Kësaj fushate nuk po i mungon asgja, premtime, kërcënime, pistoleta, shamje, shpifje, mashtrime, shitblemje, shkarkime e shumë të tjera si këto. Sigurisht ajo që që të bjen në sy asht gama e pabesueshme e premtimeve: shkolla, autostrada me katër korsi, pallate sportit, heqje vizash, vende pune, investime, zbukurime, integrim, bashkim, shembje dhe ndërtime, ura dhe pasarela, koncerte pop dhe kabina plazhi, çertifikata pronësie, universitete të reja, fabrika, aeroporte, porte turistike e shumë e shumë gjana që për t’i realizue me të vërtetë do të duheshin nja 50 vjetë të mira.

Këto premtime nuk i beson askush, jo vetëm ata që i kumtojnë me za të marrun, por edhe qytetarët e katundarët e mjerë që ndjekin si të trumhasun mitingjet logorroike. Me gjithë lehtësinë me ba premtime boshe nuk kam ndie deri tash asnji forcë politike që të premtojë nji projekt, nji investim të përbashkët me agjensi të hueja për ruejtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

E dimë se me mjerimin që na ka zanë derën, me gjysëm analfabetizmin e ngritun në rang ministerial dhe me mundësitë objektivisht të kufizueme tonat për me prodhue kulture të mirëfilltë, sot kena shumë pak kulturë, por të paktën të ruejmë atë që na kanë lanë paraardhësit tanë!

Kemi pa dhe ndie në këto vite nji masakër të vërtetë të siteve arkeologjike dhe të vlerave tjera kulturore. Rasti i fundit ishte damtimi fatal i afreskut të Onufrit në kishën e shëna Premtes në Valsh të Elbasanit në fillim të këtij viti dhe papërgjegjsia skandaloze e ministrit të atëhershëm Bumçi përballë këtij akti barbar.

Përditë shohim sesi sitet arkeologjike rrezikohen nga betoni, nga gërmimet e paligjshme, sesi pasunia jonë kulturore vidhet dhe shitet në tregjet ndërkombëtare, sesi mungesa e çdo kujdesi dhe dashunie për kulturën tonë po bjerr përditë dëshmi të randësishme të së kaluemes.

Mes shumë premtimesh në ketë fushatë do të na kishte pëlqye me ndie të paktën nji herë nji premtim sado të kotë në lidhje me ruejtjen e trashëgimisë sonë kulturore, por asnji fjalë, asnji gjest simbolik, asnji ndjesë përpara shqiptarëve për humbjet e pallogaritshme të këtyne viteve.

Politika jonë barbare e din se kultura në Shqipni asht nji luks i tepërt dhe i panevojshëm, prandaj as që lodhet me kërkue vota tue u marrë të paktën simbolikisht nji herë në katër vjet me trashëgiminë tonë kulturore.

Para disa vitesh ndërsa po vizitoja me dy miq nji kishë ortodokse shumë të famshme në juglindje të Shqipnisë, vëreja me keqardhje sesi në narteksin e jashtëm të saj, afresket e hijshme të traditës autoktone ishin të damtueme prej shkrimesh, gërvishtjesh, shkarravinash e simbolesh tjera idioteske.

E bukura dhe e shëmtuemja tek ne rrijnë shumë afër njena tjetrës, kjo e dyta sigurisht fiton përherë e ma shumë hapsinë. E megjithatë edhe në ato përpjekje mjerane të atyne shkarthave të panjohun që kanë damtue afreske të paçmueshme, qëndron dëshira me mbetë, mos me u harrue, me u kujtue.

Edhe ato kafshë të vogla i mundon ramja në asgja, kthimi në pluhun, dhe ankthi e dëshpërimi i pavetëdijshëm që buron prej asgjasimit të qenjes i ka shty me lanë inicialet e emnit, me kujtue nji datë, nji vend, me gërdhisht nji figurë groteske.

Nji pjesë e shqiptarëve don me shkue kah Amshimi nepërmjet shkarravinave.

E megjithatë, edhe ata anonimë, në dukje kafshë pa shpirtna e pa sensin e së bukurës, e kanë kuptue se cili asht vendi ku mund të zgjatet disi kujtimi i qenjes së tyne të pakuptimte. Nuk kanë shkue me zhgarravitë tjetërkund por shi atje ku e ndiejnë me instinkt se banon e bukura. Në vetvete emnat e tyne do të kishte mjaftue me i pasë shkrue edhe në pluhun, në ranë ose në ndonji lëvore pemet, por edhe ata kanë dashtë diçka ma shumë…e kjo asht nji shpresë ma shumë se me anën e edukimit e të shkollës mbasardhësit e tyne do të munden me e kuptue dhe me e ruejt të bukurën, në qoftë se Shteti nuk ka me fjetë siç ka ba deri tash!

 

Në foto: Xhami në Berat, monument kulture i kategorisë së parë

13 Komente

Kur me thone po ne Shqiperi c'mund te vizitojme,me vjen turpsmiley

Atje as Skenderbeun dhe kalane e tije ne Kruje se permend  dot smiley

Or te jete e mirembajtur se e permend.mos llokocit kot brado!

Lerja atyre fajin. Na i shkaterruat ju te gjitha,  thuaji. 

Po jo me se e mirembajtur eshte ajo ; gjithe ajo Kala , po cte duhet tja permendesh , bohesh kot sepeb per prishjen e mardhenieve.

Aha

Objekti kryesor dhe me i rendesishem i trashegimise sone kulturore eshte GJUHA! Kete shkrim, si edhe te tjere te autorit pata veshtiresi ta lexoj rrjedhshem, pavaresisht se une vete kam lindur e jam rritur ne nje zone te Shqiperise ku dialekt gjuhesor eshte gegerishtja. Gjuha qe Ndreca zgjedh te perdore eshte, per mua, kundrejt shqipes se dashur standarte, njelloj si ato shkarravinat mbi afresket e kishave ortodokse qe permenden ne shkrim.

E thene kjo, une personalisht per trashegimine kam nje pikepamje pak te ndryshme nga autori.

Une mendoj se nuk ka ministri apo vullnet qeveritar qe mund ti ruaje objektet e trashegimise, ne kushtet e indiferences se plote ndaj tyre te bashkesive vendore ku ato ndodhen.

Per mendimin tim, hapi i pare ne drejtim te mbrojtjes dhe vleresimit te trashegimise eshte ndergjegjesimi per vleren e saj i popullates se trojeve ku ndodhen objektet dhe perfshirja e tyre ne perfitimet eventuale morale dhe materiale nga trashegimia.

Pa kete vizion nuk shkohet larg...

 

 

 

BRACE YOURSELF

LINGUISTS ARE COMING.

dhe mu m'vjen noiher me fol n'dialekt, po ca t'boj, duhet me pas icik respekt&edukate per ate qe t'lexon.
 

Gegerishtja eshte shume e embel, melodioze, por mua te pakten s'me duket komode, me duhet t'i kthehem nga 2 here te njejtes fjali, ngaqe me shperqendron ky dialekt, keshtu qe ju lutna Z.Ndreca, e dime qe jeni origjinal dhe qellimpaster, here tjeter shqipe standarde.

Cdo bisede ka regjistrin e saj. Nuk bisedohet njelloj ne familje, me shoket e lagjes, ne mbledhje pune, ne takime zyrtare, ne bashkebisedimin publik me shkrim, e keshtu me rradhe!

E folura e lagjes sime p.sh., mjedisit ku kam lindur dhe jam rritur eshte ku e ku me e ndryshme nga shqipja zyrtare!! E ndryshme ama edhe nga gegerishtja e Ndreces, apo ajo e shume miqve kosovare, qe flasin nje tjeter shqipe akoma!

Per mendimin tim standarti eshte i vyer dhe duhet mbrojtur e kultivuar papushim, pikerisht pasi na mundeson bashkebisedimin si komb, pavaresisht prejardhjes gjeografike, lagjeve apo qytezave ku kemi lindur.

Po sjell edhe rastin e Italise, ku te folurat rajonale jane me qindra! Por gjuha zyrtare eshte vetem nje; dhe per me teper pranohet nga te gjithe, pavaresisht se i ngjan vetem njeres prej te folurave, asaj te Italise qendore, me shume sesa te tjerave.

Ne permbyllje, mua ata qe shkruajne si Ndreca me duket sikur duan te komunikojne vetem me shoket e vet te lagjes, te vetmit qe e kuptojne dhe e shijojne njeqindperqind kete lloj ligjerate. 

po i njejti eprson emri i te cilit eshte vnedosur tek ato shkrimet ne Berat, po germon e betonon kundra te gjitha urdher bllokimeve te institucioneve, ne DUrres, mu perballe kalase se qytetit, aty ku ka qene Nish Cigarja.

ja kush jane politikanet dhe pretendente politikanet

E çuditeshme, aty nga 1995 a 96 hasa nje shkrim per trashemimin kulturore qe po sakatohej e shkatrohej. Para se te nisesha perseri per emigracion, aty nga 1999, hasa perseri nje shkrim per mos interesimin e shtetit dhe qeverise per trashegimine kulturore qe po shkaterohej dhe po cenohej. Kur u ktheva pas 7 vjetesh (qe morra kartat e bardha) , hasa perseri nje shkrim ku flitej per demin qe po i shkaktohej trashegimise kulturore, dhe tani ne 2013 po lexojme qe per trashemimin kulturore, nuk ka vemendje e kujdes nga shteti, megjith thirjet e shum intelektualeve.  A nuk tregon kjo papergjeshmerine e shtetit shqiptar dhe qeverive shqiptare. 

Jo, kjo tregon se trashegimia jone kulturore eshte hem stoike hem e pashterrshme! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).