Juristi i njohur paraqet konturet e një pakete ndryshimesh në ligjin themelor të shtetit, të cilat prekin zgjedhjen e presidentit, organizimin e parlamentit, kompetencat e kryeministrit dhe organet e drejtësisë. Traja deklaron se duhet të ketë një reflektim të shpejtë për nevojën e këtyre ndryshimeve dhe njofton se fondacioni “Soros” po mendon inicimin e një pakete të tillë.

 

Zoti Traja, prej vitesh diskutohet në ambientin juridik dhe atë politik e mediatik, për ndryshimet e mundshme që mund dhe duhet të pësojë Kushtetuta shqiptare. Së pari, a mendoni se duhet ndryshuar ligji themelor i shtetit në momentin aktual, e nëse po, cilat janë arsyet e këtij ndryshimi?

Nëse mendohet për ndryshime kushtetuese, kjo do të thotë se ndryshime të tilla duhen bërë. Çështja është se kush i mendon. Partitë? Nëse po, kjo duhet marrë me rezervat më të mëdha. Partitë gjithnjë, nga logjika e partisanship-it, zor se mund të kenë si parësore interesa të përgjithshme. Te ne aq më pak. Por kjo vihet re kudo nëpër botë. Nga grupi tek kombi, ka në mes anonimitet. Çfarë është, në thelb, një popull, një komb? Emra e mbiemra të përveçëm, të mbledhur së bashku? Nëse populli, kombi ekziston në vetvete, kjo është e mundur vetëm kur perceptohet si i tillë. Perceptuesi me efekte pushteti është vetëm politika, për shkak të një ligjësie që na vjen nga historia.

Pra, nëse populli mendon (nëse mendon vërtet) se është koha për ndryshime kushtetuese, kjo nuk është gjë tjetër, veçse artikulimi me gjuhën e politikës, apo të segmenteve të shoqërisë civile, i faktit se ndryshimet duhen bërë. Kjo më së shumti është një ndjesi dhe, si e tillë, duhet marrë parasysh. Sieyès-i, konstitucionalisti i shquar frëng i revolucionit, thoshte për vullnetin konstitucional të popullit këto fjalë : “il suffit que le peuple le veuille”, pra “mjafton që populli të dojë” dhe vullneti i tij është Kushtetutë.

Ajo kohë e largët kishte romantizëm, por që për ne sot tingëllon si një farsë e neveritshme. Ndryshimet, nëse duhen bërë, diktohen nga partitë sunduese, jo nga populli-koncept demokratik. Më pyetët nëse duhen bërë ndryshime në Kushtetutën tonë. Po, duhen bërë dhe urgjentisht. Arsyet janë, së paku tri: koha ecën dhe rregullat përkatësisht duhet të ndryshojnë sipas mendësisë e kërkesave të saj. Ne jemi një vend, që ndjek sistemin normativ ligjor, pra, një format të tillë juridik të cilin formalisht e vendos dhe e ndryshon Parlamenti. Zhvillimi, pra bëhet në mënyrë diskrete, hap pas hapi, me faza të shkëputura dhe me ndërprerje. Sistemi anglo-sakson e bën ndryshe: gjykatat e larta vigjilojnë procesin social dhe bëjnë rregullimet graduale, pa tronditje të mëdha. Por duhet të kemi gjykata të tilla. Ne s’i kemi e as kemi ndërmend t’i kemi ato.

Arsyeja e dytë është deformimi i sistemit kushtetues nga vullneti (duhet thënë nga mizerabiliteti + budallallëku) i politikës, që tek ne është mesjetare. Shembulli më flagrant i kësaj janë amendimet e bëra më 21 Prill 2008. Në këtë fazë “demokratike” shqiptarët dhe sidomos politika shtetërore, duhet të futen në skema, të cilat të mos varen prej tyre. Ka ca rregulla që janë vendosur si vlera qytetërimi dhe të cilat nuk mund të preken, nëse duam të rrojmë si njerëz të këtij shekulli.

Arsyeja e tretë është nevoja për t’u integruar në sistemin e institucioneve europiane. Këtu ka retorikë marramendëse, por procesi politik shkon gjithnjë e më larg qëllimit. Gjithçka thuhet se bëhet në emër të së mirës, progresit, të ardhmes së lumtur e ku e di unë ç’profka të tjera. Është harruar një gjë fare e vogël: njeriu i sotëm, qoftë politikan, shtetar apo qytetar i thjeshtë. Çfarë janë këta? Një nga një nuk kanë të sharë; shohin ëndrra europiane por, kur zgjohen, kanë dhimbje koke. Vetëm disave nuk u dhemb koka. Mbase ngaqë nuk kanë një të tillë. Por kur këta njerëz bëhen bashkë (dhe bashkë bëhen kur janë në partira), nuk i njeh më. Tek ne shikon jo thjesht një servilizëm, por diçka që shkon tepër thellë në subkoshiencën njerëzore: individët përdoren, deri në tjetërsim. Varfëria e ka fajin? E ka. Por kush duhet ta luftojë atë? Ata që e mbajnë pushtetin qoftë nga injoranca, apo më shpesh nga interesi për të qenë në pushtet.

Deri më tani Kushtetuta dhe ligjet në përgjithësi, janë quajtur si forma të rregullimit të sjelljeve njerëzore në shoqëri. Tek ne kjo nuk ka dhënë rezultat. Përkundrazi ligji është bërë mjeti “demokratik” i imponimit të vullnetit të shumicës (të njëshit në fakt). Tek ne askush nuk e ka seriozisht. As të mëdhenjtë e as të vegjlit, që mësohen të jenë “të shkathët”, sipas modelit nga lart.

Mësimi i parë që duhet të nxjerrim nga përvoja, është se një Kushtetutë nuk duhet lënë, me çmim sado të lartë, në dorën e partive. Sesi bëhet kjo është histori tjetër, por unë nuk kam vend këtu për t’u zgjatur. Mjafton të themi se Kushtetuta duhet të jetë një akt me një dozë të lartë “fataliteti” për këdo. Pyetja është: më mirë liri politike për t’iu përgjigjur nevojave të jetës, apo ngurtësi për të frenuar lirinë, që nga natyra abuzohet. Unë jam për të dytën. E kam parë se ç’do të thotë liri nga pushtetarë, të cilët janë të tillë me çmimin e diktaturës së brendshme në formacionet që krijojnë ose uzurpojnë. Tek njeriu kam besim, por jo tek njerëzit. Këta bashkë, kur duan manipulatorët, kthehen në turma dhe kjo është karikatura më e keqe.

Kushtetuta duhet ndryshuar. Ajo, me gjithë parametrat demokratikë, të cilët i plotëson teorikisht më së miri, ka dhënë shenja dobësie. E para dhe më e rrezikshmja, është lënia e ndryshimeve të saj në dorë të partive. Është e vërtetë se populli nuk di shumë kur miraton një Kushtetutë, por ama sensibiliteti i tij, qoftë dhe i papërpunuar, është një garanci shumë më e madhe sesa “teoritë” politike që na avancojnë të ashtuquajturit liderë. Kur u bë interesi personal, interes i përgjithshëm? Mesa di unë këtë gjë e ka arritur vetëm Krishti. Por te ne, siç po shkojnë punët, kam frikë se as Bibla nuk na rregullon! Megjithatë, Kushtetuta duhet ndryshuar.

Sensi i ndryshimit është i thjeshtë : të shkruhen amendime në drejtim të kundërt me politikën e deritanishme. Këtë mos ia kërkoni politikës, megjithëse nuk di se kujt mund t’ia kërkoni. Faktorit ndërkombëtar? Po ç’është ky? Ambasadorët? Këta njerëz të mirë (nga misioni i tyre) nuk çuditen më me ne, por po mësojnë prej nesh. Nëse ne duam të futemi te klubi europian, unë nuk arrij ta marr me mend gjuhën e tyre të “mosndërhyrjes në punët tona të brendshme”.

Të gjithë janë të mërzitur. Për shkaqe nga më të ndryshmet. Politika është zhangëllimë. Shteti ngjan me gjithçka përveç vetes. Drejtësia ka vetëm emrin si për të na kujtuar se s’e kemi. Por a është Kushtetuta ilaç shërimi ? Jo medoemos, sepse ne e kemi dhe ja ku jemi. Megjithatë, bashkë me ujërat nuk duhet ta hedhim edhe foshnjën. Kjo Kushtetutë, që është e mirë për njerëz të mirë, duhet ndryshuar për t’u prerë rrugën të këqijve.

 

Në vitin 2008, siç dihet, dy partitë e mëdha ndryshuan brenda pak orëve disa nene të Kushtetutës. Siç e dimë të gjithë, u dobësua Presidenti, u forcua kryeministri dhe u bënë disa modifikime të tjera, kryesisht në lidhje me prokurorin e përgjithshëm. Si i gjykoni ju sot këto ndryshime, kaq shumë të “anatemuara” nga shumë anë?

Ndryshimet që u bënë në Prill 2008 hoqën gurin  e themelit të Kushtetutës. Por mund të më thuhet se ato amendime u miratuan dhe nga institucione europiane. Po kush e di më mirë se ne shqiptarët, se ç’Kushtetutë na duhet ? Midis një vargu kushtetutash, të gjitha demokratike, zgjedhja nuk bëhet si me llotari. Ka me dhjetëra faktorë që duhet të diktojnë modelin e përpiktë, prandaj ata që flasin se modeli ynë pas 2008 është demokratik, nuk thonë asgjë në thelb. Popujt s’janë një e as njësoj. Kushtetuta është disi si gjuha: secili popull ka të vetën.

Kushtetuta e 1998 kishte potencialisht rrezikun e përzierjes e ngatërrimit të pushteteve. Për këtë jam mëse i ndërgjegjshëm, por vendimmarrja politike e asaj kohe e tillë ishte. Amendimet e rrufeshme të 2008-ës e zhbënë ndarjen e pushteteve. Kuvend, qeveri, kryeministër, janë identifikuar tashmë me këtë të fundit, kushdoqoftë. Sistemi zgjedhor kontribuon, si për dreq, pikërisht në këtë vijë. Lideri i partisë bën listat elektorale, vë veten si kryeministër, deputetët e ardhshëm, pra Kuvendin e më tej ministrat. Pastaj Presidenti, në rast impasi votash (i cili është më shpesh i dëshiruar) është në dorë të…në fund të fundit, të Kryeministrit! Pastaj, gjyqtarët e lartë e kushtetues në dorë…në fund të fundit, të Kryeministrit! Dhe kjo na quhet ndarje e pushteteve! Mirë në Shqipëri, por ata që na monitorojnë pse nuk e thonë të paktën këtë gjë? Ah, po, demokracia e brendshme është çështje e shqiptarëve! Na këqyrin procesin tonë evolucionar, i cili, siç e kemi nisur, do na marrë dekada.

Por, mjaft me konstatime të hidhura. Këto i dinë njerëzit dhe, në mos tamam, i përjetojnë si një makth absurd. Unë kam disa mendime modeste, sesi mund të bëhet një kthesë. Mund të mos bëhet, por ndërgjegjja e kërkon. Atëherë:

Për të bërë të mundur ndarjen reale të pushteteve duhet, së pari, që funksioni presidencial të marrë legjitimitet të pavarur popullor. Pra, na duhet një kryetar shteti i votuar drejtpërdrejt nga populli. Nëse duhet të ketë funksione të plota ekzekutive është një çështje për t’u diskutuar, por që ai duhet të jetë jashtë kontrollit të Parlamentit, kjo më duket e padiskutueshme.

Gjithashtu, vetë Kuvendi duhet të përfaqësojë më mirë ngjyrat politike reale. Siç është sot, shumica jo vetëm është e tillë, por është absolute nga pikëpamja e pushtetit, e jo vetëm e numrit. Realiteti elektoral në Shqipëri karakterizohet nga dominimi i dy partive të mëdha me një diferencë minimale. Mbi 60 deputetë të pakicës nuk kanë as edhe një grimcë në pjesëmarrjen në pushtet. Formula është absurde: ose gjithçka ose asgjë. A thua ky popull ka probleme partiake, kur në varfërinë tij, çdo çështje, sido që të shihet, është vetëm e vetën gjithëpopullore e kombëtare. Si mund të zbutet situata? Një Senat, ja çfarë na duhet. Dhoma e dytë, për shkak të formulës së saj rotative (1/3 përtërihet çdo dy vjet), balancon tundimet partiake. Në këtë rast, dy partitë e mëdha e gjejnë veten në pushtet, në pjesët që përcaktojnë zgjedhjet. Mllefi, përplasja e thatë dhe lufta absurde zbuten, sepse secili ka një porcion të asaj që kërkon.

Pastaj gjyqtarët e lartë e kushtetues mund të gjejnë qetësi (aq sa mund të gjehet) dhe pas tyre të gjithë ne, nëse vendosen nga Senati. Përjashtimi partiak i kandidaturave ose sugjerimeve të opozitës evitohet vetvetiu, për shkak të përbërjes së Senatit. Kjo strukturë parlamentare, nëse ndërtohet jo vetëm sipas parimit territorial, por edhe të atij profesional (grupet e interesit), do të ishte kura e vërtetë për shumë sëmundje që karakterizojnë legjislacionin e sotëm.

 

A është me vend të fillohet të mendohet për një reformë të shtetit, nëse mund të përdoret një term kaq i gjerë. Nëse po, cilat mund të ishin drejtimet e saj kryesore? Një ndër hallkat më delikate mbetet sistemi i drejtësisë? Çfarë duhet bërë, çfarë duhet ndryshuar, që drejtësia të jetë “më e drejtë”?

Ajo që mua më shqetëson shumë është drejtësia. Drejtësia nuk duhet të varet aq nga njerëzit që e japin, sesa nga format në të cilat ajo jepet. Me këtë dua të them se gjykimi, si diçka që nuk varet nga pjesët e tjera të shtetit, duhet të zhvillohet sipas linjash të qëndrueshme, pra sipas precedentësh. Kjo do të thotë se çështjet e ngjashme duhet të zgjidhen ngjashmërisht. Verifikimi i drejtësisë së vendimeve të hallkave të ulëta gjyqësore, duhet të jetë prerogativë ekskluzive e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe jo e KLD, e cila bën inkursione jashtëkushtetuese shpesh në dosjet gjyqësore.

Reforma në drejtësi nuk ka filluar ende. Janë nxjerrë ligje plot në këtë fushë, por drejtësia nuk është thjesht çështje ligji. Madje vetë gjykata nuk duhet konceptuar si shtet, ndonëse është pjesë e shtetit. Si mund të jetë shteti palë dhe gjyqtar në të njëjtën kohë? Kjo do konceptim të ri politik, ndonëse jam krejt i vetëdijshëm që jemi larg një pamjeje të tillë. Politikanët duhet ta marrin vesh se gjykatat, duke dhënë me mijëra vendime, bëjnë në fakt rishpërndarjen e pasurisë publike dhe private, çështje këto që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e tyre dhe në fatin e tyre elektoral.

Shteti duhet thjeshtuar. Ka shumë organizma e mikroorganizma të krijuara për ushtrimin e funksioneve, të cilat mund të ushtroheshin nga strukturat natyrore të shtetit. Ka avokatura të shumta, ente etj. Prokuroria mund të ishte fare mirë institucioni që do të përfaqësonte shtetit në marrëdhëniet e tij të shumanshme legale. Kjo do të kërkojë një rikonceptim të prokurorisë, organ, statusi kushtetues i të cilit nuk ka gjetur vendin e duhur prej kohësh, e që në vetvete është delikat. Kam qenë i mendimit se ndjekja penale (jo prokuroria si organ, në tërësinë e funksioneve të saj) duhet të ishte ekzekutive. Mua më duket shumë e çuditshme që ai, i cili bën një akuzë, duhet ta vërtetojë, ta provojë atë. Hem akuzoj, hem të provoj të vërtetën! Them se është koha e ndryshimit të sistemit procedural penal. Hetimi, pra, vërtetimi i ngjarjes, duhet t’i lihet gjyqtarit hetues, të pavarur nga prokuroria dhe kjo e fundit të ketë si ndjekjen penale ashtu dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq.

Nuk duhet harruar se drejtësia në vetvete rregullohet sipas parimit të ndarjes së funksioneve dhe organeve (një miniaturë e ndarjes së madhe të pushteteve). Ndjekja penale është a priori funksion ekzekutiv dhe qeveria ka interesin më të madh në këtë fushë. Ajo nuk mund të lihet pa mjetet efektive të shtypjes së krimit, ndryshe ndodh si sot, që përgjigjet para votës popullore për diçka që nuk e ka në dorë. Drejtësia dhe ndjekja penale nuk janë e njëjta gjë. Nëse funksioni i ndjekjes dhe i hetimit ndahen, atëherë bie edhe frika se mos ekzekutivi shpërdoron fuqinë e tij, por, nga ana tjetër, ai edhe legjitimohet në luftën kundër krimit.

 

Po pushtetet e tjera a duhen modifikuar? Dhe më tej, në çfarë etapash duhet të ecte kjo paketë reformash? Cila mund të ishte rruga më e mirë për hedhjen e saj në letër dhe vënien në praktikë më pas?

Natyrisht, problemet e reformës kushtetuese nuk janë vetëm këto që përmenda. Ideja për një reformë kushtetuese, ndoshta dhe të shtetit, në formën e një Republikë të Dytë, në kuadrin e procesit të integrimit në BE, është duke u përpunuar në bordin ekzekutiv të fondacionit Soros. Procesi sesi do të mundësohet kjo reformë, përveç peshës vendimtare që ka faktori politik i brendshëm, do një sensibilizim të strukturave euroatlantike të interesuara drejtpërdrejt në këtë kuadër. Ne po mendojmë për këtë. Nëse pushteti politik është i interesuar (?) aq më mirë. Unë jam i bindur se, në mos me vullnet të lirë e me kuptim normal të interesave afatgjata, herët a vonë realiteti do ta sjellë faktorin politik përballë një nevoje të tillë.

 

Intervistoi Skender Minxhozi

20 Komente

Kushtetuta duhet te ndryshohet, por, mendoj une, ne menyre te tille qe Drejtesia te kete tager tek partite - state actors me te rendesishem ne Shqiperi. 

Sepse ky ocus-pocus qe i shnderron njerezit nga nje grup vullnetar si partia ne njerez me pushtet mbi jetet tona, behet krejtesisht ne erresire dhe populli ka te drejte te zgjedhe vetem midis alternativave te ofruara nga magjistaret.

nuk mjaftin thjeshte qe gjerat nuk jane te ndaluara, per te qene edhe te pranueshme.

por ju e dini vete, tha.

Kjo urgjentishtja na e ka menderos muhabetin perher ne. Me mire me nge e duke e mendu mire, apo jo?

"Ndryshimi urgjent i kushtetutes eshte me mire te ndodhe heret se sa vone" - Anonim

Kam nje porosi per peshqit (nese me degjojne sigurisht). Mos u merni, ju lutem shhume me te intervistuarin, ju lutem shume, merruni vetem me problemin.... vetem keshtu do ti sherbeni shoqerise..... 

Pse urgjentisht ?

po se urgjentisht ka ndryshu edhe mentaliteti dhe kerkesat e shoqerise bre Brad.... mos lexo vetem artikllin, por edhe argumentet.....

Mbase kerkesat e shiqerise por mentaliteti...ncuq.

po kerkesat i paraprijne mentalitetit..... eshte elita qe edukon masat dhe jo anasjelltas.....gjithmone, nese elita i eshte vertete elite me ideale te pastra.......

" gjithmone , nese elita eshte vertete elite me ideale te pastra "

shikon pra qe mentaliteti nuk ka ndryshuar .

Jam dakord me ty !

gjithsesi eshte nje teze qe ha diskutim......po kjo nuk ka te beje me shume me mentalitetin se sa me perkushtimin..... po nejse......

" teze qe ha diskutim "

tamom , s'mbarojme dot as muajin qe vjen smiley

Prandaj nuk po i futem me komentesmiley

Kur del ajo  analiza jote Gjergjo.

Dikur diku cfaqe nje "lekundje " ne besim , pas koalicionit te quajtur "ngjala " .Ja vlen te mbahet ne mendje Gjithmone ...I gjithe Pefaqesimi ne keto sisteme por e dhe ne sistemet Mono eshte Vullneti Politik . Ky eshte pjesa e Praktikes qe shfaq nje grupim i afert i Liderit me Kopetencat me te gjera e me te renedsesishme ne nje Shtet .Dhe nuk ka rendesi se ne krye eshte nje I Marre si Sali Ulerima  apo dikush tjeter !

Te tjeret jane DEKOR !

Per te ndryshuar Kushtetuten duhet te kemi Parasysh se z.Sali sqap Vucidoli ka thene qe ajo eshte "Bibla e shtetit " .Nuk kemi ndegjuar qe te ndryshohet Bibla me ndrrimin e papeve .Por rendesi ka qe te ndryshohet mentaliteti i zberthyesve te saj .me qe dhe Bible-ja Sali iken nga syte kembet e kembet mbrapa diellit , le te rritet dhe pergjegjesia per ta vlersuar si "Bibel ' si hume shtete ne Bote por me Juriste Jo Plepiste ! Mund te ndryshohet ??? Po sikur te jemi te parimit ..te amendohet ???? !

Ne kete strukture qe ka Demokracia si sitem Gare Plurale dhe me Perfaqesim elektoral te Udheheqjes me te drejten e Shumices , nuk ka asnje mundesi te shmangesh nga Grupimet Politike . Mendimet per te pare nje sistem "ndryshe " jane  me baze SIKURI te Sikareve !

LefKOPEJA cfare mendimi ka ?

Po per zotin LefKOPE qenkerka smiley

Me qe te kishte mbete merak tek prurja e intervistes .Po dhe mos te duket pa vlere nje ripertypes i mendimit fiosofik te Sali Babasqap Vucidol Berishes , qofte dhe si shkurtese smiley

Cfare ka qe po Ulerin ne Durres .ka ndonje mejtim lefKOPEJA ?

Nje nga ngerçet me te medha qe po kalon shoqeria jone ne keta 25 vjetet e vundit eshte padyshim sistemi i kalbur gjyqesor. Edhe Prof. Traja, si nje njohes shume i mire i ketij sistemi ketu e thekson llafin, tek reformimi i ketij gjyqesori.... edhe kur thote:

 Drejtësia nuk duhet të varet aq nga njerëzit që e japin, sesa nga format në të cilat ajo jepet. Me këtë dua të them se gjykimi, si diçka që nuk varet nga pjesët e tjera të shtetit, duhet të zhvillohet sipas linjash të qëndrueshme, pra sipas precedentësh. Kjo do të thotë se çështjet e ngjashme duhet të zgjidhen ngjashmërisht.

Dhe ketu fshihet baza e reformes ne drejtesi, ky eshte dhe òelsi per te lluftuar korrupsionin qe ka mberthyer kete pushtet shume jetik per fatet e demokracise ne kete vend....

Sa perqind e qytetareve shqiptare e kane lexuar dhe kuptuar Kushtetuten ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).