Ishte në urbanin 23 që unë e pashë për herë të parë. E njoha nga qëndrimi tërë naze e epsh që mbante kur ecte, nga mënyra si I fuste duart thellë në xhepa. Në momentin e parë qe vetëm një dyshim – ndoshta ishte si ato vajzat e shumta me kaçurrela, të cilat sapo I shihja në rrugë mendoja se ishin ajo.

Serbes-serbes u drejtua drejt urbanit, ngjiti shkallët dhe u ul në sediljen e pasme. Tashmë ishim kurriz më kurriz me njëra-tjetrën. I thashë vetes që s’u tregova aspak mendjehollë e të isha ulur në sediljen përbri sajës – kështu do kisha mundësi ta sodisja me nge atë fytyrë, pas së cilës, thuhëj, se ai humbi mendjen.

Shpejt erdha në vete. E çuditshme për besë! Të mendosh që, pot ë mos isha nisur nga shtëpia në orën tre e gjysëm, të mos kisha pritur gjysëm ore fugonin, të kisha zbritur në P.në vend që të shkoja në D., të kisha zgjedhur autobusin (siç bëj përherë) në vend të fugonit të shpejtë, të mos ishim bllokuar njëzet minuta në trafik, të kisha zgjedhur të ecja në këmbë në vend që të prisja autobusin e qendrës, të mos isha larguar nga libraria në momentin që lekët po më mbaronin, të mos kisha harruar që ura, e cila lidhte dy brigjet e Lanës, ishtë prishur (ndaj u detyrova të ecja deri në stacionin tjetër më të afërt), e pra, të mos kishin qënë tërë këto, unë nuk do të isha tani shpinë më shpinë me atë, për të cilën, thuhej, se ai më harroi.

Po, ajo ishte aty. Mospërfillëse, e heshtur, sfiduese, arrogante, mbështjellë nga aroma trullosëse e një parfumi, të panjohur për mua, me piercing-un që I shkëlqente kapriçioz në cep të hundës. Po të mos qe ai, nuk do ta kisha njohur. E të mendosh që nuk e kisha parë kurrë.

Ç’emër mund t’I vija kësaj? Të qe rastësi vallë? Të qenë rastësi tërë ato koiçidenca, të cilat unë kurrë më parë nuk I kisha hasur? Ndoshta rastësi të tilla mund të kenë qënë shumë, por vetëm këtë rradhë unë arrita t’I shquaj të gjitha. Siç arrija të shquaja fytyrën e saj në xhamin e errët të urbanit. Shprehja e fytyrës nuk lintë të kuptohej gjë, dukej si ato të një modeleje para aparatit fotografik. Sigurisht, në bazë të atyre që më kishin thënë, ajo besonte se bota rrotullohej rreth saj. Ashtu si rrotullohej ai, që ndoshta ishte bërë bota për të.

Ishte ashtu si e kisha përfytyruar (edhe kjo një parandjenjë e realizuar). Ishte fytyra që kisha kërkuar në çdo vajzë me kaçurrela që hasja rrugës, duke menduar në ishte ajo apo jo. Kështu kisha kërkuar edhe fytyrën e asaj tjetrës (fytyrë që e njihja mjaft mirë), por Providenca donte që ta shihja veçse në vendin e paracaktuar, në krah të atij, drejt së cilit, ndoshta, kjo tjetra po shkonte.

Piercing-u vijonte të shkëlqente në fytyrën e pasqyruar në xhamin e errët, përforcuar më tepër nga errësira jashtë dhe dritat e ndezura brenda në urban. Siç duket, piercing-u në formë rrethi ia kishte lënë vendin një ylli të vockël e plot shkëlqim marramendës, kryeneç e mendjemadh, si vetë e zonja, parfumin trullosës së të cilës nuk po e ndjeja më.

Në stacionin tjetër ajo zbriti. Unë që e kisha ndjerë lëvizjen e çantës dhe pritshmërinë e saj, iu afrova derës, nga ku mund të vëreja duart e saj, më saktë njërën, se tjetrën e kishte rrasur në xhepin e palltos së zezë, ku ndrinin dy unaza. U dha flokëve një shkundje të lehtë dhe u largua me ecjen nazike e me trupin e hajthshëm.

Unë mbeta aty, në stacionin e shkretë, me një çantë të mbushur plot me libra, duke luftuar me idenë për ta ndjekur nga pas. Të shihja se mos takohej me….

E lodhur I ktheva shpinën siluetës që po largohej. Tani ishim sërish kurriz më kurriz. Ajo drejt një takimi në barin e ngrohtë, kurse unë duhet të ecja dy stacione urbani për të mbërritur në shtëpi.

Nata ishte e ftohtë, ndërsa qielli pa re.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).