. “Nëse një mbret mposhtte një tjetër, nënkuptohej që perëndia e të parit ishte superior”, shpjegon Zhan Lui Ska, historian i Institutit Pontifik Biblik, “mbretërit e Jeruzalemit zgjodhën një Zot unik, Jahvenë, dhe në emër të tij vendosën të zgjeronin kufijtë e Izraelit në kurriz të qytet-shteteve të tjera idhujtare”. 

Laikët 

Qytetërimi egjiptian, që zgjati mbi 3500 vjet, ishte produkt i bashkimit të shumë partive fetare që qeverisnin qytete të ndryshme. Amoni ishte perëndia e Tebës, Ra ishte i Iliopolit, Anubi i Kinopolit, Osirida e Abidos. Por partitë laike që nuk kishin sfond fetar, lindën në Greqinë e lashtë, falë filozofëve, që e bazuan politikën mbi analizën racionale të shoqërisë dhe mbi vlerat që duheshin ndjekur. Sidoqoftë, grupet-parti të Greqisë së lashtë ishin shprehje e klaneve fisnore. Ishte Klistheni (565-491 p.Kr) ai që e theu këtë sistem, kur e ndau Athinën në dhjetë rajone gjeografike, duke i përzier klanet. Secili rajon zgjidhte magjistratët dhe mes tyre hidhej short për 50 përfaqësuesit e Vulisë (parlamentit), që do të ishin pjesë e këshillit të të 500-ve, me pushtet legjislativ. 

Financimi 

Me Perikliun (495-429 p.Kr) demokracia u forcua edhe përmes pagesës për përfaqësuesit e popullit: Ata merrnin rrogë, për të qenë të lirë nga kushtëzimet e jashtme; madje një dëmshpërblim (monedha e prezencës) për shkëputjen nga puna, u jepej edhe mijëra pjesëmarrësve të asamblesë së përgjithshme të qytetarëve të lirë, që mblidhej 4 herë në muaj dhe votonte projekt-ligjet e të 500-ve. Në asamblenë e përgjithshme merrnin pjesë të gjithë athinasit e lirë në moshë madhore, që kishin të drejtë fjale e vote. Kuorumi i asamblesë duhej të ishte prej të paktën 6 mijë pjesëmarrësish, dhe aty votohej edhe ostracizmi, ndryshe dëbimi për 10 vjet i politikanëve fajtorë për shpërdorime ose paaftësi: Qytetarët duhej të shkruanin mbi copa tjegullash (ostrakas) emrin e politikanit që do dënohej me ekzil. Arkeologët kanë gjetur copa terrakotash të shkruara disa herë nga i njëjti person: Edhe asokohe bëheshin mashtrime… Por me vdekjen e Perikliut, demokracia e Athinës u anullua, edhe për shkak të korrupsionit galopant. 

Seksistë 

Në Romën e lashtë, nga ana tjetër, politika karakterizohej nga ndarja bipolare e klasave, mes patricëve (pasanikëve) dhe plebejve, ose ndryshe të varfrit, shumë më tepër në numër dhe pak të përfaqësuar nëpër asambletë, komitetet e qindsheve. Termi “kandidat” vjen prej këtej: Ai që aspironte për një post publik, duhej të vishte një togë të bardhë, pra ngjyrë të hapët (candida) si simbol i ndershmërisë së vet. 

Më vonë, mes viteve 1100-1300 përballja politike në gadishullin Apenin e më gjerë u mishërua nga guelfët (familjet e pasura e të pushtetshme që mbështesnin Papatin) dhe gibelinët (mbështetësit e Perandorit të shenjtë romak). Nga ajo epokë, mbetën për shumë kohë në fuqi kriteret seksiste dhe pasurore: Vetëm meshkujt që fitonin të ardhura të mira mund të ushqenin ambicie për poste publike. 

Embrioni i parë i politikës bipolare mes “konservatorëve” (tories) dhe “progresistëve” (whigs) lindi në Britaninë e Madhe. Të parët ishin mbështetës të monarkisë absolute, të dytët qenë pro asaj kushtetuese. Selia e tyre ishte parlamenti, dhe që nga viti 1688 ekuilibronin pushtetin mbretëror. Por në rradhët e tyre mund të hyje vetëm nëse plotësoje kriteret pasurore: Të drejtën e votës e kishte vetëm ai që zotëronte tokë me të ardhura vjetore mbi 40 shilinga. 

E majta dhe e djathta 

Ishte Revolucioni Francez, ai që përvijoi tre përbërësit e politikës moderne: E majta, e djathta dhe qendra. Para vitit 1789, në Francë shoqëria ishte ndarë në tre klasa (kleri, aristokracia dhe shtresa e Tretë, qytetarët e zakonshëm), përfaqësuesit e të cilëve zgjidheshin në asamblenë konsultative, etats generaux. Por pesha e secilit ishte mjaft e ndryshme. Kleri dhe fisnikëria kishin privilegje, ndër të cilat mospagimi i taksave. Kur mbreti Luigj i 16-të u rrëzua nga pushteti, kjo asamble konsultative u vetëshpall Asamble Kushtetuese, duke u shndërruar në përfaqësuese të të gjithë popullit. Në këtë pikë, anëtarët e saj u ndanë sipas grupimeve, konservatorët u ulën në vendet djathtas, radikalët dhe revolucionarët në të majtë. Qendra u mbiquajt “këneta”, një hapësirë e papërkufizuar dhe pa identitet. 

Hapi i rradhës, që i ktheu në parti grupet e individëve me interesa të përbashkëta, erdhi me revolucionin industrial, kur u përplasën dy tendenca: Konservatorët, elitat e pasura që nuk u interesonte barazia, dhe progresistët që luftonin për t’u dhënë të gjithëve mundësi, arsimim dhe shërbime të barabarta. Kësisoj lindi dukuria e “partisë-organizatë” e më pas “partia e masës”, bazuar në pjesëmarrjen e shumë veprimtarëve në kërkim të miratimit popullor përmes votës. Ishin udhëheqësit ata që dilnin nga partia dhe jo anasjelltas, siç ndodhte deri atëherë. 

Anëtarësia 

E para organizatë e këtij tipi, në Itali e Gjermani, ishte Partia Socialiste, e lindur në vitin 1892 duke përfshirë në gjirin e saj fshatarë e punëtorë që kërkonin përmirësimin e kushteve të punës. Në vitin 1919 një tjetër “revolucion”: Katolikët, deri atëherë të distancuar ndaj politikës, hynë në skenë me Partinë Popullore italiane të Don Sturcos, që kishte si synim një shoqëri më të mirë “tokësore”. Në këtë segment, do të vinte pas Luftës së Dytë Demokracia Demokristiane, një tjetër parti e masave. Në vitin 1921, nga një ndarje brenda Partisë Socialiste lindi Partia Komuniste Italiane e themeluar nga Antonio Gramshi, që kishte si qëllim ndryshimin radikal të shoqërisë, në favor të punëtorëve. Të gjitha këto parti, u bënë vërtet “të masave”, falë dekretimit të së drejtës universale të votës (në Itali deri në vitin 1945 votonin vetëm meshkujt), e sidomos falë numrit të madh të militantëve. 

Teserat 

Selitë e partive kryenin një rol solidariteti mes anëtarëve, ishin pika takimi e grumbullimi, por edhe shkolla ideologjike. Miqësi, martesa e pranime të reja, gjithçka lehtësohej duke frekuentuar mjediset e partisë. Në të njëjtën mënyrë nisën të fuksionojnë degët dhe seksionet rajonale të partive. Natyrshëm mbërriti momenti që anëtarët e partisë të identifikonin njëri-tjetrin përmes teserës së anëtarësisë, ashtu siç drejtuesit duhej të njihnin fuqinë e ndjekësve të tyre: Ndërgjegjësimi për forcën numerike, më tepër se për atë monetare, është ajo çka i jep vitalitet një organizate politike. 

Kriza e sotme 

Sa dhe pse janë në krizë ditët e sotme partitë politike? Sipas politologut Xhorxhio Gali, “faktikisht kjo krizë e partive i ka rrënjët tek suksesi i tyre në histori. Partitë kanë zgjidhur problemet e dy të tretës së njerëzve, të cilët kësisoj nuk ushqejnë më ndonjë interes tek politika. Një e treta që mbetet, ndërkohë është e zhgënjyer dhe nuk ndihet më e përfaqësuar. Kjo vjen edhe për shkak të frymës vertikale të partive, ku që në krye të herës vendimet merreshin nga lart, në mënyrë elitare, duke humbur raportin e drejtpërdrejtë me zgjedhësit. Për më tepër, ndërkohë partitë i kanë zëvendësuar televizioni dhe interneti, në misionin e informimit dhe shoqërizimit të një vendi”.

21 Komente

Dilema e arbrit ne vitin 2013: a mund te bejme pa partite politike apo jo? smiley

doni edhe hollandeze juve qe t'qeeni sa t'mos ju bajne mo bolet. 

 

Sipas politologut Xhorxhio Gali, “faktikisht kjo krizë e partive i ka rrënjët tek suksesi i tyre në histori. Partitë kanë zgjidhur problemet e dy të tretës së njerëzve, të cilët kësisoj nuk ushqejnë më ndonjë interes tek politika. Një e treta që mbetet, ndërkohë është e zhgënjyer dhe nuk ndihet më e përfaqësuar.

ouu, vertet kane zgjidhur problemet 2/3 se njerzve..smiley   po  te jete keshtu,  e kane kryer misionin e tyre karshi popullit..  çi q!  tëmën 1/3-es,  minoritet jane..smiley

". Miqësi, martesa e pranime të reja, gjithçka lehtësohej duke frekuentuar mjediset e partisë. Në të njëjtën mënyrë nisën të fuksionojnë degët dhe seksionet rajonale të partive. Natyrshëm mbërriti momenti që anëtarët e partisë të identifikonin njëri-tjetrin përmes teserës së anëtarësisë.."

Qendra u mbiquajt “këneta”, një hapësirë e papërkufizuar dhe pa identitet.

Pse ore partia e Sales si e qnendres  ....  parti KENETASH qenka ? .Po LefGOPJA thote qe jemi 'feline " Po keta te "barazlarguarit " e Xhibonjiozmit , cfare i mbetet te jene ? Vetem nenbishtje te Berishes se nuk u shpjegoka smiley

Natyrshëm mbërriti momenti që anëtarët e partisë të identifikonin njëri-tjetrin përmes teserës së anëtarësisë

Kete e ka thene Left me ...yyyyyyy ne fund qe kur s'mbahet mend . S'ka me Parti me bindje .Tani anetaresia e PD lidhet  me kart e Saliut dhe ATE te Jozefines ! Aq  e vertete eshte sa tani se fundi , PD e Saliut , vertikalisht e  vertetoi edhe me Kaçin e ZI smiley .Profete je LefKOPE Profete !

ate qe dot s'ma jepte kush

partia ime ti ma dhe

U themelua Partia, shoku Enver nenshkroi dokumentin e pare
Ajo s'ish firme, ajo ish vetetime ne qiell te revolucionit,
Me re dhe suferine.
DUke nenshkruar dokumentin e pare, shoku Enver Hoxha nenshkroi stuhine.

por nje parti prej te vegjelve bashkuar

jepu armik, dhe shtrihu, hesht!

Me jepni nje Parti dhe une leviz Shqiperine ....NNoka !

e kish mbledhur shqiperia ate grusht vajgur

nga me e madhja thellesi

mos e beni zemren gur

sos per mua a per ti

po per nje vize e per nje tour

per naltmadherine e tij.

brenga del me brenge dhe pyka me pyke,

kush i shpiku partite, iu shpifte nje kancer ne gryke

kur bere derr e arine

c'tu desh qe bere partine

eh mor Cajup mor Cajup smiley

Kush i shpiku partitë

Partite ja kan kaluar Don Zhuaneve , ul e ngre forca gravitetit

Rrini e beni sehir ne shkallet e stadiumit duke ngrene kokoshka dhe pire birre, keshtu nxirrni mallin e kohes kur te dersire hanim te zgerdhire byrek 8 lekesh ose kombinimin klasik te ushtarve me leje paste 6 lekshe me hallke 4 lekshe, qe bejne rrumbullak nje karte qe shtiret me gjasme sikur me qene monedhe 10 lekshe me ngjyren jeshile mimetizuese te dollarit dhe zgjyren e lek dukagjinit qe i paguhet pruresit me te pare (por jo ne kohe krize qe ben te mos fuksionoje rima porca troia prima).

http://www.cartoonmovement.com/depot/cartoons/2013/02/PqZoIultQX-lJ-BRFz0V_g.jpeg

Nuk thuhet se kush e ka shkruar, apo përkthyer. Bie në sy se argumentet janë të dobta e të pamjaftueshme. Pushteti është e ka qenë pronë. Sa kohë ky pushtet përqendrohej e sundohej nga absolutizmi, sistem që përfshin monarkitë, nuk ka patur nevojë për parti, sepse populli nuk kish të drejta, ose i kish ato të kufizuara.

Partitë janë tipar i shoqërive demokratike, të hapura e me liri të plota për bashkime vullnetare rreth programesh politike e shoqërore. E keqja e tyre fillon kur elitat kalcifikohen e mumifikohen në krye të pushtetit, kur anëtarsinë nuk e përcakton e ndan programi, kur mungesa e rotacionit kultivon autokracinë. Në këto raste, shembja e tyre do ishte zgjidhja. Saviano ka një libër, ku bashkë me mafian shpjego dhe kalbëzimin e "elitave" partiake. Po këtu dhe Giovani Sartori, duke folur për mediat, thotë se liria nuk është e barabartë për të gjithë.

Po me thate kush i shpiku partite,do jua jap une pergjigjet e pyetjeve tuaja.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).