BOSHLLËK 

 

Një ditë do të shfaqesh në pasqyrën time,

ashtu e qeshur si nata që iku, do të mbyll të gjitha

dritaret, dyert, nga kafazi im, mos të fluturosh.

 

Prandaj duhet të shpejtoj, të ngrë mure të rinj,

pa dyer, dritare, të pikturoj diej nëpër korniza,

një det në qilim dhe kuaj në lëndinën e guzhinës duke ngrënë,

pastaj do të vë një pasqyrë, pasqyrë gjigande, të kristaltë,

ku do të shfaqesh ti, e qeshur, më e qeshur se kjo natë,

që vjen, e vjen, e vjen… .

 

10.2003

 

 

PËRGJIM

 

Shtëpia rënkon nën kornizat varur mureve,

dhe ti një ditë do të mbyllesh atje, muret përsëri

do të ankohen, ti, jo, nuk ke kujt ti bërtasësh,

fjalën e tyre të fundit dyert e thanë,

të trokiturat ndalohen me ligj,

tashmë ka humbur fletankesa jote,

 

dhe trupi rebelohet, duart thyjnë kornizat,

këmbët shqelmojnë dyert, mishi trokitjet rikujton,

muret rënkojnë, përsëri rënkojnë muret, nuk ka më korniza,

vetëm sy nëpër dritare.

 

10.2003

 

 

NINULLË

 

Ai iku, mbylli derën,

jo, dera e mbylli atë.

Rruga me shami në duar, (duke e tundur),

e përcolli gjer tek deti,

jo, shamija me rrugën në duar, (duke e tundur),

e përcolli gjer tek deti.

Deti me pulëbardhat e zeza dhe

kapelen e kuqe, e futi në anije,

jo, pulëbardhat e zeza dhe kapelja e kuqe

me detin, e futën në anije.

 

Anija u përkund,

u përkundën dhe duart e nënës.

 

11.2003

 

 

GUACKA  BRENDA  TEJE

 

Brenda guackës futi veten,

e leu me të kuqe dhe blu,

vari një derë, ku trokasin

njerëzit e mësuar me të trokitura,

vari dhe dy dritare të gjelbra,

ku njerëzit që hyjnë nga dritarja

të hynin dhe aty.

Vari dy buzë që s’puthën kurrë,

ku njerëzit që s’kishin puthur,

të vinin buzët e tyre.

Vari dhe rrobat, (dy ré që erdhën për urim

i futi nëpër korniza), ku njerëzit

e ç’veshur të varnin shpresat.

 

Brenda guackës futi veten,

botë e kuqe, botë blu,

me dy dritare të gjelbra.

 

11.2003

 

 

KAFSHOJE  DETIN  NATË

 

Kafshoje detin natë!

 

Ngjyrat le të bërtasin pastaj.

Ujqër të lemerisur do ti ankohen hënës,

pastaj rrobat le të na veshin mbrapsht.

 

Kafshoje detin natë!

 

02.2004

 

 

DUA  TË  KËNDOJ  DHE  TË  VALËVITEM

  

Dua të këndoj këngën e pëllumbit

që ballkonin tim mbushi glasa.

Të këndoj dhe të fluturoj pastaj.

Sigurisht që do të rrëzohem

dhe do të bëhem dhè,

një dhè i errët, mbushur

rrënjë dhe mollë.

 

Dua të valëvitem si kanatierja

ime e grisur, kafshuar kapse

që dielli i djeg.

Të valëvitem dhe të fluturoj pastaj.

Sigurisht që do të rrëzohem

dhe do të bëhem dhè,

një dhè i grisur, mbushur

kanatiere, kanatiere, kanatiere… .

 

Dua të këndoj dhe  të valëvitem.

 

03.2004

 

 

DUA  T’I  SHQEP  ATO  RRUGICA

  

Nganjëherë çmëndem të vish.

Nganjëherë çmëndem të harrosh rrugën

që të çon drejt meje,

dua ti shqep ato rrugica

që errësirën dashurojnë,

dëshirë, mendimi lagur mall,

fshehur xhepave të çpuar.

Ulur rri, mbi natën që fërshëllen

melodinë tonë të djeshme.

 

Nganjëherë çmëndem të vish.

Nganjëherë çmëndem të harrosh rrugën

që të çon drejt meje.

 

03.2004

 

 

KU  VETE KËSHTU?

 

Ku vete kështu,

mes ngatërresash kaq e sigurtë

dhe ikën, ikën si ditë nga kafazi i natës,

për të hedhur vellon në krahët e virgjërisë sonë,

duke pirë qiellin në kupë çaji,

rrugicën tonë në çantën e tualetit e fut,

pasqyrë të vogël, e vogël por e lumtur për ne,

për grimcat e rërës që rrëshqasin duarve

si kujtimet,

 

gjurmët e limonave mbin të kaltër,

karafili dhe shega mbi buzët e tua puthen.

 

Ti erë ku vete kështu?!

 

07.2003

 

 

FSHEHUR

 

Këtu kam ardhur për të ikur më tutje

për të grabitur kufijtë e mosdashjes tënde,

të asaj që më donte dhe s’më deshi kurrë,

nëse ikën dhe vjen, rrutullo më mirë kokën rreth vetes,

thëmbrat le të vizatojnë dhimbjen time në rërë

ose më mirë hipi anijes dhe fluturo mbi erë

mbi sytë e mi, veshët, duart si rrema përdormi

dhe kur atje larg të mbërrish e të këndosh

këngën e dashur të çastit tonë, dije, aty jam,

fshehur në ndonjë notë të muzikës që era më sjell.

 

09.2003

 

 

ROMANCË

 

Jam kthyer përsëri, përsëri nuk dihet se ku shkova,

një tjetër që rrobat dhe hapat e mia kishte veshur, si zakonisht

në ora tetë mbërriti. Të hapur e gjeti derën, zemrën e gruas

si zakonisht të mbyllur. Të parën shqelmoi veten, pastaj muret,

dritaret nga frika shkundën xhamat dhe shkoi të shtrihej

nën zhurmën e ëndërrave, që vetë urdhëroi,

të flinin.

 

09.2003

 *marrë nga "Fjala Review"     ANDI MEÇAJ E KA SHKRUAR “PËRGJIMIN”SIKUR TË KËNDONTE “MAMMY BLUE” nga FARUK MYRTAJ   Në librin me poezi "Qyteti Fle Në Xhepin Tim", të Andi Meçajt*, botuar në Athinë 2006, është edhe poezia: PËRGJIM Shtëpia rënkon nën kornizat varur murevedhe ti një ditë do të mbyllesh atje, muret përsërido të ankohen, ti, jo, nuk ke kujt t’i bërtasësh,fjalën e tyre të fundit dyert e thanë,të trokiturat ndalohen me ligj,tashmë ka humbur fletankesa jote, dhe trupi rebelohet, duart thyejnë kornizat,këmbët shqelmojnë dyert, mishi trokitjet rikujton,muret rënkojnë, përsëri rënkojnë muret, nuk ka më korniza,vetëm sy nëpër dritare. I jam rikthyer shpesh krijimtarisë së Andit. Jo veç si “shpresë e pohuar”, por edhe si pashmangshmëri e Hiqmet Meçajt. Prishin punë Etërit, ndonjëherë, por më shumë ndreqin! Raporti jo i kollajshëm më kujton Anil Frashërin, djalin e aktorit të madh Naim Frashëri (aktorit). Ia kujtonin babanë, vend e pa vend, ia kthyen në makth: “Naimi është Naim, e kështu ka për të qenë”, “babai Yt ishte tjetër Ai, aha...!”, “Nuk bëhemi dot si Ai ne, as ti...”! Po lexoja “Përgjim-in” sot dhe (a thua intuitivisht) klikova në google për “Mammy Blue”. Thjesht si emigrant me nënën larg, pafundësisht larg... Aq larg sa mund të përkufizosh ndryshe ekzistencën fizike... Për disa minuta dhe disa minuta të tjera, sërish edhe disa minuta, dëgjova këtë këngë prej Demmis Roussos, pastaj në interpretimin e grupit spanjoll Pop Tops, pastaj Ricky Shayne, Bernd Cluver, prej Dalida dhe Nicoletta, prej Julio Iglesias, më pastaj të Celine Dion, interpretim i hershëm i saj, Roger Whittaker, Brother Louie group, Franck Pourcel, Juan Torres, Ian Lloyd dhe s’ndenja dot pa iu kthyer Demmis Roussos që i ngrè himn tokës greke, mesdhetare, diellit dhe dashurisë aty! Oh Mammy, oh Mammy Mammy BlueOh Mammy Blue.............I may be your forgotten sonWho Wandered off at twenty-oneIt's sad to find myself at homeWithout youIf I could only hold your handAnd say I'm sorry, yes I amI'm sure you'll really understandOh Mammy............................. Po e lexoja poezinë e Andit si gjendje-afërt me Mammy Blue?!Në të gjitha gjuhët, në të gjitha zërat, “shtëpia e ndjenjës rënkon nën kornizat varur mureve të zemrës” perifrazojmë poezinë. Në të gjitha kohët, në të gjitha moshët, në të gjitha poemat dhe në secilin prej vargjeve, prej të gjithë lexuesve, prej njerëzve, të gjithë të vdekshëm, të shndërrueshëm në blue... Në përgjim të qenies njerëzore brenda vetes, brenda shtëpisë, brenda e jashtë atdheut, si i bëhet paracaktimit që Njeriu “një ditë do të mbyllet atje, në njërën nga kornizat” dhe Jeta, ajo që e ke lindur Ti? Ti, Mammy që (si mund të) bëhesh Blue, Ti Mëkëmbësja e Zotit në Tokë, Ti Krijuesja që kurrë nuk e ke ngritur zërin për tu lëvduar si e tillë... si mund të pranojmë kornizash? Nëse jeta mbetet pas, është thjesht provë e dëshmi jotja, por pa Ty...E këngës, pavarësisht këngëtarëve, gjuhëve, ndjenja që prej së gjalli ka siguruar përjetësinë dhe që së vdekuri bëhet qenie e të gjallit... Muret, si gjithë gjërat e palëvizshme, ankohen për fatin e tyre, e përcjellin mërinë në përplasjet e dyerve që mbyllen e hapen, prej trokitjeve të të panjohurve dhe hyrjes pa trokitur të Njerëzve të Shtëpisë. Këta mbeten without You, më dhimbshëm se You without them. Ndjehen kështu. I shohim kështu. E dinë ligjin e jetës, e dinë që “të trokiturat në Botën Andej ndalohen me ligj”, madje eh, bëjnë gjithçka që të qetësojnë merakun e Mammy të ngjyruar në Blue, në të gjithë zërat, në të gjitha figurat letrare, përjetësisht të lidhura me lindjen, me Nënën... “Rebelohet”, aq më shumë kur ka joshur veten në kahen e krijuesit, muret e zemrës që gjithnjë ashtu kanë rrahur për të Dërguarën e Posaçme të Zotit për Të, rënkojnë duke këngëzuar fjalësh, rimash, “s’ka korniza” dhe lotët me se s’bën duhen ndaluar me ligj, si gjithë gjërat që përbëjnë Lirinë e njeriut!Andi Meçaj e ka shkruar “Përgjimin” sikur të këndonte “Mammy Blue”. Them kështu për gjendjen. Së paku siç e lexova sonte, e Premte, 11 prill 2008, Toronto, Kanada. *Andi Meçaj u lind në Vlorë më 6.06.1975. Aty mbaroi liceun artistik për pikturë. Në Greqi, një ekspozitë pikture vetjake, iu vlerësua nga shtypi vendas. Në vitin 2001 boton librin poetik “PUTHJE UJORE”. Më pas boton: “Tokë e bekuar”, poezi, 2002, “Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003; “Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006. Është përfshirë në disa antologji dhe përmbledhje dhe është vlerësuar me disa çmime letrare.     MBI LIBRIN POETIK TË ANDI MEÇAJT:“QYTETI FLE NË XHEPIN TIM”, ATHINË 2006 nga ARIAN LEKA   I dashur Andi, po të shkruaj edhe një herë për poezitë e tua dhe po të risjell sërish ato që shkruajta mbrëmë natën, paçka se siç thotë edhe Herakliti nuk mund të pijmë dy herë ujë në të njëjtin lumë. Por sot, kur më erdhën edhe fotot e pikturave të tua, më vjen mirë që kam përdorur edhe fjalën sy edhe fjalën figuracion surrealist edhe pamje dhe vargje të kompresuara, të ngjeshura në një pamje.Urime, miku im se vërtet më dhe kënaqësi me poezitë për të më hequr etjen se si shkruaje ti. Ajo që më pëlqen mënjanë është natyralizimi yt i plotë me tekstin poetik, aty nuk ka fraza as kërkime figurash që të çmendin me befasinë e kërkuar për të të habitur. Aty ka natyrshmëri dhe kjo, sipas meje vjen nga ambientimi me atë çka është e jotja dhe që nuk e ke vështirë ta thuash. Ke vënë re, se për shumë njerëz është mjaft e vështirë të bëjnë një rreth, ndërkohë që për rrethin mendojnë se është forma më e thjeshtë në botë. Ti këtë ke bërë me këto poezi. Pikasoja thoshte unë nuk kërkoj, unë gjej dhe më duket se ti e ke gjetur në këto poezi atë që ke dashur të shprehësh. Më shumë se çdo shqisë tjetër poezia jote ka sy, një sy që të ndjek, të tregon si i sheh pamjet dhe të fton të shohësh pamje të tjera, herë ireale, herë surreale, herë gjysmëkubiste e herë të ngjeshura, pa ajër, që të marrin shpirtin dhe frymën nga ajo që ofrojnë. Veçmas më pëlqyen forma dhe befasia e  “KU VETE KËSHTU...”, “GJETHE QË SHKRIHET NË GUSHË”, “ROMANCË”, (romancë më të paqetë nuk kam mundur të lexoj), “PËRGJIMI”, me sytë nëpër dritare..., “NINULLA”, veçmas fare (por këtë dhe të tjerat, “MOHAMEDIN”, “PLAKUN LODËR”... Të kam shkruar kur m'i nise fillimisht), “VOGËLUSHI DHE DETI”, me anijet që dhurojnë lodra..., “FJALËT QË VDESIN NATËN”, “SHTËPIA”... (sa e pranishme kjo temë tek ti, me të gjitha elementet e saj, mure, dritare, lloj lloj rrugësh, korniza dhe paksa det diku në cep), “PIKTURË SURREALISTE”, “FRIKA QË TË BËN PËR TË QESHUR”, me atë ikje balade me kokë ndër duar, “Ç’DHËMBË  TË TMERRSHËM”, horrorin prej buburezave si thyerje të tipologjisë dhe estetikës së tyre... “KUR BIE SHI”... Me aq detaje si një film neorealist.Nuk kam fjalë tjetër veç urimeve për ty. 4 gusht, 2006 

 

1 Komente

smiley  sa te embla   smiley

 

gjurmët e limonave mbin të kaltër,

karafili dhe shega mbi buzët e tua puthen.

 

Ti erë ku vete kështu?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).