Kundër diktatit të huaj

Nga fundi i muajit mars, një grup intelektualësh nga Shqipëria dhe Kosova, midis tyre edhe Ismail Kadare, botuan një peticion ku i kërkonin qeverive, parlamenteve dhe institucioneve të tjera të dy shteteve, që të ndalohej rishikimin e teksteve shkollore të historisë në Kosovë për pjesët që i përkasin periudhës osmane. Shkaku i peticionit ishin kërkesat e përsëritura të diplomacisë turke ndaj shtetit të Kosovës për të rishikuar bashkërisht pjesë të teksteve shkollore të lëndës së historisë për të dhënë një imazh të ndryshëm të osmaneve dhe turqve nga ai aktuali. Sipas disa politikanëve në Prishtinë, këto kërkesa kohët e fundit kishin kapërcyer edhe etikën normale diplomatike, duke u përjetuar si një lloj trysnie të pajustifikueshme për një çështje që nuk është jetike për marrëdhëniet miqësore e bashkëpunimin midis Kosovës e Turqisë dhe nuk përbën subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por përkundrazi mund të interpretohet si një ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran. Në kushte kur kërkesat e kësaj natyre të një shteti janë këmbëngulëse dhe imponuese, ato dalin jashtë kuadrit miqësor dhe kthehen në diktat.

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e jep qartë kuptimin e fjalës diktat: «detyrimi që i bëhet një shteti më të dobët a një shteti të mundur nga ana e një shteti më të fortë a një shteti fitues për të pranuar kërkesa politike, ushtarake dhe ekonomike të padrejta; marrëveshje e pabarabartë ndërmjet dy shteteve, e cila përmban një detyrim të tillë». Edhe pse është një shtet i ri, Kosova duhet të përballojë dhe të kundërshtojë diktatet e jashtme nga cilado anë që të vijnë dhe për cilëndo çështje në dukje jothelbësore, por që përbën shkelje të sovranitetit dhe të sjelljes normale dhe paqësore të shteteve. Në radhë të parë, qeveritarët e Kosovës duhet t’i japin fund diktatit serb brenda shtetit duke ndalur bisedimet e pambarimta dhe të dëmshme që i kapërcejnë edhe kufijtë e Pakos Ahtisari. Në radhë të dytë, qeveritarët e Kosovës duhet të ndalin praktikën që është krijuar në këtë shtet (sikurse edhe në Shqipëri) të sjelljes së ambasadorëve të disa shteteve sikur të ishin guvernatorë të paemëruar aty. Formula diplomatike “i dërguar fuqiplotë” që rëndom përdoret për emërimin e ambasadorëve, kurrsesi nuk duhet marrë se ata janë fuqiplotë edhe për funksionimin e institucioneve sovrane të republikës. Sigurisht, Kosova (dhe Shqipëria) ka nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e aleatëve, mirëpo kjo nuk mund të lejojë që dikush të diktojë politikat. Ai që mund të bëjë është vetë populli. Fatkeqësisht, në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës kemi parë se si për çështje thelbësore të sigurisë dhe të mirëqenies kolektive, politikanët në Kosovë i janë nënshtruar diktatit të diplomatëve dhe jo vullnetit të popullit.

Duke u kthyer te çështja e rishikimit të teksteve shkollore të historisë, nëse diplomatët turq, apo të tjerë, përpiqen të imponohen se si u duhet paraqitur historia kombëtare nxënësve shqiptarë, kjo duhet konsideruar si diktat dhe nuk duhet pranuar kurrsesi. Në këtë aspekt, në qoftë se institucionet qeveritare në Kosovë (dhe në Shqipëri) përkulen para diktatit, intelektualët tanë bëjnë shumë mirë që protestojnë dhe e orientojnë vëmendjen e shoqërisë për nga ky problem. Si reagim ndaj diktatit një peticion i tillë duhet firmosur. Vigjilenca për të mbrojtur dinjitetin dhe pavarësinë e institucioneve është detyrë jo vetëm e intelektualëve, por ata, për shkak të kapitalit kulturor që zotërojnë, janë në një pozicion më të favorshëm për të reaguar dhe bërë presion publik. Do të ishte mirë që vigjilenca intelektuale për të tilla probleme të vepronte kurdoherë dhe më të njëjtën forcë. U bë kaq vite që edhe Greqia bën presione të ngjashme për rishikimin e teksteve të historisë së Shqipërisë, ndërkohë që, me aq sa dimë, tekstet e historisë në Greqi vazhdojnë të përhapin gënjeshtrat për Vorio-Epirin grek dhe lënë në heshtje kontributin shqiptaro-arvanitas në historinë e atij vendi dhe faktin se Çamëria dikur banohej në shumicë nga shqiptarë dhe se atje janë kryer masakra dhe spastrime etnike. Për të dhënë një shembull tjetër, para disa vitesh, një ministër i mbrojtjes i Shqipërisë nënvlerësoi Luftën e Vlorës së vitit 1920, duke aluduar se italianët pushtues u tërhoqën vetë, me “mirëkuptim”, dhe jo të shtrënguar nga lufta e shqiptarëve. Reagime pati nga intelektualë dhe historianë për këtë rast, por jo të tilla që ta detyronin ministrin Arben Imami që të tërhiqte fjalët e veta apo të kërkonte falje, nisur edhe nga portofoli që ai mbante. Vërtet është e turpshme kur një ministër i mbrojtjes vë në dyshim aftësitë e popullit të tij për të mbrojtur atdheun!

Gjithashtu, në ditët që pasuan botimin e peticionit, shtypi i Kosovës përmendi një fakt shqetësues që kishte të bënte sërish me tekstet e historisë. Me bashkërendimin e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore dhe me financim të Bashkimit Evropian është botuar në shqipe dhe në gjuhët e tjera të Ballkanit libri Kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore. Libri është pjesë e një seti librash pune që supozohet se janë të shkruar nga historianë profesionistë pa bagazhin e stereotipave përkeqësuese dhe synojnë të ofrojnë një shikim të historisë së Ballkanit prej aspekteve të bashkëjetesës dhe perspektivës së ardhmërisë së përbashkët në BE. Libri u përurua në Prishtinë dhe Tiranë me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve të lartë të shteteve. Mirëpo në të ishte përfshirë Kosova si shtet i pavarur dhe simbolika e saj, siç duhej të figuronte përkrah shteteve të tjera. Kjo gjë u kalua lehtë si një gabim teknik, që do të ndreqet në botimet e ardhshme. Duke pasur parasysh se kanë kaluar 5 vite që nga pavarësia e Kosovës dhe se përgatitësit e autorët e librit e kanë pasur kohën e mjaftueshme për të mos lejuar kalimin e gabimeve të tilla, për më tepër në tekste që pretendojnë se janë të hartuar posaçërisht për të shmangur keqkuptimet midis popujve të Ballkanit, mendoj se duhej të kishte pasur një reagim publik, madje shumë më të ashpër se sa në rastin e peticionit të firmosur kundër diktatit turk. Ky rast nuk duhej kaluar lehtë dhe duhej hetuar se mos Kosova është flijuar enkas në këtë libër për të mos prishur humorin e Serbisë, Greqisë apo ndonjë vendi tjetër në rajon që nuk e ka pranuar realitetin e shtetit të ri. Minimumi duhej që pjesëmarrësit shqiptarë në këtë projekt të ishin distancuar prej librit dhe jo të merrnin pjesë në mënyrë pompoze në përurimin e tij.

Mosreagimet e intelektualëve dhe historianëve në raste të tilla, hedhin dyshimin se mos ka një përzgjedhje në dëshirën dhe nismat e reagimit ndaj shteteve të caktuara. Nëse ka një përzgjedhje të reagimit, kjo e komprometon rëndë statusin e intelektualëve që marrin pjesë në nisma të këtij lloji, sepse intelektuali duhet të priret nga denoncimi i padrejtësisë kurdoherë dhe kudo ku ndodh ajo, i prirë për të zbatuar të njëjtat vlera dhe kritere universale. Nisur nga sa shkruaj më sipër, pa paragjykuar statusin “intelektual” të shumë prej firmatarëve në peticionin në fjalë, e përsëris se kjo formë e reagimit është korrekte dhe e mirëpritur. Personalisht do ta quaja nder nëse do të më jepej mundësia të shtoja emrin tim në reagime të tilla publike, por jo në këtë peticion, i cili edhe pse mund të jetë nisur nga qëllimi i refuzimit të diktatit të huaj, e ka kapërcyer dukshëm këtë “mandat”, duke u kthyer ai vetë në një formë tjetër diktati.

Kundër diktatit të peticionit

Kuptimi i dytë i fjalës “diktat”që radhit Fjalori i gjuhës së sotme shqipe është «detyrimi i dikujt nga një tjetër për të vepruar në kundërshtim me dëshirën dhe me vullnetin e vet». Teksti i firmosur nga grupi i madh i intelektualëve në Shqipëri dhe Kosovë përbën një diktat ndaj historianëve dhe shkencëtarëve të tjerë që merren me shkrimin e teksteve të historisë. Teksti sanksionon një “të vërtetë historike” të mbyllur njëherë e përgjithmonë ndaj interpretimit dhe rishikimit, që janë procese të natyrshme në historiografi. Me pak fjalë, kjo e vërtetë përmblidhej në gjykimin e periudhës osmane si një «gropë e zezë» në historinë e shqiptarëve. Aty shkruhet se turqit na shkëputën nga Evropa, duke e paraqitur në mënyrë teleologjike historinë e shqiptarëve, një gabim i rëndë metodologjik që çdo historian i mirë përpiqet ta shmangë në punën e tij. Përtej retorikës politike apo emocionale që intelektualët tanë shpesh i kap kur flasin për “Evropën”, dihet mirë se ky koncept duhet përdorur me kujdes në histori, sepse edhe ideja e Evropës ka historinë e saj dhe rrallëherë ka ekzistuar si vetëdije mes një pakice të evropianëve ndër shekuj. Historia e Evropës, është po aq “gropë e zezë” sa firmatarët e tekstit konsiderojnë Perandorinë Osmane. Po të duam të numërojmë “të zezat” që i kanë punuar njëri-tjetrit njerëzit mbi atë copë toke që quhet kontinenti i Evropës këto do të zgjateshin që nga luftërat, masakrat, skllavëria, fanatizmi fetar dhe ideologjik, konvertimet fetare dhe asimilimet me dhunë, gjuetitë e shtrigave, kolonializmi, racizmi, shfrytëzimi klasor etj. Vetëm po të kufizohemi në shek. XX kemi krizat ekonomike, dy luftëra botërore, fashizmin e komunizmin, spastrimet etnike, përdorimin e armëve kimike, luftërat e shteteve evropiane për të ruajtur perandoritë e tyre (ushtria dhe kolonistët francezë në Algjeri kanë kryer masakra të llahtarshme ndaj arabëve, ndërkohë që Franca ishte themeluese dhe anëtare e institucioneve të përbashkëta evropiane, prej të cilave do të formohej më vonë BE-ja) etj., aq sa historiani i njohur Mark Mazower e ka quajtur Evropën e kohës «Kontinenti i Errësirës» (Dark Continent). Vetëm por të marrim rastin e mirënjohur të çifutëve, e kuptojmë se ç’gropë e zezë ka qenë Evropa deri vonë. Jo më pak ka qenë kontinenti i Evropës gropë e zezë edhe për ne shqiptarët në 100 vitet e fundit, për të cilën fajësojmë sot jo vetëm Perandorinë Osmane por edhe shtetet shoviniste fqinje e Fuqitë e Mëdha evropiane, krahas kritikave që i bëjmë edhe vetes sonë. Nuk mohojmë aspak arritjet njerëzore, shkencore, teknike, kulturore që popujt evropianë kanë realizuar, por kujtojmë se historia e njerëzimit është plot me “gropa të zeza” në çdo kontinent.

Një gafë e rëndë e tekstit është përjashtimi nga historia e shqiptarëve e zyrtarëve të lartë të Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare, të cilët «nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare». Nuk e di se cilët “pashallarë” apo “shtetarë” kanë pasur parasysh secili prej nënshkruesve të peticionit, por mua tani që po shkruaj më vijnë ndërmend emra si Ali Pashë Tepelena, Karamahmut Pashë Bushatlliu, Ismail bej Qemali, Vaso Pasha, Ali pashë Gucia që janë patjetër vlera për historinë tonë kombëtare. Nëse kanë pasur parasysh pashallarë e shtetarë osmanë me prejardhje shqiptare para shek. XIX, nuk është faji i këtyre pashallarëve e shtetarëve që identiteti modern kombëtar dhe për pasojë edhe vlerat kombëtare nuk ishin të zhvilluara akoma te shqiptarët në atë kohë, sikurse edhe te shumica e popujve të Evropës. Se kur ka lindur dhe se si është përhapur nacionalizmi në Evropë, historianët profesionistë e dinë shumë mirë dhe me sa di unë te tekstet shkollore në Shqipëri shpjegohet mjaft mirë, por me sa duket nuk i kanë të qarta nënshkruesit e peticionit. Identiteti kombëtar në peticion transferohet në periudha kur ai nuk mund të ketë ekzistuar, të paktën jo në format moderne që njohim sot, si vëllazi dhe barazi në status. Si mund të mendohej në shek. XV-XVIII që feudalët ta quanin veten të barabartë me bujqit! Kjo sigurisht e pengonte identitetin kombëtar, shto këtu edhe mbizotërimin identiteteve fetare. Po t’i kishin të qarta këto gjëra nënshkruesit nuk do ta përdornin krejt pa vend fjalën «gjenocid»: «Të mos harrojmë faktin se nga të gjitha gjuhët e të gjithë popujve të pushtuar nga osmanët, gjuha shqipe u ndalua në mënyrë të veçantë e me forcë. Mjafton vetëm ky fakt për të treguar gjenocidin e Perandorisë osmane kundër shqiptarëve, kundër kulturës dhe identitetit të tyre». Kur lexon shkarje të tilla të penës, nuk mund të mos i japësh të drejtë historianëve si Arben Puto, Ferit Duka apo Pëllumb Xhufi që e kanë cilësuar si peticion kundërturk. Me gjithë lustrën mbi «punën e pavarur shkencore» të historianëve që gjendet në paragrafin e fundit, teksti në tërësi dikton variantin “e saktë” të shkrimit të historisë dhe përjashton të gjitha të tjerat. Nënshkruesit ua bëjnë me dije atyre historianëve që arrijnë në përfundime të tjera nga sa përmban peticioni, se interpretimi i periudhës osmane është i mbyllur e i përmbledhur te “gropa e zezë”. Kemi të bëjmë me një polici intelektuale që pengon kërkimin shkencor që të ndikojë edhe tekstet shkollore, sepse ajo që një pjesë e mirë e nënshkruesve të peticionit e dinë shumë mirë, është se në historiografinë serioze perëndimore cilësimi i Perandorisë Osmane si një “gropë e zezë” nuk ka vend. Në emër të afrimit me Evropën, këta intelektualët po na largojnë nga Evropa e sotme, aq më tepër që rishikimi i përbashkët i teksteve shkollore të historisë është një porosi që vjen pikërisht nga institucione si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, apo organizata botërore si UNESCO.

 

*Botuar për herë të parë në Revistën “Shenja”, maj 2013

3 Komente

kujt i flet? prite kur te zbarkoje lukunia anti-gjithcka e te leh me te madhe se Kadareja zotrote.. keta ore vella duan diktate, edhe shurren e bejne me diktat, edhe te mesuarin e historise e duan t'ia diktojne sikur cdo gje tjeter, ... po shyqyr qe erdhi kjo dite "lanete" te kete robi mijera burime informacioni e te mesoj te dalloj kallpin nga e verteta, historianet nga romancieret e deshtuar historickash me shqiponja, cjeper skenderbesh e heronj petanikesh

Në emër të afrimit me Evropën, këta intelektualët po na largojnë nga Evropa e sotme, aq më tepër që rishikimi i përbashkët i teksteve shkollore të historisë është një porosi që vjen pikërisht nga institucione si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, apo organizata botërore si UNESCO.

Kjo porosia që ju shkruani i përafrohet diktatit për të cilën ju shkruani në pjesën e parë dhe më duket kontraditore. Jo çdo gjë që thonë të huajt duhet aplikuar apo pranuar thjesht sepse e thotë Evropa. 

Me sakte se kaq prishet. Une kur u soll si teme ketu e pata cilesu si idiotesk fiksimin turk per nje presion te tille se me duket se vertete nuk sjell asnje perfitim per Turqine por thjesht rihap ca plage te vjetra. Por ama e di shume mire se nje pjese e atyre qe kane nenshkru ate peticion jane thjesht disa ekstremiste fetare anti-turq te cileve nuk u rruhet per Shqiperine, kombin, historine e gjera si keto. 

Megjithate peticioni kishte nje te mire qe e permend edhe Enisi, tregonte se dime edhe t ereagojme ndaj diktateve te huaja. Ama kemi shume per te bere per te arritur te reagimi ne interes te shoqerise dhe shqiptarise ne pergjithesi. Kete e verteton TURPI i madh i leqepeqizmit ndaj bisedimeve Kosove-Serbi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).