Amfiteatri Romak i Durrësit është shpallur nga Organizata Europiane e Trashëgimisë “Europa Nostra” si një nga 7 monumentet më të rrezikuara në Europë. Plani kaotik urbanistik, mungesa e fondeve, shkaqet natyrore dhe neglizhenca renditen si shkaqet që e kanë çuar këtë monument drejt rrezikut. Bashkë me Amfiteatrin e Durrësit renditen edhe zona tampon në qendrën historike të Nikosias në Qipro; fortifikimet e shek. XVII të Vauban-it në Briançon në Francë; manastiri i Rilindjes i San Benedetto Po në Itali; manastiri i shek. XV në Setúbal në Portugali, peizazhi historik i minierave të Rosia Montana në Rumani dhe kisha armene e Shën Gjergjit në Mardin në Turqi, janë shpallur si 7 monumentet më të kërcënuara në Europë. Njoftimi u bë dje nga drejtuesit e Organizatës Europiane të Trashëgimisë “Europa Nostra”, së bashku me European Investment Bank Institute, në një konferencë shtypi të mbajtur në Athinë. Sipas organizatorëve, këto perla të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Europës janë në rrezik, disa për shkak të mungesës së fondeve apo ekspertizës, të tjerët për shkak të planifikimit joadekuat, neglizhencës, fatkeqësive natyrore apo konflikteve politike. Kjo është edhe arsyeja pse kërkohet një veprim urgjent. 

Motivimi për Amfiteatrin Romak të Durrësit 

Ky amfiteatër romak i shek. II mbeti i panjohur për botën deri në vitin 1960. I vendosur në qendër të qytetit, i njohur në antikitet me emrin Epidamn ose Dyrrakium, dhe me një kapacitet prej 15-20 mijë spektatorësh, ai është një nga sitet më të shquara të trashëgimisë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. Për shkak të zbulimit të tij të vonuar, monumenti është përballur me planifikimin kaotik urban, i cili ka prekur strukturën e tij dhe ka vuajtur nga dëmtimet e vazhdueshme. Sfida më e madhe lidhet me integrimin e suksesshëm në strukturën urbane të Durrësit. Kjo perlë e trashëgimisë është e kërcënuar edhe nga mungesa e burimeve financiare, shkaqet natyrore dhe shpërfillja. Inkurajimi me projektet aktuale kërkimore dhe ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me vlerën e jashtëzakonshme të këtij amfiteatri janë hapat që do të ndërmerren urgjentisht. Restaurimi i plotë i mëvonshëm, jo vetëm do ta vendosë qytetin e lashtë të Durrësit sërish në hartën e vendeve historike në Europë, por edhe të sjellë rivitalizimin ekonomik dhe social të qytetit të dytë më të madh në Shqipëri.

4 Komente

Gjynah, kam kalu nje pjese te konsiderueshme te femijnise duke vrapuar lart e poshte neper shkallet e atij amfiteatri. Me kujtohet njehere qe ia shpjegoja  nje amerikani qe kishte ardhur per pune, se nuk kishim parqe lojrash ne lagje kur ishim femije dhe "playgroundi" im ka qene ky amfiteatri ketu ku 2000m vjet me pare  ziheshin gladiatoret me luanet, ai i shkreti hodhi njehere syte rretherrotull dhe psheretiu: "Ehhhh Europa!".

smiley

Mire ky qe dihet, po ato qe i kane bere kurban pallatet. 

Alma, moj Alma! Puno pak më shumë dhe nxirre vet lajmin, pa e kopjuar nga gazetat e tjera. E sjell për lexuesin e "Panorama"-s me një ditë vonesë, sepse organet e tjera e kanë dhënë një ditë më parë. Si gazetare e re, do mësosh më shumë, kur lajmin nuk e merr qyl nga të tjerët.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).